Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1496/2020] të 29 prillit 2020, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [GSK-KPA-A-005/19] të 11 marsit 2020

Nr. të lëndës KI 44/20, KI 83/20 dhe KI 102/20

Parashtruesit: Besnik Kavaja

Shkarko:

KI44/20, KI83/20 dhe KI102/20, Parashtruesi i kërkesës: Besnik Kavaja, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1496/2020] të 29 prillit 2020, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [GSK-KPA-A-005/19] të 11 marsit 2020

KI44/20, KI83/20 dhe KI102/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 10 shkurt 2021, i publikuar më 24 shkurt 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontest pronësor, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesat janë dorëzuar nga Besnik Kavaja, nga Prishtina.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1496/2020] të 29 prillit 2020, dhe Aktgjykimin Gjykatës Supreme [GSK-KPA-A-005/19] të 11 marsit 2020.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se përmes vendimeve të kontestuara, atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, me nenin 1 të Protokollit nr. 1, nenin 6 [ E Drejta për një proces të rregullt], nenin 13 [E Drejta për zgjidhje efektive] të KEDNJ-së.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se Komisioni për Çështje Pronësore Banesore (KÇPB) e ka përjashtuar nga procedura atë dhe palën R.S., dhe me këtë i është shkelë e drejta e qasjes në drejtësi për arsye se siç pohon ai, atyre i është pamundësuar atakimi i vendimit  [HPCC/REC/85/2006] të 11 dhjetorit 2006 të KÇPB-së, për arsye se ai nuk ka qenë në dijeni për nxjerrjen e vendimit në fjalë deri më 25 tetor 2019 kur është njoftuar se Agjencia për Verifikim dhe Krahasim e Pronës se ka nisur procedurën për zbatimin e vendimeve dhe është ftuar që ta lirojë banesën.

Lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk e kanë marrë për bazë faktin se ai nuk ishte njoftuar asnjëherë nga ana AKKVP-së lidhur me vendimin e lartëcekur te KÇPB-së dhe se me këtë i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Ai pretendon se gjykata dhe “Habitati” nuk kanë mandat që ta dëbojnë nga banesa sepse ai thekson se në banesë nuk ka hyrë me dhunë mirëpo ka një kontratë valide, dhe se pronën në fjalë e ka fituar “në bazë të posedimit ligjor dhe të ndërgjegjshëm konform dispozitës vendore, bazuar ne nenin 22 të Kushtetutës”, dhe se shpërngulja nga banesa është në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata vërejti që në rrethanat e rastit konkret, çështja esenciale ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit se ai nuk është njoftuar asnjëherë për nxjerrjen e vendimit nga ana e KÇPB-së, dhe me këtë i është pamundësuar atakimi i këtij vendimi, po ashtu ai pretendon se AKKVP përmes veprimeve të tyre kanë kryer akt të pengim posedimit. Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat kanë aplikuar dispozitat ligjore në mënyrë të gabuar dhe arbitrare. Në anën tjetër, gjykatat e rregullta pasi kanë vlerësuar secilën provë veq e veq kanë ardhë në përfundim se kërkesëpadia dhe propozimi për masë të përkohshme të parashtruesit të kërkesës janë të pa bazuara. Gjykatat e rregullta, më tej kanë theksuar se organet kompetente në këtë rast AKKVP gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre të ligjshme nuk kryejnë akte të pengim posedimit.

Më tej, parashtruesi i kërkesës pohoi se vendimi i kontestuar i KÇPB-së [HPCC/REC/85/2006/C] i 11 dhjetorit 2006  nuk i është dorëzuar atij, mirëpo Gjykata vërtetoi se edhe pse parashtruesi i kërkesës asnjëherë nuk ka qenë palë në procedurat të cilat përpiqet t’i kontestojë dhe se autoritetet kompetente asnjëherë nuk kanë qenë të obliguara ta informojnë në lidhje me procedurat në të cilat nuk ka marrë pjesë si palë, prapë se prapë nuk qëndron pohimi i parashtruesit të kërkesës se ai nuk është njoftuar me vendimin e KÇPB-së, për arsye se kjo vërtetohet nga përgjigjja e dërguar nga ana e AKKVP-së, ku ceket se “lidhur me vendimin janë informuar të dy palët në procedurë dhe se më 24 prill 2007 një kopje e vendimit është dërguar në pronë me qellim të njoftimit të banuesit aktual, konkretisht ankuesit”.

Për më tepër, Gjykata vëren se gjykatat e rregulla kishin adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, që ndërlidhen me (i) pengim posedimin ; dhe (ii) propozimin për masë të sigurisë. Rrjedhimisht dhe siç është elaboruar më lart, Gjykata vërejti që të gjitha gjykatat e rregullta kishin konstatuar se veprimet e ndërmarra nga ana e AKKVP janë të ligjshme për arsye se ky organ është i themeluar me ligj i cili ka fushëveprim të caktuar ku përfshihet edhe çështja e lirimit të pronave, dhe se veprimet e ndërmarra nuk paraqesin akt të pengim posedimit. Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta kishin trajtuar dhe arsyetuar në tërësinë e tyre pretendimet e parashtruesit të kërkesës sa i përket pengim posedimit dhe se procedurat para gjykatave në rrethanat e rastit konkret, në asnjë mënyrë nuk rezultojnë të kenë qenë të padrejta apo arbitrare.

Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme, ai pretendoi se Gjykata Supreme nuk ia ka trajtuar rastin e ngritur para saj me anë të ankesës. Gjykata vëren se Gjykata Supreme i kishte dhënë përgjigjje parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut të lartëcekur, ku sipas saj pas vendosjes me vendimin e shkallës së dytë, çështja e vendosur trajtohet “res judikata”, sepse sipas nenit 2.5, të asaj Rregulloreje në çështjet e pronave banesore, jurisdiksioni i gjykatave lokale ishte përjashtues, ndërsa komisioni ka kompetencë ekskluzive për të zgjidhë kategoritë e kërkesave të theksuara si në nenin 1.2 të kësaj Rregulloreje. Po ashtu Gjykata Supreme i ishte referuar edhe rastit KI104/10 të Gjykatës Kushtetuese, sa i përket vendimeve të formës së prerë të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore.

Gjykata vëren se arsyetimi nga Gjykata Supreme, është i qartë dhe i mbështetur, dhe pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu konstaton se procedurat në gjykatat e rregullta nuk kanë qenë të padrejta apo arbitrare.

Si përfundim, Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, sa i përket dy procedurave të zhvilluara duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pa bazuar në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Besnik Kavaja

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile