Prishtinë, më 23 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2355/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI148/23
Parashtrues
Kumrije Ajeti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0858-A0001 të 27 prillit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Kumrije Ajeti (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës) përfaqësuar nga Shefqet Xhelili, avokat nga Gjilani.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimin [AC-I-21-0858-A0001] të 27 prillit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS-së).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-21-0858-A0001] të 27 prillit 2023 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtrueses së kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 13 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI148/23] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 3 gusht 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 19 shtator 2023, Gjykata kërkoi nga DHPGJS-ja që të dorëzon dëshminë se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës ka pranuar vërejtje për pagesë të taksës gjyqësore.
Më 25 shtator 2023, DHPGJS-ja dorëzoi dokumentin e lartpërmendur.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesja e kërkesës kishte punuar në Ndërmarrjen Shoqërore Industria e Duhanit në Gjilan e emërtuar pas privatizimit si NSH “IDGJ Tobaco”. Parashtrueses së kërkesës sikurse të gjithë punëtorëve tjerë punëdhënësi nuk iu kishte paguar të ardhurat personale për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Pas ndërprerjen së marrëdhënies së punës, parashtruesja e kërkesës me shkresën e datës 15 gusht 2006 ishin njoftuar se “shumat-pagat” që i janë mbetur borxh sipas kontratës të punësimit nga punëdhënësi, do të mbesin përgjegjësi e punëdhënësit. Kërkesat e tilla do të shqyrtohen sipas procedurave të likuidimit dhe ju do të kontaktoheni kur të fillojnë këto procedura. Pas fillimit të procedurës së likuidimit të NSH “IDGJ Tobaco”, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (në tekstin e mëtejmë: AKM), përmes mjeteve të informimit i kishte ftuar të gjithë punëtorët që lidhur me çfarëdo kërkese t’i drejtohen këtij institucioni për realizimin e të drejtave të tyre. Ndërkohë, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar dokumentacionin për realizmin e të drejtave të saj lidhur për pagat e papaguara për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004.
Më 10 mars 2014, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Autoriteti i Likuidimit të AKP-së) e refuzoi të pavlefshme kërkesën e parashtrueses së kërkesës për kompensim të pagave të papaguara për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Autoriteti i Likuidimit të AKP-së kishte konstatuar se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është parashkruar bazuar në nenin 36.2.1 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/1-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (GZ, nr.19/2021, 21 shtator 2011, në tekstin e mëtejmë: Ligji për AKP-në) dhe neni 608 i Ligjit për Punën e Bashkuar (publikuar në Gazetën Zyrtare Nr. 53 të vitit 1976), i aplikueshëm sipas nenit 1 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/24, i cili parashikon që “pagesa e shumës së pagës apo rrogës, apo secilës kërkesë tjetër e punëtorit që rrjedh nga marrëdhënia e punës do të jetë e parashkruar për tre vite.” Autoriteti i Likuidimit të AKP-së po ashtu kishte theksuar: “Në bazë të dispozitave të mësipërme, kërkesa duhet të jetë paraqitur në gjyq apo në ndonjë autoritet kompetent brenda tre viteve nga momenti kur NSH pretendohet të mos ketë përmbushur plotësisht apo pjesërisht obligimet e saj ndaj parashtruesit që rrjedhin nga marrëdhënia e punësimit. Pra tre vite nga Gushti 2003, kur parashtruesi nuk realizoi pagën mujore nga ndërmarrja.”
Më 4 prill 2014, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës kishte paraqitur ankesë pranë DHPGJS-së duke kërkuar që të kompensohet për pagat e papaguara në vlerë prej 1,614. 48 euro. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës kishte theksuar se vendimi i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm sepse-sipas ligjit në fuqi-kërkesat për kompensim të pagave të papaguara kundër NSH-ve në procedurë të likuidimit duhet të adresohen tek Autoritetit të Likuidimit të AKP-së dhe jo ndonjë gjykatë tjetër, prandaj kërkesa për kompensim nuk mund të jetë e parashkruar.
Më 9 qershor 2021, DHPGJS-ja ia kishte dërguar një vërejtje përfaqësuesit të parashtrueses së kërkesës për pagesën e taksës gjyqësore. DHPGJS-ja kishte theksuar se nga shkresat e lëndës konstatohet se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar këtë vërejtje më 14 qershor 2021, por i njëjti nuk e kishte paguar taksën gjyqësore dhe nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë.
Më 7 dhjetor 2021, DHPGJS-ja përmes Aktvendimit [C-1V-14-2657] vendosi që kërkesa e parashtrueses së kërkesës të konsiderohet e tërhequr për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore. DHPGJS-ja arsyetoi: “Dhoma e Posaçme e Gjykata Supreme e Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duke iu referuar shkresave të lëndës ka konstatuar se përfaqësuesi i autorizuar i parashtrueses së kërkesës edhe përkundër faktit që ka pranuar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore me datën:14.06.2021 nuk e ka paguar taksën gjyqësore në afatin kohor prej 15 ditëve. Andaj gjykata duke iu referuar dispozitës së nenit 253 paragrafi 5 të LPK-së ka vendosur ashtu si është përcaktuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.”
Më 29 dhjetor 2021, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës kishte paraqitur ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, me të cilën e kundërshtoi aktvendimin e ankimuar për shkak të të gjitha arsyeve ankimore. Në ankesë thuhej se konstatimi i DHPGJS-së se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e ka pranuar vërejtjen më 14 qershor 2021 nuk është i saktë, sepse ai nuk ka pranuar kurrfarë vërejtje për pagesën e taksës në emër të parashtrueses së kërkesës. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës kishte theksuar me atë datë ka pranuar vërejtje për pagesën e taksës gjyqësor për ish- punëtorët e NSH “IDGJ Tobaco” dhe se kjo pagesë në shumë 20 euro është paguar, por në këtë vërejtje nuk ishte parashtruesja e kërkesës Kumrije Ajeti. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës kishte theksuar se nuk është korrekte që për një taksë prej 20 euro t’i mohohet parashtrueses së kërkesës realizimi i një të drejte për të cilin është duke pritur që nga viti 2006 kur është larguar nga puna, përkatësisht prej vitit 2014 kur ajo ka ushtruar padi në DHPGJS. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës më tej kishte theksuar se në bazë të provave të dorëzuara në këtë gjykatë vërtetohet se parashtruesja e kërkesës nuk e ka pranuar vërejtjen andaj edhe nuk ka pasur mundësi që të shfrytëzojë të drejtën e saj për lirim nga taksa, nëse ajo e ka pasur një mundësi të tillë. Ai propozon që të aprovohet ankesa e parashtrueses së kërkesës dhe të obligohet gjykata e shkallës së parë që parashtrueses së kërkesës t’ia dërgoj edhe një vërejtje për pagesën e taksës.
Më 21 nëntor 2022, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së ankesën e parashtrueses së kërkesës e kishte dërguar tek e paditura AKP për përgjigje. Në përgjigjen e datës 6 dhjetor 2022, e paditura AKP kishte theksuar se ankesa është e pa bazuar dhe e pa mbështetur dhe si e tillë duhet të refuzohet dhe të vërtetohet aktvendimi i ankimuar.
Më 27 prill 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-21-0858-A0001] vendosi: (i) Ankesa e paditëses refuzohet si e pa bazuar; (ii) Vërtetohet Aktvendimi i shkallës së parë të DHPGJS-së [C-1V-14-2657] i datës 07 dhjetor 2021; (iii) Nuk caktohen taksa gjyqësore për këtë procedurë ankimore.
Kolegji i Apelit të DHPGJS-së arsyetoi: “Edhe pse përfaqësuesi i paditëses pretendon se ai nuk ka pranuar asnjë vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore, kjo demantohet me provën origjinale që gjendet në shkresat e lëndës, ku dëshmohet se kjo vërejtje është pranuar në emër të avokatit më 14 qershor 2021. Dëshmitë e dorëzuara nga avokati gjithashtu dëshmojnë se në emër të avokatit janë dorëzuar disa shkresa në posten në Gjilan më 14 qershor 2021, edhe pse ai mundohet që ta mohoj një gjë të tillë duke u munduar që fajin tua lë të tjerëve. Nga kjo gjendje e vërtetuar faktike, dëshmohet qartë se avokati e kishte pranuar vërejtjen por nuk ka paguar taksën gjyqësore, e as që ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë dhe Shkalla e parë e DHPGJSK-së me të drejtë e ka konsideruar ankesën si të tërhequr. Për këto arsye ankesa e paditëses refuzohet dhe rrjedhimisht vërtetohet aktvendimi i ankimuar i Shkallës së parë si i drejtë dhe i bazuar në ligj.”
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesja e kërkesës thekson se asaj i është mohuar shqyrtimi në merita i çështjes si e drejta për seancë dëgjimore në çështjen e saj pretendon. Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës pretendon: “Aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai i shkallës së dytë janë marrë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për procedurën kontestimore, për shkak se palës me veprim të paligjshëm nuk i është dhënë mundësia për shqyrtimin e çështjes në Gjykatë. Lidhur me këtë rast gjykata është dashur ta mbajë shqyrtimin gjyqësor dhe në prezencë të përfaqësuesit të palës Kumrije Ajeti ,avokatit Shefqet Xhelili ta bëjë prezantimin e fletëdërgesës mbi dërgimin e Vërejtjes për pagesën e taksës gjyqësore të datës 14.06.2021.”
Në kontekst të së drejtës për shqyrtim në merita të çështjes dhe të drejtës për seancë dëgjimore parashtruesja e kërkesës thekson se përfaqësuesi i saj-i cili ka përfaqësuar edhe punëtorë tjerë- nga DHPGJS-ja ka pranuar shkresën e dt. 14.06.2021 ka pranuar vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore, mirëpo në mesin e tyre nuk ka figuruar emri i parashtrueses së kërkesës Kumrije Ajeti. Parashtruesja e kërkesës pretendon: “Kjo për faktin se përfaqësuesi i palës, avokati Shefqet Xhelili, më datën 14.06.2021 nga Dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës ka pranuar disa vërejtje për pagesën e taksës, kurse në mesin e tyre nuk ka qenë ajo e palës Kumrije Ajeti.”
Parashtruesja e kërkesës në substancë pretendon the vendimi i DHPGJS-së për ta konsideruar padinë të tërhequr është masë jo-proporcionale sepse e njëjtë ka mundur të zëvendësohet me një masë më të butë sesa tërheqja e padisë. Në këtë drejtim parashtruesja e kërkesës thekson: “Gjykata e shkallës së parë e DHPGJSK ka mundur që në pajtim me Udhëzimin administrativ nr.01/2017 për unifikimin e taksave ta ngarkojë palën edhe me një taksë shtesë prej 10 eurove, si taksë ndëshkuese, e jo ta marrë aktvendimin me të cilin e ka konsideruar të tërhequr padinë-kërkesën.”
Parashtruesja e kërkesës pretendon: “Theksojmë se si avokat, në DJPGJSK jam duke i përfaqësuar më se 200 lëndë të ish punëtorëve të Industrisë së Duhanit në Gjilan dhe deri tani asnjë herë nuk më ka ndodhë për shkak të një takse prej 20,00 euro, pala ta humbë të drejtën e saj.”
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 253
(Përmbajtja e padisë)
“253.1 Padia duhet të përmbajë:
a) kërkesën e caktuar në pikëpamje të çështjes kryesore dhe kërkesave aksesore;
b) faktet mbi të cilat paditësi e bazon kërkesën;
c) provat me të cilat vërtetohen faktet e tilla;
d) vlerën e kontestit;
e) bazën juridike dhe
f) të dhënat e tjera që duhet t’i ketë çdo parashtresë (neni 99 i këtij ligji).
253.2 Gjykata nuk është e lidhur me bazën juridike të kërkesëpadisë.
253.3 Gjykata do të veprojë sipas padisë edhe kur paditësi nuk e ka treguar bazën juridike të
kërkesëpadisë.
253.4 Paditësi ka për detyrë që padisë t’ia bashkangjis vërtetimin mbi taksën gjyqësore të paguar.
253.5 Në qoftë se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore të përcaktuar për padinë as pas vërejtjes së dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim nga detyrimi i pagimit të taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është tërhequr.”
LIGJI Nr. 04/L-033 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 10
(Aktgjykimet, Aktvendimet dhe Apelet)
“[...]
9. Kur kolegji i apelit pranon apelin, më së pari përcakton nëse apeli meriton shqyrtimin. Nëse kolegji i apelit vendos që apeli nuk meriton shqyrtim, ai nxjerr dhe i dorëzon palëve aktgjykimin me shkrim i cili hedh poshtë apelin, bashkë me një shpjegim të hollësishëm të arsyetimit ligjor përmes të cilit ka arritur tek aktgjykimi i tillë; në këtë rast, aktgjykimi apo aktvendimi që është subjekt i apelit bëhet i prerë dhe i plotfuqishëm, përveç në rastin e paragrafit 15. të këtij neni.
[...]”
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-033 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 60
Përmbajtja e ankesës
“[...]
2. Brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të apelit, Kolegji i Apelit merr vendim siç përcaktohet me paragrafin 9. të nenit 10 të Ligjit për Dhomën e Posaçme. Nëse Kolegji i Apelit vendos që ankesa nuk meriton të shqyrtohet, atëherë Kolegji hedh poshtë ankesën duke marrë dhe duke dorëzuar një Aktvendim përderisa është në përputhje me kushtet e paragrafit 9. të nenit 10 të Ligjit për Dhomën e Posaçme. Nëse merret një Aktvendim i tillë, atëherë përfundojnë procedurat e ankesës. Nëse Kolegji i Apelit vlerëson se ankesa meriton të shqyrtohet, atëherë ai merr dhe ai dorëzon Aktvendimin palëve.
[...].”
Neni 64
Procedurat e ankesës me gojë
“1. Me nismë të tij apo në bazë të kërkesës me shkrim nga një palë, Kolegji i Apelit vendos nëse do të mbajë apo jo më shumë seanca dëgjimore me gojë lidhur me ankesën gjegjëse. Kolegji i Apelit merr parasysh çfarëdo kërkese për procedurë gojore që parashtrohet nga ndonjëra palë, e cila paraqet arsyet e saja për parashtrimin e kërkesës për procedurë gojore. Kërkesa e tillë parashtrohet para përfundimit të procedurave të ankesës me shkrim.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0858-A0001] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 27 prillit 2023, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se parashtruesja e kërkesës kishte punuar në Ndërmarrjen Shoqërore Industria e Duhanit në Gjilan e emërtuar pas privatizimit si NSH “IDGJ Tobaco.” Parashtrueses së kërkesës, punëdhënësi nuk ia kishte paguar të ardhurat personale për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Pas ndërprerjen së marrëdhënies së punës, parashtruesja e kërkesës ishte njoftuar se “shumat-pagat” që i janë mbetur borxh sipas kontratës të punësimit nga punëdhënësi, do të mbesin përgjegjësi e punëdhënësit. Kërkesa e parashtrueses së kërkesës do të shqyrtohet sipas procedurave të likuidimit dhe se ajo do të kontaktohet kur të fillojnë këto procedura. Pas fillimit të procedurës së likuidimit të NSH “IDGJ Tobaco”, AKM-ja përmes mjeteve të informimit i kishte ftuar parashtruesen e kërkesës që lidhur me çfarëdo kërkese t’i drejtohet këtij institucioni për realizimin e të drejtave të saj. Ndërkohë, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar dokumentacionin për realizmin e të drejtave të saj lidhur për pagat e papaguara për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Autoriteti i Likuidimit të AKP-së e refuzoi të pavlefshme kërkesën e parashtrueses së kërkesës për kompensim të pagave të papaguara për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Autoriteti i Likuidimit të AKP-së kishte konstatuar se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është parashkruar bazuar në legjislacionin në fuqi. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës ishe ankuar në DHPGJS duke theksuar se vendimi i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm sepse-sipas ligjit në fuqi-kërkesat për kompensim të pagave të papaguara kundër NSH-ve në procedurë të likuidimit duhet të adresohen tek Autoritetit të Likuidimit të AKP-së dhe jo ndonjë gjykatë tjetër, prandaj kërkesa për kompensim nuk mund të jetë e parashkruar. DHPGJS-ja ia kishte dërguar një vërejtje parashtrueses së kërkesës për pagesën e taksës gjyqësore. DHPGJS-ja kishte theksuar se nga shkresat e lëndës konstatohet se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar këtë vërejtje më 14 qershor 2021, por i njëjti nuk e kishte paguar taksën gjyqësore dhe nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, me të cilën e kundërshtoi aktvendimin e ankimuar për shkak të të gjitha arsyeve ankimore. Në ankesë thuhej se konstatimi i DHPGJS-së se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e ka pranuar vërejtjen më 14 qershor 2021 nuk është i saktë, sepse ai nuk ka pranuar kurrfarë vërejtje për pagesën e taksës në emër të parashtrueses së kërkesës. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi aktvendimin e shkallës së parë të DHPGJS-së. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së konstatoi se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar këtë vërejtje më 14 qershor 2021, por i njëjti nuk e kishte paguar taksën gjyqësore dhe nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë.
Gjykata rikujton që parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së për shkak se DHPGJS-ja nuk ka mbajtur seancë dëgjimore ashtu që përfaqësuesit dhe vet asaj t’i jepej mundësia që të argumentojë lidhur me vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah, konstatimin e shkallës së parë të DHPGJS-së: “Dhoma e Posaçme e Gjykata Supreme e Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duke iu referuar shkresave të lëndës ka konstatuar se përfaqësuesi i autorizuar i parashtrueses së kërkesës edhe përkundër faktit që ka pranuar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore me datën:14.06.2021 nuk e ka paguar taksën gjyqësore në afatin kohor prej 15 ditëve. Andaj gjykata duke iu referuar dispozitës së nenit 253 paragrafi 5 të LPK-së ka vendosur ashtu si është përcaktuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.”
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: “Edhe pse përfaqësuesi i paditëses pretendon se ai nuk ka pranuar asnjë vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore, kjo demantohet me provën origjinale që gjendet në shkresat e lëndës, ku dëshmohet se kjo vërejtje është pranuar në emër të avokatit më 14 qershor 2021. Dëshmitë e dorëzuara nga avokati gjithashtu dëshmojnë se në emër të avokatit janë dorëzuar disa shkresa në posten në Gjilan më 14 qershor 2021, edhe pse ai mundohet që ta mohoj një gjë të tillë duke u munduar që fajin tua lë të tjerëve. Nga kjo gjendje e vërtetuar faktike, dëshmohet qartë se avokati e kishte pranuar vërejtjen por nuk ka paguar taksën gjyqësore, e as që ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë dhe Shkalla e parë e DHPGJSK-së me të drejtë e ka konsideruar ankesën si të tërhequr. Për këto arsye ankesa e paditëses refuzohet dhe rrjedhimisht vërtetohet aktvendimi i ankimuar i Shkallës së parë si i drejtë dhe i bazuar në ligj.”.
Gjykata po ashtu i referohet përmbajtjes të vërejtjes për pagesë të taksës gjyqësore të 14 qershorit 2021 të DHPGJS-së drejtuar përfaqësuesit të parashtrueses së kërkesës: “Ju informojmë që në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të kësaj vërejtjeje dhe fletëpagesave, jeni të obliguar që të kryeni pagesën e taksës gjyqësore për ankesë e përcaktuar sipas nenit 13.7 dhe 13.9 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore (UA nr. 01/2017). Në rast mosrespektimi të afatit, do të ngarkoheni edhe me një taksë shtesë prej 10 eurove (si taksë ndëshkuese): Për pagesën e taksës shtesë duhet të vini në Gjykatë të merrni fletëpagesat. Nëse këto taksa (taksa fillestare dhe taksa shtesë) nuk paguhen brenda periudhës së caktuar prej 15 ditësh, ankesa do të konsiderohet si e tërhequr ( neni 253.4, 253.5 i LPK si dhe neni 5.5.1,5.5.2 i UA nr. 01/2017). Ju keni mundësi të parashtroni kërkesë për lirim nga taksat gjyqësore për shkak të mungesës së mjeteve financiare (neni 8 i Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore). Formën e kërkesës mund ta gjeni në Administratën e Gjykatës.”
Në kontekst të pretendimit për vërejtje për pagesë të taksës gjyqësore, Gjykata vlerëson se nga shkresat e lëndës mund të vërtetohet se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës në mënyrë të pakontestueshme ka pranuar vërejtje për pagesë të taksës gjyqësore më 14 qershor 2021, të cilën rezulton se nuk e ka paguar. Rezulton se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës ka pasur mundësi për ta paguar taksën gjyqësore, por që nuk ka treguar ‘kujdesin e duhur’ për ta paguar taksën gjyqësore me qëllim të gjykimit të çështjes në merita.
Në kontekst të pretendimit për mbajtje të seancës dëgjimore, Gjykata vlerëson se nëse një gjykim i plotëson kriteret e publicitetit, është e nevojshme për të vlerësuar procedurat si tërësi (shih rastin e GJEDNJ-së Axen kundër Gjermanisë, nr. 8273/78, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 27). Karakteri i veçantë i rrethanave që mund të justifikojnë mos mbajtjen e seancës dëgjimore në thelb ka të bëj me natyrën e çështjeve që duhet t’i vendos një gjykatë e rregullt dhe jo shpeshtësia e situatave të tilla (shih rastet e GJEDNJ-së, Miller kundër Suedisë, nr. 55853/00, Aktgjykim i 8 shkurtit 2005, paragrafi 29).
Mbajtja e seancës dëgjimore mund të mos kërkohet kur nuk ngrehen çështje të besueshmërisë apo të fakteve të kontestuara që e bëjnë të nevojshme seancën dëgjimore ndërsa gjykatat e rregullta në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme mund të vendosin zgjidhin rastin bazuar në parashtresat e dorëzuara nga palët dhe materialet tjera me shkrim ( shih rastin e GJEDNJ-së Saccoccia kundër Austrisë, nr. 69917/01, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73).
Gjykata po ashtu vëren se GJEDNJ-ja po ashtu ka pranuar se mos mbajtja e seancës dëgjimore mund të justifikohet në rastet që thjeshtë ngrenë çështje ligjore të natyrës së kufizuar (shih rastin e GJEDNJ-së, Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), nr. 8/1997/792/993, Aktgjykim i 18 shkurtit 1998, paragrafi 49;) apo të cilat nuk kanë ndonjë ndërlikueshmëri të posaçme ( shih rastin e GJEDNJ-së, Speil kundër Austrisë, nr. 42057/98, Vendim mbi pranueshmëri i 5 shtatorit 2002).
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se procedurat e zhvilluara pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: (i) ngrenë vetëm çështje ligjore të natyrës së kufizuar siç vërejtja për pagesë të taksës gjyqësore; (ii) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërinë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme; dhe; se (iii) parashtresat dhe materialet në dispozicion i kanë mundësuar DHPGJS-së nxjerrjen e vendimeve në rastin e parashtrueses së kërkesës.
Përkitazi me pretendimin për mos mbajtje të seancës dëgjimore, Gjykata në jurisprudencën e saj ka konstatuar shkelje në rastet kur Kolegji i Apelit të DHPGJS-së ka vlerësuar çështje të faktit dhe të ligjit duke e ndryshuar kështu vendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së në dëm të parashtruesve të kërkesës (shih rastin e Gjykatës KI145/19, KI146/19, KI147/19, KI149/19, KI150/19, KI151/19, KI152/19, KI153/19, KI154/19, KI155/19, KI156/19, KI157/19 dhe KI159/19, parashtrues Et-hem Bokshi dhe të tjerët, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 81). Gjykata në jurisprudencën e saj po ashtu ka konstatuar se mos mbajtja e seancës dëgjimore nga Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së nuk bie ndesh me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, për shkak se rasti karakterizohet nga çështje të “natyrës së lartë teknike” apo “ekskluzivisht ligjore” dhe se i njëjti mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme bazuar në parashtresat dhe materialet tjera të dorëzuara nga palët (shih rastin e Gjykatës KI160/20 parashtrues Komuna e Gjilanit, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafët 98-105).
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata Supreme, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 34 dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Kumrije Ajeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile