Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të paspecifikuar të Kryetarit të Komunës së Gjilanit

Nr. të lëndës KI 163/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI163/21, Parashtruesi i kërkesës: Arianit Sllamniku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të paspecifikuar të Kryetarit të Komunës së Gjilanit

KI163/21, Vendim për refuzim, i 25 nëntorit 2021, publikuar më 16 dhjetor 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e paplotë ose e paqartë, refuzim me procedurë të shkurtër

Parashtruesi i kërkesës konteston një Vendim  të paspecifikuar, të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, të cilin vendim nuk e ka dorëzuar në Gjykatë. Sipas një njoftimi të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës, i publikuar në rrjetin social Facebook komunikohet që Kryetari i Komunës së Gjilanit më 6 shtator 2021 ka nxjerrë vendim, i cili sipas këtij komunikimi punëtorët e shtetit  përfshirë shërbyesit civilë, zyrtarët publikë, mjekët, infermierët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, punëtorët teknike etj. nuk do të mund të futen në vendet e tyre të punës pa konfirmim të vaksinimit test PCR apo test rapid antigjen.”

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Vendimi i paspecifikuar i Kryetarit të Komunës atij dhe në veçanti bashkëshortes së tij, e cila është e punësuar si mësimdhënëse  në këtë komunë dhe nuk ka drejtë të hyjë në vendin e saj të punës pa dëshmi të vaksinimit kundër COVID-19, testit PCR apo testit rapid antigjen iu janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 26 [E Drejta e Integritetit Personal]; 35 [Liria e Lëvizjes]; 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]; 53 [Interpretim i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.

Në vlerësimin e pranueshmërinë së kërkesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht specifikoi se në rast të kërkesave të pakompletuara, në bazë të paragrafit 4  të nenit 22 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullin 32 (h) të Rregullores së punës përcaktohet që parashtruesve të kërkesës u jepet mundësia për të kompletuar dhe plotësuar kërkesat e tyre. Në rastin konkret, Gjykata kishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës plotësimin dhe kompletimin e kërkesës së tij, përkatësisht specifikimin e Vendimit të kontestuar dhe dorëzimin e tij në Gjykatë, si dhe dorëzimin e dëshmisë se si ai është i afektuar nga vendimi të cilin ai e konteston para Gjykatës. Përkundër kërkesës së Gjykatës, parashtruesi i kërkesës nuk kishte dorëzuar informacionin e kërkuar nga Gjykata. Andaj, duke qenë se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i ka përmbushur kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të mossaktësimit të vendimit të kontestuar dhe mosdorëzimit të tij në Gjykatë ashtu siç kërkohet me nenet 22 dhe 48  të Ligjit të Gjykatës Kushtetuese.

Rrjedhimisht, Gjykata, në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, konstatoi se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Arianit Sllamniku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Neni 35 - Liria e Lëvizjes

Vendim për refuzim të kërkesës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër