Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimeve [CN. nr. 20/14 të 17 janarit 2018; CN. nr. 19/14 të 17 janarit 2018; dhe CN. nr. 407/14 të 28 marsit 2018] të Gjykatës Themelore në Prishtinë

Nr. të lëndës KI 113/18, KI 114/18 dhe KI 115/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI113/18, KI114/18 dhe KI115/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimeve [CN. nr. 20/14 të 17 janarit 2018; CN. nr. 19/14 të 17 janarit 2018 dhe CN. nr. 407/14 të 28 marsit 2018] të Gjykatës Themelore në Prishtinë

KI113/18, KI114/18 & KI115/18, parashtrues Halim Thaqi, Ramadan Grajqevci dhe Enver Hajrizi

Aktvendim për Papranueshmëri i datës 4 shtator 2019, publikuar më 26 shtator 2019.

Fjalët kyç: Kërkesa individuale, kërkesa të bashkuara, jashtë afatit, qartazi e pabazuar

Kërkesa KI113/18 ishte dorëzuar nga Halim Thaqi; Kërkesa KI114/18 nga Ramadan Grajqevci; dhe Kërkesa KI115/18 nga Enver Hajrizi. Parashtruesi i parë i kërkesës e kontestoi Aktvendimin [CN. nr. 20/14] e 17 janarit 2018 të Gjykatës Themelore, i cili i është dorëzuar atij më 1 shkurt 2018. Parashtruesi i dytë i kërkesës e kontestoi Aktvendimin [CN. nr. 19/14] e 17 janarit 2018 të Gjykatës Themelore, i cili i është dorëzuar atij më 1 shkurt 2018. Parashtruesi i tretë i kërkesës e kontestoi Aktvendimin [CN. nr. 407/14] e Gjykatës Themelore të 28 marsit 2018, i cili i është dorëzuar atij më 10 maj 2018.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Gjykata Themelore ua ka shkelur atyre të drejtat e garantuara me nenet 3, 24, 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës si dhe të drejtat e tyre të garantuara me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenet 7 dhe 10 të DUDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës, me arsyetim pothuajse identik të kërkesave të tyre të parashtruara nga avokati i tyre i përbashkët, pretenduan që ishte shkelur e drejta e tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të drejtën për mbrojtje të pronës ngase Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është lëshuar fare në gjykimin e rastit. Sipas tyre,  është “joligjore dhe jo e drejtë” që të përfundohet një çështje gjyqësore me veprime procedurale pa u lëshuar fare në bazën meritore të kontestit.

Lidhur me kërkesat KI113/18 dhe KI114/18, Gjykata vërejti që edhe parashtruesi i parë edhe i dyti kërkesat e tyre respektive në Gjykatë i kishin dorëzuar më 8 gusht 2018 ndërkaq vendimet e kontestuara të Gjykatës Themelore i kishin pranuar më 1 shkurt 2018. Faktin që parashtruesit i kanë pranuar vendimet e kontestuara të Gjykatës Themelore më 1 shkurt 2018, Gjykata e ka konfirmuar përmes fletëkthesave të pranuara nga vet Gjykata Themelore. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesat KI113/18 dhe KI114/18 janë dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar më Ligj dhe Rregullore të punës.

Lidhur me kërkesën KI115/18, Gjykata arriti në përfundimin se parashtruesi i tretë i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse para Gjykatës Themelore në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ.

Si përfundim, kërkesat KI113/18 dhe KI114/18 u shpallën të papranueshme për shkak se ishin dorëzuar jashtë afatit 4 mujor, ndërkaq kërkesa KI115/18 u shpall e papranueshme për shkak se ishte e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Halim Thaqi, Ramadan Grajqevci dhe Enver Hajrizi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile