Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”
Nr. të lëndës KO160/23
Parashtruesit: Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Prishtinë, më 20 nëntor 2023
Nr.ref.: RK 2291/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KO160/23
parashtrues
Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Abelard Tahiri, Rashit Qalaj, Bekim Haxhiu, Blerta Deliu-Kodra, Eliza Hoxha, Enver Hoxhaj, Ferat Shala, Floretë Zejnullahu, Ganimete Musliu, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Hisen Berisha, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi), të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: PDK), të cilët para Gjykatës i përfaqëson Faton Fetahu, avokat.
Akti i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës e kontestojnë kushtetutshmërinë e “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” (në tekstin e mëtejmë: akti i kontestuar).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, përkitazi me të cilën parashtruesit e kërkesës pretendojnë se është nxjerrë në kundërshtim me nenet 68 [Seancat], 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi] dhe 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenet 16 (Kryetari i Kuvendit), 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores Nr.08-V-349 së punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e Kuvendit).
Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), të vendosë masë të përkohshme në aktin e kontestuar, duke pezulluar për pasojë edhe hyrjen në fuqi dhe zbatimin e “ligjeve, projektligjeve dhe vendimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 13 korrikut 2023” deri në vendosjen përfundimtare të Gjykatës.
Baza juridike
Kërkesa është parashtruar bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 2 të nenit 116 [Efekti i Vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme), 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afatet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullat 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 72 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit) dhe 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 19 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës e dorëzuan kërkesën e tyre përmes postës, të cilën Gjykata e pranoi më 21 korrik 2023.
Më 24 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan disa dokumente shtesë përfshirë disa korrigjime teknike të kërkesës fillestare.
Më 26 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 27 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës u njoftuan për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata, për regjistrimin e kërkesës, njoftoi: (i) Presidenten e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Presidentja); (ii) Kryeministrin e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryeministri); dhe (iii) Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryetari i Kuvendit), të cilit iu kërkua që një kopje e kërkesës t'iu dorëzohet të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjykata i njoftoi palët e interesuara të cekura më lart se komentet e tyre lidhur me kërkesën, nëse kanë, t’i paraqesin në Gjykatë, deri më 10 gusht 2023, në adresën elektronike të Gjykatës ose me dorëzim personal.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që më së largu deri më 31 korrik 2023 të: (i) dorëzojë në Gjykatë të gjitha dokumentet relevante në lidhje me aktin e kontestuar; (ii) njoftojë Gjykatën se cilat nga pikat e rendit të ditës sipas aktit të kontestuar janë miratuar në Kuvend në seancën e 13 korrikut 2023; si dhe (iii) njoftojë Gjykatën se cilat hapa janë ndërmarrë nga Kuvendi lidhur me çështjet e vendosura nga Kuvendi bazuar rendin e ditës sipas aktit të kontestuar.
Më 28 korrik 2023, zv. Sekretari i Kuvendit i dorëzoi në Gjykatë informatat e kërkuara.
Më 28 korrik 2023, Presidentja dorëzoi një shkresë në Gjykatë duke kërkuar sqarime lidhur me efektet pezulluese të dorëzimit të kërkesës KO160/23 në raport me “vendimet dhe ligjet e miratuara në Kuvend në seancën e 13 korrikut 2023”, e që i nënshtrohet procedurës së dekretimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Më 31 korrik 2023, Gjykata i dorëzoi përgjigje Presidentes, lidhur me shkresën e 28 korrikut 2023, duke sqaruar ashtu siç kishte bërë edhe përmes shkresës së 27 korrikut 2023, e të cekur më lart, që parashtruesit e kërkesës kanë kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e kontestuar dhe që lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës përkitazi me masën e përkohshme, do të njoftohen të gjitha palët me interes dhe opinioni publik.
Më 1 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi propozimin e Gjyqtarit raportues përkitazi me vendimin për masën e përkohshme. Po të njëjtën ditë, Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, vendosi për refuzimin e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar.
Më 10 gusht 2023, Gjykata ua dorëzoi palëve të interesuara Vendimin për Masë të Përkohshme, të 1 gushtit 2023.
Po atë ditë, Gjykata pranoi komentet lidhur me kërkesën nga Kryetari i Kuvendit z. Glauk Konjufca.
Më 24 gusht 2023, Gjykata njoftoi (i) parashtruesit e kërkesës; (ii) Presidenten; dhe (ii) Kryeministrin për pranimin e dokumenteve nga Sekretaria e Kuvendit dhe komentet e Kryetarit të Kuvendit lidhur me kërkesën, dhe i njoftoi të njëjtit se komentet e tyre, nëse kanë, t’i paraqesin në Gjykatë, deri më 26 shtator. Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi zv. Sekretarin e Kuvendit për pranimin e komenteve, ndërsa kërkoi nga Kryetari i Kuvendit që një kopje të dokumenteve dhe komenteve lidhur me kërkesën t'iu dorëzohet të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe të njoftohen të njëjtit se komentet e tyre, nëse kanë, t’i paraqesin në Gjykatë, deri më 26 shtator 2023. Gjykata, brenda afatit të përcaktuar, nuk pranoi komente nga palët e interesuara.
Më 1 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe, njëzëri, i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 11 korrik 2023, Kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, nxori aktin e kontestuar për caktimin dhe thirrjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për datën 13 korrik 2023, në orën 10:00.
Në të njëjtën ditë, sipas parashtruesve të kërkesës, akti i kontestuar u ishte dërguar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në ora 16:20, nga Sekretaria e Kuvendit së bashku me (i) rendin e ditës; dhe (ii) materialet për seancën plenare të 13 korrikut 2023.
Bazuar në shkresat e lëndës, rendi i ditës i propozuar përfshinte tridhjetë e një (31) pika, si në vijim:
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës;
3. Pyetjet parlamentare;
4. Votimi në parim i Projektligjit nr. 08/L-212 për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor;
5. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-221 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë dhe Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimin e Sektorit të Energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit;
6. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-222 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”;
7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-223 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëfinancimin e Bursave të Arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë;
8. Votimi në Parim i Projektligjit nr. 08/L-207 për Tekstet Shkollore;
9. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-234 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar;
10. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-236 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze;
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118;
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-060 për Mjekësinë Ligjore;
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-177 për Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë;
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-191 për Ekspertët Gjyqësorë;
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore;
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-190 për Zhvillim Rajonal të Balancuar;
17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse;
18. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë;
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-227 për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh;
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-237 për Kadastër të Pronës së Paluajtshme;
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës;
22. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim;
23. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit dhe të Ligjit nr. 08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit;
24. Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media;
25. Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit;
26. Zgjedhja e Komisionarit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
27. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë;
28. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës;
29. Emërimi i Kryesuesit dhe i anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës;
30. Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; dhe
31. Shqyrtimi i Propozim -Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Më 13 korrik 2023, u mbajt seanca plenare në të cilën, bazuar në shkresat e lëndës, Kuvendi miratoi:
Vendimin nr. 08-V-579 për emërimin e Kryesuesit dhe të një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit;
Vendimin nr. 08-V-580 për miratimin e raportit lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit dhe të Ligjit nr.08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-156 për Kontrollin e Duhanit;
Vendimin nr. 08-V-581 për miratimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-237 për Kadastër të Pronës së Paluajtshme;
Vendimin nr. 08-V-582 për zgjedhjen e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës;
Vendimin nr. 08-V-583 për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit;
Vendimin nr. 08-V-584 për miratimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës;
Vendimin nr. 08-V-585 për emërimin e Kryesuesit dhe të anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës;
Vendimin nr. 08-V-586 për zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës;
Vendimin nr. 08-V-587 për miratimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-227 për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh;
Vendimin nr. 08-V-588 për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë;
Vendimin nr. 08-V-589 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore;
Vendimin nr. 08-V-590 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-177 për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë;
Vendimin nr. 08-V-591 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-060 për Mjekësinë Ligjore;
Vendimin nr. 08-V-592 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-191 për Ekspertët Gjyqësorë;
Vendimin nr. 08-V-593 miratimin e Ligjit nr. 08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë;
Vendimin nr. 08-V-594 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-190 për Zhvillim Rajonal të Balancuar;
Vendimin nr. 08-V-595 për miratimn e Ligjit nr. 08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118;
Vendimin nr. 08-V-596 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse; dhe
Vendimin nr. 08-V-597 për miratimin e Raportit me rekomandime për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim.
Gjykata vëren se po atë ditë, me 13 korrik 2023, ishte mbajtur po ashtu seancë e jashtëzakonshme në Kuvend me fillim në ora 15:30 në të cilën ishin miratuar edhe dy vendime, dhe atë:
Vendimin nr. 08-V-598 për Miratimin e Ligjit nr. 08/L220 për Çmimin e Produkteve Medicionale;
Vendimin nr. 08-V-599; për emërimin e anëtarëve të Organit Përzgjedhës për emërimin e një (1) anëtari të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës
Parashtruesit e kësaj kërkese para Gjykatës pretendojnë që akti i kontestuar i Kryetarit të Kuvendit për caktimin e seancës plenare të 13 korrikut 2023, nuk është në përputhshmëri me nenin 68 [Seancat], nenin 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi], nenin 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 16 (Kryetari i Kuvendit), nenin 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe nenin 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit.
lidhur me natyrën juridike të Aktit të kontestuar
Sa i përket natyrës juridike të aktit të kontestuar, parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se caktimi i kësaj seance nuk mund të jetë jashtë fushëveprimit të kontrollit kushtetues që ushtron Gjykata Kushtetuese sepse akti i kontestuar edhe pse nuk është “vendim i Kuvendit” në kuptim të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës, i njëjti është nxjerrë nga ana e titullarit të këtij institucioni kushtetues, i cili ka përgjegjësi kushtetuese sipas nenit 67 të Kushtetutës dhe nenit 16 të Rregullores. Fakti se akti i kontestuar i Kryetarit të Kuvendit ka prodhuar pasoja juridike, duhet t’i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se termi "vendim” i përdorur në paragrafin 5 të nenit 113të Kushtetutës, i referohet “çdo veprimi të Kuvendit apo titullarit të tij, i cili prodhon pasoja juridike sipas kompetencave kushtetuese të tij”. Prandaj, termi 'vendim' , sipas parashtruesëve të kërkesës, përfshinë “jo thjeshtë një akt juridik të Kuvendit, por vendimin e përfaqësuesit të këtij të fundit, nga i cili është bërë nxjerrja e vendimit kontestues”. Më tej, sipas parashtruesëve të kërkesës, mund të argumentohet që “çdo veprim i Kuvendit dhe/apo i kryetarit si përfaqësues i tij, që prodhon pasoja juridike (i përgjithshëm apo individual), qoftë i lëshuar në formë të shkruar apo të pashkruar, si në lidhje me çështje substanciale ashtu edhe me çështje procedurale”, mund t'i nënshtrohet kontrollit kushtetues.
Sipas parashtruesëve të kërkesës, “nuk mund të pandehim se ky është thjesht dhe vetëm një “akt”, i cili si rregull, nuk ka fuqi detyruese ose nuk e ka karakterin e aktit juridik”, sepse është një “vendim” i Kuvendit, respektivisht i Kryetarit të tij, në kuptim të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, për aq sa, vendimet e tij, prodhojnë efekte dhe pasoja të tilla, si përcaktimi dhe thirrja e seancës në të cilën shqyrtohen dhe vendosen çështje të interesit shtetëror dhe për qytetarë në Republikën e Kosovës – siç ka ndodhur në rrethanat e rastit konkret.
Lidhur me këtë, ata i referohen edhe rastit të Gjykatës KO93/21, parashtrues Blerta Deliu-Kodra dhe dymbëdhjetë (12) deputetë të tjerë të Kuvendit, Aktgjykim i 28 dhjetorit 2021, ku Gjykata kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e “Rekomandimeve” të Kuvendit.
Sipas tyre, nëse një vendim i tillë, si në rrethanat e rastit konkret, do të përjashtohej nga kontrolli kushtetues, “do të mundësonte arbitraritet të pashembullt në organizimin, mënyrën e punës dhe funksionimin e Kuvendit, nga njëra anë, dhe efektivisht jodomosdoshmërinë për zbatimin e Rregullores së punës, nga ana tjetër”, e cila, sipas nenit 76 të Kushtetutës, miratohet me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
lidhur me përputhshmërinë e Aktit të kontestuar me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit
Parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, theksojnë që ata nuk e kontestojnë kompetencën e Kryetarit të Kuvendit për të thirrur dhe përcaktuar rendin e ditës për seancën plenare, mirëpo e kontestojnë procedurën që i ka paraprirë mbajtjes së seancës së 13 korrikut 2023, e për rrjedhojë edhe efektet kushtetuese dhe ligjore të vendimmarrjes së Kuvendit në këtë seancë.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se “vendimi kontestues ngre një çështje kushtetuese të rëndësisë së veçantë sepse Kryetari i Kuvendit përfaqëson institucionin më të lartë ligjvënës dhe kushtetues në Republikën e Kosovës dhe i njëjti, sipas paragrafit 7 të nenit 67 të Kushtetutës, përfaqëson Kuvendin; përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat; nënshkruan aktet e miratuara të Kuvendit; si dhe ushtron dhe funksione të tjera në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores”.
Lidhur me këtë, parashtruesit e kërkesës vlerësojnë se, Kryetari i Kuvendit, me nxjerrjen e Aktit të kontestuar, ka cenuar në thelb dispozitat e nenit 68, 69 dhe 76 të Kushtetutës dhe nenet 16, 19 dhe 52 të Rregullores së Kuvendit, duke e caktuar dhe mbajtur një seancë “në mënyrë arbitrare” e cila ka rezultuar në shkeljet kushtetuese si në vijim:
në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare sipas nenit 52 të Rregullores sipas së cilës, mes tjerash, rendi i ditës së bashku me materiale u shpërndahen deputetëve së paku dy (2) ditë pune, para mbajtjes së seancës plenare; dhe
duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance sepse në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë, sipas paragrafit 1 të nenit 19 të Rregullores së punës i cili përcakton që “Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, diskuton për rendin e ditës të seancës plenare, të propozuar nga Kryetari i Kuvendit. Rendi i ditës miratohet me konsensus, dhe nëse nuk arrihet konsensusi, Kryetari ia paraqet rendin e ditës seancës plenare për miratim.”, rendi i ditës së seancës plenare do të duhej të vendosej në votim në seancën e Kuvendit të datës 13 korrik 2023.
lidhur me kërkesën për masë të përkohshme
Sa i përket çështjes së masës së përkohshme, parashtruesit e kërkesës kërkojnë që Gjykata “të pranojnë zbatimin e nenit 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, për sa i përket efektit pezullues ex-lege të zbatimit të vendimit të Kryetarit të Kuvendit [Aktin e kontestuar], me efekt pezullimin e zbatimit të të gjitha vendimeve të seancës plenare të datës 13 korrik 2023, meqë i njëjti kontestohet në Gjykatën Kushtetuese [...].” Kërkesën për pezullimin ex-lege të aktit të kontestuar, parashtruesit e kërkesës e bazojnë edhe në nenin 116 të Kushtetutës i cili përcakton se Gjykata mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
Për pasojë, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata, që “pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës”, të informojë palët e përfshira që akti i kontestuar i Kryetarit të Kuvendit, të pezullohet ex-lege në mënyrë që edhe “ligjet e miratuara në këtë seancë të mos dërgohen për dekretim dhe publikim në Gazetën Zyrtare deri në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar”, si dhe për pasojë, të pezullohet edhe zbatimi i të gjitha vendimeve të tjera të marra nga Kuvendi në këtë seancë plenare.
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të shpallë aktin e kontestuar, përkatësisht “Vendimin” [Nr. ref. L-VIII, SP-119] të Kryetarit të Kuvendit të datës 11 korrik 2023, për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023” në kundërshtim me Kushtetutën; dhe (iii) të anuloj seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 13 korrik 2023 dhe të gjitha vendimet që janë marrë në të njëjtën seancë.
Komentet e Kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit lidhur me pretendimet e parashtruesve të kërkesës fillimisht i referohet paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, e që përcakton se “Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur”, duke theksuar se akti i kontestuar nuk përbën “vendim të miratuar në Kuvend” për qëllim të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
Lidhur më këtë ai i referohet kompetencave të Kuvendit të përcaktuara në nenin 65 të Kushtetutës, duke theksuar se në asnjërën nga katërmbëdhjetë (14) paragrafët e nenit 65 të Kushtetutës “nuk është përcaktuar që Kuvendi [...] merr vendim për caktimin ose thirrjen e seancës plenare të tij”. Ai më tej i referohet edhe nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës që përcakton në paragrafin 7 (2) se Kryetari “përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat” duke shtuar se kompetenca për thirrjen e seancës i takon Kryetarit të Kuvendit.
Ai gjithashtu, thekson se sipas nenit 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës, ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç rastet kur përcaktohet ndryshe me Kushtetutë. Lidhur me këtë, Kryetari i Kuvendit thekson se akti i thirrjes së seancës plenare në “asnjë formë nuk konsiderohet si “Vendim i Kuvendit” për shkak të formës procedurale të miratimit të tij e që mbetet në diskrecionin e Kryetarit të Kuvendit dhe askujt tjetër”. Lidhur me këtë ai i referohet edhe paragrafit 1.31 të nenit 2 (Përkufizimet) të Rregullores së Kuvendit sipas së cilës ”Vendim i Kuvendit” është “Akti juridik i miratuar nga Kuvendi, i nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit”.
Andaj sipas tij, ky përkufizim e bënë të qartë dhe shpjegon saktësisht kuptimin e termit “Vendim i Kuvendit” dhe të cilat janë të miratuara nga Kuvendi si institucion që nënshkruhen nga Kryetari i Kuvendit. Prandaj, sipas tij, kërkesa e parashtruesve nuk i përmbush elementet e domosdoshme në mënyrë kumulative, pasi kriteri që përmes paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, duhet të kontestohet një “vendim i Kuvendit” nuk është përmbushur.
Në mbështetje të argumenteve të tij, Kryetari i Kuvendit i referohet edhe rastit të Gjykatës KO115/13, parashtrues Ardian Gjini dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovë, Aktvendim për papranueshmëri i 14 nëntorit 2013, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese përmes Aktvendimit të lartcekur ka konstatuar se paragrafi 5 i nenit 113 të Kushtetutës i lejon Gjykatës të vendos vetëm për kushtetutshmërinë e “çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi” dhe se kjo dispozitë kushtetuese nuk e lejon Gjykatën të vlerësojë nëse aktet ose vendimet tjera të Kuvendit janë në pajtim me Kushtetutën.
Andaj, Kryetari i Kuvendit pretendon se “çështja e kontestuar nuk përbën çështje kushtetuese dhe se është një çështje e brendshme e Kuvendit, për të cilat pa u lëshuar fare me meritat e rastit të cilat gjithashtu nuk qëndrojnë, Rregullorja e punës së Kuvendit ka parashikuar mekanizmat e brendshëm për adresimin dhe trajtimin e çfarëdo çështje që ndërlidhet me Rregulloren”. Lidhur me këtë ai i referohet nenit 122 (Interpretimi i Rregullores së Kuvendit) të Rregullores së punës së Kuvendit, duke shtuar se “pikërisht se nuk ka pasur asnjë vërejtje në lidhje me mënyrën e thirrjes së seancës nuk ka pasur asgjë të pazakontë nga praktika e mëhershme e punë së Kuvendit, asnjë deputetë nuk ka kontestuar thirren e seancës apo rendin e ditës, as përmes adresimit të kërkesës për interpretimin në Komisionin përkatës, madje as përmes deklarimit në fillim të seancës.”
Në fund Kryetari i Kuvendit thekson se “Vendimi i Kryetarit të Kuvendit nuk është akt juridik i miratuar nga Kuvendi, nga shumica e deputetëve në një seancë plenare, nxjerrja e këtij akti është çështje e brendshme e Kuvendit dhe nuk prek në asnjë rrethanë ndonjë normë Kushtetuese në rastin konkret.” Rrjedhimisht, ai thekson se “Kërkesa e parashtruesit nuk është në pajtim ratione materiae me Kushtetutën”.
Papranueshmëria e kërkesës
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton se: “Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.”
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesave i kanë ngritur kërkesat e tyre në bazë të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton:
“5. Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.”
Përveç kritereve të lartcekura kushtetuese, Gjykata gjithashtu merr parasysh edhe nenin 42 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, që saktëson parashtrimin e kërkesës në bazë paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton si në vijim:
Nenin 42
(Saktësimi i kërkesës)
“1. Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 6 [5] të Kushtetutës, ndër të tjera, paraqiten informatat e mëposhtme:
1.1. emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjit apo vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
1.2. dispozitat e Kushtetutës apo të ndonjë akti apo ligji që ka të bëjë me këtë kërkesë; dhe
1.3. paraqitjen e provave mbi të cila mbështetet kontesti.”
Gjykata, gjithashtu, i referohet dhe rregullit 72 [Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit] të Rregullores së punës, i cili parasheh:
Rregulli 72
(Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit)
“(1) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara me paragrafin (5) të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit.
(2) [...]
Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli, ndër të tjera, duhet të përmbajë informatat e mëposhtme:
emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjit ose vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
dispozitat e Kushtetutës ose të ndonjë akti ose ligji që ka të bëjë me këtë kërkesë; dhe
paraqitjen e provave mbi të cilat mbështetet kontesti.
Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet një kopje e ligjit ose vendimit të kontestuar të miratuar nga Kuvendi, regjistri dhe nënshkrimet personale të deputetëve që paraqesin kërkesën, si dhe autorizimi i personit që i përfaqëson ata para Gjykatës.”
Gjykata po ashtu i referohet rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës që përcakton se:
“3) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse plotësohet
ndonjë nga kushtet e mëposhtme:
[...]
(b) kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën;
[...]”
Bazuar në të lartcekurat, një kërkesë e parashtruar para Gjykatës sipas paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, (i) duhet të parashtrohet nga së paku 10 (dhjetë) deputetë të Kuvendit; (ii) duhet të parashtrohet brenda një afatit prej 8 (tetë) ditësh nga dita e miratimit të aktit të kontestuar; si dhe (iii) që parashtruesit duhet të kontestojnë kushtetutshmërinë e “çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi”, për përmbajtjen dhe/ose për procedurën e ndjekur.
Gjykata po ashtu i referohet edhe Aktgjykimit në rastin KO93/21, ku kishte theksuar se
se kërkesat e dorëzuara në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës, duhet t’i plotësojnë kriteret kushtetuese si në vijim: (i) dhjetë (10) a më shumë deputetë kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar
nga Kuvendi; dhe (ii) ligji ose vendimi mund të kontestohet si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga procedura e ndjekur. Rrjedhimisht, deputetët e Kuvendit, në cilësinë e parashtruesve të kërkesës, mund të kontestojnë kushtetutshmërinë e një ligji ose vendimi, të miratuar nga Kuvendi (shih rastin KO93/21, cituar më lart, paragrafi 197).
Gjykata në vlerësimin e përmbushjes së kriterit të numrit të nevojshëm të deputetëve të Kuvendit për të parashtruar kërkesat përkatëse, vëren se kërkesa KO160/23 është parashtruar nga 12 (dymbëdhjetë) deputetë të Kuvendit. Andaj parashtruesit e kërkesës përmbushin kriterin e përcaktuar përmes fjalisë së parë të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës sa i përket numrit të nevojshëm të deputetëve për të parashtruar kërkesë para Gjykatës.
Gjithashtu, sa i përket kriterit që kërkesa të parashtrohet brenda një afatit prej 8 (tetë) ditësh nga dita e miratimit të aktit të kontestuar, Gjykata rikujton që kërkesa është dorëzuar nga më shumë se 10 (dhjetë) deputetë të Kuvendit, brenda 8 (tetë) ditësh nga data e miratimit të aktit të kontestuar, pasi akti i kontestuar është miratuar më 11 korrik 2023, ndërsa kërkesa është dorëzuar në Gjykatë më 19 korrik 2023.
Në vijim, Gjykata duhet të vlerësoj nëse kërkesa e tanishme KO160/23, ka plotësuar kriterin e tretë të përcaktuar përmes paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, përkatësisht nëse parashtruesit e kërkesës kontestojnë “kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi”, kriter i cili është i reflektuar edhe në paragrafin 3 (1) të rregullit 72 të Rregullores së punës.
Lidhur me vendimin e “miratuar” nga Kuvendi, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës që përcakton, mes tjerash, se “Kuvendi i Republikës së Kosovës: (1) miraton ligje, rezoluta dhe akte tjera të përgjithshme [...]”
Gjykata po ashtu i referohet paragrafit 1 të nenit 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës që përcakton mënyrën e miratimit të ligjeve dhe vendimeve nga Kuvendi, si në vijim:
“Ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç në rastet kur është ndryshe e përcaktuar me këtë Kushtetutë”.
Andaj, bazuar në të lartcekurat, rezulton se “Vendimi” i Kryetarit të Kuvendit, dallon nga një vendim i Kuvendit për të cilin kërkohet shumica e votave të deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë. Kjo pasi, në mënyrë që një akt i Kuvendit të bëhet “vendim”, duhet të kalojë në procesin e votimit në Kuvend siç parashihet me paragrafin 1 të nenit 80, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 65 të Kushtetutës.
Lidhur më këtë Gjykata i referohet edhe rastit KO115/13, në të cilin Gjykata në raport me një akt/përfundim të Kryesisë së Kuvendit që ishte kontestuar para Gjykatës përmes kërkesë së lartcekur, kishte theksuar se “Vendimi” i Kryesisë së Kuvendit, dallon nga një “vendim i Kuvendit” për të cilin kërkohet shumica e votave të deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë. Andaj, Gjykata kishte theksuar se në mënyrë që një akt i Kuvendit të bëhet “vendim”, duhet të kalojë në procesin e votimit në Kuvend. Prandaj juridiksioni i Gjykatës, ose autoriteti, për të interpretuar kërkesat kushtetuese, nuk mund të zgjerohet në përfshirjen e akteve të brendshme të organeve të Kuvendit ose vendimet e deputetëve individualë ose të zyrtarëve të Kuvendit (shih rastin e Gjykatës KO115/13, cituar më lart, paragrafët 46, 47 dhe 50).
Rrjedhimisht Gjykata kishte deklaruar kërkesën e parashtruesve si të papranueshme sepse e njëjta nuk ishte ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, pasi parashtruesit e kërkesës KO115/13 kishin kontestuar para Gjykatës një akt të Kryesisë së Kuvendit dhe jo një “vendim të Kuvendit” (shih rastin e Gjykatës KO115/13, cituar më lart, paragrafi 51).
Në ndërlidhje me rrethanat e rastit konkret dhe lidhur me thirrjen e seancës plenare, Gjykata i referohet nenit 65 (Kompetencat e Kuvendit) të Kushtetutës, që numëron pesëmbëdhjetë (15) kompetenca të Kuvendit përfshirë kompetencën e shtuar përmes amendamentit nr. 23 të Kushtetutës, nga të cilat asnjëra nuk përfshin përcaktimin e rendit të ditës nga Kuvendi.
Në anën tjetër, paragrafi 7 (2) i nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, përcakton se Kryetari i Kuvendit, mes tjerash, “përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat”.
Për më tepër, pavarësisht që nuk përbëjnë norma kushtetuese, bazuar në pretendimet e parashtruesve të kërkesës, Gjykata i referohet edhe paragrafit 1 të nenit 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit që përcakton se “Kryetari i Kuvendit e përcakton rendin e ditës për seancën e radhës së Kuvendit, i cili së bashku me materiale u shpërndahen deputetëve së paku dy (2) ditë pune, para mbajtjes së seancës plenare” Sipas paragrafit 2 të nenit 52 të Rregullores së Kuvendit “rendi i ditës konsiderohet i miratuar përveç kur, nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit” apo “kur në fillim të seancës paraqitet propozim për ndryshimin e rendit të ditës”. Gjithashtu, paragrafi 1 i nenit 19 (Detyrat e Kryesisë), të Rregullores së Kuvendit, përcakton: “Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, diskuton për rendin e ditës të seancës plenare, të propozuar nga Kryetari i Kuvendit. Rendi i ditës miratohet me konsensus, dhe nëse nuk arrihet konsensusi, Kryetari ia paraqet rendin e ditës seancës plenare për miratim.”
Andaj, sipas të lartcekurave, rezulton se, (i) seancat e Kuvendit thirren nga Kryetari i Kuvendit; dhe se (ii) rendi i ditës së seancave të Kuvendit caktohet nga Kryetari i Kuvendit dhe i njëjti diskutohet në Kryesinë e Kuvendit dhe konsiderohet i miratuar, përveç kur nuk ka konsensus në Kuvend, dhe nëse ky është rasti, i njëjti i paraqitet seancës plenare për miratim.
Në rastin konkret, Gjykata sqaron që parashtruesit e kërkesës kontestojnë specifikisht “Vendimin Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Lidhur me këtë, dhe bazuar në dosjen e rastit rezulton se akti i kontestuar nuk i është nënshtruar “votimit nga deputetët e Kuvendit”, sipas procedurës të votimit të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 80 të Kushtetutës, andaj si i tillë nuk përbën “vendim të miratuar në Kuvend”, ashtu siç përcaktohet në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
Për më tepër, Gjykata vëren se sipas dosjes së lëndës nuk rezulton që një votim i tillë të jetë kërkuar nga deputetët e Kuvendit para shqyrtimit të rendit të ditës të dorëzuar nga Kryetari i Kuvendit. Lidhur me këtë, Gjykata i referohet edhe nenit 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës sipas së cilit Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.
Për më tepër, dhe në kontekst të pretendimit të parashtruesit të kërkesës për natyrën e aktit juridik në ndërlidhje me “Rekomandimet” e Kuvendit të konstestuara përmes kërkesës KO93/21, qëndron fakti se Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore ka përcaktuar se pa marrë parasysh emërtimin formal të vendimeve të nxjerra nga autoritetet publike, të njëjtat i nënshtrohen kontrollit kushtetues, duke marrë parasysh efektet juridike që ato prodhojnë si dhe nëse ngrenë çështje kushtetuese dhe, gjithnjë për aq sa janë ngritur para Gjykatës në mënyrën e përcaktuar me Kushtetutë dhe me Ligj (shih, rastin e Gjykatës KO93/21, cituar më lart paragrafi 202; dhe rastet e Gjykatës KO73/16, me parashtrues Avokati i Popullit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Qarkores Administrative, nr. 01/2016, të nxjerrë nga Ministria e Administratës Publike të Republikës së Kosovës, më 21 janar 2016, Aktgjykim i 16 nëntorit 2016, paragrafi 49; KO12/18, parashtrues Albulena Haxhiu dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 04/20, të 20 dhjetorit 2017, Aktgjykim i 29 majit 2018, paragrafët 88-90; KO58/19, me parashtrues Bilall Sherifi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 57/2019, nr. 58/2019, nr. 59/2019, nr. 60/2019, nr. 61/2019, nr. 62/2019, nr. 63/2019 dhe 65/2019, të 28 marsit 2019, Aktgjykim i 29 korrikut 2019; KO54/20, me parashtrues Presidenti i Republikës së Kosovës, Vlerësim i Vendimit nr. 01/15 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 23 marsit 2020, Aktgjykim i 31 marsit 2020, paragrafët 162-165; dhe KO61/20, me parashtrues, Uran Ismaili dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 214/IV/2020] të 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë” dhe Vendimeve [nr.229/IV/2020], [nr.238/IV/2020], [nr.239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, Aktgjykim i 5 majit 2020, paragrafët 92 deri 98 dhe referencat e tjera të përdorura aty).
Në këtë kontekst, Gjykata në rastin konkret nuk devijon nga praktika e saj e mëhershme, pasi në rastin konkret nuk është kontestuese emërtimi i aktit të kontestuar por nëse i njëjti është “vendim i Kuvendit” apo është “miratuar” në Kuvend, për qëllim të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës. Andaj, rasti konkret dallon nga rastet e mësipërme, kjo për faktin se (i) në rastin KO93/21, Akti i kontestuar i Kuvendit i titulluar “Rekomandime”, ishte aprovuar nga Kuvendi në seancën e saj plenare, të 6 majit 2021, me gjashtëdhjetë e një (61) vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim; ndërsa (ii) rastet tjera të cekura më lart, nuk ishin parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
Gjithashtu, Gjykata vëren se parashtruesit përmes kësaj kërkese nuk kanë kontestuar specifikisht vendimet e Kuvendit, të cekura në paragrafin 23 të këtij Aktvendimi, e të cilat ishin miratuara sipas rendit të ditës të cekur më lart, qoftë përkitazi me procedurën e ndjekur apo përmbajtjen e tyre.
Andaj, bazuar në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson se “Vendimi Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” nuk përbën “çfarëdo vendimi të miratuar në Kuvend”, ashtu siç është përcaktuar qartë përmes paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
Rrjedhimisht, Gjykata gjen se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim, sepse nuk është në pajtim ratione materiae me Kushtetutën (shih rastin e Gjykatës KO09/16, parashtrues Behgjet Pacolli, Aktvendim për papranueshmëri i 17 marsit 2016, paragrafët 34 dhe 35).
Në ndërlidhje me këtë, Gjykata rikujton se ashtu siç ka sqaruar në Vendimin për Masë të Përkohshme të rastin KO160/23, të 1 gushtit 2023, ajo tashmë ka pranuar dy kërkesa të ndara në të cilat janë kontestuar dy nga vendimet e miratuara të Kuvendit në seancën e 13 korrikut 2023 dhe atë (i) kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-583 për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, e regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO157/23; dhe (i) kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, e regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO158/23.
Andaj të njëjtat nuk janë objekt shqyrtimi të kërkesës së tanishme, dhe do të shqyrtohen nga Gjykata ndaras. Andaj, ky Aktvendim për papranueshmëri nuk e paragjykon vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me dy (2) kërkesat e lartcekura.
Lidhur me kërkesën për masë të përkohshme
Gjykata gjithashtu rikujton se parashtruesit e kërkesës kishin kërkuar vendosjen e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar, duke pezulluar për pasojë edhe hyrjen në fuqi dhe zbatimin e “ligjeve, projektligjeve dhe vendimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 13 korrikut 2023” deri në vendosjen përfundimtare të Gjykatës.
Lidhur me këtë Gjykata përsërit se përmes Vendimi për Masë të Përkohshme në rastin KO160/23, të 1 gushtit 2023, Gjykata vendosi për refuzimin e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar, bazuar në arsyetimin e dhënë përmes Vendimit të lartcekur për Masë të Përkohshme.
Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se kërkesa për masë të përkohshme nuk do të trajtohet përmes këtij vendimi.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit, dhe rregullat 34 (3) (b) dhe 48 (1) (b) dhe 72 të Rregullores së punës, më 1 nëntor 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 68, Neni 69, Neni 76
Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Tjetër