Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.582/21] të Gjykatës Supreme të 28 shkurtit 2022

Nr. të lëndës KI218/22

Parashtruesit: Sadri Rexhepi

Shkarko:

KI218/22, Parashtrues: Sadri Rexhepi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.582/21] të Gjykatës Supreme të 28 shkurtit 2022

KI218/22, Aktvendim për papranueshmëri i 7 marsit 2023, publikuar më 21 mars 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë civile, kërkesë e paafatshme 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil, mes parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Prishtinës si punëdhënës. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar profesionin e mësimdhënësit në shkollën Asim Vokshi në Prishtinë, në lëndën e historisë. Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, më 27 dhjetor 2018, ia kishte ndërprerë parashtruesit të kërkesës marrëdhënien e punës. Ky vendim ishte konfirmuar nga Komisioni i ankesave i kësaj komune me Vendimin [01-070/01-13768/19] e 22 shkurtit 2019. Kundër vendimeve të Komunës se Prishtinës, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore, e cila me Aktgjykimin [C.nr. 839/19], e 5 shtatorit 2019 e kishte hedhur poshtë si të pasafatshme kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar më pas nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi që Aktvendimi i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt], të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë rast, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e kontestonte Aktvendimin [Rev.nr.582/21] të 28 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme, i cili bazuar në fletëkthesën e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore i është dorëzuar të njëjtit më 28 mars 2022, ndërsa kërkesa ishte parashtruar në Gjykatë më 30 dhjetor 2022, përkatësisht pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit.

Parashtruesit:

Sadri Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri