Aktvendim

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML.nr. 70/2019, të 4 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 56/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI56/19 Parashtrues: Xhevat Thaqi, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML.nr. 70/2019, të 4 marsit 2019

KI56/19 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 29 prill 2020, i publikuar më 19 qershor 2020

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, mosshterrimit substancial të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, kërkesë e papranueshme

Parashtrues i kërkesës është Xhevat Thaqi me vendbanim në Gjakovë i cili konteston Aktgjykimin [PML. nr. 70/2019] e 4 marsit 2019 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Parashtruesi i kërkesës ishte në paraburgim që nga data 30 nëntor 2018 për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale të vjedhjes së rëndë.  Më 20 dhjetor 2018, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore. Kjo e fundit, përmes Aktvendimit [P.nr.223/2018] të 27 dhjetorit 2018, e kishte konfirmuar dhe vazhduar paraburgimin parashtruesit të kërkesës edhe për dy muaj të tjerë, duke llogaritur nga data 30 dhjetor 2018, kur edhe skadonte kohëzgjatja e masës së paraburgimit. Kundër këtij Aktvendimi, avokati i parashtruesit kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit e cila e kishte refuzuar atë si të paafatshme – ngase afati, sipas dispozitave të lartcekura ligjore, ishte llogaritur që ka filluar të ecë nga momenti kur vendimi i është dorëzuar të pandehurit, respektivisht parashtruesit të kërkesës. Ky i fundit, lidhur me këtë aspekt, përmes avokatit të tij kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila po ashtu ishte refuzuar nga Gjykata Supreme si e pabazuar, si dhe njëkohësisht ishte konfirmuar vendimmarrja e gjykatave më të ulëta.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 22, 31 dhe 53 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ. Në thelb, parashtruesi i kërkesës paraqet dy pretendime për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ. Kategoria e parë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me nenin 31 të Kushtetutës në aspekt të pretendimeve të parashtruesit për mohim të qasjes në drejtësi dhe mos arsyetim të vendimeve gjyqësore. Kategoria e dytë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me pretendimet për shkelje të nenit 22 dhe 53 të Kushtetutës ngase, sipas parashtruesit, paragrafi 4 i nenit 478 të KPPK-së është dispozitë kundër kushtetuese dhe nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës e ka ndërtuar rastin e tij mbi baza ligjshmërie, përkatësisht mbi interpretimin e gabuar të paragrafit 4 të nenit 478 të KPPK-së nga ana e Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme. Për sa i takon arsyetimit të vendimeve gjyqësore, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta e kanë përmbushur obligimin për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor. Andaj, në rrethana të rastit konkret, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedurat në Gjykatën Supreme apo në gjykatat e tjera të rregullta kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutë apo KEDNJ i janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të KPPK-së. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta.

Sa i përket pretendimit të dytë lidhur me shkeljen e nenit 22 dhe 53 të Kushtetutës ngase, sipas parashtruesit, paragrafi 4 i nenit 478 të KPPK-së është dispozitë kundër kushtetuese dhe nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. Gjykata thekson se pajtohet me konstatimin e  saktë të parashtruesit të kërkesës se një ligj nuk është mbi Kushtetutën dhe KEDNJ-në dhe se këto dy instrumente kanë përparësi dhe superioritet ndaj çdo ligji. Një parim i tillë për KEDNJ-në parashihet në nenin 22 të Kushtetutës ku specifikisht thuhet: “Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike.” Megjithatë, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është dashur që pretendimet e tij për jo-kushtetutshmëri të paragrafit 4 të nenit 478 të KPPK-së t’i ngritë para gjykatave të rregullta apo që, bazuar në nenin 113.8 të Kushtetutës, të paraqes kërkesës për kontroll incidental të kushtetutshmërisë së asaj dispozita ligjore me Kushtetutën dhe/apo KEDNJ-në. Parashtruesi i kërkesës e ka pasur mundësinë që argumentet e tij për kolizion të pretenduar të kësaj dispozite ligjore me Kushtetutë dhe KEDNJ – t’i ngritë para Gjykatës Supreme. Ai nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe pretendimet e tij për kolizion të mundshëm dhe jokushtetutshmëri të paragrafit 4 të nenit 478 të KPPK-së – po i ngritë për herë të parë para Gjykatës Kushtetuese.

Rrjedhimisht, përkitazi me pretendimet për shkelje të të drejtave për “qasje në drejtësi” dhe “arsyetim të vendimeve gjyqësore” të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se ajo pjesë e kërkesës, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Ndërsa, përkitazi me pretendimin për jokushtetutshmëri të paragrafit 4 të nenit 478 të KPPK-së, Gjykata konstatoi se kjo pjesë e kërkesës, në pajtim me nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, duhet të shpallet e papranueshme për shkak të mosshterrimit substancial të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.

Parashtruesit:

Xhevat Thaqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale