Prishtinë, më 7 tetor 2024
Nr. Ref.: RK 2549/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI131/24
Parashtrues
“IC Consulenten” SH.P.K.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit K. DH. SH. II. nr. 1001/2023 të Gjykatës Komerciale të Republikës së Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, të 17 nëntorit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga “IC Consulenten” SH.P.K., me seli në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Bajram Morina, avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [K. DH. SH. II. nr. 1001/2023] të 17 nëntorit 2023 të Gjykatës Komerciale të Republikës së Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë) në lidhje me Aktvendimin [KPPP. nr. 1273/2022] të 26 majit 2023, të Gjykatës Komerciale të Republikës së Kosovës, Dhoma e Shkallës së Parë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale-Shkalla e Parë).
Parashtruesi i kërkesës aktvendimin e kontestuar e ka pranuar më 7 shkurt 2024.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [K. DH. SH. II. nr. 1001/2023] të 17 nëntorit 2023 të Gjykatës Komerciale-Shkalla e Dytë përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6. 1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës Nr. 01/2023 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 4 qershor 2024, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 10 qershor 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI131/24] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI131/24] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 4 korrik 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Komerciale-Shkalla e Parë dhe Shkalla e Dytë. Të njëjtën ditë, Gjykata gjithashtu kërkoi nga Gjykata Komerciale-Shkalla e Parë dhe Shkalla e Dytë që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar.
Më 31 korrik 2024, Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë ia dorëzoi Gjykatës fletëkthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 7 shkurt 2024.
Më 4 shtator 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se përmbaruesi privat F. H., duke vepruar sipas propozimit të parashtruesit të kërkesës (kreditorit) kishte caktuar Urdhrin [P. nr. 449/21] të 2 qershorit 2021, duke lejuar përmbarimin në bazë të dokumentit të besueshëm Faturës [nr. 0120. 13iC] të 18 nëntorit 2020 dhe Faturës [nr. 0120. 14iC] po ashtu të 18 nëntorit 2020; me ç’ rast ka urdhëruar debitorin Qeveria e Republikës së Kosovës-Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (në tekstin e mëtejmë: Debitori), që parashtruesit të kërkesës në tërësi t’ia paguajë borxhin në shumë të përgjithshme 11, 100.00 euro, me kamatë ligjore prej 8% në vit nga dita kur debitori ka rënë në vonesë e deri në pagesën definitive, si dhe të gjitha shpenzimet e procedurës përmbarimore, me ndalimin e mjeteve monetare për pagesën e borxhit në xhirollogarinë bankare të përmbaruesit privat, regjistrimin, konfiskimin dhe shitjen e tërë masës së pasurisë së debitorit; respektivisht 10 sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme deri në pagesën definitive të borxhit kryesor.
Debitori në prapësimin e paraqitur në Gjykatën Komerciale-Shkalla e Parë, kundërshtoi urdhrin përmbarimor, duke theksuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për nxjerrjen e urdhrit për përmbarim, ngase këto fatura nuk janë pranuar dhe nënshkruar nga debitori i përmbarimit dhe si rrjedhojë faturat e cekura si në propozim nuk kanë tipare të përmbarueshmërisë. Më tutje ka shtuar se përmbaruesi, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, ka lëshuar urdhrin për përmbarim duke mos pasur parasysh mbrojtjen e dinjitetit të debitorit, duke tentuar që të përfitoj në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të pasurimit pa bazë, i ka propozuar gjykatës që të aprovohet prapësimi i debitorit dhe të anulohet urdhri për përmbarim i lëshuar nga përmbaruesi privat F. H.
Parashtruesi i kërkesës në përgjigjen në prapësimin të paraqitur në Gjykatën Komerciale-Shkalla e Parë, kundërshtoi prapësimin e debitorit si të pabazuar duke deklaruar se urdhri përmbarimor është lëshuar në bazë të dokumentit të besueshëm-faturave të cekura në propozim, duke plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe se në këto fatura janë treguar kreditori dhe debitori, si dhe janë shënuar të dhënat lidhur me objektin, llojin, shumën dhe kohën e përmbushjes së detyrimit monetar. Lidhur me pretendimet e debitorit se faturat nuk janë nënshkruar dhe as vulosur, të njëjtat ka theksuar që nuk qëndrojnë, ngase nuk është paraparë një detyrim i tillë. Kreditori ka theksuar se debitori e ka pranuar faturën sipas dërgesës me postë rekomande, më 1 qershor 2016 përmes Departamentit të tij administrativ si organ kompetent për pranimin e shkresave. Parashtruesi i kërkesës i propozoi Gjykatës Komerciale-Shkalla e Parë që prapësimi të refuzohet në tërësi si i pabazuar, ndërsa urdhri përmbarimor të vërtetohet si i bazuar, si dhe debitori të detyrohet që të ekzekutojë menjëherë urdhrin që t’ia kompensojë parashtruesit të kërkesës të gjitha shpenzimet e procedurës përmbarimore.
Më 26 maj 2023, Gjykata Komerciale-Shkalla e Parë përmes Aktvendimit [KPPP. nr. 1273/22] vendosi: PRANOHET i bazuar prapësimi i debitorit, ANULOHET urdhri përmbarimor [P. nr. 449/21] i 2 qershorit 2021 i përmbaruesit privat F. H., dhe PËRFUNDOHET në tërësi përmbarimi në këtë çështje përmbarimore. Gjykata Komerciale-Shkalla e parë theksoi se Faturat [nr. 0120. 13iC] dhe [nr. 0120. 14iC] të 18 nëntorit 2020, në bazë të të cilave është lejuar urdhri për përmbarim, nuk i plotësojnë kushtet e parapara me nenet 29 (Përshtatshmëria e dokumentit përmbarimor) dhe 37 (Përmbarimi në bazë të dokumentit të besueshëm) të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore (në tekstin e mëtejmë: LPP), për shkak se nuk mund të vërtetohet se këto fatura janë pranuar nga debitori, pasi që të njëjtat nuk janë protokolluar në zyrën e pranimit të debitorit, nuk mbajnë vulën e pranimit-protokollimit, si dhe nuk janë të nënshkruara nga debitori që rezulton se të njëjtat nuk janë të përshtatshme për përmbarim. Gjykata Komerciale-Shkalla e parë po ashtu kishte theksuar se ka vlerësuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës se faturat i janë dërguar debitorit në mënyrë të rregullt përmes dërgesës postare, mirëpo të njëjtin e vlerësoi të pabazuar për faktin se nga fletëkthimi i dërgesës i 5 dhjetorit 2020, nuk është specifikuar lloji i dërgesës për marrësin-debitorin, me ç’ rast nuk mund të dëshmohet në asnjë mënyrë se debitori ka pranuar me këtë dërgesë faturat e lartpërmendura.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe ndryshohet në dobi të parashtruesit të kërkesës ashtu që të refuzohet në tërësi prapësimi i debitorit dhe të vërtetohet në tërësi Urdhri përmbarimor [P. nr. 449/21] i 2 qershorit 2021.
Më 17 nëntor 2023, Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë përmes Aktvendimit [K. DH. SH. II. nr. 1001/2023] vendosi: REFUZOHET e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës ndërsa VËRTETOHET Aktvendimi [KPPP. nr. 1273/22] i Gjykatës Komerciale-Shkalla e Parë, i 26 majit 2023. Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë vlerësoi se gjykata e shkallës së parë në çështjen konkrete juridike në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, kur ka pranuar prapësimin me arsyet se urdhri për përmbarim është lejuar mbi bazën e faturave të cilat nuk paraqesin dokumente të besueshme pasi që të njëjtat nuk janë pranuar në mënyrë të rregullt, respektivisht nuk janë të vulosura nga ana e debitorit gjegjësisht nga organi kompetent i debitorit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6. 1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e nxjerra nga Gjykata Komerciale në dy shkallët janë pasojë e mungesës së gjykimit të drejtë dhe të paanshëm. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Parashtruesit të kësaj kërkese-kreditorit, i është refuzuar pa bazë ligjore ankesa e tij e datës 17.06.2023, si pasojë e mossundimit të ligjit në raport me parashtruesin e kësaj kërkese, bazuar në faktin gjykatat e instancave më të ulëta e kanë favorizuar debitorin si Organ shtetëror publik”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk qëndrojnë konstatimet e dy instancave të Gjykatës Komerciale se urdhri përmbarimor është nxjerrë në kundërshtim me nenin 38 të LPP-së sepse: (i) urdhri përmbarimor është nxjerrë në bazë të faturave që janë dokument i besueshëm sipas neneve 29 dhe 37 të LPP-së; (ii) urdhri për përmbarim i përmban të gjitha të dhënat që kërkohen me nenin 38 të LPP-së dhe kjo vërtetohet “100%” nga leximi i propozimit për përmbarim i 2 qershorit 2021.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës shton: “Me asnjë dispozitë të LPP-së nuk është paraparë detyrimi që Fatura e kreditorit të përmbaj Nënshkrimin dhe Vulën e debitorit, siç kanë theksuar gabimisht që të dy gjykatat e instancave më të ulëta në arsyetimin e aktvendimeve të kontestuara nga kreditori, por vetëm elementet-të dhënat e parapara me dispozitat e nenit 29, parag. 3 të LPP-së”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se debitori ka pranuar faturat nga posta përmes arkivës së tij, si organ kompetent për pranimin e shkresave, kështu që nuk ka pasur nevojë të vë nënshkrimin drejtpërdrejtë në faturat e parashtruesit të kërkesës. Në këtë kontest, parashtruesi i kërkesës pohon: “Debitori ka pranuar Faturat e kreditorit nga Posta përmes Departamentit - Arkivës të tij, si organ kompetent për pranimin e shkresave - akteve hyrëse, kështu që nuk ka pasur nevojë të vendos nënshkrimin drejtpërdrejt në faturat e kreditorit. Vlen të theksohet se debitori nuk ka dhënë vërejtje në faturat e lartpërmendura të kreditorit të dërguara përmes Postës me dorëzim të drejtpërdrejtë, respektivisht nuk i ka reklamuar fare faturat e lartpërmendura të kreditorit, rrethanë kjo që faturat e lartpërmendura atë kreditorit i ka bërë të plotfuqishme dhe obligative për përmbarim”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) aprovohet e pranueshme kërkesa e parashtruesit të kërkesës; (ii) vendimet e Gjykatës Komerciale në të dyja shkallët të prishen dhe ndryshohen në dobi të parashtruesit të kërkesës ashtu që Gjykata t’i shfuqizojë vendimet e kontestuara të Gjykatës Komerciale në dy shkallët; (iii) refuzon në tërësi prapësimin e debitorit ; (iv) vërtetojë urdhrin përmbarimor të përmbaruesit privat F.H.; (v) ose që lënda t’i kthehet Gjykatës Komerciale për të vendosur rishtas lidhur me kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Dispozita relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI NR. 04/L-139 PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE
Neni 29
Dokumentet e besueshme
“1. Përmbarimi me qëllim të realizimit të kërkesës në të holla caktohet edhe në bazë të dokumentit të besueshëm. Dokument i besueshëm, sipas këtij ligji është:
1.1. kambialet dhe çeqet me potest dhe faturë kthyese, po që se janë të nevojshme për themelimin e kërkesës;
1.2. ekstraktet e verifikuara nga librat afariste për pagesat e shërbimeve komunale të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe bartjen e mbeturinave;
1.3. faturat;
1.4. dokumentet që sipas dispozitave ligjore të posaçme kanë rëndësinë e dokumenteve publike;
2. Llogaritja e kamatës konsiderohet si pjesë e dokumentit të besueshëm.
3. Dokumenti i besueshëm është i përshtatshëm për përmbarim po që se në të është treguar kreditori dhe debitori, si dhe objekti, lloji, shuma dhe koha e përmbushjes së detyrimit monetar.”
Neni 37
Përmbarimi në bazë të dokumentit të besueshëm
“Kur propozimi për përmbarim paraqitet në bazë të dokumentit të besueshëm, mjafton që propozimit t’i bashkëngjitet dokumenti i tillë origjinal apo kopja e tij e vërtetuar sipas ligjit”.
Neni 38
Propozimi për përmbarim
“1. Propozimi për përmbarim duhet ta përmbajë kërkesën për përmbarim në të cilën do të tregohet dokumenti përmbarimor origjinal apo kopje e vërtetuar, apo dokumenti i besueshëm në bazë të të cilit kërkohet përmbarimi, kërkuesi i përmbarimit dhe debitori, adresa e vendbanimit – vendqëndrimit apo selisë afariste të kreditorit dhe të debitorit, kredia që kërkohet të realizohet, si dhe mjeti nëpërmjet cilit duhet kryer përmbarimi, objekti i përmbarimit po që se është i njohur, si dhe të dhënat e tjera që janë të nevojshme për zbatimin e përmbarimit.
2. Në rast se propozimi për përmbarim nga paragrafin 1 i këtij neni nuk përmban shënimet e kërkuara dhe numrin personal identifikues apo numrin e regjistrimit të biznesit të debitorit, organi përmbarues do të veprojë sipas dispozitave të nenit 102 të Ligjit të Procedurës Kontestimore.
3. Po që se bashkë me propozimin për përmbarim është bërë edhe kërkesa për konstatimin e
pasurisë së debitorit, për rezultatin e konstatimit të tillë organi përmbarues do ta njoftojë kreditorin duke i lënë afat që ta rregullojë propozimin e paraqitur, respektivisht që ta ndryshoj apo plotësoj atë. Propozimi i ndryshuar dorëzohet brenda dhjetë ditëve pasi që organi përmbarues t’ ia dërgojë kreditorit deklaratën e pasurive të debitorit. Megjithatë, nëse kreditori kërkon aneks të deklaratës, siç përshkruhet në paragrafin 9, nenin 45 të këtij ligji, brenda afatit kohor të lejuar, koha e lejuar për përmbarim të propozimit të ndryshuar për përmbarim llogaritet nga data në të cilën shtojca e dorëzuar nga debitori i dërgohet kreditorit”.
Neni 39
Përmbarimi ndaj debitorit me përgjegjësi solidare
“1. Në qoftë se në bazë të dokumentit përmbarimor dy apo më tepër debitor janë përgjegjës solidar, organi përmbarues, kundër tyre do të nxjerrë vetëm një aktvendim për përmbarimin, me të cilin bëhet sekuestrimi i llogarisë së debitorëve në shumat e caktuara me anë të aktvendimit apo urdhrit për përmbarimin.
2. Propozuesi mund ta caktojë në propozimin për përmbarimin radhën e debitorëve sipas të cilës do të bëhet marrja e mjeteve nga debitorët, e në qoftë se ai nuk e ka bërë këtë, marrja e mjeteve do të bëhet sipas asaj radhe që janë përmendur debitorët në propozimin për përmbarim.
3. Nëse në rastin nga paragrafi 2 i këtij neni nuk ka mjete të mjaftueshme në xhirollogarinë e debitorit për përmbushjen e detyrimit, organi përmbarues do të aplikojë vendimin përmbarues kundër pasurisë së debitorit tjetër solidar. Nëse është e nevojshme për arsye të juridiksionit që të dërgohet rasti në organin përmbarues tjetër, organi përmbarues do ta bëj këtë me shpejtësi me një raport për nivelin e përmbarimit të përfunduar gjer në atë moment”.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [K. DH. SH. II. nr. 1001/2023] të 17 nëntorit 2023 të Gjykatës Komerciale Shkalla e Dytë, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me propozimin e parashtruesit të kërkesës për përmbaruesin privat F. H., i cili kishte caktuar urdhrin [P. nr. 449/21] të 2 qershorit 2021, duke lejuar përmbarimin në bazë të dokumentit të besueshëm Faturës së 18 nëntorit 2020; me ç’ rast ka urdhëruar debitorin Qeveria e Republikës së Kosovës, që parashtruesit të kërkesës në tërësi t’ia paguajë borxhin në shumë të përgjithshme 11, 100.00 euro. Debitori në prapësimin e paraqitur në Gjykatën Komerciale-Shkalla e Parë, kundërshtoi urdhrin përmbarimor duke theksuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për nxjerrjen e urdhrit për përmbarim, ngase këto fatura nuk janë pranuar dhe nënshkruar nga debitori i përmbarimit dhe, si rrjedhojë, faturat e cekura si në propozim nuk kanë tipare të përmbarueshmërisë. Parashtruesi i kërkesës në përgjigjen në prapësimin të paraqitur në Gjykatën Komerciale-Shkalla e Parë, kundërshtoi prapësimin e debitorit si të pabazuar duke deklaruar se urdhri përmbarimor është lëshuar në bazë të dokumentit të besueshëm-faturave të cekura në propozim, duke plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe se në këto fatura janë treguar kreditori dhe debitori, si dhe janë shënuar të dhënat lidhur me objektin, llojin, shumën dhe kohën e përmbushjes së detyrimit monetar. Gjykata Komerciale-Shkalla e Parë pranoi të bazuar prapësimin e debitorit dhe anuloi Urdhrin përmbarimor dhe përfundoi në tërësi përmbarimin në këtë çështje përmbarimore. Gjykata Komerciale-Shkalla e parë theksoi se faturat e 18 nëntorit 2020, në bazë të të cilave është lejuar urdhri për përmbarim, nuk i plotësojnë kushtet e parapara me nenet përkatëse të LPP-së. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozimin që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe ndryshohet në dobi të parashtruesit të kërkesës ashtu që të refuzohet në tërësi prapësimi i debitorit dhe të vërtetohet në tërësi urdhri përmbarimor. Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Komerciale-Shkalla e Parë. Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë, vlerësoi se gjykata e shkallës së parë në çështjen konkrete juridike në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, kur ka pranuar prapësimin me arsyet se urdhri për përmbarim është lejuar mbi bazën e faturave të cilat nuk paraqesin dokumente të besueshme pasi që të njëjtat nuk janë pranuar në mënyrë të rregullt, respektivisht nuk janë të vulosura nga ana e debitorit gjegjësisht nga organi kompetent i debitorit.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës shprehimisht ngre pretendime për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6. 1 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pretendon se për shkak se gjykatat e rregullta nuk kanë vërtetur faktet dhe nuk kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale ndaj fakteve të vërtetuara, ka rezultuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah arsyetimin e Gjykatës Komerciale-Shkalla e Dytë: “Gjykata, Komerciale Dhoma e Shkallës së Dytë vlerëson se aktvendimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje qenësore të dispozitave procedurës kontestimore të parapara me nenin 182 Par.2 të LPK-së, për shkak se i njëjti është i kuptueshëm, i qartë dhe përmban arsye bindëse faktike dhe juridike mbi faktet vendimtare kështu që mund të vlerësohet ligjshmëria e tij, e të cilat shkelje gjykata e shkallës së dytë i heton sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 194 të LPK-së. Sa i përket pretendimeve për zbatimin e gabuar të dispozitave të procedurës përmbarimore dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësojnë se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vendosur kur e ka pranuar prapësimin e debitorit dhe e ka shfuqizuar urdhrin për përmbarim. Gjykata e shkallës së parë, me vendosjen si në dispozitiv të aktvendimit të ankimuar ka konstatuar drejtë faktin se dokumenti i besueshëm faturat në bazë të së cilave organi përmbarues ka caktuar përmbarimin nuk i plotësojnë tiparet e përmbarueshmërisë. Me dispozitën e nenit 29, paragrafi 1 pika 1.1 të LPP-së është paraparë realizimi i kërkesës në të holla në bazë të dokumentit të besueshëm, ku si dokument të besueshëm në bazë të kësaj dispozite përcaktohen: ‘kambialet dhe çeqet me potest dhe faturë kthyese, po që se janë të nevojshme për themelimin e kërkesës’, ndërsa në paragrafin 3 të të njëjtit nen përcaktohet se: ‘Dokumenti i besueshëm është i përshtatshëm po që se në të është treguar kreditori dhe debitori si dhe objekti, lloji, shuma dhe koha e përmbushjes së detyrimit monetar’. Bazuar në dispozitat e lartcekura, Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësojnë se gjykata e shkallës së parë në çështjen konkrete juridike në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, kur ka pranuar prapësimin me arsyet se urdhri për përmbarim është lejuar mbi bazën e faturave të cilat nuk paraqesin dokumente të besueshme pasi që të njëjtat nuk janë pranuar në mënyrë të rregullt, respektivisht nuk janë të vulosura nga ana e debitorit gjegjësisht nga organi kompetent i debitorit. Gjykata e shkallës së parë drejtë ka konstatuar se fakti se një subjekt ka lëshuar faturë tatimore për debitorin dhe të njëjtën e ka dërguar tek debitori, çka konstatohet edhe nga vula e pranimit të dokumentit nga debitori, nuk e bën me automatizëm kreditorin subjekt me të drejtë të arkëtimit të asaj shume në procedurë përmbarimore. Kjo gjykatë vlerëson se fakti që debitori si institucion publik pranon dokumente, përfshirë në rastin konkret faturat kontestuese, si dokumente me vulë të pranimit, nuk nënkupton se i ka pranuar faturat si të tilla dhe shërbimin e ofruar të cilat i përmbajnë të njëjtat, respektivisht prestimin sipas faturës. Që fatura të konsiderohet si pranim i rregullt, do të duhej që debitori si palë kontraktuese, apo përfitues i shërbimeve të pranonte faturën e rregullt me vënien e nënshkrimit nga personi përgjegjës apo i autorizuar. Së këndejmi, kjo gjykatë gjen se urdhri për përmbarim i caktuar nga përmbaruesi privat është lëshuar në bazë të një propozimi i cili nuk i ka plotësuar kushtet që kërkohen me dispozitën e nenit 38 të LPP-së. Sipas gjykatës së shkallës së dytë, në rast se pala kreditore pretendon se ka bazë ligjore për kërkimin e borxhit, nuk ka pengesa ligjore që të drejtën e saj ta realizojë në kontest të rregullt civil pranë gjykatës kompetente”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se në procedurat e zhvilluara në Gjykatën Komerciale në dy shkallët: (i) është vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të dispozitave procedurale, nuk ka pasur zbatim të gabuar të dispozitave përmbarimore, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe plotësisht dhe rrjedhimisht është respektuar parimi i ligjshmërisë; (ii) është vërtetuar se dokumentet e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës nuk kanë qenë të besueshme në përputhje me dispozitat përkatëse të LPP-së; (iii) vendimet e kontestuara të Gjykatës Komerciale në dy shkallët janë mbështetur në bazë ligjore specifike dhe mjaftueshëm të parashikueshme për parashtruesin e kërkesës.
Gjykata vlerëson se Gjykata Komerciale në të dy shkallët ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe relevante të mbështetur në bazë ligjore specifike dhe mjaftueshëm të parashikueshme për të konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk gëzon të drejtën e përmbarimit, siç përcaktohet me dispozita përkatëse të LPP-së; dhe se, në këto rrethana Gjykata Komerciale në të dy shkallët ka përmbushur obligimin për nxjerrje të vendimit të arsyetuar mbështetur në bazë ligjore të parashikueshme, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6. 1 të KEDNJ-së.
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6. 1 të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
“IC Consulenten” SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër