Prishtinë, 8 shkurt 2024
Nr. ref.:RK 2325/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI157/22
Parashtrues
Abedin Ismaili
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 305/2022] të 5 gushtit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Abedin Ismaili, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesin e kërkesës e përfaqëson Jeton Osmani, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 305/2022) të Gjykatës Supreme të Kosovës të 5 gushtit 2022 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr. 10795/21] të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) të 15 prillit 2022.
Aktvendimi [Rev.nr.305/2022] i Gjykatës Supreme i 5 gushtit 2022, i është dorëzuar përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës më 30 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.305/2022] të Gjykatës Supreme të 5 gushtit 2022, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenet 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 12 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata). Gjykata e pranoi kërkesën e parashtrueses më 14 tetor 2022.
Më 25 tetor 2022, Gjykata: (i) njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës ditë; (ii) kërkoi nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës që të dorëzoj autorizimin që dëshmon se e përfaqëson parashtruesin e kërkesës në procedurën para Gjykatës Kushtetuese; dhe (iii) i dërgoi një kopje e kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, me vendimin [Nr.GJR.KI157/22], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe me vendimin [Nr.KSH.KI157/22] Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
Më 14 nëntor 2022, Gjykata pranoi nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës autorizimin specifik për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 21 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri votash i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Gjykata që në fillim të përmbledhjes së gjendjes faktike vëren se thelbi i procedurës gjyqësore pranë gjykatave të rregullta ka të bëjë me çështjen e ushtrimit të së drejtës në pagesën e tri pagave jubilare, të cilat Korporata Energjetike e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK), sipas mendimit të parashtruesit të kërkesës do të duhej t’ia paguante për arsye se tek ai si punëdhënës ka punuar për më shumë se 30 vite. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës më 24 janar 2019 kishte parashtruar kërkesën [nr. 61] përmes së cilës kërkoi njohjen e tyre, dhe pagesën e tri pagave jubilare. Më 24 janar 2019 KEK-u i dërgoi përgjigje parashtruesit të kërkesës [nr. 501] përmes së cilës e refuzoi kërkesën e tij, duke theksuar se ajo ”është ushtruar pas afatit ligjot”.
Më 11 qershor 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore të Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër KEK-ut, përmes së cilës kërkoi pagesën e tri pagave jubilare. Në padi, ndër të tjera, ai deklaroi se ishte punëtor i të paditurës me numër pune 4444 në pozitën Inxhinier Përgjegjës në MRRK, në Departamentin e Mirëmbajtjes Elektrike në Divizionin e TCB deri më 01.03.2019, duke shtuar se “ka 30 vjet përvojë pune me të paditurën KEK dhe se në pajtim me nenin 52 paragrafi 3 të Marrëveshjes Kolektive të Kosovës, pas përfundimit të 30 viteve të përvojës së punës, atij si punëtor i takojnë tri paga jubilare në shumën e tri pagave mujore të tij”.
Më 28 maj 2021, KEK-u,dorëzoi përgjigje në padi në Gjykatën Themelore, në të cilën
kontestoi padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke theksuar se paditësi (parashtruesi i kërkesës) të drejtën për pagat jubilare e ka arritur në vitin 2014 e që në atë kohë nuk ishte në fuqi Marrëveshja në të cilën thirret paditësi , dhe deri në dorëzimin e kërkesëpadisë kanë kaluar 4 vite e që rrjedhimisht kërkesëpadia është parashkruar.
Më 8 korrik 2021 është mbajtur seanca shqyrtuese e Gjykatës Themelore, në të cilën parashtruesi i kërkesës specifikoi kërkesëpadinë e vet në mënyrën si në vijim: „[…] në këtë seancë është precizuar edhe lartësia e kërkesëpadisë, duke kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura që paditësit në emër të 3 pagave jubilare t’ia paguajë shumën prej 2876,16 € po në bazë të pagës… […] si dhe shpenzimet e procedurës për përpilimin e padisë shumën prej 104 euro, si dhe për një seancë gjyqësore 135 €, dhe taksë gjyqësore 20 euro.“
Më 14 korrik 2021, Gjykata Themelore nxori aktgjykimin [C. nr. 1886/19] përmes të cilit vendosi që: I. të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, II.urdhëroi të paditurën (ndërrmarjen publike KEK) që t’i paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 2,876.16€ në emër të tri pagave jubilare, dhe në pikën III. të obligojë të paditurën (KEK) shumën e lartcekur t’ia paguaj me kamatë ligjore prej 8% në vit nga data e marrjes së aktgjykimit e deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet e procedurës në lartësi prej 259€.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në Aktgjykimin [C. nr. 1886/19] ndër të tjera, theksoi se duke u mbështetur në provat siç ishte Kartela e Punës vërtetoi se paditësi (parashtruesi i kërkesës) kishte përvojë pune mbi 39 vite dhe konstatoi se kërkesëpadia e paditësit (parashtruesit të kërkesës) ishte e bazuar, duke arsyetuar se:
“Me vendimin nr.8261, të datës 23.08.2019, të Drejtorit Menaxhues të paditurës lidhur me njohjen e obligimit për pagat jubilare, gjykata vërteton se paditësit i është njohur e drejta për për pagesën e pagave jubilare deri në vitin 2019 edhe pse Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ka hyrë në fuqi me datë 01.01.2015 dhe ka prodhur efekt juridik për një afat 3 vjeçar, pra ka pasur shtrirje kohore të zbatimit deri më datë 31.12.2017, por e paditura me vendimin e saj e ka njohur obligimin e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit në këtë rast edhe për paditësin deri më datë 31.12.2019”.
[...]
Kompensimi i pagave jubilare është e paraparë edhe me Kodin e Punës të paditurës, nr. i protokollit 1041 datë 05.06.2015, ku në nenin 53.4 të këtij kodi parashihet “sa herë rezultat afariste financiare e mundësojnë, KEK-u mban të drejtën për pagën shtesë/bonuset për punëmarrësit e vet apo edhe shpërblimet jubilare...”.
“Nga arsyet e theksuara më lartë, gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret janë plotësuar kushtet e parapara në dispozitat e nenit 53.4 të Kodit të Punës që paditësit t’i njihet e drejta për pagesën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar në vlerë të 3 pagave, si dhe Vendimi me nr.82621, të datës 23.08.2019, i marrë nga vet e paditura ku të gjithë punonjësve që i plotësojnë kushtet, ju njihet e drejta në shpërblim jubilar, andaj edhe vendosi që ta miratoj kërkespadinë e paditësit si të bazuar.”
[...]
Gjykata Themelore vlerësoi edhe pretendimet ankimore të së paditurës KEK, përmes të cilave ka konstatuar se kemi të bëjmë me parashkrimin e kërkesës së paditësit. Në mbështetje të kësaj, Gjykata Themelore deklaroi “[…] gjykata vlerësoi edhe pretendimet e palës së paditur të paraqitura në përgjigje në padi edhe në seancë se kërkesa e paditësit është parashkruar, mirëpo vlerëson se këtë pretendime nuk qëndrojnë për faktin se sipas dispozitave të marrëveshjes kolektive të cilave iu referohet e paditura në raport me shpërblimin jubilar, ato dispozita rregullojnë situatën kur e paditura mundet që në procedurë administrative në bazë të vullnetit të saj, brenda një muaji t’ia paguajë paditësit shpërblimin jubilar për çdo dhjetë vite , mirëpo të njëjtat nuk e detyrojnë paditësin që pikërisht pas kalimit të afatit një mujor duhet të kërkohet kjo e drejtë në të kundërtën do të kemi parashkrim. (...)Këto dispozita nuk parashohin kufizime se shpërblimi jubilar nëse nuk paguhet me kohë, apo nëse në kohën kur është arritur përvoja e punës nuk ka qenë në fuqi marrëveshja kolektive, pasi që shpërblimet e tilla mund të kërkohen më vonë. […]“.
Më 28 korrik 2021, e paditura KEK kundër Aktgjykimit [C. nr. 1886/19] të Gjykatës Themelore, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe kërkesëpadia e paditësit (parashtruesit të kërkesës) të refuzohet si e parashkruar .
Parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigje në ankesë në Gjykatën e Apelit, nëpërmjet së cilës kërkoi të refuzohej në tërësi ankesa e të paditurës (KEK) me ç’rast theksoi se Gjykata Themelore në Prishtinë me të drejtë ka vlerësuar se kërkespadia ka bazë juridike, dhe e njëjta është e bazuar në nenin 52 par.3 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës e që paditësi (parashtruesi i kërkesës) këtë të drejtë e ka fituar në kohën sa ishte në fuqi kjo marrëveshje me përmbushjen e viteve të nevojshme të përvojës së punës dhe të njëjtën të drejtë e paditura (ndërmarrja publike KEK) ia ka njohur edhe me vendimin 2244 të datës 10 prill 2019 me plotësimin e tij pastaj me vendimin nr.8261 të datës 23 gusht 2019. Njëkohësisht, me anë të përgjigjjes në ankesë, parashtruesi i kërkesës kërkoi shumën prej 468€ në emër të shpenzimeve të procedurës.
Më 15 prill 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 10795/21], e aprovoi ankesën e të paditurës (KEK) dhe e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [C.nr.1886/19], të 14 korrikut 2021, duke e refuzuar kësisoj në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në shumën prej 2,876.16€, kurse sa i përket shpenzimeve të procedurës vendosi që secila palë t’i bartë vetë.
Në arsyetimin e aktgjykimit [Ac. nr. 10795/21], Gjykata e Apelit ndër të tjera theksoi:
“Gjykata e Apelit vëren se në arsyetim të aktgjykimit të ankimuar, gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se pavarësisht faktit që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk ka qenë në fuqi në kohën kur paditësi e ka paraqitur padinë, megjithatë kjo e drejtë duhet t’i njihet në bazë të vendimit të të paditurës nr.8261, të dt.23.08.2019. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, një konstatim i tillë është i paqëndrueshëm, për faktin se meqë e drejta për të kërkuar shpërblimin jubilar për paditësin ka lindur me dt.01.01.2015, rrjedh se Vendimi i të paditurës në të cilin është bazuar gjykata e shkallës së parë lidhur me vlerësimin e bazueshmërisë së kërkesëpadisë, është nxjerr pas kalimit të afatit të parashkrimit të kërkesës për kompensimin e shpërblimit jubilar [...]”
Brenda afatit ligjor, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme ndaj Aktgjykimit [Ac. nr. 10795/21] të datës 15 prill 2022 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar kësisoj shkelje thelbësore të dispozitave të LPK-së dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale me pretendimin se Gjykata e Apelit ka bërë vërtetim jo të drejtë të gjendjes faktike si dhe nuk ka zbatuar ligjin e aplikueshëm (Ligjin e Punës) dhe Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës e as aktet e brendshme të të paditurës (ndërmarrjes publike KEK) kur ka vendosur si në Aktgjykimin e atakuar. Parashtruesi i kërkesës thirret në aprovimin e tërësishëm të kërkesëpadisë së tij si dhe të detyrohet KEK-u që t’i paguajë në emër të tri pagave jubilare shumën prej 2,876.16€ si dhe shprenzimet e procedurës në vlerën prej 705 € (104€ për padi, 135 € për seancën e mbajtur, 208 € për përpilim të përgjigjjes në ankesë, 208 € për përpilim të revizionit, 20 € në emër të taksës për padi dhe 30 € në emër të taksës për revizion).
Më 5 gusht 2022, Gjykata Supreme e Kosovës nëpërmjet Aktvendimit [Rev. nr. 305/2022], hodhi poshtë si të palejuar kërkesën për revizion të parashtruar nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin si në viim:
[...]
“Me dispozitën e nenit 211.2 të Ligjit për Procedurën Kontestimore parashihet se : “Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore juridike në të cilat kërkespadia ka të bëjë me të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë presitmi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000€”, Sipas kësaj dispozite ligjore rrjedh se në rastin konkret, e duke qenë se vlera e objektit të kontestit është 2876.16€, revizioni nuk është i lejuar.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, ka ardhur deri te shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNj-së.
i) Pretendimi për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së
Në mbështetje të pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se për shkak të mos veprimit të Gjykatës Supreme në bazë të dispozitave ligjore, kishte rezultuar që të hidhet poshtë kërkesa për revizion e që rrjedhimisht atij i është pamundësuar që të merr një përgjigje përfundimtare nga gjykatat për sa i përket meritave të rastit. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës shton se nga veprimet e lartcekura të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës shton, “[...] se për shkak të moszbatimit të drejtë të së drejtës materiale ka ndikuar në mosmarrjen e një vendimi meritor nga Gjykata Supreme dhe kjo nënkupton që i është shkelur edhe e drejta e garantuar me nenin 6.1 të KEDNj-së që garanton se çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga gjykata e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj. Gjykata Supreme, sipas parashtruesit të kërkesës gabimisht ka vlerësuar vlerën reale të objektit të kontestit (dëmit të pësuar) që është goditur me revizion kundër Aktgjykimit [Ac.nr.10795/21] në shumën prej 2,876.16€, sepse në kuptim të nenit 211.2 të LPK-së, vlera e objektit të kontestit që duhet marrë parasysh është shkaktimi i dëmit të tërësishëm që mund t’i bëhet një parashtruesi në një proces gjyqësor ( e që në këtë rast është shuma e tri pagave jubilare 2,876.16€ dhe shpenzimet e procedurës në vlerën prej 705 €) dhe jo vetëm vlerën e miratuar në favorin e tij nga Gjykata Themelore në Prishtinë ( shuma e tri pagave jubilare prej 2,876.16 €) (...)”.
Më tej, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 10795/21] me të cilin është refuzuar në tërësi kërkesëpadia e tij dhe është ndryshuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [C.nr.1886/19] janë marrë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale, ngase në rastin konkret nuk janë marrë fare për bazë aktet e brendshme të të paditurës (ndërmarrjes publike KEK). Në këtë rrjedhë pretendimi për parashkrimin e kërkesës sipas tij është i paqëndrueshëm ngase konsideron se është brenda afatit ligjor duke iu referuar nenit 81 par.3 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive në të cilën përmendet se në Marrëveshjen e Re në fillim të afatit gjashtë (6) mujor, përdoren rregullat dhe dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës së vjetër.
ii) Pretendimet për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur për raste të ngjashme si të paditësit duke i aprovuar ato, me ç’rast kanë krijuar qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme dhe kanë krijuar pasiguri juridike, andaj rrjedhimisht edhe parashtruesi i kërkesës është vënë në pozitë të pabarabartë para ligjit
iii) Pretendimet për shkelje të neneve 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës, si dhe nenin 13 të KEDNJ-së.
Përkitazi me shkeljen e neneve 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se nenet e lartcekura të Kushtetutës garantojnë përdorimin e mjeteve juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative që cenojnë të drejtat ose interesat e personit, prandaj pohon “se Gjykata Supreme me aktvendimin e saj për refuzim të revizionit, ka vendosur shkelur të drejtat e tij për mjete efektive juridike dhe në lidhje me nenin 54 të Kushtetutës , i është pamundësuar mbrojtja gjyqësore e të drejtave të tij dhe shqyrtimi i meritave të rastit”.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që ta pranojë kërkesën e tij dhe ta anulojë Aktvendimin [Rev .nr. 305/2022] e Gjykatës Supreme të 5 gushtit 2022, si të paligjshëm dhe ta kthejë lëndën në Gjykatën Supreme për rishqyrtim dhe rivendosje.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
“Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.
Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6.1
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
1.“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme”.
[...]
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 30
“30.1 Paditësi ka për detyrë që, në kontestet pasurore-juridike, në padi ta përcaktoj vlerën e objektit të kontestit. Si vlerë e objektit të kontestit merret parasysh vetëm vlera e kërkesës kryesore.
[…]
Neni 211
211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.
211.2 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 €.”
(...)
LIGJI NR.03/L-212 I PUNËS
Neni 87
[Afati i parashkrimit]
“Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.”
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
Neni 193
[E drejta e të dëmtuarit pas parashkrimit të së drejtës për të kërkuar shpërblimin]
“Pas parashkrimit të së drejtës për të kërkuar shpërblimin e dëmit i dëmtuari mund të kërkojë nga personi përgjegjës, sipas rregullave që vlejnë në rastin e pasurimit të pabazë, që t’i cedojë atë që ka marrë nga veprimi me të cilin është shkaktuar dëmi.”
MARRËVESHJA E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE E KOSOVËS
Neni 3
Aplikimi dhe përfshirja
“Dispozitat e MPKK-së aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.”
Neni 52
Shpërblime jubilare
1.” I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.”
Neni 53
Kompensimi në rast të pensionimit
“I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit.”
Vendimi nr. nr. 8261 i KEK-Sh. A., i nxjerrë më 24 gusht 2019
Vendim
“I. Vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit që kanë plotësuar kushtin deri më 31.12.2019, pra që kanë arritur përvojën e punës 10, 20 apo 30 vite, prej 01.01.2015 dhe në vazhdimësi.
(...)
III. Punëmarrësit të cilët kanë arritur përvojën e punës 40 vite gëzojnë këtë të drejtë njëjtë sikurse punëtorët që kanë arritur përvojën e punës 30 vite.”
MENDIM JURIDIK PËR SHPËRBLIMIN JUBILAR i Gjykatës Supreme lidhur me ligjin e aplikueshëm, marrëveshja e përgjithshme kolektive dhe kontratat sektoriale, si dhe kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar, i 27 shkurtit 2023
Marrëveshja/Kontratat e aplikueshme:
“II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur më datë 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e më tejmë: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet në periudhën kohore nga data 01.1.2015 — 31.12.2017.
[…]”
Kushtet për të fituar të drejtën shpërblimit jubilar:
VI. I punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit.
[…]”
Arsyetimi i Mendimit Juridik
“Gjykata Supreme e Kosovës në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vendimeve të gjykatave të instancave më të ulëta ka konstatuar praktikë jo unike lidhur me çështjen e kërkesave për shpërblimin jubilar. Praktika jo unike e gjykatave të instancave më të ulëta kryesisht ka të bëjë me periudhën kohore që duhet të aplikohen marrëveshja e përgjithshme kolektive dhe kontratat sektoriale, si dhe kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar.”
Arsyetimi për pikën VI (gjashtë) të mendimit juridik
“
Në praktikë është paraqitur si dilemë, se viti jubilar I punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet, a duhet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet a duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit. Në praktikën gjyqësore janë konstatuar interpretime, vlerësime dhe mënyra të ndryshme të vendosjes, lidhur ma atë se cilat kushte duhet të plotësohen për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar.
Qëndrimi i Gjykatës Supreme të Kosovës është se: i punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52 të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit, për arsye se me nenin 52 të kësaj marrëveshjeje, përcaktohet se: ” I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë: a) për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij; b) për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy paga mujore të tij; dhe c) për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij.” Nga interpretimi i nenit 52 paragrafi 1 i kësaj marrëveshje, rezulton qartë se i punësuari për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar duhet ti plotësojë kushtet e theksuara si në pikën II, dhe VI, të këtij mendimi juridik.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: i. është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ii. ai konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 305/2022] të Gjykatës Supreme, të 5 gushtit 2022; iii. ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; iv. ka specifikuar qartë të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe v. kërkesën e ka dorëzuar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç përcakton neni 49 i Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë), përkatësisht në dispozitën e paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
(...)
Gjykata së pari thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së, Kemmachev kundër Francës kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Lituanisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
i) Pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së
Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës si pretendim kryesor e ka faktin se Gjykata Supreme gabimisht ka zbatuar të drejtën materiale duke e hedhur poshtë kërkesën e tij për revizion në bazë të nenit 211 paragrafit 2 të LPK-së, pasi që i njëjti konsideron se “Gjykata Supreme, sipas parashtruesit të kërkesës gabimisht ka vlerësuar vlerën reale të objektit të kontestit (dëmit të pësuar) që është goditur me revizion kundër Aktgjykimit [Ac.nr.10795/21] në shumën prej 2,876.16€, sepse në kuptim të nenit 211.2 të LPK-së, vlera e objektit të kontestit që duhet marrë parasysh është shkaktimi i dëmit të tërësishëm që mund t’i bëhet një parashtruesi në një proces gjyqësor ( e që në këtë rast është shuma e tri pagave jubilare 2,876.16€ dhe shpenzimet e procedurës në vlerën prej 705 €) dhe jo vetëm vlerën e miratuar në favorin e tij nga Gjykata Themelore në Prishtinë ( shuma e tri pagave jubilare prej 2,876.16 €) (...)”.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon se edhe Gjykata e Apelit në aktgjykimin e saj ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike dhe ka aplikuar në mënyrë të gabuar ligjin material. Ky zbatim i pretenduar i gabuar i së drejtës materiale reflektohet në zbatimin e Ligjit të Punës, Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, nga ana e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
Duke pasur parasysh këtë, Gjykata vë në dukje se pretendimet për shkeljen e të drejtave kushtetuese të parashtruesit të kërkesës i referohen mënyrës se si gjykatat e rregullta vërtetuan gjendjen faktike dhe zbatuan të drejtën materiale, kur vendosën për realizimin e së drejtës për shpërblimet jubilare të cilat parashtruesi i kërkesës konsideron se i takojnë. Gjykata rikujton se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së: García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës: KI145/20, parashtruese: Hafize Gashi, aktvendim për papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 34, KI49/19, parashtrues: Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A. “Adem Jashari“, aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 48).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe ajo e Gjykatës përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në (shih, rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 33-39; shih gjithashtu edhe rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues: Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, aktvendim për papranueshmëri i 12 gushtit 2019, paragrafi 64). Ne parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Duke iu rikthyer rastit konkret të parashtruesit të kërkesës, Gjykata në vazhdim do të shqyrtojë mënyrën se si gjykatat e rregullta se si kanë zbatuar të drejtën materiale në lidhje me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për realizimin e së drejtës për shpërblimin jubilar gjatë vendosjes në vendimet gjyqësore që kontestohen nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata, gjen se fillimisht Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 1886/19] të 14 korrik 2021 e kishte aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit, ashtu që urdhëroi KEK-un që në emër të tri pagave jubilare t’i kompensojë parashtruesit shumën prej 2,876.16€ dhe në emër të shpenzimeve të procedurës, shumën prej 259€, me arsyetimin se në bazë të Vendimit nr.8261 të KEK-ut të 23 gushtit 2019 dhe Kodin e Punës së KEK-ut, parashtruesit i njihet e drejta për shpërblimet jubilare.
Megjithatë, në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 10795/21] e kishte ndryshuar Aktgjykimin [C.nr. 1886/19] e Gjykatës Themelore, ashtu që e refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në shumën prej 2,876.16€, por sa i përket shpenzimeve të procedurës, vendosi që secila palë t’i bartë vetë. Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit nuk ishte pajtuar me konstatimin e Gjykatës Themelore dhe kishte vlerësuar se kërkesa e parashtruesit për kompensimin e shpërblimit jubilar është paraqitur pas kalimit të afatit të parashkrimit ashtu siç përcaktohet me nenin 87 të Ligjit të Punës Nr.03/L-212, për arsye se e drejta e tij kishte lindur më 1 janar 2015, në ditën kur Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive kishte hyrë në fuqi, ndërsa parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur kërkesën për kompensimin e shpërblimit jubilar më 11 qershor 2022.
Më konkrektisht, lidhur me vlefshmërinë e kërkesës së paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata e Apelit vlerësoi se “(...) paditësi e ka lëshuar afatin prej 3 vitesh për të kërkuar realizimin e një të drejte nga marrëdhënia e punës- në rastin konkret kompensimin e shpërblimit jubilar”. Ndërsa, sa i përket Vendimit nr.8261 të KEK-ut të 23 gushtit 2019, Gjykata e Apelit konstatoi se është nxjerrë pas kalimit të afatit të parashkrimit të kërkesës në fjalë dhe si e tillë nuk është relevante.
Gjykata vlerëson se ky qëndrim i Gjykatës së Apelit është i rëndësishëm dhe kjo për arsye se në bazë të përmbajtjes së kontratës kolektive mund të vërehet si vijon, përkatësisht kur është nënshkruar kontrata kolektive ka pasur një periudhë kohore në të cilën palët mund të ushtrojnë të drejtat e tyre. Ajo periudhë kohore e vlefshmërisë së kontratës kolektive kishte datën e fillimit të zbatimit të saj, si dhe datën kur ajo pushon së zbatuari. Në atë periudhë të zbatimit të saj, palët mund kanë mundur ushtrojnë të drejtat e tyre të përcaktuara në nenin 52 të Marrëveshjes Kolektive. Rrjedhimisht, rezulton se parashtruesi i kërkesës ka mundur të përmbushë kërkesën e tij për pagesën e shpërblimeve jubilare mbi këtë bazë në periudhën nga 1 janari 2015 dhe kjo e drejtë i takonte atij, në pajtim me nenin 87 të Ligjit të Punës. për 3 vjet, pra deri më 31 dhjetor 2017 kur Marrëveshja Kolektive ka pushuar së zbatuari.
Bazuar sa më sipër, Gjykata thekson se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit përcaktonte qartë bazat ligjore dhe nenet e ligjeve përkatëse mbi të cilat ai mund të ushtronte të drejtën e tij, si dhe tregoi dhe arsyetoi qartë arsyet pse kërkesa e tij ishte e pabazuar. Prandaj, Gjykata vlerëson se konkluzioni i Gjykatës së Apelit lidhur me konstatimin e gjendjes faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale nuk është arbitrar, siç thekson parashtruesi në kërkesës.
Ndërsa, Gjykata Supreme si gjykatë e shkallës së tretë, kishte vlerësuar se revizioni i paraqitur nga parashtruesi i kërkesës nuk i përmbush kushtet ligjore që parasheh neni 211 paragrafi 2 i LPK-së, sa i përket lejueshmërisë së revizionit, meqenëse vlera e kontestit është 2,876.16 € dhe nuk kalon shumën prej 3000 € ashtu siç parashihet në nenin e lartcekur të LPK-së.
Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, Gjykata konstaton se edhe në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, por edhe të Gjykatës së Apelit nuk kishte zbatim të gabuar të së drejtës materiale në lidhje me të drejtat e parashtruesit në paraqitjen e kërkesës për revizion dhe në procedurën e vendimmarrjes lidhur me kërkesën e tij për pagesën e shpërblimeve jubilare nga neni 52 i Marrëveshjes Kolektive, prandaj Gjykata konsideron se nuk ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së në procedurat pranë gjykatave të rregullta, dhe, rrjedhimisht pretendimte e parashtruesit të kërkesës i konsideron si të pabazuara, duke i kategorizuar të njëjtat si pretendime që i përkasin si pretendime të “shkallës së katërt”.
ii) Pretendimi për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës
Tutje, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës pretendon edhe shkelje të nenit 24 të KEDNj-së, duke theksuar se “Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit kanë vendosur për raste të ngjashme si të paditësit duke i aprovuar ato, me ç’rast Gjykatat e rregullta rregulltajuar qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme si të paraqitësit të kësaj kërkese dhe me këtë kanë krijuar pasiguri juriidke, andaj edhe në kuptim të kësaj paditësin e ka vënë në pozitë të parabartë para ligjit në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës”. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij i referohet edhe Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI143/21 me parashtrues Avdyl Bajgora, duke pretenduar se situata e parashtruesit në këtë rastin KI143/21 është e ngjashme me situatën e tij në këtë rast.
Megjithatë, duke marrë parasysh konkluzionet e Gjykatës në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë nga pikat e mëparshme të këtij vendimi, sipas të cilave arsyetimet e vendimeve të kontestuara janë të qarta dhe logjike dhe se në to nuk ka elemente që tregojnë se vlerësimi i fakteve në rastin konkret është keqpërdorur në dëm të parashtruesit të kërkesës, dhe as që zbatimi i së drejtës materiale dhe procedurale ka qenë arbitrar, konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës janë të pabazuara.
Për më tepër, Gjykata konsideron se në këtë pjesë të vendimit është e rëndësishme të theksohet se më 27 shkurt 2023, Gjykata Supreme ka nxjerrë një mendim juridik në lidhje me “kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar nga marrëveshja kolektive”. Gjykata, pas shqyrtimit të mendimit juridik të Gjykatës Supreme, konsideron se ai jep një pasqyrë të plotë dhe zgjidh shumë çështje që kanë qenë në juridiksionin e gjykatave të rregullta lidhur me ushtrimin e të drejtave nga marrëveshja kolektive. Gjykata gjithashtu konstaton se Gjykata Supreme në mendimin e saj juridik ka deklaruar “në praktikën e saj gjyqësore, gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vendimeve të gjykatave të instancave më të ulëta ka konstatuar praktikë jo unike lidhur me çështjen e kërkesave për shpërblimin jubilar. Praktika jo unike e gjykatave të instancave më të ulëta kryesisht ka të bëjë me periudhën kohore që duhet të aplikohen marrëveshja e përgjithshme kolektive dhe kontratat sektoriale, si dhe kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar
Megjithatë, Gjykata duhet të theksoj se ky mendim juridik i Gjykatës Supreme nuk ndikon drejtpërdrejt në rezultatin e kësaj kërkese të parashtruesit për arsyet që Gjykata i ka theksuar tashmë në pjesët e aktvendimit kur ka vlerësuar bazueshmërinë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në lidhje me aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme.
Ndërsa, sa i përket referimit të parashtruesit në rasitn e Gjykatës KI143/21, me parashtrues Avdyl Bajgora, Gjykata rikujton se rastin KI143/21, me parashtrues Avdyl Bajgora, kishte marrë Aktgjykim ku kishte gjetur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së. Rrethanat e këtij rastit kishin të bënin me kërkesën e parashtruesit që në emër të tri pagave jubilare t’i kompensohej shuma prej 2,739.00 € dhe në emër të diferencës së pagave përcjellëse të pensionit shuma prej 547.80 €, meqënëse i njëjti konsideronte se i takojnë në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, pasi që kishte arritur më shumë se 40 vite përvojë punë në KEK.
Sa më sipër, në rrethanat e rastit të lartcekur, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion të paraqitur nga parashtruesi me arsyetimin se vlerën e kontestit e përbënte kërkesa për tri paga për shpërblim jubilar në shumën prej 2739.00 €, dhe nuk e mori në konsiderim shumën prej 547.80 € në emër të diferencës se pagave përcjellëse të pensionit, andaj konsideroi se revizioni në këtë rast ishte i palejuar meqënëse nuk e kaloi vlerën e kontestit prej 3000 €, ashtu siç e parasheh neni 211 paragrafi 2 i LPK-së.
Megjithatë, në situatën e rastit të lartcekur, Gjykata vëren se edhe me rastin e aprovimit të kërkesëpadisë të parashtruesit nga ana e Gjykatës Themelore dhe pastaj edhe me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë nga Gjykata e Apelit, Gjykata gjeti se të dyja këto instanca e kishin cilësuar në esencë shumën prej 3,286.80 € (shpërblimi për tri paga jubilare në shumat prej 2,739.00€ dhe diferenca e pagave përcjellëse të pensionit prej 547.80€) si vlerë të tërësishme të objektit të kontestit. Prandaj, Gjykata në këtë rast vlerësoi se konkluzionet e Gjykatës Supreme për hedhjen poshtë si të palejuar të kërkesës për revizion, ishin qartazi dhe dukshëm arbitrare, të cilat rezultuan në pamundësinë e realizimit të së drejtës së parashtruesit për “qasje në gjykatë” dhe rrjedhimisht në mohimin e së drejtës për mjet efektiv juridike dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tjera.
Duke i’u rikthyer rastit konkret, Gjykata pasi bëri një analizë krahasimore me rastin të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës, gjen se vlerën reale të objektit të kontestit në rastin e parashtruesit të kërkesës e përbën vetëm kërkesa për shpërblimin jubilar në emër të tri pagave jubilare në shumën prej 2,876.16 €, të cilën e kishte kërkuar që në fillim të procedurave gjyqësore përmes kërkesëpadisë, dhe se nuk ekziston ndonjë kërkesë për kompensim të ndonjë shume tjetër në emër të ndonjë të drejte (siç ishte kërkesa për pagesën e diferencës në pagë në vlerën perj 547.80€ në rastin KI143/21), apo ndonjë rrethanë tjetër faktike që do ta shtyente Gjykatën të konkludojë ndryshe.
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se pretendimi për diskriminimin me qëndrime të ndryshme të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme në procedurën e vendimmarrjes në situata të ngjashme është qartazi i pabazuar dhe kësisoj bën pjesë në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
iii) Pretendimet për shkelje të nenit 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës, në lidhje nenin 13 të KEDNJ-së
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 32, 54 dhe 102 të Kushetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNj-së, parashtruesi i kërkesës thekson se është shkelur parimi i barazisë së armëve, për shkak se është vendosur në pozitë të pafavorshme në raport me të paditurën, sepse e drejta materiale nuk është zbatuar në mënyrën e duhur gjatë vendosjes lidhur me mjetin efektiv juridik.
Mbi bazën e këtij pretendimi të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstaton se, për nga përmbajtja, ky pretendim i referohet në thelb gjykimit të drejtë dhe diskriminimit, të cilin Gjykata e ka analizuar tashmë në pjesët e mëparshme të këtij aktvendimi, ndërsa për sa i përket pjesës së pretendimit për efektivitetin e mjetit juridik, për Gjykatën është më se e dukshme se parashtruesi i kërkesës ka pasur në dispozicion mjete juridike gjatë gjithë procedurës gjyqësore, të cilat i ka përdorur për të ushtruar të drejtat e tij.
Prandaj, Gjykata i gjen gjithashtu këto pretendime të parashtruesit të kërkesës si të pabazuara dhe kësisoj kategorizohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Përfundim
Si përfundim, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 31, të Kushtetutës në lidhje me nenin nenet 6 KEDNj-së janë pretendime që kualifikohen si (i) pretendime “të shkallës së katërt”, ndërsa pretendimet për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 24, 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNj-së, kualifikohen si (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësi, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 21 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Abedin Ismaili
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile