Prishtinë, më 20 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2524/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI127/24
Parashtrues
E. K.
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PML. nr. 182/2024] të 16 prillit 2024 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga E. K., me vendbanim në fshatin Varosh, komuna e Ferizajt (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Shpresa Berisha-Rexhepi, avokate në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [PML. nr. 182/2024] e 16 prillit 2024 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 736/2023] e 31 janarit 2024 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [nr. 2018: 058623] e 27 tetorit 2023 të Gjykatës Themelore të Ferizajt (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon nga Gjykata që identiteti i tij të mos zbulohet “ngase seanca është mbajtur me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së lëndës dhe faktit se i dëmtuari ka qenë i moshës jo madhore”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës nr. 01/2023 së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 28 maj 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 29 maj 2024, parashtruesi i kërkesës plotësoi kërkesën e tij fillestare.
Më 10 qershor 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [nr. GJR. KI127/24] caktoi gjyqtarin Jeton Bytyqi, gjyqtar raportues dhe me Vendimin [KSH. KI127/24] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 14 qershor 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 4 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në dosjen e rastit, parashtruesi i kërkesës më 11 nëntor 2013 në veturën e tij, kishte marrë të miturin Q. A. dhe kur kanë arritur në fshatin Sllatinë e kishte ndaluar veturën dhe për qëllime seksuale, kishte filluar të prekë të miturin Q. A., me ç’ rast ishin vërejtur nga një patrullë e policisë dhe i kishte shoqëruar për në stacionin policor.
Më 29 nëntor 2013, Prokuroria Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) ngriti Aktakuzën [PP. I. nr. 216/2013] ndaj parashtruesit të kërkesës për veprën penale “keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet”, sipas paragrafit 1.3 të nenit 235 të Kodit Penal nr. 04/L-082 të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Më 12 shkurt 2014, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P. nr. 1784/13] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh.
Më 30 qershor 2014, Gjykata e Apelit, pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, përmes Aktvendimit [PAKR. nr. 254/14], por sipas detyrës zyrtare, anuloi Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore dhe ktheu çështjen në rigjykim, me arsyetimin se dënimi i shqiptuar ishte nën minimumin e paraparë ligjor dhe se Gjykata Themelore nuk kishte dhënë arsye për këtë.
Më 15 dhjetor 2020, në rigjykim, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 958/14] e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe ia shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh.
Më 14 prill 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAKR. nr. 102/21] e anuloi Aktgjykimin [PKR. nr. 958/14] e Gjykatës Themelore dhe ktheu çështjen në rigjykim, me arsyetimin se nuk ishin respektuar fazat e procedurës penale gjatë rigjykimit.
Më 27 tetor 2023, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [nr. 2018:058623] e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës, për veprën penale “keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”, sipas paragrafit 1.3 të nenit 235 të KPRK-së dhe ia shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh. Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesi i kërkesës e kishte marrë në veturën e tij viktimën Q. A., të cilin e kishte prekur dhe përdorur seksualisht brenda veturës pa vullnetin e tij. Në vendin e ngjarjes kishte kaluar njësiti i patrullimit policor që i kishte parë brenda veturës parashtruesin e kërkesës dhe viktimën si dhe i kishte shoqëruar për në stacionin policor. Ekspertja A.V., kishte konstatuar se deklaratat e viktimës të cilat i kishte dhënë në periudha të ndryshme kohore përputheshin me njëra-tjetrën dhe kjo tregonte faktin që viktima ishte në gjendje të rregullt psikologjike, sa për t’i kujtuar ngjarjet në mënyrë objektive. Sipas procesverbalit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore kishte refuzuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për caktimin e ekspertit antropolog, ndërsa kërkesa për mendimin e psikologut, ishte miratuar.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se Gjykata Themelore nuk kishte miratuar kërkesën përkitazi me marrjen e ekspertizës, ndërsa Prokuroi i Prokurorisë së Apelit përmes shkresës [PPAM/l. nr. 668/2023] kishte propozuar që ankesa e lartcekur të refuzohet.
Më 31 janar 2024, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 736/2023] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [2018:058623] e Gjykatës Themelore, duke arsyetuar mes tjerash se në bazë të të gjitha provave të administruara është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës e kishte kryer veprën penale dhe i njëjti e kishte ditur për moshën e mitur të viktimës. Përkitazi me refuzimin për të caktuar ekspertizën nga antropologu për përcaktimin e saktë të moshës së viktimës në kohën e kryerjes së veprës, Gjykata e Apelit konstatoi se Gjykata Themelore me të drejtë e kishte refuzuar ekspertizën mjeko-ligjore, për shkak se koha e gjatë e kaluar e bën të pamundur përcaktimin, përmes ekspertizës antropologjike, të moshës së viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, duke përsëritur të njëjtat pretendime përkitazi me marrjen e ekspertizës që kishte paraqitur para Gjykatës së Apelit.
Më 16 prill 2024, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 182/2024] e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se, ndër të tjera, (i) të gjithat provat e administruara vërtetuan faktin që parashtruesi i kërkesës e kishte kryer veprën penale; (ii) viktima kishte dëshmuar dy herë për ngjarjen në mënyrë konsistente; dhe se (iii) një gjë të tillë e kishte konstatuar edhe ekspertja, e cila vlerësoi që deklaratat e viktimës ishin në përputhje me njëra- tjetrën dhe se viktima ishte në gjendje të aftë mendore për ta kujtuar ngjarjen.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta kanë cenuar të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit] të KEDNj-së, për shkak se refuzuan administrimin e provës vetëm për shkak të diskriminimit gjinor, përkatësisht mosdurimit ndaj orientimit të tij seksual.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata e Apelit e udhëzoi Gjykatën Themelore që në procesin e rigjykimit të administronte ekspertizën ligjore nga ekspertët përkatës. Instituti i Mjekësisë Ligjore kishte shprehur gatishmërinë për ekzaminimin mjeko-ligjor, mirëpo Gjykata Themelore e refuzoi caktimin e ekspertizës si provë në këtë proces gjyqësor për shkak të diskriminimit ndaj tij për orientimin e tij seksual.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se njëri nga gjyqtarët kishte theksuar se prova refuzohet sepse “duke marrë parasysh edhe gjininë e njëjtë të palës akuzuese dhe të dëmtuar”. Sipas parashtruesit të kërkesës, kjo fjali e gjyqtarit tregon faktin që refuzimi i provës u bë vetëm si rezultat i diskriminimit gjinor. Pra, Gjykata Themelore është dashur ta caktojë ekspertizën ligjore dhe jo t’i cenojë të drejtat kushtetuese si barazia para ligjit. Ai shton se sikur Gjykata Themelore “të vepronte sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit të cilat udhëzuan ekspertizën ligjore për një gjykim të drejtë dhe të ligjshëm e mbi këtë bazë edhe propozimi i përsëritur i mbrojtës, i pandehuri do ta gëzonte të drejtën në provë dhe nuk do të kërkohej përjashtimi i kryetarit të trupit gjykues i cili në mosdurimin në dallimin në shkaqe gjinore, përkatësisht orientimin seksual të palëve [...]”, ka krijuar standard të dyfishtë në gëzimin e të drejtave të njeriut.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Supreme në heshtje e pranoi diskriminimin gjinor duke krijuar një standard që është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe e njëjta “mungesë të provës kruciale – Ekspertizës Ligjore” [...] ka vendos standarde të dyfishta ndaj qytetarëve.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
[...].
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 14
Ndalimi i Diskriminimit
Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç parashihen më tutje në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [PML. nr. 182/2024] e 16 prillit 2024 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113 të Kushtetutës dhe nenit 47 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë), përkatësisht me paragrafin (2), të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk e mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
[...]
Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së Kemmachev kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, paragrafi 44 Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005, paragrafi 55; Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008, dhe rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 26; KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53; dhe KI05/23, parashtrues Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafi 51).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Bazuar në dosjen e rastit, parashtruesi i kërkesës më 11 nëntor 2013 në veturën e tij, për qëllime seksuale, kishte prekur të miturin Q.A. Si pasojë, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzën kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të veprës penale “keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet”, sipas paragrafit 1.3 të nenit 235 të KPRK-së. Gjykata Themelore, pasi rasti ishte kthyer dy herë në rigjykim, përmes Aktgjykimit [nr. 2018:058623] e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës, për shkak të veprës penale “keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”, sipas paragrafit 1.3 të nenit 235 të KPRK-së dhe ia shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 736/2023] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore, duke arsyetuar, ndër të tjera, se në bazë të të gjitha provave të administruara është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës e kishte kryer veprën penale dhe e kishte ditur për moshën e mitur të viktimës. Përkitazi me refuzimin për të caktuar ekspertizën mjeko-ligjore për përcaktimin e saktë të moshës së viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale, Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës konstatoi se Gjykata Themelore me të drejtë e kishte refuzuar këtë ekspertizë, për shkak se koha e gjatë e kaluar e bën të pamundur përcaktimin, përmes ekspertizës antropologjike, të moshës së viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale. Aktgjykimet e lartcekura ishin konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e cila refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNj-së, për shkak se gjykatat e rregullta e refuzuan propozimin për caktimin e ekspertizës mjeko-ligjore për shkak të diskriminimit gjinor, përkatësisht për shkak të mosdurimit ndaj orientimit seksual të tij.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, sipas së cilës “diskriminimi do të thotë trajtim ndryshe, pa një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të personave në situata relativisht të ngjashme” (shih, rastet e GjEDNj-së, Willis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36042/97, Aktgjykimi i 11 qershorit 2002, paragrafi 48; Bekos dhe Koutropoulos kundër Greqisë, nr. 15250/02, Aktgjykimi i 13 marsit 2006, paragrafi 63, shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim i 5 janarit 2021, paragrafi 44).
Më tej, Gjykata rikujton se në mënyrë që pretendimet e parashtruesve në lidhje me shkeljen e të drejtës për mosdiskriminim të jenë të suksesshme, ata inter alia, duhet të dëshmojnë se pozita e tyre mund të konsiderohet e ngjashme me pozitën e një personi tjetër i cili ka pasur trajtim më të mirë (shih, rastin e GjEDNj-së rastin Fredin kundër Suedisë, nr. 12033/86, Aktgjykim i 18 shkurtit 1991, paragrafi 60, shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI166/20, cituar më lart, paragrafi 45).
Në lidhje me pretendimin se parashtruesi të kërkesës kishte propozuar një ekspertizë mjeko-ligjore, një antropolog ose profesor të anatomisë, për të vlerësuar nëse ishte e mundur të bëhej dallimi i moshës së viktimës në kohën kur ishte kryer vepra penale, ky propozim ishte refuzuar nga Gjykata Themelore, me arsyetimin se nuk ishte i domosdoshëm mendimi i antropologut në këtë rast për shkak se koha e gjatë e kaluar e bën të pamundur përcaktimin, përmes ekspertizës antropologjike, të moshës së viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale. Ndërsa bazuar edhe në gjetjet e Gjykatës së Apelit kur e kishte kthyer rastin në rigjykim, Gjykata Themelore kishte caktuar një psikolog në cilësinë e ekspertit, për të vlerësuar deklaratat e dhëna nga viktima dhe qëndrueshmërinë e tij emocionale.
Prandaj, një kërkesë të tillë e kishte marrë parasysh Gjykata Themelore, e cila e kishte administruar si provë ekspertizën e psikologes. Ndërsa sa i përket ekspertizës nga antropologu, sipas gjykatave të rregullta, përfshirë Gjykatën Supreme, nuk ishte kontestuese fare mosha e viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale. Për më tepër, Gjykata thekson se, në rastet kur palët propozojnë dëgjimin e ndonjë dëshmitari apo marrjen e provave të tjera, për shembull marrjen e një raporti të ekspertit, në parim, është në autoritetin e gjykatave të rregullta për të vendosur nëse është e nevojshme të pranohet ajo provë gjatë procesit gjyqësor (shih, rastin e GJEDNj-së, Huseyn dhe të tjerët kundër Azerbejxhanit, nr.35485/05, 45553/05, 35680/05, 36085/05, Aktgjykim i 26 korrikut 2011, paragrafi 196; përkitazi me administrimin e provave shih gjithashtu rastet e Gjykatës, KI122/19, parashtrues F.M., Aktvendim për papranueshmëri i 9 korrikut 2020, paragrafët 66-69; KI98/21, parashtrues Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku, Aktvendim për papranueshmëri i 3 marsit 2021, paragrafët 62-63).
Parashtruesi i kërkesës pretendon se refuzimi i propozimit për caktimin e ekspertizës mjeko-ligjore u bë për shkak të diskriminimit gjinor, sepse në arsyetim Gjykata Themelore përdori fjalinë “...duke marrë parasysh edhe gjininë e njëjtë të palës akuzuese së dëmtuar, konsiderojmë se nuk është i domosdoshëm mendimi i antropologut në këtë rast...”.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se gjykatat e rregullta e refuzuan propozimin për caktimin e ekspertizës e kërkuar për shkak se nuk ishte kontestuese fare mosha e viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale dhe se ishte marrë vlerësimi i psikologes në cilësinë e ekspertes, ashtu siç kishte rekomanduar edhe Gjykata e Apelit dhe jo për shkak të orientimit të tij seksual. Prandaj, rezulton se refuzimi i ekspertizës nuk u mbështet mbi premisa diskriminuese por në arsye legjitime të cilat bien nën diskrecionin e gjykatave të rregullta.
Andaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës ka theksuar se ai është diskriminuar por nuk ka paraqitur asnjë provë apo argument që do të mund të provonte se përgjatë procesit gjyqësor ka pasur me të vërtetë diskriminim. Sidomos duke pasur parasysh faktin që gjykatat e rregullta në procedurën që kishte rezultuar në aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme kishin trajtuar kërkesën për ekspertizë nga aspekti i nevojës për të vlerësuar dëshmi shtesë nga ato që veç ishin dëshmuar në proces gjyqësor.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës dhe nenin 14 të KEDNj-së janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Kërkesa për moszbulim të identitetit
60. Lidhur me kërkesën për moszbulim të identitetit, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar mbrojtjen e identitetit “ngase seanca është mbajtur me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së lëndës dhe faktit se i dëmtuari ka qenë i moshës jo madhore”.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet paragrafit 1 të rregullit 24 të Rregullores së punës, i cili përcakton:
"(1) Kurdo përgjatë procedurës së shqyrtimit të një kërkese individuale sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe deri në publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar”.
Duke marrë parasysh rrethanat e rastit si dhe faktin që procedura e zhvilluar para gjykatave të rregullta ishte e mbyllur për publikun pasi viktima ishte i mitur, bazuar në paragrafin 1 të rregullit 24 të Rregullores së punës, Gjykata e miraton si të bazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulimin e identitetit të tij publikisht.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullat 24, 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2024:
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të papranueshme;
TË MIRATOJË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, kërkesën për moszbulim të identitetit;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, në Gazetën Zyrtare;
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Jeton Bytyqi Gresa Caka-Nimani
E.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale