Prishtinë, më 6 janar 2023
Nr. ref.:RK 2102/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI80/22
Parashtrues
Muhamet Miftari
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit Rev. nr. 105/2021 të 30 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Muhamet Miftari, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. 105/2022] të 30 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktvendimin [Ac. nr. 9796/2021] e 13 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike], nenin 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Parashtruesi i kërkesës kërkon gjithashtu nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme për shkak se sipas tij parashtruesi ka kërkuar që punëdhënësit të tij, t’i bllokohej një shumë e caktuar monetare deri në zgjidhjen e kësaj çështje, duke theksuar si në vijim: “ kjo kompani [Punëdhënësi] mund të braktis vendin dhe me këtë parashtruesi i kërkesës mund të jetë i dëmtuari kryesor në këtë çështje”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullave 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 qershor 2022, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH80/22] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 22 qershor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 13 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e rastit rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në IQ to Link GmbH-Web Company, dega në Kosovë, (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi) në pozitën “agjent i thirrjeve”.
Më 1 shtator 2020, punëdhënësi kishte marrë vendim për pezullimin e marrëdhënies së punës me parashtruesin e kërkesës, deri në një vendim tjetër, për shkak se Komisioni Disiplinor i Punëdhënësit kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës kishte bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Po me 1 shtator 2020, parashtruesi i kërkesës, kundër vendimit të shkallës së parë të punëdhënësit, parashtroi ankesë në shkallë të dytë. Nga shkresat e lëndës nuk rezulton se parashtruesi i kërkesës të ketë marrë përgjigje nga shkalla e dytë e punëdhënësit lidhur me ankesën e tij.
Më 1 tetor 2020, punëdhënësi, përmes një shkrese, kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se bazuar në nenin 70 të Ligjit të punës, i shkëputet marrëdhënia e punës, duke u bazuar në të gjeturat e Komisionit Disiplinor, se parashtruesi i kërkesës kishte shkelur rregullat e punës dhe se i njëjti kishte refuzuar për të ndjekur udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të punëdhënësit për pezullimin e marrëdhënies së punës si dhe shkresës me të cilën ishte larguar nga puna.
Më 11 shkurt 2021, Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës, përmes Vendimit [01. nr.09-209-5533/2020] vendosi si në vijim: i) refuzoi si të pabazuar ankesën lidhur me suspendimin, ndërsa ii) pretendimin e parashtruesit për ndërprerjen e marrëdhënies pa një vendim e konsideroi si të bazuar, duke konsideruar se punëdhënësi kishte shkelur dispozitat ligjore të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, sepse nuk i kishte lëshuar vendim me shkrim parashtruesit të kërkesës, për largim nga marrëdhënia e punës.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës si dhe punëdhënësi parashtruan ankesë në shkallë të dytë, të Inspektoratit të Punës, kundër vendimit të lartpërmendur të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës.
Më 12 shkurt 2020, Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës përmes vendimit refuzoi si të pabazuar ankesat e parashtruesit të kërkesës dhe të punëdhënësit, duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë.
Më 6 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër punëdhënësit, duke kërkuar i) vendosjen e masës së sigurisë ndaj vendimit të punëdhënësit për largim nga puna; ii) kthim në vendin e punës; si dhe iii) kompensim të dëmit material dhe jo material.
Më 15 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [C. nr. 5912/21], hodhi poshtë në tërësi padinë e parashtruesit me arsyetimin se e njëjta është e paafatshme, si dhe e obligoi parashtruesin e kërkesës që t’i mbuloj shpenzimet procedurale.
Gjykata Themelore në arsyetim të aktvendimit të saj thekson se parashtruesi i kërkesës njoftimin për shkëputjen e marrëdhënies së punës e ka pranuar më 1 tetor 2020, dhe pas kësaj i është drejtuar Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës, dhe në këtë mënyrë “ gjykata vlerëson se padia me propozim për caktimin e masës së sigurimit, është e paafatshme pasi ka kaluar afati prekluziv 30 ditor pas marrjes së shkresës për shkëputjen e marrëdhënies së punës”. Për më tepër, Gjykata Themelore shton se edhe prej marrjes së Vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës më 29 prill 2021, parashtruesi i kërkesës padinë e ka parashtruar më 6 gusht 2021, dhe rrjedhimisht kanë kaluar më tepër se 3 muaj.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 13 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 9796/2021] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke vërtetuar në tërësi aktvendimin e shkallës së parë.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit [Ac. nr. 9796/2021] të Gjykatës Apelit, duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 10 mars 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 105/2022] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme në arsyetim të aktvendimit të saj më tej thekson se vendimet e shkallëve më të ulëta drejt kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe se drejt janë zbatuar dispozitat e procedurës kontestimore dhe e drejta materiale.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktvendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike], nenin 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 dhe 14 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës së pari ankohet lidhur me faktin se përmes një shkrese, i është ndërprerë marrëdhënia e punës nga punëdhënësi pa një vendim, duke theksuar se punëdhënësi ka shkelur dispozitat e Ligjit nr. 03/L-212 të Punës. Në ndërlidhje me atë që u tha më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se “kemi të bëjmë edhe me diskriminime nga punëdhënësi IQ to Link”, duke pretenduar se punëdhënësi nuk ka vepruar me disa nga punëtorët sikurse në rastin e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se Inspektorati i Punës, pasi kishte pranuar ankesën e parashtruesit të kërkesës për shkëputjen e marrëdhënies së punës, nuk e kishte udhëzuar paraprakisht parashtruesin që ai kishte mundësi t’i drejtohej gjykatës kompetente. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës gjithashtu ankohet edhe për veprimet e avokatit të tij A. L., i cili e ka përfaqësuar para gjykatave të rregullta, duke pretenduar se ky i fundit “ bënë deklarime (boshe) të pasakta ad-hoc”.
Sipas parashtruesit të kërkesës “shkelje ka pasur edhe në çështjen e mjeteve” juridike nga tri shkallët sepse sipas parashtruesit arsyetimet e tri instancave nuk kanë rrjedhë logjike, sepse neni 79 i Ligjit të Punës parasheh afat 30 ditor për ankesë ndaj vendimeve me të cilat pala është e pakënaqur, duke aluduar në vendime të punëdhënësit dhe sipas parashtruesit në rastin konkret, punëdhënësi nuk kishte pasur vendim por vetëm shkresë me të cilën i është ndërprerë marrëdhënia e punës. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës thekson se edhe vet punëdhënësi i kishte shkelur të drejtën për mjet juridik sepse nuk i kishte lejuar të drejtë ankese kundër shkresës me të cilën kishte shkëputur marrëdhënien e punës.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme për shkak se sipas tij, parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që punëdhënësit t’i bllokohej një shumë e caktuar monetare deri në zgjidhjen e kësaj çështje “kjo kompani [Punëdhënësi] mund të braktis vendin dhe me këtë parashtruesi i kërkesës mund të jetë i dëmtuari kryesor në këtë çështje”.
Parashtruesi i kërkesës në fund kërkon nga Gjykata, që kjo e fundit të pyes Inspektoratin e Punës dhe gjykatat e rregullta nëse posedojnë vendimin me të cilin parashtruesit të kërkesës i ishte shkëputur marrëdhënia e punës.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë
ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për
mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të
pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë
ato.
[...]
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
Neni 79
Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë
Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78, paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të iniciojë kontest pune në Gjykatën kompetente.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Rreth përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimit [Rev. 105/2022] të 30 marsit 2022 të Gjykatës Supreme. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Më tej, Gjykata merr parasysh edhe rregullin 39 (1) (b) [Kriteret e pranueshmërisë], të Rregullores së punës, që specifikon:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar”.
Në vazhdim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka shterur mjetet juridike ashtu siç kërkohet me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës.
Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre përmes procedurave gjyqësore të rregullta para se rasti të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar, pavarësisht nëse dispozitat e KEDNJ-së janë inkorporuar në të drejtën nacionale apo jo (shih, inter alia, Aksoy kundër Turqisë, nr.21987/93 Aktgjykimit të GJEDNJ-së të 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Ky parim nënkupton se mekanizmi mbrojtës i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih, ndër të tjera, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 5493/72, Aktgjykimit të GJEDNJ-së i 7 dhjetorit 1976, paragrafi 48).
Megjithatë, sipas praktikës së GJEDNJ-së, përderisa detyrimi për shterjen e mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë të fleksibilitetit dhe pa formalizëm të tepruar, ky detyrim nuk kërkon thjeshtë vetëm që kërkesat të parashtrohen para gjykatave të rregullta por kërkon po ashtu që parashtruesi i kërkesës para se të paraqesë kërkesën, që ka për qëllim që pastaj ta paraqesë para GJEDNJ-së, duhet: a) t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë; dhe b) të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së: Gäfgen kundër Gjermanisë, nr. 22978/05, Aktgjykim i 1 qershorit 2010, paragrafi 142).
Sa i përket pikës a) të cekur më lart, që parashtruesi t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë para se t’i drejtohet Gjykatës, Gjykata thekson se parimi i subsidiaritetit kërkon që parashtruesi të shterojë të gjitha mundësitë procedurale në procedurë të rregullt, në mënyrë që të parandalohet shkelja e Kushtetutës apo, nëse ka shkelje, të korrigjohet shkelja e tillë e të drejtave themelore. Përndryshe, parashtruesi i kërkesës është përgjegjës kur rasti i tij shpallet i papranueshëm nga Gjykata Kushtetuese nëse dështon të shfrytëzojë procedurat e rregullta, apo dështon të raportojë shkeljen e Kushtetutës në procedurë të rregullt. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie do të kuptohet si heqje dorë nga e drejta për të kundërshtuar më tej shkeljen dhe për t’u ankuar. (shih, rastet e Gjykatës KI68/16, Fadil Rashiti, Aktvendimin për papranueshmëri, i 31 marsit 2017, paragrafi 38, dhe KI139/12, Besnik Asllani, Aktvendimin për papranueshmëri, i 30 nëntorit 2012, paragrafi 45; KI210/19, Sabri Ismaili, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, paragrafi 35; shih, gjithashtu, rastin e GJEDNJ-së Kudla kundër Polonisë, Aktgjykim i 26 tetorit 2000, paragrafi 152).
Ndërsa, sa i përket kriterit b) që parashtruesi të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi para se t’i drejtohet Gjykatës, sipas praktikës gjyqësore të GEDNJ-së ka theksuar se mjetet juridike nuk janë shterur në rastet kur ankesa nuk është pranuar për shqyrtim nga gjykatat e rregullta, për shkak të lëshimeve procedurale të parashtruesit të kërkesës (shih në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së: Gäfgen kundër Gjermanisë, cekur më lart, paragrafi 143; Kunert kundër Polonisë, cekur më lart, paragrafi 42; dhe Gadd kundër Mbretërisë së Bashkuar, cekur më lart, paragrafi 54; Ben Salah Adraqui and Dhaime kundër Spanjës, Vendim i 27 prillit 2000).
Për më tepër, sa i përket pikës b) të cekur më sipër, GJEDNJ ka theksuar se rregullat që përcaktojnë hapat procedural që kërkohet të ndërmerren dhe afatet kohore të cilat duhet të respektohen, sa i përket paraqitjes së ankesës, janë krijuar për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë dhe pajtueshmërinë, veçanërisht, me parimin e sigurisë juridike (shih, rastin e GJEDNJ Ben Salah Adraqui and Dhaime kundër Spanjës, cituar më lart).
Lidhur me shterimin e mjeteve juridike në rastin konkret
Gjykata në vazhdim do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e shterimit të mjeteve juridike, sipas standardeve të përcaktuara më lart, respektivisht nëse ai ka respektuar kërkesat procedurale në mënyrë që institucionet kompetente dhe gjykatat e rregullta të mund të trajtojnë pretendimet e tij lidhur me mënyrën dhe procedurën e ndjekur nga punëdhënësi për shkëputjen e marrëdhënies së punës.
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e konteston para Gjykatës procedurën e ndjekur nga Gjykata Supreme apo edhe gjykatat e instancave më të ulëta, sa i përket refuzimit të kërkesës së tij në kuptim procedural për afatshmërinë, por konteston faktin që të gjitha instancat gjyqësore kanë refuzuar kërkesën e parashtruesit duke u thirrur në nenin 79 të Ligjit të punës, e në rastin konkret parashtruesi pretendon se nuk ka pasur një vendim për shkëputjen e marrëdhënies së punës por një shkresë. Më tej, ai pretendon se as Inspektorati i Punës nuk e kishte udhëzuar parashtruesin për mjetet juridike që ai duhej ndjekur. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se si rezultat i kësaj, atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë.
Parashtruesi i kërkesës përkundër faktit që Gjykata Supreme dhe as gjykatat e rregullta nuk kishin trajtuar ankesën e tij lidhur me procedurën e shkëputjes së marrëdhënies së punës, pasi ankesa ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, kërkon nga Gjykata që të vlerësojë procedurën lidhur me largimin e tij nga vendi i punës dhe, për më tepër, kërkon nga Gjykata që të vendosë masën e përkohshme për shkak se sipas tij parashtruesi ka kërkuar që punëdhënësit t’i bllokohej një shumë e caktuar monetare deri në zgjidhjen e kësaj çështje.
Me këtë rast, Gjykata rikujton se Gjykata Supreme, me Aktvendimin [Rev. 105/2022] të 30 marsit 2022, e kishte aprovuar si të drejtë qëndrimin e instancave më të ulëta të cilat e kanë hedhur ankesën e parashtruesit të kërkesës të ushtruar ndaj vendimit të punëdhënësit si të paafatshme. Gjykata Supreme dhe instancat më të ulëta i kishin sqaruar parashtruesit të kërkesës se afati prekluziv prej 30 ditësh, i paraparë me Ligjin e Punës kishte kaluar dhe, për më tepër, kishin kaluar më shumë se tre muaj prej se parashtruesi i kërkesës kishte marrë Vendimin e Inspektoratit të Punës.
Në fakt, Gjykata përsërit se as Gjykata Supreme e as gjykatat e instancave më të ulëta, nuk janë lëshuar në vlerësimin e meritave të rastit, respektivisht të pretendimeve të parashtruesit se procedura e largimit të punës nga ana e punëdhënësit të cilën parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk ishte në përputhje me dispozitat ligjore. Këto gjetje të Gjykatës Supreme parashtruesi fare nuk i konteston para Gjykatës.
Gjykata vëren se, Gjykata Supreme nuk kishte mundësi të trajtonte pretendimin e parashtruesit të kërkesës se procedura e largimit të parashtruesit nga puna nga ana e punëdhënësit, nuk ishte në rregull për shkak të mosrespektimit të hapave procedural ashtu siç parashihet me ligj, përkatësisht për shkak të paraqitjes së ankesës jashtë afatit ligjor. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës, megjithëse e kishte ngritur si pretendim, ai kishte humbur mundësitë e tij procedurale që përmes kësaj procedure të dëshmonte pretendimet e tij.
Rrjedhimisht, bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore për të kontestuar vendimin e punëdhënësit, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara për të kontestuar shkëputjen e marrëdhënies së punës, për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore.
Si përfundim, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimin të cilat janë cekur më lart nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që nuk janë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe si e tillë, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme.
Lidhur me kërkesën e parashtruesit për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, gjithashtu kërkon nga Gjykata që të nxjerrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme që: “kjo kompani [Punëdhënësi] mund të braktis vendin dhe me këtë parashtruesi i kërkesës mund të jetë i dëmtuari kryesor në këtë çështje”. Gjykata më sipër ka konkluduar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme. Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe me rregullin 57 (Vendimi për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa për masë të përkohshme është pa objekt shqyrtimi dhe, si e tillë, refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, neneve 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) dhe 57, të Rregullores së punës, më 13 dhjetor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Muhamet Miftari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative