Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. Nr. 464/2019 të 6 shkurtit 2020

Nr. të lëndës KI 75/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI75/20, Parashtruesi i kërkesës: Rrahman Rama, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. Nr. 464/2019 të 6 shkurtit 2020

KI75/20, aktvendim i 7 tetorit 2021, publikuar më 26 tetor 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë që parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kundër Komunës së Podujevës për shkak të largimit të objektit të përkohshëm të montuar (kiosk). Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës iu nënshtrua kontrollit gjyqësor, me ç’rast Gjykata Themelore, fillimisht, e miratoi kërkesëpadinë e parashtruesit si të bazuar dhe e obligoi Komunën e Podujevës që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar me largimin e objektit kontestues. Në procedurën e ankimimit, Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e ndryshuar të njëjtin ashtu që kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kompensim të dëmit e refuzoi si të pabazuar. Gjithashtu, Gjykata Supreme në procedurën e revizionit e refuzoi kërkesën e parashtruesit për revizion, duke konstatuar me atë rast se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është i drejtë dhe i ligjshëm.

Parashtruesi i kërkesës konteston pikërisht aktgjykimin e Gjykatës Supreme në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin u anulua dhe u ndryshua aktgjykimi i Gjykatës Themelore, duke theksuar të drejtën e punës dhe të ushtrimit të profesionit.

Megjithatë, në kërkesë, Gjykata nuk ka gjetur pretendime konkrete me të cilat parashtruesi i kërkesës arsyeton shkelje të nenit në fjalë të Kushtetutës, me ç’rast ai e vë Gjykatën në pozitë të tillë që ajo para vetes nuk ka pretendimet të ndërtuara, mbi bazën e të cilave Gjykata do të mund të shqyrtonte mundësinë e ekzistimit të shkeljes së nenit të Kushtetutës, të cilit i është referuar parashtruesi në kërkesë.

Duke pasur këtë parasysh, Gjykata në bazë të praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës gjyqësore të GjEDNj-së vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përbëjnë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Kjo sepse parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkelje të nenit të Kushtetutës, pa dhënë ndonjë arsyetim dhe pa mbështetur pretendimet e tij përkitazi me mënyrën se si aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, duke përfshirë edhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, mund të kenë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenin 49  të Kushtetutës.

Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës janë “pretendime të pambështetura ose të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Rrahman Rama

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile