Prishtinë, më 8 maj 2023
Nr. ref.:RK 2163/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI215/22
Parashtrues
Kompania “DPT Nike”
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit E.Rv.nr.82/2021, të 10 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gëxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga kompania “DPT Nike” me seli në Komunën e Ferizajit, e përfaqësuar nga pronari Miftar Zymberi, me vendbanim në Komunën e Ferizajit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [E.Rv.nr.82/2021], të 10 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ae.nr.113/2019] e 2 nëntorit 2020 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), dhe Aktgjykimin [III.EK.nr.596/2020] e 24 qershorit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike.
Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar më 25 janar 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ-së).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.GJR.KI.215/22] caktoi gjyqtarin Enver Peci Gjyqtar raportues, ndërsa përmes Vendimit [Nr.KSH.KI.215/22] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 25 janar 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Në po të njëjtën ditë, Gjykata gjithashtu kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që në afatin prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e pranimit të shkresës, të dorëzojë autorizimin për përfaqësimin e kompanisë “DPT Nike”, si përfaqësues ligjor i saj.
Më 7 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin e kërkuar.
Më 15 shkurt 2023, Gjykata Themelore njoftoi Gjykatën Komerciale në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale) për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 21 shkurt 2023, Gjykata Komerciale e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar që dëshmon se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 25 janar 2022.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 14 mars 2004, lokali i parashtruesit të kërkesës ishte thyer dhe vjedhur nga persona të panjohur, në mes të orës 21.00 dhe 08.00. Parashtruesi i kërkesës kishte kontratë të lidhur me Kompaninë e Sigurimit Fizik “Skyfterat”, me seli në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Kompania e Sigurimit “Skyfterat”) mbi shërbimin e sigurimit të dyqanit, sipas të cilës, kompania ishte e detyruar të sigurojë dyqanin në periudhën kohore prej orës 22.00 deri në ora 06.00 dhe në rast të pësimit të dëmit nga personat e papërgjegjshëm në po atë orar, kompania do të duhej t’i kompensonte dëmin parashtruesit të kërkesës në vlerë prej 100%.
Më 22 qershor 2004, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Komunale në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale), kundër Kompanisë së Sigurimit “Skyfterat” për kompensim të dëmit, me propozimin që Gjykata Komunale të vendosë si në vijim: (i) i padituri t’ia paguajë dëmin që ka pësuar parashtruesi i kërkesës në vlerë prej 5,489.00 (pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e nëntë) euro; (ii) t’ia paguajë fitimin e humbur (lucrum cesans) që ka pësuar nga dita e paraqitjes së padisë, si dhe (iii) t’ia kompensojë shpenzimet e kontestit në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit me kërcënim të ekzekutimit me dhunë.
Në një datë të pasaktësuar, Kompania e Sigurimit “Skyfterat” parashtroi përgjigje në padi në Gjykatën Komunale përmes të cilës kundërshtoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me ç’rast theksoi se kompania sipas kontratës ishte obliguar të ofrojë shërbimet e duhura në periudhën kohore prej orës 22.00 deri 06.00, ndërkaq parashtruesi i kërkesës raportoi për rastin e vjedhjes duke mos e vërtetuar kohën se kur ka ndodhur vjedhja, andaj, e njëjta nuk kishte obligim në bazë të kontratës që të kujdeset jashtë orarit të përcaktuar me kontratë.
Më 6 tetor 2005, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [Pm.nr.42/04 pushoi procedurën penale ndaj të dyshuarve për vjedhje për shkak të tërheqjes së prokurorit nga propozimi.
Më 19 shkurt 2015, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni civil, përmes Aktvendimit [C.nr.168/06], shpalli veten si gjykatë jokompetente në këtë çështje juridike dhe shpalli Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) si gjykatë kompetente për të vendosur për çështjen me arsyetimin se palët ndërgjyqëse në këtë marrëdhënie juridike-civile, kanë subjektivitet ekonomik meqë parashtruesi i kërkesës është i regjistruar si biznes individual, ndërsa kompania e paditur si person juridik që ofron shërbimet e sigurimit fizik të njerëzve dhe objekteve.
Më 29 janar 2019, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [III.EK.nr.45/17], aprovoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, dhe:
detyroi të paditurën që parashtruesit të kërkesës t'ia paguajë në emër të kompensimit të dëmit shumën e përgjithshme prej 5,489.00 (pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e nëntë) euro, me kamatë ligjore të cilën e paguajnë bankat vendore si për mjetet e deponuara në kursim me afat mbi 1 (një) vit, pa destinim të caktuar, duke llogaritur nga data 22 qershor 2004, e deri në pagesën definitive, të gjitha këto në afatin paritiv prej 7 (shtatë) ditëve, duke llogaritur nga data e pranimit të këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim,
refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës në emër të fitimit të humbur në shumë prej 4,242.55 (katër mijë e dyqind e dyzet e dy pikë pesëdhjetë e pesë) euro, dhe
detyroi të paditurën që parashtruesit të kërkesës t'ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën e përgjithshme prej 770.00 (shtatëqind e shtatëdhjetë) euro, në afatin kohor prej 7 (shtatë) ditëve nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Në arsyetim të Aktgjykimit të lartcekur, Gjykata Themelore konstatoi se procesi i vjedhjes së lokalit kontestues ka zgjatur më shumë se një orë, prandaj në çdo rast përfshihet edhe periudha e mbuluar nga sigurimi. Mbi këtë bazë, Gjykata Themelore vlerësoi se ekzistoi obligimi i të paditurës për kompensimin e dëmit, sepse rasti ka ndodhur brenda periudhës së siguruar për të cilën e paditura kishte mbajtur përgjegjësi. Tutje, Gjykata Themelore theksoi se refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës lidhur me fitimin e munguar, për shkak se në rastin konkret, i njëjti nuk dokumentoi dëmin e pësuar dhe lartësinë e tij.
Më 12 shkurt 2019, Kompania e Sigurimit “Skyfterat” parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [III.EK.nr45/17] të 29 janarit 2019 të Gjykatës Themelore, për shkak të (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; si dhe (iii) aplikimit jo të drejtë të dispozitave materiale, me propozimin që e njëjta të aprovojë ankesën e të paditurit si të bazuar dhe të prishë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, si dhe që lënda t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 2 nëntor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.113/2019]: (i) aprovoi ankesën e Kompanisë së Sigurimit “Skyfterat”; (ii) prishi Aktgjykimin [III.EK.nr.54/2017] të 29 janarit 2019; dhe (iii) ia ktheu çështjen të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje, me arsyetimin se aktgjykimi i atakuar me ankesë është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, për shkak se: “[...] ka të meta për shkak të cilave nuk mund të ekzaminohet, dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm dhe kontradiktor me vetveten dhe me arsyet e aktgjykimit, nuk janë treguar arsyet për faktet vendimtare respektivisht arsyet e dhëna janë të paqarta, ekzistojnë kundërthënie për faktet vendimtare midis asaj që jepet në arsyet e aktgjykimit dhe provave që gjenden në shkresat e lëndës.”
Më 24 qershor 2021, në procedurë të rigjykimit, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [III.EK.nr.596/20] refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilën ka kërkuar që e paditura Kompania e Sigurimit "Skyfterat" t'ia paguajë kompensimin e dëmit dhe fitimin e humbur në vlerën e përcaktuar në kërkesëpadi.
Në arsyetimin e Aktgjykimit të lartcekur, Gjykata Themelore konstatoi se për të vërtetuar gjendjen e mallit të vjedhur si në aspektin sasior, po ashtu edhe në aspektin financiar, do të ishte e nevojshme të sigurohen të dhënat mbi hyrjet-daljet e mallit (blerjet dhe shitjet) gjer në momentin e vjedhjes, pastaj në momentin e vjedhjes të bëhet regjistrimi i mallit në lokal, ku dhe do të konstatohej diferenca e mallit të vjedhur si në aspektin sasior po ashtu edhe atë financiar. Në këtë kontekst, Gjykata Themelore theksoi se në mungesë të dokumentit që i mundëson vërtetimin e gjendjes kontabël, nuk mundi të vërtetojë lartësinë e dëmit të pretenduar, andaj, kërkesëpadinë e refuzoi si të pa bazuar pasi që lartësia e dëmit vlerësohet vetëm si supozim pa mbështetje në prova.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [III.EK.nr.596/2020] të 24 qershorit 2021 të Gjykatës Themelore, për shkak të (i) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; (ii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale; dhe (iii) shkeljeve esenciale të procedurës kontestimore, me propozimin që Gjykata e Apelit të prishë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje, ashtu që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të pranohet në tërësi si e bazuar dhe me të gjitha shpenzimet procedurale.
Më 25 tetor 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ae.nr.208/21], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [III.EK.nr.596/2020] e 24 qershorit 2021, të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se përfundimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm. Po ashtu, Gjykata Themelore theksoi se në arsyetim të Aktgjykimit të atakuar me ankesë janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të gjitha faktet vendimtare të cilat janë marrë në vlerësim nga gjykata e shkallës së parë, e sipas të cilave edhe është vendosur lidhur me themelësinë e kërkesëpadisë.
Më 23 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të: (i) shkeljes esenciale të dispozitave procedurale; dhe (ii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Gjykata Supreme ta prishë aktgjykimin e atakuar me revizion dhe lënda të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje, ose kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të aprovohet në tërësi si e bazuar.
Më 10 janar 2022, përmes Aktvendimit [E.Rv.nr.82/2021], Gjykata Supreme hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të parashtruar kundër Aktgjykimit [Ae.nr.209/2021] të 25 tetorit 2021 të Gjykatës së Apelit, bazuar në nenin 221 të Ligjit Nr. 03/L-0006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), me arsyetimin që në pyetje është kontesti në mes subjekteve ekonomike me kërkesë në të holla që nuk e kalon shumën prej 10.000 (dhjetë mijë) euro, siç kërkohet me nenin 508 të LPK-së.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [III.EK.nr.596/2020] i 24 qershorit 2021 i Gjykatës Themelore në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ae.nr.113/2019] e 2 nëntorit 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [E.Rv.nr.82/2021] e 10 janarit 2022, të Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ngrit shkeljen e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, duke theksuar se i njëjti ka qenë duke kërkuar drejtësi për dëmin e shkaktuar që nga viti 2004.
Parashtruesi i kërkesës thekson se me zgjatjen e procesit gjyqësor nëpër gjykatat e rregullta për 17 (shtatëmbëdhjetë) vite, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 6 të KEDNJ-së. Specifikisht, parashtruesi i kërkesës konsideron se gjykatat e rregullta janë përfshirë në shkelje kur kanë kërkuar një provë e cila nuk mund të gjendet sepse kanë kaluar mbi 17 (shtatëmbëdhjetë) vite, dhe ligjërisht pronari ka qenë i detyruar ta ruajë vetëm për 10 (dhjetë) vite. Parashtruesi i kërkesës konsideron se kjo humbje e provës është pasojë e tejzgjatjes 17 (shtatëmbëdhjetë) vjeçare të procesit gjyqësor.
Tutje, parashtruesi i kërkesës shton si në vijim: “Gjykata me rastin e refuzimit të kërkesë padisë mbi bazën se nuk është vërtetuar gjendja e stokut në momentin e vjedhjes dhe se nuk e ka bërë regjistrimin e mallit në lokalin afarist dhe me këtë nuk e vërtetoi lartasin e dëmit, kjo është e padrejtë pasi që lartasin e dëmit është vërtetuar, dhe në rast të ndonjë kontesti mbi dëmin, pala e paditur është dashur ta vërtetoj lartasin e saj nëse kishte me qenë e papranuar për të për faktin se kishte qenë e detyruar sipas kontratë me numër 326 neni 5, ku ki nen nënkuptonte se e paditura ka pas për obligim të raportonte mbi humbjet, dhe këtë gjë nuk e kishte bërë.
Parashtruesi i kërkesës thekson se është në dijeni se kërkesën e ka paraqitur pas kalimit të afatit, mirëpo konsideron se i është bërë e padrejtë, dhe se: “[...] rastin nuk e kam paraqitur brenda afatit prej 4 muaj pasi që unë jetoj në perëndim dhe nuk kam qenë i njoftuar deri më tani për ecurinë e kësaj qështje. qysh tani jam njoftuar.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga kjo Gjykatë që të konstatojë shkelje kushtetuese.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [E.Rv.nr.82/2021], e 10 janarit 2022, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [III.EK.nr.596/2020] e 24 qershorit 2021 të Gjykatës Themelore, ndërsa vendimi i fundit në procedurën para gjykatave të rregullta është Aktvendimi [E.Rev.nr.82/2021] i 10 janarit 2022 i Gjykatës Supreme. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 25 janar 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 29 dhjetor 2022, më shumë se 11 (njëmbëdhjetë) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar, duke theksuar se është në dijeni që kërkesën e ka paraqitur pas kalimit të afatit ligjor prej 4 (katër) muajve për arsyen: “[...] që unë jetoj në perëndim dhe nuk kam qenë i njoftuar deri më tani për ecurinë e kësaj qështje.” Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (c) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
“DPT Nike”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile