Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2346/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI141/22
Parashtrues
Salih Pllana
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit Rev. nr/156/2022 të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Salih Pllana, me vendbanim në fshatin Shitaricë, komuna e Vushtrrisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Jeton Osmani, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Rev. nr. 156/2022] të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës, në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr. 5479/21] të 25 janarit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr.73/20] të 18 qershorit 2021, të Gjykatë Themelore në Prishtinë (në tekstin në vijim: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e kishte pranuar më 13 maj 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes së cilit, parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetua) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përmes postës kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 22 shtator 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, si dhe kërkoi nga i njëjti që të dorëzonte autorizimin për përfaqësim në Gjykatë.
Më 22 shtator 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës si dhe i ofroi të njëjtës një kopje të kërkesës.
Më 22 shtator 2022, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që ta njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.
Më 26 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI141/22] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: 1. Gresa Caka-Nimani (kryesuese), 2. Bajram Ljatifi dhe 3. Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 4 tetor 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar e cila dëshmonte që parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar më 13 maj 2022.
Më 12 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim në Gjykatë, duke theksuar që: “Andaj edhe në kuptim të nenit 21 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe nenit 32 pika C e Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese e njëjta më ka autorizuar që të jem përfaqësues i saj dhe me të njëjtin autorizim kam përfaqësuar në gjithë procedurën Gjyqësore.”
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes se Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 24 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës ka qenë për 30 vite pa ndërprerë në marrëdhënie pune me KEK Sh.A. dhe atë duke filluar që nga viti 1981. Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ka qenë në marrëdhënie të punës tek e paditura në detyrat e punës “Prijës ekipi për lubrifikim të mullinjve, kurse pagë baze bruto ka realizuar në shumën prej 678.00 € në muaj.
Më 10 prill 2019, pala e paditur KEK SH.A. përmes Vendimit [nr. 2244] si dhe vendimit për plotësimin e vendimit [nr. 2244], i lëshuar nga KEK SH.A., iu kishte njohur punëtorëve të saj të drejtën në kompensim të pagave jubilare për periudhën 2015-2019.
Më 5 dhjetor 2019, pala e paditur KEK SH.A. përmes Vendimit [11233] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për 3 paga jubilare për periudhën 2015-2019.
Më 6 janar 2020, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilën kishte kërkuar që KEK të detyrohet t’ia paguajë shumën prej 2,625.66 Euro, me kamatë ligjore 8%, për kompensimin e tre pagave në emër të shpërblimit jubilar. Gjithashtu, i kishte kërkuar edhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 259 Euro.
Më 18 qershor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.73/20]: (I) aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (II) detyroi të paditurën KEK SH.A. që parashtruesit të kërkesës në emër të tri pagave jubilare, t’ia kompensoj shumën e tërësishme prej 2,625.66 €, së bashku me normën e kamatës në lartësi prej 8%, e cila llogaritet nga dita e arritjes së kërkesës (datë 6 janar 2020), e gjerë në pagesën definitive, e të gjitha së bashku në afat prej shtatë (7) ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi nën kërcënim të përmbarimit ligjor; (III) detyroi KEK Sh.A. që parashtruesit të kërkesës t'ia kompensoj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën e përgjithshme prej 259.00 €, në afat prej shtatë (7) ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit ligjor.
Më 5 korrik 2021, KEK SH.A ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të lartcekur, (i) për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike si dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale, përmes së cilës kërkonte që aktgjykimi ankimor të ndryshohet dhe kërkesëpadia të refuzohet në tërësi si e pa bazuar. Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës nuk paraqiti përgjigje në ankesë.
Më 25 janar 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ca.nr.5479/21] e aprovoi si të themeltë ankesën e KEK-ut dhe e ndryshoi Aktgjykimin [C.nr.73/20] dhe gjykoi: refuzohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës, me të cilën kishte kërkuar: “Detyrohet e paditura KEK Sh. A., që parashtruesit të kërkesës në emër të tri pagave për shpërblim jubilar t'ia paguajë shumën e përgjithshme prej 2.625.66 Euro, me kamatë ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga data e marrjes së aktgjykimit e deri në pagesën definitive, si dhe kërkesa për shpenzimet procedurale në shumën prej 259,00 euro”, si e pa themeltë. Në kuadër të arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata e Apelit theksonte si në vijim:
“Nga gjendja në shkresat e lëndës rezulton se paditësi Salih Pllana, ishte në marrëdhënie pune të pandërprerë te e paditua që nga viti 10.08.1981, kurse në vitin 2011, kishte realizuar përvojën e punës në kohëzgjatje prej 30 vitesh, ndërsa kërkesën te e paditura e kishte paraqitur me dt.18.11.2019 (aktvendimi i të paditurës Nr.11266 i dt. 05.12.2019 në shkresat e lëndës), kurse padinë në gjykatë për realizimin e të drejtës për shpërblim jubilar e ka paraqitur me dt. 06.01.2020.
[...]
Andaj, kolegj i konstaton se në rastin konkret nga dt. 01.01.2015, deri më 18.11.2019 kur keni parashtruar kërkesën te e paditura, për realizimin e shpërblimit jubilar, kanë kaluar me tepër se 3 vite, kurse e paditura në përgjigje në padi, deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes në gjykatën e shkallës së parë dhe në procedurë sipas ankesës është thirrur në parashkrimin e kërkesës, rezulton se pretendimet ankimore të paditurës në këtë rast ishin të themelta, kurse kërkesëpadia e paditësit kundër të paditurës ishte e pathemeltë, sepse paditësi, nuk provoj se realizimin e të drejtës së tij përmes mbrojtjes gjyqësore e ka kërkuar brenda afatit të paraparë me nenin 87 të Ligjit të Punës.
Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion për shkak të (i) shkeljeve thelbësore të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore; dhe (ii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet revizioni dhe të anulohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të lihet në fuqi ashtu që të aprovohet kërkesëpadia e tij dhe të detyrohet e paditura që paditësit t'ia paguajë në emër të shpërblimit të tri pagave jubilare shumën e lartcekur, si dhe shpenzimet e procedurës, si në propozimin e revizionit.
Më 5 maj 2022, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes Aktvendimit [Rev.nr.156/2022] hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër Aktgjykimit [Ac.nr.5479/21] të 25 janarit 2022, të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme e arsyetoi si në vijim moslejimin e revizionit:
“Me dispozitën e nenit 211.2 të Ligjit për Procedurën Kontestimore parashihet se "Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit ose me përmbushjen e ndonjë prestimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000-euro". Sipas kësaj dispozite ligjore rrjedh se, në rastin konkret, e duke qenë se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit është 2,625.66-euro, d.m.th. nuk kalon mbi 3.000-euro, revizioni nuk është i lejuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNj-së.
Boshti i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me “qasjen në gjykatë”, sepse atij i është pamundësuar mbrojtja gjyqësore e të drejtave të tij, meqë nuk i është shqyrtuar fare revizioni dhe, me këtë rast, duke iu pamundësuar qasja në gjykatë dhe duke mos u shqyrtuar rasti në merita, atij i është mohuar e drejta për mjet efektiv juridik dhe vetë e drejta për gjykim të drejtë, që garantohen edhe me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës, në lidhje me nenet respektive 6 dhe 13 të KEDNJ-së.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson se përmes veprimeve të lartcekura atij i është pamundësuar shqyrtimi i mjetit të jashtëzakonshëm juridik në Gjykatën Supreme, dhe me këtë i është pamundësuar mbrojtja gjyqësore e të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se gjykatat e rregullta kanë vepruar në shkelje të nenit 102 të Kushtetutës, duke mos vepruar në bazë të ligjit të aplikueshëm siç kërkohet me Kushtetutë.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson që atij i është shkelur edhe e drejta e paraparë me nenit 13 te KEDNJ e cila garanton të drejtën për mjet efektiv si dhe e drejta për gjykim të drejtë që në vete përfshin edhe barazinë e armëve. Ky parim shprehet në faktin që secili që është palë në procedurë, duhet të ketë mundësinë e arsyeshme për të paraqitur rastin e vet në kushte që nuk e vënë atë në pozitë substancialisht të pafavorshme përballë kundërshtarit të vet.
Pra, sipas parashtruesit të kërkesës përderisa të njëjtit i ishte refuzuar kërkesa për revizion në vendimin e kontestuar, i njëjti ishte vënë në pozitë substancialisht më të pafavorshme përballë të paditurës. Prandaj, këto pretendime parashtruesi i kërkesës i mbështet edhe në “Aktgjykim e Gjykatës Kushtetuese me nr.KI143/21 me parashtrues Avdyl Bajgora, në të cilin rast vendoset për një situatë pothuajse të ngjashme, ku me këtë Aktgjykim e shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 558/2020] të Gjykatës Supreme, të 22 shkurtit 2020 dhe kthen të njëjtin në rivendosje. Gjykata Kushtetuese në këtë aktgjykim në nenet 70.71, 72, 73, 74 , 75, 76 dhe 77 sqaron se duke iu referuar revizion, se nga norma e nenit 211 par.2 të LPK është e qartë se vlera e objektit të kontestit, në pjesën e goditur të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, precizohet nga pala e dëmtuar, nëpërmjet ushtrimit të revizionit.”
Parashtruesi i kërkesës thekson se i njëjti e ka atakuar në tërësi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit përmes revizionit në Gjykatën Supreme. Prandaj sipas parashtruesit të kërkesës: “në kuptim të vlerësimit të vlerës së objektit të kontestit, nuk përmendet askund shifra e cila ishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit apo përmes Revizionit, në emër të shpenzimeve të procedurës, e që në rastin konkret përben po ashtu vlerë të objektit të kontestit të goditur me revizion.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon që “vlera reale e objektit të kontestit (demi i pësuar) që është goditur me revizion, kundër Aktgjykimit të Gjykatës se Apelit, në kuptim të nenit 211.2, të LPK-së, është vlera e objektit të kontestit që duhet të marrë parasysh shkaktimin e dëmit të tërësishëm që mund t'i bëhet një parashtruesi në një proces gjyqësor dhe jo vetëm vlerën e miratuar në favorin e tij nga gjykata.”
Parashtruesi i kërkesës ngrit gjithashtu pretendime për sa i përket divergjencës së praktikës gjyqësore, me ç’rast kanë krijuar pasiguri juridike dhe rrjedhimisht sipas parashtruesit të kërkesës e ka vënë në pozitë të pabarabartë para ligjit në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës.
Në favor të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës theksonte: “Si Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit disa herë kanë vendosur për raste të ngjashme si të paditësit duke aprovuar në tërësi paditë e paditësve të ngritura pikërisht ndaj të paditurës KEK Sh.a si në rastin me numër CML.Nr.7/2020 dt.215.04.2021, Rev.nr.9012020 dt.04.05.2020, Acnr.4367/19 dt.17.07.2020, Acnr.2016/2020 dt.24.06.2020 por gjithashtu ka edhe me qindra Aktgjykime të tilla të cilat Gjykata e Apelit veçse i kanë njohur këto të drejta me kushte të njëjta si të paditësit.”
Përfundimisht parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë se i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese te garantuara me Kushtetutë dhe me të drejtë pret mbrojtje juridike nga Gjykata Kushtetuese me vërtetimin e kërkesës së tij.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë
ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të
pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë
ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe
administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejtë të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 211
[Pa titull]
“211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.
211.2 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 €.”
MARRËVESHJA E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE E KOSOVËS
Neni 3
[Aplikimi dhe përfshirja]
Dispozitat e MPKK-së aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Neni 52
[Shpërblime jubilare]
“1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.”
Neni 53
[Kompensimi në rast të pensionimit]
“I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, si dhe 34(1)(c) (Kriteret e Pranueshmërisë) të Rregullores së Punës, të cilët parashohin:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës, Gjykata thekson se sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ca.nr.5479/21] të 25 janarit 2021. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.156/2022] të 5 majit 2022, e kishte hedhur poshtë të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, për shkak se vlera e objektit të kontestit nuk mbërrinte shumën prej 3,000 (tremijë) euro siç përcaktohet me nenin 211.2 të LPK-së.
Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktgjykimit [Ca.nr.5479/21] të 25 janarit 2022 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila e kishte hedhur poshtë si të palejuar për shkak të mos plotësimit të kushtit ligjor nga neni 211.2 i LPK-së (shih rastet e Gjykatës: KI24/23, me parashtrues Sami Nuredini, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 majit 2023, paragrafi 16; KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih rastet e Gjykatës: KI24/23, me parashtrues Sami Nuredini, cituar më lartë, paragrafi 17; KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 38; KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 31, si dhe rastin e GJEDNJ-së, Fernie kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006).
Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktgjykimi [Ca.nr.5479/21] i 25 janarit 2022, i Gjykatës së Apelit, me të cilin kishte aprovuar ankesën e të paditurës KEK Sh.a., ndërsa kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës që të detyrohet pala e paditur KEK Sh.A. që t’ia paguaj në emër të tre pagave për shpërblim jubilar, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm (shih rastet e Gjykatës: KI24/23, me parashtrues Sami Nuredini, cituar më lartë, paragrafi 18; KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 43 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata rikujton se Aktgjykimi [Ca.nr.5479/21] i 25 janarit 2022, i Gjykatës së Apelit, përkundër që parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktgjykimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatën Kushtetuese, më 13 shtator 2022, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastet e Gjykatës: KI24/23, me parashtrues Sami Nuredini, cituar më lartë, paragrafi 19; KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit në lidhje me Aktgjykimin [Ca.nr.5479/21] e Gjykatës së Apelit është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih rastet e Gjykatës: KI24/23, me parashtrues Sami Nuredini, cituar më lartë, paragrafi 21; KI48/21 parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21 parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së: Zubac kundër Kroacisë, nr. 40160/12, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafët: 124 dhe 125; Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, të neneve 20 dhe 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 24 janar 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Salih Pllana
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile