Prishtinë, më 5 gusht 2024
Nr. Ref.: RK 2499/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI59/24
Parashtrues
Milazim Blakçori
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.192/2022 i 12 majit 2023 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar,
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Milazim Blakçori (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Ramiz Suka, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. Nr.192/2022] të 12 majit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.2183/17] të 22 marsit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr.830/14] të 21 majit 2015 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e ka pranuar më 14 nëntor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. Nr.192/2022] të 12 majit 2023 të Gjykatës Supreme përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 mars 2024, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 26 mars 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI59/24] caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 2 prill 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme. Të njëjtën ditë, Gjykata gjithashtu kërkoi nga Gjykata Themelore që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar.
Më 3 prill 2024, Gjykata Themelore ia dorëzoi Gjykatës fletëkthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 14 nëntor 2023.
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës më 17.05.2005 kishte lidhur marrëveshje me palën M.N., me ç ‘rast parashtruesi i kërkesës si blerës do ta blinte nga M.N., si shitës i paluajtshmërisë, disa ngastra kadastrale ku përfshihej një objekt hotelier dhe trualli i parkingut. Çmimi i shitblerjes së paluajtshmërisë ishte caktuar në vlerë prej 750.000 euro me ç ‘rast së pari ishte dhënë kapari në vlerë prej 50.000 euro ndërsa me datën 17.05.2005 ishte marrë për obligim që të paguhet shuma 325.000 euro, ndërsa pjesa tjetër e mbetur 375.000 euro të paguhet me datë 17.05.2006. Ndërkohë kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me kohën dhe kushtet e pagesës për çka pala M.N., e kishte dëbuar parashtruesin e kërkesës nga paluajtshmëria përkatësisht objekti hotelier dhe parkingu.
Më 24 janar 2007, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi për dëmshpërblim kundër të paditurit M.N., ndërsa më 14 tetor 2008 e ndryshoi kërkesëpadinë duke kërkuar vërtetim të pronësisë dhe dorëzim në posedim të paluajtshmërisë.
Më 21 maj 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.830/14] vendosi REFUZOHET kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës me të cilën ka kërkuar që të obligohet pala e paditur që parashtruesit të kërkesës t’ia njeh të drejtën e pronësisë dhe t’i dorëzon në posedim të qetë dhe faktik parcelën kadastrale P-71914059-06537-2 në vendin e quajtur “Gustav Majer” në sipërfaqe 276m2, fleta e poseduese, UL 71914059-6678 Zona Kadastrale në Prishtinë dhe parcela kadastrale P-71914059- 06538-0, në vendin e quajtur “Hamzë Jashari” nr. 14, Prishtinë me sipërfaqe 345m2, fleta e poseduese UL - 71914059-09921, Zona Kadastra Prishtinë. DETYROHET parashtruesi i kërkesës që të paditurit M.N., nga Prishtina në afat prej 15 ditësh, t’ia paguaj shpenzimet e procedurës në shumë 1.255,20 euro.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të aprovohet e bazuar dhe Gjykata e Apelit ta prish aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Më 22 mars 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2183/17] vendosi: REFUZOHET e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës ndërsa Aktgjykimi [C.nr.830/14] i 21 majit 2015 i Gjykatës Themelore VËRTETOHET.
Gjykata e Apelit theksoi: (i) gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar provat e ofruara nga parashtruesi i kërkesës por po ashtu ka vlerësuar edhe provat tjera që gjenden në shkresat e lëndës për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje juridike kontestimore; (ii) gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar të gjitha faktet dhe provat që kanë parashtruar palët dhe po ashtu ka arsyetuar se cilat nga këto fakte i ka vërtetuar; (iii) në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se neni 73 i ligjit të vjetër për marrëdhëniet detyrimore duhet të zbatohet në kontekst të marrëveshjes së palëve të datës 17.02.2005, Gjykata e Apelit-sikur edhe gjykata e shkallës së parë- theksoi se kontrata e datës 17.02.2005 nuk e ka formën e kontratës, e njëjta nuk është vërtetuar tek organi kompetent-gjykata, e po ashtu ajo që është qenësore nuk janë përmbushur detyrimet për të cilat palët janë zotuar t’i kryejnë me këtë marrëveshje, prandaj nuk mund të pretendohet se në rastin konkret duhet të zbatohet neni 73 të ligjit të vjetër për marrëdhëniet detyrimore, kur palët nuk i kanë përmbushur detyrimet mes vete; (iv) palët kanë për detyrë që në përputhje me ligjin t’i paraqesin provat me të cilat vërtetojnë faktet mbi të cilat i bazojnë pretendimet e tyre, e në rastin konkret parashtruesi i kërkesës me asnjë provë nuk ka mundur ta dëshmojë se me të vërtetë marrëveshja ka bazë juridike dhe si e tillë do të prodhonte efekt juridik, ashtu që të konstatohej se i njëjti ka edhe të drejtën e pronësisë në ngastrat kadastrale kontestuese.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion duke pretenduar shkelje të rregullave të procedurës civile dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale me propozim që të anulohet aktgjykimi i shkallës së dytë dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë.
Më 12 maj 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.192/2022] e refuzoi të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit [Ac.nr.2183/17] të 22 marsit 2017 të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme theksoi se parashtruesi i kërkesës është i detyruar të provojë ekzistimin e fakteve juridike në bazë të të cilave mund të fitohet e drejta e kërkuar e pronës; gjë që, në rastin konkret civil-juridik, parashtruesi i kërkesës nuk e ka provuar as bazën juridike e as mënyrën e fitimit (iustus titulus - modus aquirendi) të pronësisë në paluajtshmërinë e kontestuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë vërtetuar drejtë gjendjen faktike, kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale dhe rrjedhimisht kanë shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës.
Në kontekst të pretendimit për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, parashtruesi i kërkesës thekson: “Në këtë rast në mënyrë drastike është shkelur e drejta e paditësit. Këtu kemi të bëjmë me shkelje të dispozitave të nenit 31 të kushtetutës së republikës së Kosovës. Në çdo procedurë në drejtësi, gjykata është e obliguar ta vërtetoi gjendjen faktike dhe mbi gjendjen faktike ta zbatojë ë drejtën materiale. Nga tri gjykata nuk është vërtetuar gjendja faktike në këtë kontest”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se interpretimi i marrëveshjes së datës 17.02.2005 nga gjykatat e rregullta ka qenë i njëanshëm dhe jo profesional kur kanë konstatuar se marrëveshja në fjalë nuk është vërtetuar nga gjykatat. Në kontekst të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës shton: “Nëse kontrata nuk është vërtetuar nga gjykata, ndërsa pala ka paguar një pjesë të shumës kontraktuese, kontrata është valide dhe prodhon efekt juridik, do të thotë se vjen në shprehje instituti i konvalidimit në të drejtën detyrimore.”
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që “pas administrimit të provave” të anulojë vendimet e gjykatave të rregullta dhe të njëjtat t’i udhëzon që “në të ardhmen” gjatë shqyrtimeve të mos veprojnë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI MBI MARRËDHËNIET JURIDIKO-PRONËSORE I 30 JANARIT 1980
Neni 33
Pa titull
“Në bazë të veprimit juridik e drejta e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme fitohet me regjistrim në librin publik ose në mënyrën tjetër përkatëse të përcaktuar me ligj.”
Neni 37
Pa titull
“Pronari mund të kërkojë me padi nga mbajtësi kthimin e sendit të caktuar në mënyrë individuale.
Pronari duhet të provojë se mbi sendin kthimin e të cilit e kërkon ka të drejtën e pronësisë dhe se sendi gjendet në zotërimin faktik të të paditurit.
E drejta e paraqitjes së padisë nga paragrafi 1 i këtij neni nuk parashkruhet.”
LIGJI MBI MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE I 30 MARSIT 1978
Neni 73
Kur kontrata që mungon forma quhet e zbatuar
“Kontrata për lidhjen e së cilës kërkohet forma shkresore quhet e plotfuqishme, megjithëse nuk është lidhur ne këtë formë në qoftë se palët kontraktuese i kane zbatuar ne tërësi ose në pjesën predominuese detyrimet që dalin nga ajo, përveç në qoftë se nga qëllimi për të cilin është parashikuar forma është e qartë se nuk ekziston diçka tjetër”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. Nr.192/2022] të 12 majit 2023 të Gjykatës Supreme, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/a nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet parashtruesit të kërkesës me palën M.N., me ç ‘rast parashtruesi i kërkesës si blerës do ta blinte nga M.N., si shitës i paluajtshmërisë, disa ngastra kadastrale ku përfshihej një objekt hotelier dhe trualli i parkingut. Ndërkohë kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me kohën dhe kushtet e pagesës për çka pala M.N., e kishte dëbuar parashtruesin e kërkesës nga paluajtshmëria ndërsa parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi civile duke kërkuar vërtetim të pronësisë dhe dorëzim në posedim të paluajtshmërisë të kontestuar. Gjykata Themelore e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me të cilën ka kërkuar që të obligohet pala e paditur që atij t’ia njeh të drejtën e pronësisë dhe t’i dorëzon në posedim të qetë dhe faktik paluajtshmërinë e kontestuar. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit me propozim që e njëjta ta prish aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Gjykata e Apelit theksoi se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar provat e ofruara nga parashtruesi i kërkesës por po ashtu ka vlerësuar edhe provat tjera që gjenden në shkresat e lëndës për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje juridike kontestimore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion duke pretenduar shkelje të rregullave të procedurës civile dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale me propozim që të anulohet aktgjykimi i shkallës së dytë dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata Supreme refuzoi të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme theksoi se parashtruesi i kërkesës është i detyruar të provojë ekzistimin e fakteve juridike në bazë të të cilave mund të fitohet e drejta e kërkuar e pronës; gjë që, në rastin konkret civil-juridik, parashtruesi i kërkesës nuk e ka provuar as bazën juridike e as mënyrën e fitimit të pronësisë në paluajtshmërinë e kontestuar.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës shprehimisht ngre pretendime për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pretendon se për shkak se gjykatat e rregullta nuk kanë vërtetur faktet dhe nuk kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale ndaj fakteve të vërtetuara ka rezultuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah arsyetimin e Gjykatës Supreme: “Gjykata Supreme e Kosovës, konsideron si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin juridik të gjykatave të instancës më të ulet përkitazi me refuzimin e kërkesës së paditësit, pasi qe janë dhënë arsyet bindëse dhe të pranueshme edhe nga kjo Gjykatë. Kështu, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, nga provat e administruara, nuk mund të përfundohet se paditësi është pronar i paluajtshmërisë kontestuese, të specifikuar në dispozitiv të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ngase me asnjë bazë juridike nuk ka provuar pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese, për të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se është pronar, sikundër parashihet me dispozitën e nenit 20 të Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Pronësore Juridike, sipas së cilës, është paraparë se e drejta e pronësisë fitohet sipas vet ligjit, në bazë të veprimit juridik (punës juridike), dhe me trashëgimi apo me vendim të organit shtetëror në mënyrën dhe nën kushtet e përcaktuara me ligj. Në kontestet juridike civile, kur kërkohet mbrojtje gjyqësore e pronës dhe lidhur me vërtetimin e se drejtës së pronësisë si dhe dorëzimi i paluajtshmërisë në posedim, paditësi, sipas nenit 37 të Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Pronësore Juridike, duhet të provojë që është pronar i sendit, me të cilin nënkuptohet edhe vërtetimi i fakteve, mbi të cilat bazohet e drejta e tij, dhe atë jo vetëm ndaj paditësit, por edhe ndaj paraardhësve të tij. Në kontekstin e mësipërm, paditësi, ne rastin konkret, është i detyruar të provojë ekzistimin e fakteve juridike në bazë të së cilave mund të fitohet e drejta e kërkuar e pronës. Gjë që, në rastin konkret civil-juridik, paditësi nuk e ka provuar as bazën juridike e as mënyrën e fitimit (iustus titullus-modus aquirendi) të pronësisë në paluajtshmërinë kontestuese, të sipërpërmendur. Përkitazi me këtë që u sipër theksua, paditësi nuk ka provuar se e ka fituar pronësinë në kuptim të dispozitës së nenit 20 apo nenit 33 të LMTHPJ-së dhe as në bazë të shitblerjes (neni 73 i LMD-së), përkatësisht, sikundër ka pretenduar, se me kontratën e sipër cekur të shitblerjes, e ka fituar pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese. Prandaj, nga këtu, përkitazi me pretendimin e tillë të paditësit, edhe kjo gjykatë, vlerëson se në këtë rast, nuk mund te behet fjalë për fitimin e te drejtës se pronësisë me kontratën e shitblerjes, sikundër parashihet me dispozitën e nenit 73 te LMD-se, sipas te cilës veç tjerash, kërkohet qe kontrata te jete përmbushur ne tërësi apo ne pjesën me te madhe, e këtu nuk është rast, pastaj, e njëjta nuk ka qenë e vërtetuar në organin kompetent, nuk është e legalizuar dhe regjistruar në librat publik n.33 LMTHPJ-së, nuk është lidhur në formën përkatëse ligjore, gjë që, siç u sipër theksua, në rastin konkret juridik civil, përkitazi me fitimin e të drejtës së pronësisë së pretenduar nga paditësi, nuk përmbushen konditat ligjore të përcaktuara me dispozitat e sipërpërmendura ligjore”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se në procedurat e zhvilluara në gjykatat e rregullta e në veçanti në Gjykatën Supreme: (i) është interpretuar marrëveshja e parashtruesit të kërkesës me palën e paditur; (ii) interpretimi i marrëveshjes së parashtruesit të kërkesës me palën e paditur është bërë duke u mbështetur në bazë ligjore të qartë dhe specifike; (iii) është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka përmbushur kushtet e parashikuara me ligj për të pasur në posedim të qetë dhe faktik të paluajtshmërisë së kontestuar; ngase; (iv) parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të provojë as bazën juridike dhe as mënyrën e fitimit të pronësisë të paluajtshmërisë së kontestuar sipas mënyrës dhe kushteve të parashikuar me ligj; dhe, rrjedhimisht, (v) e drejta materiale e mbështetur në bazë ligjore specifike dhe mjaftueshëm të parashikueshme është zbatuar ndaj të gjitha fakteve që ishin qendrore për administrim të drejtë të drejtësisë në rastin e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe relevante të mbështetur në bazë ligjore specifike dhe mjaftueshëm të parashikueshme për të konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk gëzon të drejtën e pronësisë në paluajtshmërinë e kontestuar; dhe se, në këto rrethana gjykatat e rregullta kanë përmbushur obligimin e tyre për nxjerrje të vendimit të arsyetuar mbështetur në bazë ligjore të parashikueshme, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Fehmi Kupina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Civile