Prishtinë, më 22 qershor 2023
Nr. ref.: RK 2217/23
në
rastin nr. KI35/23
Parashtrues
Pajtim Shabani
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1047/2022] të Gjykatës së Apelit të Kosovës të 13 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Pajtim Shabani, me vendbanim në Podujevë, i përfaqësuar me autorizim nga Shpend Bokshi, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [PN.nr.1047/2022], e 13 tetorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në ndërlidhje Aktvendimin [PKR.nr.43/21], e 30 gushtit 2021, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], paragrafin 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 10 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 16 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI35/23] dhe Vendimit [Nr.KSH.KI35/23], caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha.
Më 28 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën e Apelit të Kosovës për regjistrimin e kërkesës.
Më 7 qershor 2023, Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe njëzëri i rekomandoi Kolegjit Shqyrtues që kërkesa të shpallet e papranueshme.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës, rezulton se më 29 janar 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) nxori Aktakuzën [PP/II.nr.405/20] përmes të cilës parashtruesi i kërkesës dhe i pandehuri R.M. u akuzuan se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi” nga nënparagrafi 3, paragrafi 2 i nenit 191, në lidhje me nenin 31 [Bashkëkryerja] të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK). Në arsyetim të aktakuzës, Prokuroria Themelore theksoi se, më 19 maj 2020 kishte pranuar kallëzimin penal të paraqitur nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Gllogoc (në tekstin e mëtejmë: Policia e Kosovës) me dyshimin se parashtruesi i kërkesës dhe R.M, kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga paragrafi 2 i nenit 294 të KPK-së.
Më 27 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore parashtroi kërkesë për hudhje të aktakuzës [PP/II.nr.405/20] të 29 janarit 2021 të Prokurorisë Themelore, duke theksuar se procedura që i ka paraprirë ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria është zhvilluar në kundërshtim dhe me shkelje thelbësore të dispozitave të Kodit Nr.04/L-123 të Procedurës Penale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK).
Në lidhje me kundërshtimin e provave, parashtruesi i kërkesës theksoi se Prokuroria Themelore ka vepruar në shkelje të paragrafit 6 të nenit 132 të KPPK-së duke shtuar se: “[...] nuk e ka thirrë as të pandehurin e as mbrojtësin e tij për të marrë pjesë në veprimet hetimore të caktuara me [Kodin e Procedurës Penale], prandaj me mosveprim ka shkelur rëndë dispozitën e nenit 61 [paragrafi] 3 të [Kodit të Procedurës Penale] ku thuhet: “Mbrojtësi ka të drejtë të njoftohet me kohë për vendin dhe kohën e zbatimit të veprimeve hetimore, të marrë pjesë në to dhe të shikojë shkresat dhe provat e çështjes në pajtim me dispozitat e këtij Kodi.”
Tutje, parashtruesi i kërkesës konsideroi se të njëjtit i është: “mohuar e drejta ligjore për të marrë pjesë në veprimet cekura hetimore (e as që është njoftuar për vendin dhe kohën e zbatimit të tyre), prandaj ato prova janë të papranueshme dhe duhet të veçohen nga shkresat e lëndës, sikurse është caktuar me dispozitën e nenit 249 [paragrafi] 4 të [Kodit të Procedurës Penale] sepse: “Provat e papranueshme ndahen nga shkresat dhe mbyllen. Provat e tilla mbahen nga gjykata të ndara nga shkresat dhe provat tjera. Provat e papranueshme nuk mund të shqyrtohen po të shfrytëzohen në procedurë penale, përveç në rastin e ankesës kundër aktvendimit mbi pranueshmërinë.” Se ato janë të papranueshme shihet edhe nga përmbajtja e dispozitës së nenit 128 të [Kodit të Procedurës Penale] ku ceken rrethanat kur deklarata është e papranueshme dhe konkretisht pika 1,4.” Parashtruesi i kërkesës po ashtu i referohet nënparagrafit 1 dhe 2 të paragrafit 1 të nenit 249 dhe paragrafit 2 të nenit 257 të KPK-së.
Përmes kësaj kërkese, parashtruesi i kërkesës thekson që aktakuza duhet të hudhet për shkak të mospërshkrimit të veprës penale sipas ligjit, duke theksuar se: “Në aktakuzë vetëm përshkruhet ngjarja, ndërkaq mungon elementi kryesor i veprës penale rrëmbimi nga neni 191 të [Kodit të Procedurës Penale], e që është motivi apo qëllimi i kryerjes së kësaj vepre penale. Në këtë dispozitë mirë përshkruhet qëllimi i kryerjes së veprës [...] Prandaj, meqenëse askund nuk cekët qëllimi i kryerjes së kësaj vepre, kemi të bëjmë me shkelje të dispozitës së nenit 245 [paragrafi] 6. pika 6.3 të [Kodit të Procedurës Penale] Aktakuza duhet të hudhet.”
Më 30 gusht 2022, Prokurori i shtetit parashtroi përgjigje me shkrim ndaj kërkesës për hudhje të aktakuzës të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, përmes të cilës kërkoi nga Gjykata Themelore që e njëjta të refuzohet.
Tutje, theksoi se pretendimet të cilat janë cekur në kërkesën e parashtruesit të kërkesës nuk qëndrojnë dhe se aktakuza është ngritur në bazë të dispozitave ligjore të përcaktuar me KPPK, dhe e njëjta mbështetet në prova të mjaftueshme dhe të pranueshme të cilat gjenden në shkresat e lëndës.
Më 30 gusht 2022, përmes Aktvendimit [PKR.nr.43/21], Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda refuzoi Kërkesën e parashtruesit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të Prokurorisë Themelore, si të pabazuar, duke theksuar që: “[...] pasi që kryetari i trupit gjykues u bind se të pandehurit e kanë kuptuar aktakuzën, të njëjtëve iu është dhënë mundësia që të pranojnë fajësinë ose të deklarohen të pafajshëm, me ç’rast të pandehurit kanë deklaruar se nuk ndihen fajtor për veprën penale e cila iu vihet në barrë me aktakuzë.
Meqenëse të pandehurit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykata i ka njoftuar të pandehurit lidhur me të drejtat që iu takojnë konform nenit 245 par.6 të [Kodit 04/L-123 të Procedurës Penale], ku përfshihet: e drejta për paraqitjen e kundërshtimeve për provat e cekura në aktakuzë; e drejta e paraqitjes së kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe e drejta për paraqitjen e kërkesës për hedhjen e aktakuzës për shkak të mospërshkrimit të veprës penale.”
Në arsyetim, Gjykata Themelore vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në këtë fazë të procedurës penale për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale në bashkëkryerje “Rrëmbimi” nuk mund të aprovohet, “për arsye se nga provat që i janë bashkangjitur aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Pajtim Shabani në bashkëkryerje me të pandehurin [R.M], është kryerës i veprës penale e cila i bihet në barrë [...] Nga këto prova të cilat gjykata i ka në dispozicion e që u cekën më sipër, deri në këtë fazë të procedurës, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehurit janë kryerës të veprave penale për të cilat me aktakuzë iu vihen në barrë, me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike pa paragjykuar përfundimin e procedurës, rrjedhimisht zbardhjes së të vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara e në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK-së.
Më 24 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale dhe të drejtës së tij të garantuar me Kushtetutë, me propozim që Gjykata e Apelit të (i) aprovojë ankesën e tij dhe të (ii) ndryshojë Aktvendimin [PKR.nr.43/21] e 30 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore dhe të gjitha deklaratat nga kundërshtimi i aktakuzës të ndahen nga shkresat e lëndës dhe të mbyllen, dhe (iii) të hedhë poshtë Aktakuzën PP/II-405/20 të 29 janarit 2021 të Prokurorisë Themelore si të kundërligjshme.
Në ankesë, parashtruesi i kërkesës konsideroi se Gjykata Themelore “nuk ka vendosur sipas ligjit sepse nuk ka zbatuar shumë dispozita imperative të [Kodit të Procedurës Penale”, duke vepruar në shkelje me paragrafin 1 të nenit 8 të KPPK-së. Tutje, shtoi se Prokurori i shtetit në procedurën paraprake ka anashkaluar dispozitat që e obligojnë që në procedurë, të marrë pjesë edhe i pandehuri me mbrojtësin e vet si të barabartë, duke theksuar se aktakuza është ngritur në shkelje të dispozitave të nenit 128, nënparagrafëve 1, 2 dhe 4 të paragrafit 1 të nenit 249, paragrafit 2 të nenit 257 dhe nenit 415 të KPPK-së.
Po ashtu, parashtruesi i kërkesës ngriti çështjen e shkeljeve kushtetuese në ankesë, duke konstatuar se me aktvendimin e atakuar janë shkelur edhe dispozitat e paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës.
Në lidhje me arsyetimin e Gjykatës Themelore se: “Kërkesa e të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave [...] nuk mund të aprovohet, për arsye se nga provat që i janë bashkangjitur aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në bashkëkryerje me...është kryes i veprës penale e cila i vihet në barrë”, parashtruesi i kërkesës konstatoi se “nuk është kontestuese se ekziston dyshimi i bazuar se i padituri Pajtim Shabani në bashkëkryerje me të paditurin [R.M] kanë kryer veprën penale të rrëmbimit nga neni 191 2.3 lidhur me nenin 1 të KP. Por kjo nuk ka qenë objekt i kundërshtimit të aktakuzës. Gjykata nuk e ka në arsyetim as një fjalë të vetme pse këto dispozita nuk janë zbatuar apo se Prokuroria nuk ka qenë e detyrueshme t’i zbatoi.”
Më 13 tetor 2022, përmes Aktvendimit [PN.nr.1047/2022], Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktvendimin [PKR.nr.43/2021] të 30 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore, duke theksuar se “në bazë të gjendjes faktike të aktakuzës dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani për tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej bazave ligjore për të cilën mund të kundërshtohet aktakuza, ashtu siç kërkohet mbi dispozitat e nenit 250 par. 1 nënpar. 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4. të KPPK-së.”
Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në ankesë, se provat të cilat janë propozuar në aktakuzë nuk e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, Gjykata e Apelit theksoi se: “këto pretendime nuk përmbajnë asgjë konkrete përveç atakimit të aktakuzës në mënyrë të përgjithshme, andej procedura penale është në fazën pas ngritjes së aktakuzës dhe se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes në mënyrë që të vlerësohen edhe pretendimet e mbrojtësit sa i përket elementeve të veprës penale.”
Në vijim të arsyetimit, Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore: “[...] ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilat është akuzuar, dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilat ngarkohet i pandehuri, ndërsa pretendimet e mbrojtësit të pandehurit, tani janë të pabazuara që nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë, e që në esencë asnjëra prej tyre nuk përmban asnjë provë me të cilën do të vërtetohej e kundërta e aktakuzës, ashtu që edhe kërkesat mbi hedhjen e aktakuzës të kenë bazë ligjore.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Gjykata fillimisht vë në pah se në lidhje me kriterin e pranueshmërisë së kërkesës së tij, përkatësisht kriterin e shterimit të mjeteve juridike, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Aktvendimi kontestues nuk është meritor, por është i natyrës procedurale prandaj nuk mund të konsiderohet si aktvendim i formës së prerë sepse procedura penale për lëndën konkrete nuk ka përfunduar dhe është në zhvillim e sipër. Sa i përket kësaj procedure janë shteruar të gjitha mjetet juridike të lejuara me ligj dhe se nuk ka mundësi që të shterohen mjetet e jashtëzakonshme juridik të paefektshme siç edhe është vërtetuar në rastin e Gjykatës Kushtetuese nr.KI112/19, parashtrues Ilir Kabashi”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se atij nuk i është dhënë fare mundësia për të kundërshtuar dëshmitë e akuzës/prokurorit gjatë procedurës hetimore. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJENDJ) Hummer kundër Gjermanisë, nr. 26171/07, Aktgjykim, i 19 korrikut 2012, paragrafi 38; Luca kundër Italisë, nr. 33354/96, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2001, paragrafi 39; Solakov kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nr. 47023/99, Aktgjykim, i 31 tetorit 2001, paragrafi 57). Në kontekst të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Neni 31.4 i Kushtetutës dhe neni 6.3.d i KEDNJ-së obligon gjykatat që të akuzuarit/parashtruesit të kërkesës që të marrin në pyetje ose të kërkojë të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës/prokurorisë.” dhe në lidhje me këtë i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, përkatësisht rasteve Trofimov kundër Rusisë, nr. 1111/02, Aktgjykim, i 4 dhjetorit 2008, paragrafi 33 dhe Sadak dhe Të Tjerët kundër Turqisë (nr.1), nr. 29900/96, Aktgjykim, i 17 korrikut 2001, paragrafi 67).
Tutje, parashtruesi i kërkesës konsideron se pamundësia e të njëjtit për të qenë i pranishëm gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë dhe për pasojë pamundësisë së tij që të njëjtit ti merr në pyetje edhe ai përbën shkelje të paragrafit 4 të nenit 31 të Kushtetutës, më lidhje me paragrafin 3 të nenit 6 të KEDNJ-së. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të GJEDNJ-së Popov kundër Rusisë, nr. 26853/04, Aktgjykim, i 13 korrikut 2006, paragrafi 188, Bocos-Cuesta kundër Holandës, nr. 54789/00, Aktgjykim, i 10 nëntorit 2005, paragrafi 72, Wierzbicki kundër Polonisë, nr. 24541/94, Aktgjykim, i 18 qershorit 2002, paragrafi 45 dhe Vidal kundër Belgjikës, nr. 12351/86, Aktgjykim, i 29 tetorit 1992, paragrafi 34.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës shton se: “me nenin 9 të [Kodit të Procedurës Penale] është parashikuar se i pandehuri dhe prokurori i shtetit në procedurë penale kanë pozitë të barabartë; se i pandehuri ka të drejtë të deklarohet dhe atij duhet t’i lejohet deklarimi për të gjitha faktet dhe provat që e ngarkojnë dhe t’i paraqesë të gjitha faktet dhe provat që janë në favor të tij; ai ka të drejtë që të kërkojë nga prokurori i shtetit të thërret dëshmitarë në emër të tij; ai ka të drejtë t’i marrë në pyetje dëshmitarët kundër tij dhe të kërkojë praninë dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta që lejnë për dëshmitarët kundër tij siç garanton neni 31.4 i Kushtetutës.”
Në lidhje me arsyetimin e aktvendimeve të kontestuara të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, respektivisht, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Gjykata [Themelore] nuk e jep asnjë arsye pse refuzohet kërkesa e të pandehurit për papranueshmërinë e provave [...] Pra, nuk ka arsyetim pse dispozitat e [Kodit të Procedurës Penale] në të cilat është thirrë mbrojtja në kundërshtim të aktakuzës (dhe në këtë kërkesë) janë të pabazuara. Bile ato as që përmenden në arsyetimin e aktvendimit në fjalë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës [...] Njësoj si Gjykata Themelore edhe Gjykata e Apelit nuk jep asnjë arsye lidhur me pretendimet e mbrojtjes se janë shkelur dispozitat e [Kodit të Procedurës Penale] të cekura në Kundërshtim të aktakuzës dhe në këtë Kërkesë. Edhe kjo Gjykatë nuk i përmend ato fare. Në përgjithësi të dy instancat gjyqësore kanë vepruar në kundërshtim me nenin 8 par. 1 të [Kodit të Procedurës Penale] ”
Në fund, parashtruesi i kërkesës i referohet një rasti tjetër, përkatësisht Aktvendimit [PKR.Nr.300/2017] të 6 dhjetorit 2017 të Gjykatës Themelore, të nxjerrë në procedurë të hudhjes së aktakuzës, kopjen e të cilit e ka dorëzuar edhe në Gjykatë, dhe në lidhje me këtë të fundit thekson se: “[...] në një rast tjetër por të ngjashëm me rastin konkret, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kundërshtimin të provave të marra gjatë procedurës hetimore, dhe ato i ka konsideruar si prova të papranueshme në dobi të të pandehurit, çka fatkeqësisht nuk ka ndodhur në rastin e parashtruesit të kërkesës.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
[...]
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
[...]
d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;
[...]
KODI NR.06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
Bashkëkryerja
“Nëse dy apo më shumë persona së bashku kryejnë veprën penale duke marrë pjesë në kryerjen e veprës penale ose thelbësisht duke i kontribuar kryerjes së saj në ndonjë mënyrë tjetër, secili prej tyre është përgjegjës dhe dënohet me dënimin e paraparë për vepër penale.
Neni 191
(Rrëmbimi)
1. Kushdo që e merr apo e mban personin, me qëllim që mos ta liroj para se të nxjerr para, dobi pasurore apo dobi tjera nga ai apo personi tjetër, ose me qëllim që ta detyroj atë apo personin tjetër që të kryej ose mos të kryej një veprim ose të durojë diçka, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.
2. Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet në një apo më shumë prej rrethanave në vijim, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet:
2.1. kryesi i është kanosur personit të rrëmbyer me vrasje ose dëmtim të rëndë të shëndetit;
2.2. kryesi ka kryer veprën duke vepruar si anëtar i grupit;
2.3. kryesi ka kryer veprën duke përdorur armën, mjetin e rrezikshëm apo sendin tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor ose dëmtim të rëndë të shëndetit;
2.4. kryesi ka kryer veprën kundër viktimës së ndjeshme.
3. Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet në një apo më shumë prej rrethanave në vijim, kryesi dënohet me pesëmbëdhjetë (15) vjet burg ose dënim me burgim të përjetshëm.
3.1. kryesi ka kryer veprën duke vepruar si anëtar i grupit të organizuar;
3.2. kryesi i ka shkaktuar personit të rrëmbyer lëndim të rëndë trupor ose vdekje gjatë kryerjes së veprës.
4. Për qëllime të paragrafit 1. te këtij neni, personi i cili merr ose mban fëmijën konsiderohet se vepron pa pëlqimin e fëmijës.
5. Nëse kryesi në mënyrë vullnetare liron personin e rrëmbyer para se kërkesat për të cilat është kryer rrëmbimi, të jenë përmbushur, dënimi mund të zbutet.
KODI NR. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
(i shfuqizuar me kodin NR. 08/L-032, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 17 gusht 2022)
Neni 8
(Parimi i pavarësisë së gjykatës)
1. Gjykata në punën e saj është e pavarur dhe vendos në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. 2. Gjykata merr vendim në bazë të provave që shqyrtohen dhe verifikohen në shqyrtim gjyqësor.
Neni 61
(Të drejtat e mbrojtësit si përfaqësues i të pandehurit)
1. Mbrojtësi gëzon të drejta të njëjta që ia njeh ligji edhe të pandehurit, përveç atyre që shprehimisht i rezervohen të pandehurit personalisht.
2. Mbrojtësi ka të drejtë të komunikojë lirisht me të pandehurin gojarisht ose me shkrim sipas kushteve që garantojnë fshehtësinë.
3. Mbrojtësi ka të drejtë të njoftohet me kohë për vendin dhe kohën e zbatimit të veprimeve hetimore, të marrë pjesë në to dhe të shikojë shkresat dhe provat e çështjes në pajtim me këtë Kodi.
KAPITULLI IX
FILLIMI I HETIMEVE DHE PROCEDURA PENALE
1. FAZAT E PROCEDURËS PENALE
Neni 68
Fazat e procedurës penale
Sipas këtij Kodi të Procedurës Penale, procedura penale ka katër faza të ndryshme: fazën e hetimit, fazën e ngritjes së aktakuzës dhe deklarimit, fazën e shqyrtimit gjyqësor dhe fazën e mjetit juridik. Procedurës penale mund t’i paraprijnë veprimet fillestare të policisë ose mbledhja e informatave sipas nenit 84 të këtij Kodi.
Neni 128
(Marrja në pyetje në procedurë paraprake)
1. Gjatë fazës së hetimit, prokurori i shtetit mund të thërret dëshmitarët, viktimat, dëshmitarët bashkëpunues, dëshmitarët e mbrojtur dhe ekspertët që të japin informata në marrjen në pyetje në procedurën paraprake që është relevante për procedurën penale.
2. Prokurori i shtetit mund të lejojë mbrojtësin, palën e dëmtuar ose viktimën apo mbrojtësin e viktimave ose përfaqësuesin e viktimës që të merr pjesë në marrjen në pyetje në procedurë paraprake.
3. Gjatë marrjes në pyetje, prokurori i shtetit mund të pyesë personin i cili merret në pyetje lidhur me provat materiale. Provat materiale duhet të identifikohen qartë në procesverbalin, transkriptin ose raportin mbi marrjen në pyetje.
4. Marrja në pyetje në procedurë paraprake mund të audio incizohet, të audio dhe video incizohet, të transkriptohet fjalë për fjalë ose të përmblidhet në një raport. Incizimi, transkripti apo raporti janë në pajtim me Kapitullin XI dhe i bashkëngjiten shkresave të lëndës.
5. Personi i cili merret në pyetje nga ky nen mund të dëshmojë më vonë gjatë marrjes së deklaratës në procedurë paraprake ose në mundësinë hetuese të veçantë.
Neni 132
(Marrja e deklaratës në procedurë paraprake)
[...]
6. Prokurori i shtetit e njofton me shkrim pesë (5) ditë më herët të pandehurin, mbrojtësin, të dëmtuarin dhe mbrojtësin e viktimave lidhur me datën, kohën dhe vendin ku do të merret deklarata në procedurë paraprake. Kopje e njoftimit i bashkëngjitet shkresave të lëndës.
[...]
Neni 245
(Shqyrtimi fillestar)
[...]
6. Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues njofton të pandehurin dhe mbrojtësin se para shqyrtimit të dytë, ata duhet që:
6.1. të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e cekura në aktakuzë;
6.2. të paraqesin kërkesat për hudhjen e aktakuzës nëse është e ndalur ligjërisht; dhe 6.3. të paraqesin kërkesat për hudhjen e aktakuzës për shkak të mospërshkrimit të veprës penale sipas ligjit.
[...]
Neni 249
(Kundërshtimi i provave)
1. Para shqyrtimit të dytë, i pandehuri mund të paraqesë kundërshtim ndaj provave të caktuara në aktakuzë, bazuar në këto arsye:
1.1. provat nuk janë marrë në mënyrë të ligjshme nga policia, prokurori i shtetit ose organi tjetër qeveritar;
1.2. provat janë në kundërshtim me rregullat nga Kapitulli XVI i këtij Kodi; ose
1.3. ka bazë të artikulueshme që gjykata të çmojë provën si thelbësisht të pambështetshme.
2. Prokurorit të shtetit i jepet mundësia që t’i përgjigjet kundërshtimit gojarisht ose me shkrim.
3. Për të gjitha provat për të cilat është paraqitur kundërshtim, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues merr aktvendim me shkrim të arsyetuar për lejimin ose përjashtimin e provës.
4. Provat e papranueshme ndahen nga shkresat dhe mbyllen. Provat e tilla mbahen nga gjykata të ndara nga shkresat dhe provat tjera. Provat e papranueshme nuk mund të shqyrtohen apo të shfrytëzohen në procedurë penale, përveç në rastin e ankesës kundër aktvendimit mbi pranueshmërinë.
5. Të gjitha provat kundër të cilave nuk është paraqitur kundërshtim janë të pranueshme në shqyrtim gjyqësor, përveç nëse gjykata sipas detyrës zyrtare përcakton se pranueshmëria e provës së caktuar do të cenonte të drejtat e të pandehurit të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
6. Secila palë mund të paraqesë ankesë kundër aktvendimit nga paragrafi 3. të këtij neni. Ankesa duhet të bëhet brenda pesë (5) ditëve nga pranimi i aktvendimit me shkrim.
Neni 250
(Kërkesa për hudhjen e aktakuzës)
1. Para shqyrtimit të dytë, i pandehuri mund të paraqesë kërkesë për hudhjen e aktakuzës, bazuar në këto arsye:
1.1. vepra për të cilën akuzohet nuk përbën vepër penale;
1.2. ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale;
1.3. ka kaluar afati i parashkrimit të veprës penale, vepra penale është e përfshirë në falje ose ekzistojnë rrethana të tjera të cilat e pengojnë ndjekjen; ose
1.4. nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë.
[...]
Neni 257
(Rregullat e përgjithshme për prova)
[...]
2. Provat e marra me shkelje të dispozitave të procedurës penale janë të papranueshme kur ky Kod ose dispozita të tjera të ligjit shprehimisht parashikojnë kështu.
[...]
Neni 415
(Arsyet e ankesës kundër aktvendimit)
1. Aktvendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues, kryetarit të trupit gjykues ose trupit gjykues mund të ankimohet kur ai aktvendim shkel:
1.1. të drejtën e cila i njihet palës me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
1.2. të drejtën thelbësore të palës të paraparë me këtë Kodi;
1.3. të drejtën thelbësore të palës të paraparë me ndonjë ligj tjetër të Kosovës; dhe
1.4. të drejtën procedurale që ka për qëllim garantimin e të drejtës nga nën-paragrafët 1.1. deri 1.3. të këtij neni;
2. Pala e cila kundërshton aktvendimin e gjykatës themelore duhet të demonstrojë se shkelja e së drejtës i shkakton asaj dëm të parevokueshëm.
3. Nëse arsyet e ankesës nuk janë në pajtim me paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, Gjykata e Apelit mund të hudhë ankesën. Ankesa e cila hudhet sipas këtij paragrafi mund të paraqitet sërish me ankesë kundër aktgjykimit nga neni 380 i këtij Kodi.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht Aktvendimin [PN.nr.1047/2022] e 13 tetorit 2022 të Gjykatës së Apelit, të nxjerrë në procedurë të hudhjes së Aktakuzës.
Në vijim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike, siç përcaktohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Gjykata, i referohet nenit 47 (Kërkesat individuale) të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar.”
Gjykata fillimisht rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas paragrafit 7 të nenit 113. të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre ne Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Para se të vazhdohet me vlerësimin e kriterit të shterimit të mjeteve juridike, Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurën e hudhjes së aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore, përmes të cilës parashtruesi i kërkesës dhe i pandehuri [R.M.] u akuzuan se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Rrëmbimi”. Në procedurën e hudhjes së aktakuzës të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore, i njëjti pretendoi se procedura që i ka paraprirë ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore është zhvilluar në kundërshtim dhe me shkelje të dispozitave të procedurës penale. Në këtë kuptim parashtruesi i kërkesës specifikoi se: (i) ai dhe mbrojtësi i tij nuk ishin ftuar nga Prokuroria Themelore të merrnin pjesë në procedurën e zhvillimit hetimor ashtu siç përcaktohet me paragrafin 6 të nenit 132 të KPPK-së dhe se (ii) provat dhe dëshmitë e marra gjatë procedurës hetimore pa praninë e tij ishin të papranueshme. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PKR.nr.43/21] të 30 gushtit 2022 kërkesën e parashtruesit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës e refuzoi si të pabazuar, duke konstatuar se nga provat që i janë bashkangjitur aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës në bashkëkryerje me të pandehurin [R.M] kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen pa paragjykuar përfundimin e procedurës penale. Si rezultat i ankesës së tij të parashtruar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktvendimit [PN.nr.1047/2022] të 13 tetorit 2022 ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar [PN.nr.1047/2022] të 13 tetorit 2022 të Gjykatës së Apelit, të nxjerrë në procedurë të hudhjes së aktakuzës dhe përderisa procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës është ende në zhvillim e sipër, i njëjti ka parashtruar kërkesë në Gjykatë, përmes të cilës pretendon se: (i) gjatë procedurës hetimore të zhvilluar nga Prokuroria Themelore, ku të ftuar për të dhënë dëshmi kanë qenë disa dëshmitarë dhe i akuzuari tjetër ai dhe mbrojtësi i tij nuk ishin të ftuar dhe për pasojë nuk kishin qenë prezent gjatë zhvillimit të procedurës hetimore dhe marrjes së deklaratave nga dëshmitarët; dhe për pasojë (ii) atij nuk i është dhënë mundësia ti kundërshtojë dëshmitë e këtyre dëshmitarëve gjatë procedurës hetimore.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se si rezultat i refuzimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës nga ana Gjykatës Themelore, të vërtetuar edhe nga ana e Gjykatës së Apelit në rastin e tij është shkelur parimi i barazisë së armëve, i garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe është shkelur e drejta e tij për barazi para ligjit, e garantuar me nenin 24 të Kushtetutës.
Gjykata, në vijim dhe në kuptim të vlerësimit të detyrimit për shterimin e të gjitha mjeteve “efektive” juridike rikujton se vlerësimi i asaj nëse ky detyrim është përmbushur, është mirë i përcaktuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Të njëjtat parime, janë shtjelluar dhe aplikuar në praktikën e mirë të konsoliduar të Gjykatës që përfshijnë kërkesat e shqyrtuara si në procedurë civile, penale dhe atë administrative.
Siç është sqaruar përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ, të afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, bazuar në parimin e subsidiaritetit, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është që t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ky detyrim bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Ky është një aspekt i rëndësishëm i karakterit subsidiar të makinerisë së drejtësisë kushtetuese (shih rastet e Gjykatës; KI106/21, parashtrues Bujar Shehu dhe të tjerët, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2022; KI43/20, parashtruese Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020, paragrafi 37; dhe KI42/20, parashtrues Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020, paragrafi 44; dhe shih gjithashtu rastet e GJEDNJ-së Vernillo kundër Francës, nr. 11889/85, Aktgjykimi i 20 shkurtit 1991, paragrafi 27; Selmouni kundër Francës, nr. 25803/94, Aktgjykim, i 28 korrikut 1999; Kudła kundër Polonisë [DHM], nr. 30210/96, Aktgjykim, i 26 tetorit 2000, paragrafi 152, Andrášik dhe të tjerët kundër Sllovakisë, nr. 57984/00 dhe 6 kërkesa të tjera, Vendim, i 22 tetorit 2022).
Andaj, nga kjo rezulton se dhënia e përparësisë se mbrojtjes gjyqësore të të drejtave para gjykatave te rregullta dhe e drejta për mjete efektive juridike, është një aspekt shumë i rëndësishëm i mbrojtjes së të drejtave të njeriut që duhet të merret parasysh nga gjykatat e rregullta dhe e cila merret parasysh edhe nga Gjykata Kushtetuese nëse një rast i tillë paraqitet para saj nga palët e autorizuara dhe pas plotësimit te kritereve te pranueshmerisë, duke përfshire edhe shterimin e mjeteve juridike.
Prandaj, Gjykata në vlerësimin e asaj nëse pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës mund të ngritën edhe në procedurat e mëtejme të procedurës penale, e cila është ende në zhvillim e sipër do ti referohet: (i) dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale e që përcaktojnë fazat e ndryshme të zhvillimit të procedurës penale; (ii) arsyetimit të Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, të nxjerrë në procedurë të hudhjes së aktakuzës; (iii) parimit, i cili përcakton që drejtësia e procedurës penale duhet të shqyrtohet në tërësinë e saj; dhe (iv) detyrimit të gjykatave të rregullta që përgjatë gjithë zhvillimit të procedurës penale të aplikojnë standardet dhe garancitë e përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së.
Së pari, Gjykata i referohet dispozitave të Kodit të Procedurës Penale në fuqi në rastin e parashtruesit të kërkesës. Thënë këtë, bazuar në nenin 68 (Fazat e procedurës penale) të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, Gjykata vë në pah se “procedura penale ka katër faza të ndryshme: (i) fazën e hetimit, (ii) fazën e ngritjes së aktakuzës dhe deklarimit, (iii) fazën e shqyrtimit gjyqësor dhe (iv) fazën e mjetit juridik.” Në vijim të kësaj, Gjykata vëren se bazuar në nenin 240 (Gjykimi penal që zbatohet vetëm pas ngritjes së aktakuzës) të KPPK-së, pas përfundimit të hetimeve fillon procedura e ngritjes së aktakuzës nga ana e Prokurorisë. Bazuar në nenin 242 (Procedura për ngritjen e aktakuzës) të KPPK-së, aktakuza i dorëzohet gjykatës kompetente, e cila brenda tridhjetë (30) ditëve cakton mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar. Në vijim, neni 250 (Kërkesa për hudhje të aktakuzës) të KPPK-së përcakton që pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar dhe konfirmimit të aktakuzës, të pandehurit kanë të drejtë të iniciojnë procedurën e hudhjes së aktakuzës. Në vijim, bazuar në nenin 253 (Hudhja e aktakuzës), gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues mund të aprovojë kërkesën për hudhje të aktakuzës nëse: (i) vepra me të cilën akuzohet i pandehuri nuk përbën vepër penale; (ii) ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale; (iii) ka kaluar afati i parashkrimit të veprës penale, vepra është përfshirë me amnesti apo falje, ose ekzistojnë rrethana të tjera të cilat e pengojnë ndjekjen; ose (iv) nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë. Në bazë të nenit 254 (Shqyrtimi i dytë dhe caktimi i shqyrtimit gjyqësor) pas përfundimit të procedurës për hudhje të aktakuzës, dhe në rastin kur kundërshtimet dhe ankesat e të pandehurve përkitazi me hedhje të aktakuzës janë refuzuar filloni shqyrtimi i dytë apo shqyrtimi kryesor i procedurës penale.
Ashtu siç është sqaruar edhe më lart, Gjykata rikujton se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës (i) nga ana e Prokurorisë Themelore është zhvilluar dhe përfunduar procedura e hetimeve; (ii) si rezultat i përfundimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë Themelore është ngritur aktakuza ndaj parashtruesit të kërkesës dhe R.M për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi”; (iii) si rezultat i ngritjes së aktakuzës dhe shqyrtimit fillestar, parashtruesi i kërkesës ka iniciuar procedurën për hudhje të aktakuzës, e cila ka përfunduar me nxjerrjen e Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit është vërtetuar Aktvendimi i Gjykatës Themelore për refuzim të kërkesës së tij për hudhje të aktakuzës. Në vijim, të kësaj, Gjykata konstaton se procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës është në fazën e shqyrtimit gjyqësor, në të cilën të pandehurit bazuar në parimin e kontradiktoritetit kanë mundësi që të ngritin pretendimet e tyre në lidhje me ligjshmërinë e procedurës së zhvilluar hetimore, të kundërshtojë dëshmitë dhe të kërkojë edhe marrjen e pyetjeve të dëshmitarëve (shih nenet 254-373 të KPPK-së). Pas përfundimit të procedurës së shqyrtimit gjyqësor, palët në procedurë kanë drejtë të parashtrojnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme (nenet 432-438 të KPPK-së).
Së dyti, Gjykata i referohet edhe arsyetimeve të dhëna në Aktvendimet e kontestuara të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, të nxjerra në procedurë të hudhjes së aktakuzës. Thënë këtë, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për hudhje të aktakuzës me arsyetimin se nga provat që i janë bashkangjitur aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës në bashkëkryerje me të pandehurin [R.M] ka kryer veprën penale të “Rrëmbimit” për të cilën akuzohet pa paragjykuar përfundimin e procedurës. Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata Themelore specifikoi se:”[...] gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK-së.” Përderisa Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit të saj vërtetoi se: (i) në bazë të gjendjes faktike të aktakuzës dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se parashtruesi i kërkesës dhe R.M. kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen; (ii) mungojnë argumentet bindëse të cilat përmbajnë njërën nga katër bazat ligjore të përcaktuar në nenin 253 të KPPK-së me të cilën mund të hudhet poshtë aktakuza; dhe se (iii) procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës është në fazën pas ngritjes së aktakuzës dhe vërtetimi fajësisë apo pretendimet që ndërlidhen me elementet e veprës penale do të shqyrtohen gjatë fazave të ardhshme të procedurës së shqyrtimit kryesor të çështjes në mënyrë që të vlerësohen edhe pretendimet e tij sa i përket elementeve të veprës penale.
Së treti, Gjykata duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret rithekson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura në kërkesë para Gjykatës i referohen të drejtës së parashtruesit të kërkesës (i) për të marrë pjesë në procedurën e zhvilluar hetimore ndaj tij dhe (ii) marrjes në pyetje të dëshmitarëve të ftuar në procedurë hetimore nga ana e Prokurorisë Themelore. Në këtë kuptim, si rezultat i mospjesëmarrjes së tij në procedurën e lartcekur hetimore, ai pretendon se atij i është shkelur e drejta e tij e garantuar me paragrafin 4 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Thënë këtë, Gjykata rithekson se garancitë procedurale të mishëruara në paragrafin 4 të nenit 31 të Kushtetutës ne lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 të KEDNJ-së, reflektojnë aspekte specifike të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të përcaktuar përmes paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës ne lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih rastet e GJEDNJ-së AI-Khawaja dhe Tahery kundër Mbretërisë se Bashkuar [DhM], nr. 26766/05 dhe 22228/06, Aktgjykim i 15 dhjetorit 2011, paragrafi 118; Schatschaschwili kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 9154/10, Aktgjykim i 15 dhjetorit 2015, paragrafët 100-110; si dhe rastin e Gjykatës KI14/18, me parashtrues Hysen Kamberi, Aktgjykim, i 15 janarit 2020, paragrafi 43).
Në lidhje me këtë, përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të afirmuar edhe nga vet Gjykata është theksuar se drejtësia e procedurës duhet të shqyrtohet në tërësinë e saj, e cila në kontekstin e rrethanave të parashtruesit të kërkesës përfshin mënyrën e marrjes së provave, respektimin e të drejtave të mbrojtjes, por gjithashtu edhe interesin e publikut dhe të viktimave, dhe, kur është e nevojshme, edhe të drejtat e dëshmitarëve (shih rastin KI14/18, me parashtrues Hysen Kamberi, të cituar më lart, paragrafi 43).
Në vijim, Gjykata, rikujton se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve të tij për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me paragrafin 4 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 të KEDNJ-së i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, përkatësisht rasteve që përfshinin shqyrtimin dhe konstatimin e kësaj të fundit në lidhje me garancitë procedurale në procedurë penale, përfshirë edhe fazën hetimore të procedurës penale. Në lidhje me këto raste të referuara nga parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës, kjo fundit vëren se kërkesat e parashtruesve në GJEDNJ ishin parashtruar pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike efektive të përcaktuar me legjislacionin vendor të këtyre shteteve përkatëse (shih rastet e GJEDNJ-së të referuara nga parashtruesi i kërkesës dhe të cituara si më lart: Trofimov kundër Rusisë; Sadak dhe Të Tjerët kundër Turqisë (nr.1); Popov kundër Rusisë; Bocos-Cuesta kundër Holandës; Wierzbicki kundër Polonisë dhe Vidal kundër Belgjikës).
Në fund, Gjykata vë në pah detyrimin kushtetues, të përcaktuar me paragrafin 3 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës që gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit. Thënë këtë, Gjykata po ashtu vë në pah se detyrimi për interpretimin e të drejtave të njeriut në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, të përcaktuar me nenin 53 të Kushtetutës vlen po ashtu edhe për gjyqësorin e rregullt. Andaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta në pajtim me parimin e kontradiktoritetit dhe atij të barazisë së armëve duhet që të aplikojnë parimet dhe standardet e zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së e që i referohen garancive të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata marrë për bazë faktin që procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës, përkatësisht shqyrtimi gjyqësor në procedurë penale ndaj tij është në zhvillim e sipër dhe bazuar në parimin e mirë të vendosur që procedura penale duhet të vlerësohet në tërësinë e saj, parashtruesi i kërkesës, pretendimet e tij që ndërlidhen me zhvillimin e procedurës hetimore e që i kanë paraprirë ngritjes së aktakuzës ndaj tij: (i) mund ti ngritë në procedurë të shqyrtimit gjyqësor; (ii) duke iu referuar garancive të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; dhe (iii) parimeve dhe standardeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 të Kushtetutës, gjykatat janë të detyruara të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Prandaj në kuptim të respektimit të parimit të subsidiaritetit, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në këtë fazë të procedurës është e parakohshme.
Gjykata thekson se ky konstatim i Gjykatës nuk e pengon parashtruesin e kërkesës që në të ardhmen, sërish, të dorëzojë kërkesë kushtetuese brenda afatit ligjor pas përfundimit të procedurës penale ndaj tij dhe shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike të përcaktuar me legjislacionin në fuqi.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme dhe bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit si dhe në rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës duhet të refuzohet si e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113 (7) të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 39 (1) (b) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 7 qershor 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën e papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Pajtim Shabani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale