Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit E.Rv.nr.82/2021, të 10 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI215/22

Parashtruesit: “DPT Nike”

Shkarko:

KI215/22, Parashtrues “DPT Nike”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit E.Rv.nr.82/2021, të 10 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI215/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 11 maj 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kompensim dëmi, kërkesë e pasafatshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës kundër Kompanisë së Sigurimit Fizik “Skyfterat” për kompensim të dëmit, me rastin e thyerjes dhe vjedhjes së lokalit të tij nga persona të panjohur, më 14 mars 2004. Kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, fillimisht, Gjykata Themelore e aprovoi, ndërsa, Gjykata e Apelit sipas ankesës së kompanisë së sigurimit, e ktheu në rishqyrtim. Pas procedurës së rishqyrtimit, kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës u refuzua si e pabazuar, dhe aktgjykimi në fjalë u vërtetua nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, por e njëjta, më 10 janar 2022, me aktvendim nuk e lejoi revizionin pasi që kontesti në mes subjekteve ekonomike me kërkesë në të holla nuk e kalon shumën prej 10.000 (dhjetë mijë) euro, siç kërkohet me nenin 508 të Ligjit përkatës të Procedurës Kontestimore.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ngrit shkeljen e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, duke theksuar se i njëjti ka qenë duke kërkuar drejtësi për dëmin e shkaktuar që nga viti 2004.

Gjykata vlerësoi që objekt i çështjes është Aktvendimi [E.Rev.nr.82/2021] i 10 janarit 2022 i Gjykatës Supreme, të cilin, sipas fletë-kthesës së dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërtetohet që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar më 25 janar 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 29 dhjetor 2022, më shumë se 11 (njëmbëdhjetë) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar, duke theksuar se është në dijeni që kërkesën e ka paraqitur pas kalimit të afatit ligjor prej 4 (katër) muajve për arsyen: “[…] që unë jetoj në perëndim dhe nuk kam qenë i njoftuar deri më tani për ecurinë e kësaj qështje.”

Rrjedhimisht, Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

“DPT Nike”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile