Prishtinë, më 15 korrik 2024
Nr. ref.: RK 2467/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI219/23
Parashtrues
Ibrahim Bajrami
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-21-0453-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 15 qershorit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Ibrahim Bajrami nga Gërdoci, Komuna e Podujevës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesi i kërkesës përfaqësohet në Gjykatë nga Ramiz Suka, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [AC-I-21-0453-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së), të 15 qershorit 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 2 tetor 2023, parashtruesi i kërkesës, përmes postës, e dërgoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata). Gjykata e pranoi dhe regjistroi kërkesën më 4 tetor 2023.
Më 5 tetor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI219/23], caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues, ndërsa përmes Vendimit [nr. KSH. KI219/23] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 13 tetor 2023, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit për regjistrimin e kërkesës. Po të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Dhoma e Posaçme) për regjistrimin e kërkesës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 qershor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës parashtron kërkesë në Gjykatë për herë të dytë. Parashtruesi e parashtroi kërkesën e parë më 19 shkurt 2015 dhe e njëjta është regjistruar nga Gjykata me shenjën KI17/15. Gjykata, sipas kësaj kërkese, nxori Vendimin për heqje të kërkesës nga lista, për arsye se “parashtruesi nuk e plotësoi kërkesën e tij brenda afatit“.
Ajo që është e përbashkët për kërkesat KI17/15 dhe KI219/23 është se bëhet fjalë për një kontest i cili është iniciuar dhe zhvilluar nga parashtruesi i kërkesës para kolegjeve të Dhomës së Posaçme në lidhje me realizimin e së drejtës për përfitimin e një pjese prej 20% nga privatizimi i Ndërmarrjes Shoqërore “Ramiz Sadiku” (në tekstin e mëtejmë: NSH Ramiz Sadiku).
Gjykata në vazhdim të këtij Aktvendimi nuk do t’i paraqesë faktet e kërkesës KI17/15, sepse Gjykata tashmë kishte vendosur për të njëjtën kërkesë.
Përmbledhja e fakteve të kërkesës KI219/23
Më 25 qershor 2013, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Dhomën e Posaçme për kompensimin e 20% nga privatizimi i NSH “Ramiz Sadiku”. Në kërkesëpadinë e tij, paditësi theksoi se “ka qenë në marrëdhënie të përhershme të punës tek e paditura, deri në vitin 1990 kur me aktvendimin nr. 2/89 të datës 16 tetor 1989 ishte ndërprerë marrëdhënia e tij e punës”.
Më 8 qershor 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së nxori Aktvendimin [C-II-13-0181-C0001], përmes të cilit e hodhi poshtë si të papranueshme kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke theksuar se:
“Neni 42 pika 2 e Ligjit për Dhomën e Posaçme, parasheh se pala që pretendon një fakt apo ngjarje ka barrën e dëshmisë për të dëshmuar vërtetësinë e pretendimit të tillë, duke paraqitur parashtresat apo duke paraqitur provat materiale (të dokumentuara, fizike dhe/ose dëshmuese).
Pika 3 e këtij Ligji parasheh se pala që pretendon një fakt apo ngjarje ka mundësinë e arsyeshme për të paraqitur apo dorëzuar provat materiale për të mbështetur një pretendim të tillë, nëse pala e tillë dështon që të paraqesë apo dorëzojë provat e tilla, atëherë vlerësohet se pala nuk ka ofruar barrën e dëshmisë lidhur me pretendimin e tillë.
Sipas nenit 7 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, palët kanë për detyrë t’i paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat kontestohen faktet e tilla. Me fjalë të tjera, kushdo që thotë diçka duhet ta dëshmojë atë (ei incumbit probatio qui dicit).
Dhoma e Posaçme, pasi që shqyrtoi ankesën e dorëzuar dhe shkresat e tjera të lëndës konstatoi se padia duhet të hedhet poshtë si e papranueshme”.
Parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së ndaj Aktvendimit [C-II-13-0181-C0001] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, duke pretenduar “shkelje të rregullave të procedurës civile, vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, si dhe aplikimin e gabuar të së drejtës materiale”.
Më 15 qershor 2023, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktvendimin [AC-I-21-0453-A0001], përmes të cilit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke theksuar:
“Me dispozitën e nenit 74 paragrafi 2 të Ligjit për Dhomën e Posaçme (LDHP) theksohet se: “Çdo kreditor i Ndërmarrjes i cili ka dorëzuar me kohë kërkesën në Agjenci dhe i cili cenohet nga një vendim i Autoritetit të Likuidimit mund ta kundërshtojë vendimin e tillë, duke parashtruar një ankesë në Dhomën e Posaçme kundër Agjencisë brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit të vendimit”.
Duke u bazuar në dispozitën e lartcekur, Kolegji i Apelit vlerëson se paditësi në rastin konkret pa e shterur mundësinë që pas fillimit të procedurës së likuidimit, të paraqesë kërkesën e tij pranë Autoritetit të Likuidimit, e cila kërkesë në rast të refuzimit do të mund të goditej me parashtresë në DHPGJS-së, kishte paraqitur direkt padi në DHPGJS, çka në rastin konkret, duke e bërë kështu padinë e tij të papranueshme”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së cenon të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.
Megjithatë, parashtruesi i kërkesës e arsyeton shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës vetëm me pretendimin se “me këto aktvendime të DHPGJS-së janë shkelur të drejtat nga neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës – gjykimi i paanshëm sepse kolegjet e DHPGJS-së kanë përfunduar se unë nuk kam qenë punëtor i NSH Ramiz Sadiku”.
Parashtruesi i kërkesës i drejtohet Gjykatës duke kërkuar, “me kërkesën time dëshiroj të realizoj të drejtën në kompensimin e pagave, e cila rregullohet me rregullore dhe me dispozitat pozitive ligjore”.
Dispozitat përkatëse kushtetuese
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. [...]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Përveç kritereve të lartpërmendura, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë përcaktuar në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuar; (ii) konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0453-A0001] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 15 qershorit 2023; (iii) i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion në pajtim me ligjin; (iv) ka qartësuar të drejtat dhe liritë themelore që ai konsideron se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; si dhe (v) ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin ligjor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar, ku specifikohet që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastet e Gjykatës KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; dhe KI175/20, me parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohemi të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
Në këtë kontekst, dhe në vazhdim, për të vlerësuar pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht, për të vlerësuar nëse në rrethanat e këtij rasti kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në rrethanat e këtij rasti konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës ka iniciuar dhe zhvilluar procedurën pranë kolegjeve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke konsideruar se ai, si ish-punëtor i NSH “Ramiz Sadiku“, ka të drejtë për të përfituar një pjesë prej 20% nga privatizimi i ndërmarrjes në të cilën ai, siç pretendon, ka punuar deri në vitin 1990, në pozitën e gjellëbërësit kryesor. Të dy kolegjet e Dhomës së Posaçme e kanë refuzuar kërkesëpadinë e tij, duke konsideruar se kërkesa e tij nuk i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj, për faktin se “paditësi pa iu drejtuar fillimisht me një kërkesë Autoritetit të Likuidimit, pas fillimit të procedurës së likuidimit, kishte paraqitur padi”.
Megjithatë, përkundër pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata duhet të konstatojë se në kërkesë mungojnë plotësisht sqarimet e pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Më konkretisht, e vetmja gjë që përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës ka deklaruar në kërkesë për të justifikuar shkeljen, është se “shkelja ka ndodhur për shkak se kolegjet e DHPGJS-së kanë konstatuar se unë nuk kam qenë punëtor i NSH Ramiz Sadiku”.
Gjykata thekson se vetë konstatimi për shkeljen e pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës nuk është i mjaftueshëm në vetvete, në mënyrë që Gjykata, në rrethanat e rastit dhe pretendimeve konkrete, të konkludonte se kolegjet e Dhomës së Posaçme në çfarëdo mënyre kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës.
Prandaj, Gjykata gjen se në kërkesë nuk është ofruar ndonjë analizë e thukët lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin e specifikuar të Kushtetutës apo arsyetimin rreth pranueshmërisë dhe meritave të kërkesës. Thënë këtë, në kërkesë vetëm është përmendur neni 31 i Kushtetutës, pa ofruar përshkrimin se si aktvendimet e kontestuara të Dhomës së Posaçme kanë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin e specifikuar të Kushtetutës.
Në mbështetje të kësaj, Gjykata thekson veçanërisht se parashtruesi i kërkesës në procedurën para Gjykatës Kushtetuese, ishte përfaqësuar nga një përfaqësues-avokat, nga i cili pritet të ketë njohuri lidhur me kriteret procedurale që duhet plotësuar me rastin e parashtrimit të një kërkese pranë Gjykatës Kushtetuese për sa i përket pranueshmërisë së saj. Për më tepër, ai kishte jo një, por dy mundësi për të ndërtuar rastin për parashtruesin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, gjë që sigurisht nuk e bëri.
Në kuptim të kësaj, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të kësaj Gjykate, por edhe të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së, Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, Vendim, i 31 majit 2005; dhe Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim, i 25 shtatorit 2008);
kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri në fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
Në këtë rast konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon se aktvendimet e kontestuara kanë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin e lartpërmendur, mirëpo nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, rastet e Gjykatës Kushtetuese, KI175/20, me parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20, cituar më lart, paragrafi 52; dhe KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, cituar më lart, paragrafët 38-39).
Në lidhje me këto fakte, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk i ka theksuar qartë pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe, rrjedhimisht, nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara me nenin 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës (shih, rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI95/19, cituar më lart, paragrafi 33; KI157/21, cituar më lart, paragrafi 32).
Prandaj, Gjykata konkludon se parashtruesi i kërkesës në arsyetimin e pretendimit të tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës nuk i ka përmbushur kërkesat e paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës rreth pranueshmërisë dhe meritave të kërkesës së tij.
Përfundim
Në fund, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt” dhe të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, prandaj kërkesa deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, më 25 qershor 2024, njëzëri,
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Ibrahim Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile