Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.375/2021], të 9 shtatorit 2021 

Nr. të lëndës KI48/22

Parashtruesit: Amet Ajdari

Shkarko:

KI48/22, Parashtrues: Amet Ajdari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.375/2021], të 9 shtatorit 2021 

KI48/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 janarit 2024, publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kontest pronësorë

Gjykata vërejti se thelbi i kërkesës së parashtruesit lidhet me procedurën trashëgimore për ndarjen e trashëgimisë së nënës së tij ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe vëllait të tij, të zhvilluar në gjykatat e rregullta me pretendimin e tij për fitimin e të drejtës së pronësisë të pjesës prej 1/3 të parcelës nr. 2768 ZK Prizren.  Gjykata Komunale në Prizren kishte vendosur për ndërprerjen e procedurës duke udhëzuar parashtruesin e kërkesës në kontest civil. Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatë Komunale dhe kërkoi të përcaktohet e drejta në trashëgimi në bazë të kontratës për mbajtje të përjetshme. Gjykata Komunale në Prizren e refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës, kundër vendimit të Gjykatës Komunale, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar. I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit parashtruesi i kërkesës përmes përfaqësuesit të tij kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e kishte hedhur poshtë si të palejuar revizionin, për shkak se përfaqësuesi i parashtruesit nuk kishte dorëzuar autorizimin për përfaqësim.

Lidhur me këtë, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës e konteston Aktvendimin [Rev.nr.375/2001] e Gjykatës Supreme, si vendim të fundit të nxjerrë në këtë procedurë, lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit pasi që nuk i kishin njohur kontratën për mbajtje të përjetshme e cila ishte lidhur në Gjykatën Komunale në Gornji Milanovac, Republika e Serbisë.

Gjykata vëren se Gjykata Supreme, hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës për arsye procedurale, pasi që përfaqësuesi i parashtruesit nuk kishte dorëzuar autorizimin për të dëshmuar se e përfaqëson parashtruesin e kërkesës në procedurën gjyqësore pranë gjykatave të rregullta. Gjykata Supreme gjatë shqyrtimit të revizionit arsyetoi se “… meqenëse gjykata e shkallës së pare nuk e kishte hedhë poshtë revizionin ashtu siç parashihet me dispozitat e nenit 218.1 të LPK-së, atëherë Gjykata Supreme sipas dispozitës së nenit 221 të LPK-së, vendosi ta hedhë poshtë si të palejueshëm revizionin”.

Lidhur me këtë Gjykata vërejti se Gjykata Supreme me të drejtë ka hedhur poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, pasi përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës nuk ka dorëzuar autorizimin për përfaqësim, ashtu siç kërkohet me ligj, përkatësisht nenin 93 paragrafi 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), i cili përcakton se “I autorizuari për përfaqësim ka për detyrë që në rastin e kryerjes së veprimit të parë në procedurë ta paraqes prokurën”.

Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij i ndërlidh me “zbatimin e gabuar të se drejtës materiale dhe procedural”, pasi i njëjti pretendon se kontrata për mbajtjen e përjetshme është në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD) dhe se gjykatat e rregullta është dashtë ta njohin. Së pari, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 580/14], e refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se e njëjta vlerëson se lidhur me legalizimin e kontratës për mbajtje të përhershme është ekskluzivisht kompetent gjykata në territorin e së cilës gjendet prona e paluajtshme, e që në rastin konkret ishte Gjykata Komunale në Prizren. Për më tepër, edhe Gjykata e Apelit në shkallë të dytë u pajtua me konstatimin dhe arsyetimin e Gjykatës Themelore si shkallë e parë, duke konkluduar se Gjykata Themelore drejtë kishte aplikuar ligjin material.

Gjykata, pretendimet e parashtruesit të kërkesës i cilësoi se i takojnë kategorisë së parë (i) “të shkallës së katërt”, andaj, të njëjtat, Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaroi qartazi të pabazuar dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Amet Ajdari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile