Prishtinë, më 28 tetor 2024
Nr. ref.:RK 2567/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI153/23
Parashtrues
Bujar Kika
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkitazi me lëndën C. nr. 4953/2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Bujar Kika nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike. Ai konteston arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës [C. nr. 4953/2022] në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes ka të bëjë me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave përkitazi me gjykimin e lëndës [C. nr. 4953/2022] në Gjykatën Themelore.
Si rezultat i tejzgjatjes së procedurave, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 12 korrik 2023, parashtruesi e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 13 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr.GjR.KI153/23] e caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe përmes vendimit [Nr.KSH/KI153/23] e caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 18 korrik 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 21 mars 2024, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që ta njoftojë Gjykatën lidhur me veprimet e ndërmarra përkitazi me procedurën e zhvilluar që nga inicimi i këtij rasti.
Më 2 prill 2024, Gjykata Themelore e njoftoi Gjykatën lidhur me veprimet e ndërmarra përkitazi me rastin e parashtruesit të kërkesës.
Më 26 qershor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 23 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e sigurimit “Siguria”, me qendër në Prishtinë, me numër [nr. 074/022022] për trajtim shëndetësor. Kjo përfshinte ndërhyrje shëndetësore që nuk mund të zhvilloheshin në Kosovë. Si rezultat, u zgjodh trajtimi në Spitalin “ACIBADEM” në Stamboll, Turqi. Në kornizën e kontratës ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe kompanisë së sigurimit të përmendur, janë specifikuar detajisht shërbimet e përfshira në mbulimin shëndetësor. Këto shërbime përfshijnë furnizimin e dhomës në spital me standarde gjysmë-private, shpenzimet mjekësore, kostot e sallës së operacionit, kujdesin intensiv, ekzaminimet radiologjike, medikamentet dhe transportin me autoambulancë.
Më 4 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës ngriti padi kundër kompanisë në fjalë në Gjykatën Themelore. Kjo padi kishte të bënte me një çështje juridiko-civile për kompensimin e dëmit dhe mbulimin e shpenzimeve nga sigurimi shëndetësor vullnetar, me një vlerë prej 5.493,37 euro.
Më 26 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë para gjyqtarit të çështjes, në Gjykatën Themelore, përmes të cilës kërkonte një afat më të shpejtë për shqyrtimin e padisë dhe organizimin e një seance përgatitore për lëndën [C. nr. 4953/2022] me arsyetimin se vonesa e zgjatur në shqyrtimin e çështjes po shkakton dëme të pariparueshme në disfavor të tij.
Nga shkresat e lëndës vërehet se pas dështimit të përshpejtimit të procedurës në Gjykatën Themelore, parashtruesi i kërkesës ka kërkuar ndihmë edhe në institucione tjera.
Më 23 janar 2023, parashtruesi i kërkesës iu drejtua fillimisht Avokatit të Popullit.
Më 26 janar 2023, Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes një Njoftimi për Papranueshmëri, bazuar në nenin 21.1.4 të Ligjit mbi Avokatin e Popullit (Ligji Nr. 05/L-019), ka refuzuar kërkesën e parashtruesit lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ose keqpërdorim nga autoritetet publike. Kërkesa e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës në Institucionin e Avokatit të Popullit u shpall e pabazuar sipas Ligjit për Avokatin e Popullit (Ligjit Nr. 05/L-019), neni 22, pika 1.3, për arsyen se lënda e paraqitur në kërkesë është ende në shqyrtim gjyqësor.
Përmes pohimeve të tij, parashtruesi i kërkesës ka bërë të ditur se ka ndier presion nga Policia për nënshkrimin e një shablloni të sigurisë dhe se nën ndikimin e një presioni të tillë ai është detyruar të nënshkruajë atë. Megjithatë, edhe pas referimit të situatës në Emergjencë, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Stamboll dhe Prokurorinë Shtetërore, përpjekjet e tij nuk kanë sjellë rezultate të suksesshme.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës specifikisht konteston arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës [C. nr. 4953/2022] në Gjykatën Themelore.
Parashtruesi i kërkesës nuk ka identifikuar ndonjë nen specifik të shkelur sipas Kushtetutës. Megjithatë, parashtruesi pretendon se padia e tij, e dorëzuar në vitin 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensimin e dëmit dhe mbulimin e shpenzimeve nga sigurimi shëndetësor vullnetar, ende nuk është zgjidhur.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se ka pritur një zgjidhje për lëndën e tij për më tepër se dhjetë (10) muaj në Gjykatën Themelore dhe se ka kërkuar ndihmë edhe nga institucionet e tjera, duke përfshirë Avokatin e Popullit [23 janar 2023]; Emergjencën [20 qershor 2023]; Prokurorinë e Shtetit [5 prill 2023] dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Stamboll. Megjithatë, sipas tij këto veprime nuk kanë pasur sukses në përshpejtimin e procedurave për zgjidhjen e lëndës së tij në Gjykatën Themelore.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të vërtetojë se është shkelur e drejta e tij për gjykim në afat të arsyeshëm dhe për të kompensuar atë, sipas kërkesës së tij monetare, për shkelje të së drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm.
Komentet e dorëzuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë
Në përgjigjen e saj drejtuar Gjykatës, Gjykata Themelore, thekson me sa vijon:
“Ju njoftoj se lenda me numer C.nr.4953 /2022, me pale paditese Bujar Koka dhe pale të paditur Kompania e Sigurimeve “Siguria” Sh.A., me bazë juridike kompensim dëmi, në gjykatë është pranuar me datë 05.10.2022.
Gjykata, pas shqyrtimit paraprak të padisë, bazuar në dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore, me qëllim të përgatitjes së shqyrtimit gjyqësor, me aktvendimin C.nr.4953/22, të datës 18.03.2024, ka obliguar të paditurën që brenda afatit ligjor të japë përgjigje në padinë. Të paditurës i është dorëzuar aktvendimi në fjalë së bashku me një ekzemplar të padisë dhe provave të bashkangjitura të njejtes.
Bazuar në Planin Strategjik për Qasje në Drejtësi 2022 - 2025, efikasiteti dhe prioritizimi i lendeve brenda sistemit gjyqësor, lendët me bazë juridike kompensim dëmi nuk janë të prioritizuara.
Gjykata, pas plotësimit të kushteve ligjore për caktimin e seancës përgatitore, bazuar në prioritetin ligjor që ka kjo lende dhe sipas radhës së arritjes në gjykatë, brenda një afati të arsyeshëm kohor, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në drejtim të vendosjes meritore në këtë çështje juridike kontestimore.”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Fillimisht, Gjykata merr parasysh dispozitën e paragrafit 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
“7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, po ashtu, i referohet neneve 48 dhe 49 të Ligjit, të cilët parashohin:
Neni 48 [Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49 [Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej 4 (katër) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesi i është dorëzuar vendimi gjyqësor. [...]”.
Lidhur me përmbushjen e këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar për të dorëzuar këtë kërkesë në Gjykatë dhe se ai ka shteruar të gjitha mjetet juridike që ka pasur në dispozicion. Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës ka saktësuar qartësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë shkelur si dhe kërkesën e tij e ka parashtruar në afat. Në këtë rast, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kushtet procedurale të parashikuara me nenin 113.7 të Kushtetutës si dhe me nenin 48 dhe 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, rregulli 34 (2) përcakton që:
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26, shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”, shih rastet e GJEDNJ-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës bie në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së, meqë ankesa e tij ndërlidhet me tejzgjatjen e procedurës në gjykatat e rregullta, respektivisht me të drejtën për një gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme.
Në këtë kontekst dhe në vijim, Gjykata do t’i trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 31.2 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, sipas të cilit gjykatat janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në harmoni me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).
Përkitazi me këtë, Gjykata rikujton përmbajtjen e paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, që përcaktojnë:
Neni 31.2 i Kushtetutës
[...]
2. “Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Neni 6.1 i KEDNJ-së
1) “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, ...”.
[...]
Fillimisht, Gjykata vë në dukje se neni 6.1 i KEDNJ-së kërkon nga shtetet kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të atillë që autoritetet kompetente të përmbushin kërkesat e nenit në fjalë, duke përfshirë edhe detyrimin për të dëgjuar çështjet brenda një kohe të arsyeshme, dhe nëse është e nevojshme, t’i bashkojnë procedurat, t’i pezullojnë ato apo edhe të hedhin poshtë vendimet për procedura të reja (për më tepër, shih rastin e GJEDNJ-së Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 64480/09, 64482/09, 12874/10, 56935/10, 3129/12 dhe 31355/09, Aktgjykimi i 1 prillit 2014, paragrafi 91).
Sa i përket shtrirjes në kohë të procedurave, Gjykata merr parasysh kriteret e përcaktuara në Aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin Tomažič kundër Sllovenisë, e 2 qershorit 2008, kërkesa nr. 38350/02, paragrafi 54, ku përcaktohet: “Sa i përket arsyeshmërisë së zgjatjes së procedurave, [GJEDNJ] thekson se kjo duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit dhe duke pasur parasysh kriteret në vijim: i. kompleksitetin e rastit, ii. sjelljen e parashtruesit të kërkesës dhe autoriteteve relevante, si dhe iii. çfarë ishte në pyetje për parashtruesin në këtë mosmarrëveshje”.
Sipas kuptimit të nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së, llogaritja e procesit, shtrirjes në kohë të procedurave, fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar (shih, rastin Erkner dhe Hofauer kundër Austrisë, GJEDNJ, e 23 prillit 1987, paragrafi 64, shih gjithashtu rastin Poiss kundër Austrisë, GJEDNJ, e 23 prillit 1987, paragrafi 50). Ky proces konsiderohet i përfunduar me nxjerrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit (shih rastin Eckle kundër Republikës Federale të Gjermanisë, GJEDNJ, e 15 korrikut 1982, paragrafi 74).
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se objekt i shqyrtimit në këtë rast është kërkesa e parashtruesit për vlerësim të kushtetutshmërisë së tejgjatjes së procedurave përkitazi me gjykimin e lëndës [C. nr. 4953/2022], në Gjykatën Themelore. Parashtruesi pretendon se kjo tejzgjatje e procedurave ia ka shkelur atij të drejtën për një gjykim përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm kohor nga gjyqësori i rregullt.
Më saktësisht, parashtruesi i kërkesës pretendon që lënda e tij është prolonguar padrejtësisht nga Gjykata Themelore dhe se e njëjta mbetet e pazgjidhur pranë Gjykatës Themelore cila akoma nuk ka dhënë një vendim përfundimtar.
Gjykata rikujton se për të pasur një pasqyrë të plotë të informacioneve lidhur me rastin, ka kërkuar informacione nga Gjykata Themelore për veprimet e ndërmarra në lidhje me rastin e iniciuar nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata vëren se nga përgjigja e pranuar nga Gjykata Themelore, padia e parashtruesit të kërkesës ishte pranuar nga Gjykata Themelore më 5 tetor 2022. Ndërsa, më 18 mars 2024, Gjykata Themelore me qëllim të përgatitjes së shqyrtimit gjyqësor, nxori aktvendimin [C. nr. 4953/22] përmes të cilit kërkoi nga pala e paditur që të paraqes përgjigje në padi.
Gjithashtu, Gjykata vëren se, në dritën e përgjigjes së dorëzuar nga Gjykata Themelore, çështja e parashtruesit të kërkesës është në fazën e procedurave për caktimin e seancës përgatitore brenda një afati të arsyeshëm, duke marrë parasysh organizimin e brendshëm lidhur me prioritetet e identifikuara brenda vet Gjykatës Themelore.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës depozitoi padinë më 10 tetor 2022 dhe më 26 qershor 2023 kërkonte përshpejtimin e procedurës nga Gjykata Themelore. Megjithatë, Gjykata vëren se Gjykata Themelore ka ndërmarre hapa proceduralë të nevojshëm, duke përfshirë kërkesën për përgjigje në padi nga pala e paditur, si dhe me pas edhe organizimin e një seance përgatitore pas plotësimit të kritereve ligjore për të adresuar me tej rastin e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton pretendimin specifik të parashtruesit të kërkesës se padia e tij, e dorëzuar në vitin 2022 në Gjykatën Themelore për kompensimin e dëmit dhe mbulimin e shpenzimeve nga sigurimi shëndetësor vullnetar, ende nuk është zgjidhur.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se një vonesë gjatë një faze të dhënë të procedurës mund të tolerohet, me kusht që e gjithë kohëzgjatja e procedurës të mos jetë shumë e gjatë (shih rastin e GJEDNJ-së Pretto dhe të tjerë kundër Italisë, kërkesa 7984/77, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 37).
Gjykata shqyrton procedurat në tërësi në rrethanat e rastit konkret, që do të thotë se megjithëse Gjykata Themelore mund të konsiderohet përgjegjëse për disa defekte procedurale që shkaktuan vonesa në procese, megjithatë ajo mund të kenë përmbushur detyrën e saj për të shqyrtuar çështjen në mënyrë të shpejtë sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Nicolae Virgiliu Tănase kundër Rumanisë, kërkesa 41720/13, Aktgjykim i 25 qershorit 2019, paragrafi 213).
Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se çështja e parashtruesit të kërkesës në këtë instancë gjyqësore që nga padia e pranuar nga Gjykata Themelore e deri me tani me datën kur kërkesa është dorëzuar në Gjykatë është 9 (nëntë) muaj e 3 ditë. Ndërsa, Gjykata vëren se pas 1 (një) viti e 5 (pesë) muajve, Gjykata Themelore që nga data kur kishte pranuar padinë, kishte kërkuar përgjigje në padi nga pala e paditur.
Gjykata vëren se fazat e ndryshme të procedurës gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën Themelore ishte karakterizuar nga disa vonesa, të cilat ndoshta mund të ishin shmangur, por ato nuk janë mjaft serioze për të konkluduar se kohëzgjatja në tërësi e procedurave ishte e tepruar. Prandaj, kufiri i lejuar i procedurës si tërësi nuk u tejkalua dhe rrjedhimisht nuk e sheh kohëzgjatjen e tyre të paarsyeshme (shih rastin e GJEDN-së Pretto dhe të tjerët kundër Italisë, cituar më lart, paragrafi 37).
Gjithashtu, Gjykata në vazhdim vëren se çështja e parashtruesit të kërkesës nuk është trajtuar si një çështje e mbyllur apo e transferuar, por është ende në fazën e procesimit brenda Gjykatës Themelore. Kjo tregon se çështja është ende në vëmendjen dhe kompetencën e Gjykatës Themelore dhe se asnjë veprim për të mbyllur çështjen ose për ta transferuar atë në një juridiksion tjetër nuk është marrë. Kjo përcakton që çështja vazhdon të mbetet nën kompetencën e autoriteteve gjyqësore të Gjykatës Themelore, duke i dhënë përparësi procesit ligjor për të gjitha palët e përfshira në çështjen aktuale.
Gjykata vë në dukje se parashtruesit e kërkesave kanë të drejtë të ndjekin të gjithë hapat proceduralë të vënë në dispozicion të tyre nga ligjet në fuqi. Megjithatë, ata duhet të kenë parasysh, gjithashtu pasojat në rast se mjetet ligjore të shfrytëzuara mund të ndikojnë në shtyrjen në kohë të procedurave (shih rastin McFarlane kundër Irlandës, GJEDNJ, kërkesa nr. 31333/06, Aktgjykim i 10 shtatorit 2010, paragrafi 148, shih gjithashtu rastin e Gjykatës Kushtetuese KI127/15, parashtrues Mile Vasović, Aktvendim i 5 qershorit 2017, paragrafi 51; si dhe KI135/20, parashtruese Hava Behxheti, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 dhjetorit 2020).
Për më tepër, Gjykata rikujton se sjellja e parashtruesit të kërkesave përbën një fakt objektiv që nuk mund t’u atribuohet gjykatave dhe që duhet marrë parasysh në konstatimin nëse procedurat vazhduan më gjatë se sa afati i arsyeshëm që kërkojnë dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Eckle kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 82).
Gjykata dëshiron të vë në dukje se veprimet procedurale të ndërmarra nga parashtruesit i kërkesës nuk mund të atribuohen si vonesa gjykatave, sepse shtrirja në kohë e procedurave, efektivisht llogaritet nga momenti i vënies në lëvizje të gjykatës së juridiksionit përkatës, kur mëson për mjetin juridik të ushtruar nga palët, deri në datën e vendosjes përfundimtare për çështjen.
Rrjedhimisht, në dritën e rrethanave të këtij rasti, Gjykata, duke marrë parasysh sjelljen e parashtruesit të kërkesës dhe të autoriteteve relevante, arrin në konkluzion se gjykata respektive, që nga momenti i vënies në lëvizje së saj, ka qenë aktive duke proceduar rastin brenda limitëve kohore të arsyeshme. Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë pretendime që kategorizohen me (ii) “mungesë evidente apo të dukshme të shkeljes”, prandaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet, në tërësinë e saj, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe të rregullave 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 26 qershor 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Bujar Kika
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile