Prishtinë, më 27 dhjetor 2022
Nr. ref.:RK2099/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI112/22
Parashtrues
“Suva Rechtsabteillung”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,
E. Rev. nr. 60/2021, të 6 qershorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gerxhaliu -Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga kompania e sigurimeve “Suva Rechtsabteillung”, me seli në Lucern të Zvicrës, e përfaqësuar nga ICS Assistance SH.P.K, përmes Besnik Z. Nikqit, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [E. Rev. nr. 60/2021] të 6 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ae. nr.125/2020] e 15 prillit 2021 të Gjykatës se Apelit të Republikës se Kosovës (në tekstin mëtejmë: Gjykata e Apelit) si dhe Aktgjykimin [IV. EK. nr. 81/2014] e 4 qershorit 2020 të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 28 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë.
Më 2 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi.
Më 2 gusht 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në po të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj.
Më 2 gusht 2022, Gjykata njoftoi Kompaninë e Sigurimeve “ILLYRIA” për regjistrimin e kërkesës.
Më 10 tetor 2022, Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që të dorëzojë përgjigjen në revizion drejtuar Gjykatës Supreme.
Më 12 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë revizionin dhe përgjigjen në revizion drejtuar Gjykatës Supreme.
Më 8 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës paraqet kërkesë për herë të shtatë në Gjykatë por rastet e mëparshme nuk kanë ngjashmëri me këtë rast.
Më 19 dhjetor 2011, S.Sh.A., e siguruara nga parashtruesi i kërkesës, kishte pësuar lëndime në një aksidenti komunikacioni të shkaktuar nga një person i siguruar nga Kompania e Sigurimeve “Illyria” me seli në Prishtinë. E siguruara e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht, S.Sh.A., ishte kompensuar nga parashtruesi i kërkesës në shumën prej 132,852,80 euro, në emër të “trajtimit mjekësor dhe kompensimit për shkak të paaftësisë në punë”.
Më 15 mars 2012, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për rimbursim pranë siguruesit përgjegjës - Kompania e Sigurimeve “Illyria” mbi bazën e të drejtës në subrogim.
Më 5 shkurt 2014, duke marrë parasysh që çështja e subgrogimit nuk ishte zgjidhur përmes kërkesës së lartcekur, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi kundër Kompanisë së Sigurimeve “Illyria” në Gjykatën Themelore, duke kërkuar kompensim dëmi fillimisht në shumën prej 108, 735. 05 euro, me kamatë prej 12% (dymbëdhjetë për qind) duke filluar nga 15 marsi 2012 dhe pas precizimit të kërkesëpadisë, kërkoi kompensimin e demit në shumën prej 94, 154. 22 euro, me kamatë prej 12% (dymbëdhjetë për qind). Kompania e Sigurimeve “Illyria” kishte paraqitur përgjigje në padi, përmes të cilës, kishte propozuar se kërkesëpadia duhet të refuzohet si e pabazuar me arsyetimin se (i) parashtruesi i kërkesës e kishte mbështetur kërkesëspadinë e tij në Ligjin Federal mbi Sigurimin Social Zviceran, dispozitat e të cilit nuk vlejnë në shtetin ku është iniciuar padia; (ii) me të dëmtuarën S.Sh.A., kishin arritur pajtim jashtëgjyqësor për kompensimin e të gjitha llojeve të dëmit material dhe jo material; si dhe (iii) padisë së parashtruesit të kërkesës i mungon baza ligjore sipas LMD-së.
Më 4 qershor 2020, Gjykata Themelore – Departamenti për Çështje Ekonomike përmes Aktgjykimit [IV. EK. nr. 581/2014], (i) e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) e detyroi Kompaninë e Sigurimeve “Illyria”, bazuar në ekspertizat përkatëse të 27 dhjetorit 2018 dhe asaj të 30 qershorit 2019, t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën e kompensimit 94, 154.22 euro në emër të dëmit; (iii) e detyroi Kompaninë “Illyria” t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës kamatën prej 8% (tetë për qind) në vit, duke filluar nga 5 shkurti 2014 deri në pagesën definitive; dhe (iv) detyroi palët në kontest që të i paguanin shpenzimet e tyre të procedurës. Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit të saj, njohu të drejtën në subrogim të parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 12 të Ligjit nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm) dhe arsyetoi përcaktimin e kamatës ndëshkuese prej 8% (tetë për qind) në vit, duke u bazuar në nenin 305 dhe 382 të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012.
Në një datë të pa specifikuar, Kompania e sigurimeve “Illyria” parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Aktgjykimi i kontestuar të ndryshohet ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe propozoi që Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet ashtu që Kompania e sigurimeve “Illyria” të paguaj kamatëvonesën në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë se aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm dhe shpenzimet kontestit në shumen prej 8,804.89 euro.
Më 1 dhjetor 2020, Gjykata Supreme nxori një Mendim juridik, përmes të cilit shprehi qëndrimin e saj për unifikimin e praktikës gjyqësore përkitazi me aplikimin e normave të interesit për të gjitha llojet e kontesteve civile.
Më 15 prill 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ae. nr. 125/2020], vërtetoi pjesërisht Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Të njëjtin, e ndryshoi vetëm përkitazi me shpenzimet e procedurës, duke e detyruar Kompaninë e Sigurimeve “Illyria” që të paguajë shpenzimet e procedurës në lartësi prej 7,932.00 euro në afat prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të Aktgjykimit.
Më 7 qershor 2021, Kompania e sigurimeve “Illyria” parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës se Apelit duke pretenduar (i) shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore me arsyetimin se dispozitvi i aktgjykimit të kontestuar është kontradiktor ndërmjet provave dhe arsyetimit; (ii) zbatim të gabuar të se drejtës materiale me arsyetimin se Ligji nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012, i cili nuk ka qenë në fuqi në kohën kur ka ndodhur aksidenti dhe përmes tij është vendosur gabimisht dhe lartësia e kamatëvonesës është aplikuar gabimisht në rrethanat e rastit të tij; si dhe (iii) vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që Aktgjykimi i kontestuar të ndryshohet ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Më 11 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti përgjigje në revizion duke kërkuar që (i) të ndryshohet pika I e Aktgjykimit [IV. EK. nr. 81/14] të 4 qershorit 2020, të Gjykatës Themelore përkitazi me kamatën e gjykuar; (ii) të detyrohet Kompania e sigurimeve “Illyria” që në shumën prej 42,575.16 euro, të paguara për detyrimet periodike të shpenzimeve të trajtimit mjekësor dhe kompensimit për paaftësi për pune para datës 20 dhjetor 2012 të paguaj kamatëvonesën në lartësinë e normës vjetore sikur për mjetet e depozituara në bankat afariste për një vit e pa destinim të caktuar duke filluar nga data 15 mars 2012 e deri në pagesën definitive, ndërsa për shumën 51, 578.84 euro, paguar për detyrimet të shpenzimeve të trajtimit mjekësor dhe kompensimit për paaftësinë në punë pas 20 dhjetorit 2012, të paguaj kamatëvonesën në lartësi të normës vjetor 8% (tetë për qind) në vit duke filluar nga data 15 mars 2012 e deri në pagesën definitive; si dhe (iii) të detyrohet Kompania e sigurimeve “Illyria” që të paguaj shpenzimet shtesë të procedurës kontestimore për përgjigje në revizion.
Revizioni dhe përgjigja në revizion, ndër të tjera, argumentojnë dhe kundër argumentojnë çështje që ndërlidhen me aplikueshmërinë e ligjit përkitazi me kamatën në rrethanat e rastit konkret në ndërlidhje me dispozitat e Mendimit Juridik të 1 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme. Përkitazi me kamatën, parashtruesi i kërkesës kishte theksuar se në përcaktimin e aplikueshmërisë së ligjit duhet të merret parasysh pika nëntë (IX) e Mendimit Juridik, e cila sipas parashtruesit rezulton se “rimbursimi për shpenzimet e trajtimit mjekësorë dhe kompensimit të kohës për paaftësi për pune të paguara deri me datën 20 dhjetor 2012 në shumën prej 42,575.16 euro të zbatohet norma e kamatëvonesës si për mjetet e depozituara në bankë. Mbi një vit dhe pa destinim të caktuar, ndërsa për pagat e rimbursimit nga data 20 dhjetor 2012 e tutje, në shumën e gjithëmbarshme prej 51,578.84 euro te zbatohet norma e kamatëvonesës prej 8% në vit”.
Më 6 qershor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E.Rev.nr.60/2021] aprovoj pjesërisht revizionin e paraqitur nga Kompania e Sigurimeve “Illyria” dhe rrjedhimisht Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe të Apelit e ndryshoi pjesërisht vetëm përkitazi me kamatën e gjykuar, duke e detyruar Kompaninë e Sigurimeve “Illyria” që shumen e kompensimit në vlerë prej 94, 154.22 euro, te aprovuar sipas Aktgjykimit [IV. EK.nr.581/2014] të 4 qershorit 2020, të Gjykatës Themelore, ta paguaj kamatën të cilën e paguajnë bankat vendore si për deponimet në kursim, në afat mbi një vit e pa destinim të përcaktuar, duke e llogaritur nga 5 shkurti 2014, e deri në pagesën definitive, nën kërcenim të përmbarimit të detyrueshëm, duke u bazuar në dispozitat e nenit 186 dhe 277 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të viti 1978 si dhe duke u bazuar në pjesën e parë, pika I të Mendimit Juridik [nr.265/2020] të Gjykatës Supreme, të 2 dhjetorit 2020. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj duke u mbështetur në dispozitat e lart cekura arsyetoi se fakti që aksidenti ka ndodhur para viti 2012 përjashton mundësin e aplikimit të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve siç kishte vepruar Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [E. Rev. nr. 60/2021] i 6 qershorit 2022 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, specifikisht pretendon shkelje të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, në përcaktimin e lartësisë së kamatëvonesës në “kërkesat për rimbursim” në rastin konkret nuk kishte respektuar në mënyrë të plotë Mendimin Juridik [nr. 265] të 1 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme, sepse ne zgjidhjen e rastit konkret kishte aplikuar vetëm pikën e parë (I) të këtij Mendimi Juridik, i cili trajtonte përgjithësisht ligjin e aplikueshëm në marrëdhëniet e detyrimeve dhe kishte anashkaluar aplikimin e pikës nëntë (IX) i cili trajtonte specifikisht aplikueshmerinë e ligjit në lidhje me lartësinë e kamatëvonesave në “kërkesat për rimbursim” siç ishte rasti i parashtruesit të kërkesës.
Përkitazi me pretendimin për mos arsyetim të vendimit gjyqësor, parashtruesi i kërkesës thekson se “Aktgjykimi [E. Rev. Nr. 60/2021] të 06.06.2022 karakterizohet nga mungesa e arsyetimit, respektivisht se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetim te mjaftueshëm dhe adekuate përkitazi me ndryshimin e Aktgjykimit të Gjykatës se Apelit të Kosovës [Ae. Nr. 125/2020], të datës 15.04.2021 lidhur me kamatëvonesën - me çfarë konsiderohet se është shkelur parimi kushtetuese i ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje.”
Parashtruesi i kërkesës thekson se Aktgjykimi i kontestuar [E. Rev. Nr. 60/2021] i 6 qershorit 2022, i Gjykatës Supreme “në pjesën e arsyetimit juridik është i mangët kur trajton çështjen e institutit te kamatëvonesës për sa i përket momentit të kamatëvonesës të kërkesat periodike dhe lartësisë se kamatëvonesës përkitazi me kërkesat e rimbursimit. Për më tepër, vendimi përkitazi me kamatëvonesën rezulton të jetë në kundërshtim me qëndrimin e saj nga Mendimi Juridik Nr. 265, me çfarë objektivisht edhe përjashtohet mundësia për një arsyetim ndryshe nga ajo që është prezantuar si në mendimin juridik Nr. 265, ashtu edhe në arsyetimin e tij. Ofrimi i arsyeve juridik i vendimit gjyqësore është një aspekt i rëndësishëm i procesit gjyqësorë”.
Në kontekst të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës thekson se “Gjykata Supreme si organ gjyqësore i instancës se fundit, është dashur të i kushtoj vëmendje të veçantë arsyetimit të vendimit, sidomos nëse merret parasysh fakti se është vendimi i instancës se fundit dhe vendimet e tilla themelojnë precedentë – që munde të jenë me rendësi të veçante për gjykatat e instancave me të ulta. Për me tepër në rastin konkrete, çështja e kamatvonesës ishte trajtuar me qëndrim përkatës të kësaj Gjykate me Mendimin Juridik Nr.265- ku me piken IX të pjesës se dytë ne detaje është rregulluar instituti i kamatëvonesës te “kërkesat për rimbursim” dhe atë si përkitazi me momentin kur debitori konsiderohet në vonese ashtu edhe për lartësinë e normës vjetore te kamatëvonesës prej 8%. Dështimi i Gjykatës Supreme, për të dhënë arsyetim adekuat dhe të mjaftueshëm në bazë të ligjit, cenon edhe parimin e sigurisë juridike për palët dhe pamundëson zhvillimin e një praktike konstante të interpretimit gjyqësorë për çështje të ngjashme”.
Parashtruesi i kërkesës në vazhdim thekson se “parashtruesi i kësaj kërkesës konsideron se tek kriteri për arsyetimin e vendimeve gjyqësore nuk mjafton qe arsyetimi të jetë vetëm formalisht i pranishëm. Arsyetimi i vendimit duhet domosdoshmërisht të plotësoj kriteret bazike dhe të mos ketë të meta të tilla serioze që cenojnë standardin e vendimit gjyqësore të arsyetuar”.
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se “[...] dështimi i Gjykatës Supreme që vendimet e saja ti mbështes në ligj dhe të përcjella me arsyetim adekuat përben veprim arbitrar dhe cenon të drejtën e parashtruesit për gjykim të drejtë”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson “Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka demonstruar rëndësinë arsyetimit te mjaftueshëm dhe adekuat te vendimeve gjyqësore – si element i rëndësishëm i se drejtës kushtetuese për gjykim të drejtë, kriter ky të cilin parashtruesi i kësaj kërkese konsideron se nuk është zbatuar në rastin konkret nga ana e Gjykatës Supreme”.
Përkitazi me pretendimet që ndërlidhen me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se Aktgjykimi i kontestuar është në kundërshtim me praktiken gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se “Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në çështjen konkrete jo vetëm se nuk ka dhëne një vendim të arsyetuar në mënyrë adekuate por ka dështuar edhe në përmbushjen e detyrimit kushtetuese konform nenit 53 të Kushtetutës për ta trajtuar çështjen gjyqësore në kontekst të praktikës relevante të Gjykatës Evropiane, aq më tepër kur vendos të ndryshoj pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës se Apelit të Republikës se Kosovës duke kufizuar ne mënyrë të konsiderueshme te drejtën e palës për rimbursim dhe me këtë rivendosjen”.
Përgjatë pretendimeve të tij, parashtruesi i kërkesës ka shtjelluar parimet themelore të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor siç është e garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe në mbështetje të këtyre argumenteve, parashtruesi i kërkesës i është referuar edhe praktikës gjyqësore të (i) Gjykatës në rastet KI55/09, parashtrues NTSH Meteorit, Aktgjykim i 3 dhjetorit 2010; KI135/14, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 10 nëntorit 2015; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2017; KI138/15, parashtrues "Sharr Beteiligungs GmbH" SH.P.K., Aktgjykim i 4 shtatorit 2017; si dhe (ii) GJEDNJ-së në rastet Hiro Balani kundër Spanjës (Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994); RuizTorija kundër Spanjës (Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994); Helle kundër Finlandës (Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997); Souminen kundër Finlandës (Aktgjykim i 1 korrikut 2003); Boldea kundër Rumanisë (Aktgjykim i 15 majit 2007); Grădinar kundër Moldovës (Aktgjykim i 6 shkurtit 2008).
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që (i) kërkesën e tij ta shpallë të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [E.Rev. nr. 60/2021] i 6 qershorit 2022 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Dispozitat relevante ligjore
Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i RSFJ-së, i 30 mars 1978
Kur rrjedh për pagesë detyrimi i kompensimi
Neni 186
Detyrimi i kompensimit të dëmit konsiderohet se rrjedh për pagesë që nga momenti i shkaktimit të dëmit.
III. KAMATËVONESA
Kur ka debitim
Neni 277
Debitori që vonon në përmbushjen e detyrimit në të holla debiton, përpos kryegjës, edhe kamatin sipas shkallës, e cila në vendin e përmbushjes paguhet në depozimet e kursimit me të parë.
Për detyrimin në të holla të rezultuar nga kontrata në ekonomi kamatëvonesën e cakton Këshilli Ekzekutiv Federativ.
Në qoftë se shkalla e kamatës kontrakuese është më e lartë nga sa shkalla e kamatësvonesës.
së parashikuar në paragrafin paraprak të këtij neni, ajo rrjedh edhe pas vonesës së debitorit.
Ligji Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, i 19 qershorit 2012
Neni 281
Subrogimi ligjor
Kur detyrimin e përmbush personi i cili ka ndonjë interes juridik në këtë çështje, atëherë i kalojnë këtij, në bazë të vet ligjit, në çastin e përmbushjes, kërkesat e kreditorit me të gjitha të drejtat aksesore.
I. VONESA E DEBITORIT
Neni 305
Kur debitori është në vonesë
1.Debitori është në vonesë kur nuk e përmbush detyrimin brenda afatit të caktuar për përmbushje.
2.Në qoftë se afati për përmbushje nuk është caktuar, debitori është në vonesë kur kreditori ta ftojë që ta plotësojë detyrimin e vet, verbalisht ose me shkrim, paralajmërim jashtë gjyqësor, ose duke filluar ndonjë procedurë, qëllimi i së cilës është realizimi i përmbushjes të detyrimit.
Neni 382
Kamatëvonesa
1. Debitori që vonon në përmbushjen e detyrimit në të holla debiton, përpos borxhit kryesor, edhe kamatën.
2. Lartësia e kamatëvonesës është tetë përqind (8%) në vit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj të veçantë.
Ligjit Nr. 06/L-054 për Gjykatat, i cili në nenin 14 parasheh mekanizmin për administrimin e drejtë të drejtësisë dhe shqyrtimin e ndryshimit të praktikës gjyqësore.
Neni 14
Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës
“[…]
2.10. Kryetari i gjykatës thërret takim vjetor të të gjithë gjyqtarëve për këshillim mbi Administrimin e Drejtësisë në atë gjykatë; për të analizuar organizimin e gjykatës; për të shqyrtuar dhe propozuar ndryshime në procedura dhe praktika”.
Mendim Juridik për Kamatën i miratuar në mbledhjen e përgjithshme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, më 1 dhjetor 2020
PJESA E PARË: Ligji i aplikueshëm:
I. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para datës 20.12.2012, për kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr. 29/78, 39/85, 57/89).
II. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur pas datës 19.12.2012, për kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, nr. 04/L-077, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, nr. 19/19, datë 19.06.2012.
III. Për kërkesat periodike të cilat kanë lindur nga marrëdhëniet e detyrimeve para datës 20.12.2012, por të cilat shtrihen (arrijnë për pagesë) edhe në periudhë pas datës 19.12.2012, ndërsa gjykata për çështjen objekt kontesti sipas padisë vendos pas datës 19.12.2012, atëherë ligj i zbatueshëm është:
për kërkesat periodike që kanë arritur për pagesë deri më datën 20.12.2012, lidhur me kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr.29/78, 39/85, 57/89);
për kërkesat periodike që arrijnë për pagesë pas datës 19.12.2012, për kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, Ligji nr. 04/L-077.
PJESA E DYTË: Shkalla/lartësia e kamatës:
IV. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para datës 20.12.2012, shkalla/lartësia e kamatëvonesës caktohet si për mjetet e depozituara në bankë, mbi një vit, pa destinim të caktuar.
[...]
VI. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur pas datës 19.12.2012, shkalla/lartësia e kamatëvonesës vjetore për të gjitha kërkesat do të caktohet në lartësi prej 8%, përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj të veçantë.
[...]
XI. Për rastet e kërkesave për kompensim të dëmit apo mbulimit të shpenzimeve për rastin e siguruar (kompensimin e rastit të siguruar) me policë vullnetare (sigurim vullnetarë), lartësia e kamatës caktohet sipas pikës IV (katër) dhe VI (gjashtë) të këtij mendimi juridik, varësisht se cili ligj është në zbatim në kohën kur paraqitet rasti i siguruar.
Përjashtimet nga pika IV (katër), V (pesë), VI (gjashtë), VII (shtatë), VIII (tetë), IX (nëntë) dhe X (dhjetë) për lartësinë e kamatës.
XII. Për kërkesat e palëve të treta ndaj Kompanive të Sigurimeve, kamata në lartësi prej 12% të interesit vjetor zbatohet llogaritet kur plotësohen kushtet ligjore, në rastet e mosrespektimit të afateve (neni 26, paragrafi 1 dhe 2 Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011) dhe mos- përmbushjes së detyrimit (neni 26, paragrafi 4, i ligjit të njëjtë) nga ana e siguruesve përgjegjës (Kompanitë e Sigurimeve) për çdo ditë vonese deri në shlyerjen e detyrimit nga siguruesi përgjegjës, duke filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.
Situatat kur aplikohet norma e interesit vjetor prej 12 %:
-Kur kërkesat e paraqitura tek Kompanitë e Sigurimeve, për dëmin në persona, nuk trajtohen në afat prej 60 ditësh;
-Kur kërkesat e paraqitura tek Kompanitë e Sigurimeve, për dëmin në pasuri, nuk trajtohet brenda 15 ditësh;
-Në pamundësi të përcaktimit të dëmit, respektivisht trajtimit të dëmshpërblimit në tërësi, siguruesi përgjegjës është i detyruar t'i paguaj palës së dëmtuar pjesën jokontestuese të dëmit në formë paradhënie, brenda aftit prej 60 ditësh për dëmin në persona dhe 15 ditësh për dëmin në pasuri.
XIII. Për pagesat në vonesë të debitorëve ndaj kreditoreve-institucioneve financiare, kredidhënëse, kamatëvonesa do të llogaritët në procedurën e përcaktuar me akte nënligjore nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), sipas normës/lartësisë së përcaktuar me kushte dhe afatet e marrëveshjes përkatëse të instrumentit kreditor, ndaj institucionit financiar përkatës.
Arsyetimi për pikën I (një) të mendimit juridik - Është standard i së drejtës civile që ligji material do të vlej në kohë të caktuar dhe territor të caktuar. Në këtë kontekst përcaktohet edhe zbatimi i dispozitave të Ligjit mbi/për Marrëdhëniet e Detyrimeve, duke marrë si bazë kohën e lindjes së marrëdhënieve juridike civile. Në praktikë është paraqitur si dilemë, dhe në disa raste është zbatuar në mënyrë të gabuar dispozita e ligjit i cili nuk ka qenë në fuqi në kohen e lindjes së marrëdhënies juridike civile.
[...]
Arsyetimi për pikën IX (nëntë) të mendimit juridik - Në praktikën gjyqësore paraqiten raste të shpeshta të kreditorëve për rimbursim të dëmit të cilët kanë përmbushur detyrimet paraprakisht ndaj palëve të treta, e të cilat kryesisht ndërlidhen me rastet e siguruara nga kompanitë e sigurimeve vendore me kompanitë e huaja. Për këtë lloj të kërkesave në praktikën e gjykatave është vërejtur interpretim dhe zbatim i dispozitave ligjore në disa forma sa i përket shkallës/lartësisë së kamatëvonesës për rastet e kërkesave për rimbursim. Kjo ka ndodhur për shkak se kreditorët me rastin e paraqitjes së kërkesave për rimbursim të dëmit duke iu referuar nenit 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011, kanë kërkuar që rimbursimi i kërkesës të bëhet me normë vjetore prej 12%, mirëpo Gjykata Supreme e Kosovës në Seancën e Përgjithshme të saj përmes këtij mendimi juridik ka vlerësuar se nuk mund të aplikohet norma/kamatëvonesa vjetore prej 12% në të gjitha rastet. Kjo për shkak se kërkesat e kreditorëve për rimbursim të dëmit kryesisht u referohen situatave për marrëdhëniet juridiko-civile, prandaj, kamatëvonesat vjetore të tilla duhet të paguhen sipas pikës IV (katër) dhe VI (gjashtë) të këtij mendimi juridik. Kjo nënkupton se në rast se kreditori ka përmbushur detyrimin ndaj palës së tretë, para datës 20.12.2012, norma e interesit do të zbatohet si për mjetet e deponuara në bankë mbi një vit pa destinim të caktuar, ndërsa në rast se kreditori ka përmbushur detyrimin ndaj palës së tretë pas datës 19.12.2012, atëherë shkalla/lartësia e kamatëvonesës do të zbatohet në shkallë prej 8%.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Në vazhdim, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës KI118/18, me parashtrues Eco Construction sh.p.k., Aktvendim për papranueshmëri i 10 tetorit 2020, paragrafi 29).
Ndërsa, për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligj e të shtjelluara më lart, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [E. Rev. nr. 60/2021], të 6 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton që:
"(2) Gjykata mund ta konsideroje kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si „qartazi e pabazuar“ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27 si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, gjatë vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtoj thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata rikujton se aksidenti kishte ndodhur në vitin 2011. Ai ishte shkaktuar nga i siguruari i Kompanisë se Sigurimeve “Illyria”, ndërsa i siguruari i parashtruesit të kërkesës S.Sh.A., kishte pësuar lëndime fizike. Përgjegjësia për aksidentin kishte rënë mbi të siguruarin e kompanisë së sigurimit “Illyria”. Parashtruesi i kërkesës e kishte kompensuar të siguruarën e tij, përkatësisht S.Sh.A., në shumën prej 132,852,80 euro, në emër të trajtimit mjekësor dhe kompensimit për shkak të paaftësisë në punë. Përkitazi për ketë shumë në vitin 2012, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Kompanisë së sigurimeve “Illyria” me kërkesën për kompensim mbi bazën e të drejtës në subrogim dhe në mungesë të një marrëveshjeje, iu drejtua Gjykatës Themelore përmes padisë.
Gjykata rikujton se kërkesa për kompensim të dëmit material ishte aprovuar nga Gjykata Themelore, dhe ishte caktuar kamata në lartësi prej 8% (tetë për qind) në vit, duke filluar nga 5 shkurti 2014 deri në pagesën definitive. Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të saj, arsyetoj përcaktimin e kamatës ndëshkuese prej 8% (tetë për qind) në vit, duke u bazuar në nenin 305 dhe 382 të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit kishte konfirmuar të drejtën e parashtruesit në kompensimin përkatës mbi bazën e subrogimit, por kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me shpenzimet e procedurës, duke e detyruar Kompaninë e Sigurimeve “Illyria” që të paguajë shpenzimet e procedurës në lartësi prej 7,932.00 euro.
Gjykata Supreme gjithashtu përfundimisht kishte konfirmuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës në kompensimin përkatës mbi bazën e subrogimit, por kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore edhe asaj të Apelit, përkitazi me kamatën. Gjykata Supreme kishte vendosur që Kompania e sigurimeve “Illyria” shumën e kompensimit në vlerë prej 94, 154.22 euro, të aprovuar sipas Aktgjykimit [IV. EK. nr. 581/2014] të 4 qershorit 2020, të Gjykatës Themelore, ta paguaj kamatën të cilën e paguajnë bankat vendore si për deponimet në kursim, në afat mbi një vit e pa destinim të përcaktuar, duke e llogaritur nga 5 shkurti 2014, e deri në pagesën definitive, duke u bazuar në dispozitat e nenit 186 dhe 277 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të viti 1978 si dhe duke u bazuar në pjesën e parë, pika I të Mendimit Juridik [nr.265/2020] të Gjykatës Supreme, të 1 dhjetorit 2020. Gjithashtu, Gjykata rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj duke u mbështetur në dispozitat e lartcekura arsyetoi se fakti që aksidenti ka ndodhur para vitit 2012 përjashton mundësinë e aplikimit të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve siç kishte vepruar Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, duke specifikuar se Aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-se. Gjykata rikujton se ne lidhje me pretendimin e tij për shkelje te nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon mos arsyetim të vendimit gjyqësor.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, për shkak se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk ofron arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuat lidhur me ndryshimin, përkitazi me llogaritjen e kamatëvonesës. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është në kundërshtim me Mendimin Juridik [nr. 265] të 1 dhjetorit 2020, sepse kishte anashkaluar aplikimin e pikës nëntë (IX) i cili trajtonte specifikisht aplikueshmerinë e ligjit në lidhje me lartësinë e kamatëvonesave në “kërkesat për rimbursim” siç ishte rasti i parashtruesit të kërkesës.
Në lidhje me ketë, Gjykata verën se parashtruesi i kërkesës pretendon se “Aktgjykimi [E.Rev.Nr.60/2021] të 06.06.2022 karakterizohet nga mungesa e arsyetimit, respektivisht se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuate përkitazi me ndryshimin e Aktgjykimit të Gjykatës se Apelit të Kosovës [Ae. Nr. 125/2020], të datës 15.04.2021 lidhur me kamatëvonesën - me çfarë konsiderohet se është shkelur parimi kushtetuese i ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje.”
Gjykata gjithashtu verën se parashtruesi i kërkesës pretendon se “Gjykata Supreme e Republikës se Kosovës në çështjen konkrete jo vetëm se nuk ka dhëne një vendim të arsyetuar në mënyrë adekuate por ka dështuar edhe në përmbushjen e detyrimit kushtetuese konform nenit 53 të Kushtetutës për ta trajtuar çështjen gjyqësore në kontekst të praktikes relevante të Gjykatës Evropiane, aq me tepër kur vendos të ndryshoj pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës se Apelit të Republikës se Kosovës duke kufizuar në mënyrë të konsiderueshme të drejtën e palës për rimbursim dhe me ketë rivendosjen”.
Gjykata vlerëson se në rastin konkret pretendimet për mosarsyetim të vendimit gjyqësor dhe moszbatim të praktikës gjyqësore së Gjykatës Kushtetuese dhe të GJEDNJ-së, për shkak të natyrës së rastit dhe ndërlidhjes së tyre, do t’i trajtojë në kuadër të një arsyetimi të vetëm.
Në dritën e këtyre sqarimeve, Gjykata do të shqyrtojë në vazhdim pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së.
Parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor
Garancitë e përmbajtura në nenin 6, paragrafin 1 përfshijnë obligimin e gjykatave që të që të arsyetojnë mjaftueshëm vendimet e tyre vërtetë (shih Aktgjykimin e GjEDNj-së H. kundër Belgjikës, kërkesa 8950/80, paragrafi 53, të 30 nëntorit 1987).Vendimi i arsyetuar u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë.
Edhe pse gjykata vendore ka një liri të caktuar të vlerësimit në pranimin e argumenteve dhe vendosjen për lejimin e provave, ajo gjithashtu ka edhe obligimin që të justifikojë veprimet e saj duke dhënë arsyetime për vendimet e saj (shih Aktgjykimin e GjEDNj-së Suominen kundër Finlandës, kërkesa 37801/97, të 1 korrikut 2003, paragrafi 36; si dhe rastin Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, aktgjykim i 24 prillit 2017, paragrafi 73).
Gjykata më e ulët ose autoriteti shtetëror, nga ana tjetër, duhet të japin arsye dhe arsyetime të tilla të cilat do t'u mundësojnë palëve të shfrytëzojnë në mënyrë efektive çdo të drejtë ekzistuese të ankesës (shih rastin e GJEDNJ-së Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, aktgjykim i 25 dhjetorit 2001, paragrafi 30).
Neni 6 paragrafi 1 i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument. (Shih, aktgjykimin e GJEDNJ-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, aktgjykim i 29 janarit 1990, paragrafi 26; aktgjykimin Perez kundër Francës, nr. 47287/99, aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81).
Nga natyra e vendimit që merr gjykata varet nëse Gjykata është e detyruar ta arsyetojë atë, dhe kjo mund të vendoset vetëm në dritën e rrethanave të rastit në fjalë: është e nevojshme të merren parasysh, ndër të tjera, llojet e ndryshme të parashtresave që një palë mund t'i paraqesë gjykatës, si dhe dallimet që ekzistojnë midis sistemeve juridike të vendeve në lidhje me dispozitat ligjore, rregullat zakonore, pozicionet juridike dhe paraqitjen dhe hartimin e aktgjykimeve (shih aktgjykimin e GJEDNJ Ruiz Toria kundër Spanjës, nr. 18390/91, aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27).
Megjithatë, nëse parashtresa e një pale është vendimtare për rezultatin e procedurës, ajo kërkon që t'i përgjigjet në mënyrë specifike dhe pa vonesë (shih aktgjykimin e GJEDNJ-së, Ruiz Toria kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 30; Aktgjykimi Hiro Balani kundër Spanjës , cituar më lart, paragrafi 28),
Prandaj, gjykatat vendase janë të obliguara që:
të shqyrtojnë argumentet kryesore të palëve (shih rastet e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, aktgjykim i 24 gushtit 2005, paragrafi 67; Donadze kundër Gjeorgisë, nr. 74644/01, aktgjykimi i 7 qershorit 2006, paragrafi 35);
të shqyrtohen me shumë rigorozitet dhe kujdes të veçantë kërkesat në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, KEDNJ dhe Protokollet e saj (shih rastet e GJEDNJ-së: Fabris kundër Francës, cituar më lart, paragrafi 72; Wagner dhe JMWL kundër Luksemburgut, nr. 76240/01, aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96).
Neni 6, paragrafi 1, nuk kërkon që Gjykata Supreme të japë një arsyetim më të detajuar kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore lidhur me bazën ligjore për refuzimin e ankesës sepse ajo ankesë nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e GJEDNJ-së, Burg dhe të tjerët kundër Francës, nr. 34763/02, vendim i 28 janarit 2003; Gorou kundër Greqisë (nr. 2), nr. 12686/03, vendim i 20 marsit 2009, paragrafi 41).
Në mënyrë të ngjashme, në një rast ku bëhet fjalë për një kërkesë që të lejohet parashtrimi i ankesës, që është një parakusht për procedurën te një gjykatë më e lartë, si dhe për të nxjerrë një aktgjykim të mundshëm, neni 6, paragrafi 1, nuk mund të interpretohet në atë kuptim që të urdhëron një arsyetim të detajuar të vendimit për refuzimin e kërkesës për parashtrimin e ankesës (shih rastet e GJEDNJ-së, Kukkonen kundër Finlandë (nr. 2), nr. 47628/06, aktgjykim i 13 prillit 2009,) paragrafi 24; Bufferne kundër Francës, nr. 54367/00, vendim i 26 shkurtit 2002).
Përveç kësaj, kur refuzon një ankesë, gjykata e apelit, në parim, thjesht mund të pranojë arsyetimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët (shih rastin García Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 26; shih, në kundërshtim me këtë, aktgjykimin Tatishvili kundër Rusisë, i 09 korrikut 2007, kërkesa nr. 1509/02) paragrafi 62). Megjithatë, koncepti i procedurës së drejtë nënkupton që gjykata vendase që ka dhënë një shpjegim të ngushtë për vendimet e saj, qoftë duke përsëritur arsyetimet e dhëna më parë nga një gjykatë më e ulët ose në ndonjë mënyrë tjetër, në fakt merrej me çështje të rëndësishme brenda juridiksionit të saj, që do të thotë se nuk i pranoi thjesht dhe pa përpjekje shtesë konkluzionet e arritura nga gjykata më e ulët (shih aktgjykimin Helle kundër Finlandës, nr. (157/1996/776/977), aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 60). Kjo kërkesë është aq më e rëndësishme nëse pala në kontest nuk ka pasur mundësi t'i paraqesë argumentet e saj gojarisht në procedurën para gjykatës vendase.
Megjithatë, gjykatat e apelit (në shkallën e dytë) të cilat kanë juridiksion për të hedhur poshtë ankesat e pabazuara dhe për të zgjidhur çështjet faktike dhe juridike në procedurën kontestimore, janë të obliguara të arsyetojnë se përse refuzuan të vendosin për ankesën (shih, rastin e GJEDNJ-së Hansen kundër Norvegjisë, nr. 15319/09, aktgjykim i 2 janarit 2015, paragrafët 77–83).
Përveç kësaj, GJEDNJ nuk përcaktoi se ishte shkelur e drejta në një rast në të cilin nuk është dhënë një sqarim specifik në lidhje me një pohim që i referohej një aspekti të parëndësishëm të rastit, përkatësisht mungesës së nënshkrimit dhe vulës, që është një gabim i një natyre më shumë formale sesa materiale dhe ai gabim u korrigjua menjëherë (shih rastin Mugoša kundër Malit të Zi, nr. 76522/12, aktgjykim i 21 shtatorit 2016, paragrafi 63).
Zbatimi i parimeve të përmendura për të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit E. Rev. nr. 60/2021 të Gjykatës Supreme duke pretenduar se “Aktgjykimi [E.Rev. Nr. 60/2021] të 06.06.2022 karakterizohet nga mungesa e arsyetimit, respektivisht se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetim te mjaftueshëm dhe adekuate përkitazi me ndryshimin e Aktgjykimit te Gjykatës se Apelit të Kosovës [Ae. Nr. 125/2020], të datës 15.04.2021 lidhur me kamatëvonesën - me çfarë konsiderohet se është shkelur parimi kushtetuese i ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje.”
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar Gjykatës Supreme “në pjesën e arsyetimit juridik është i mangët kur trajton çështjen e institutit te kamatëvonesës për sa i përket momentit te kamatëvonesës të kërkesat periodike dhe lartësisë se kamatëvonesës përkitazi me kërkesat e rimbursimit. Për më tepër, vendimi përkitazi me kamatëvonesën rezulton të jetë në kundërshtim me qëndrimin e saj nga Mendimi Juridik Nr. 265, me çfarë objektivisht edhe përjashtohet mundësia për një arsyetim ndryshe nga ajo që është prezantuar si ne mendimin juridik Nr. 265, ashtu edhe në arsyetimin e tij. Ofrimi i arsyeve juridik i vendimit gjyqësore është një aspekt i rëndësishëm i procesit gjyqësorë”.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të kontestuar, vetëm përkitazi me aplikueshmerinë e ligjit në lidhje me kamatëvonesën, duke e ndërlidhur sërish me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së, përkatësisht me të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor.
Në këtë aspekt, Gjykata verën se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme kishte dështuar të ofroj arsyetimi të mjaftueshëm saj përket bazës juridike në përcaktimin e kamatëvonesës në “kërkesat për rimbursim”ashtu siç parashihet me piken nëntë (IX) të Mendimit Juridik të 1 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme dhe kjo sipas parashtruesit të kërkesës “cenon edhe parimin e sigurisë juridike për palët dhe pamundëson zhvillimin e një praktike konstante të interpretimit gjyqësorë për çështje të ngjashme”.
Prandaj, duke pasur parasysh pretendimin kryesor ankimor të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideron se duhet të analizohet nëse Gjykata Supreme, ka dhënë arsye të qarta dhe të mjaftueshme mbi të cilat e ka mbështetur vendimin e saj për ndryshimin e aktgjykimeve të instancave më të ulëta, lidhur me kamatëvonesën.
Arsyetimi i Gjykatës Supreme në këtë pikë, thekson “Gjykata Supreme e Kosovës, e ka pranuar qëndrimin e gjykatës se shkalles se dytë dhe të parë, duke vlerësuar se e drejta materiale është zbatuar drejt, ndonëse janë aplikuar në mënyre të gabuar, por pa shkaktuar pasoja në ligjshmërinë e vendimeve të shkalles se dytë dhe parë, dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-077, për marrëdhëniet e detyrimeve, i cili në rastin konkret nuk mund të zbatohet, pasi ky ligj zbatohet vetëm për detyrimet e krijuara nga data 20 dhjetor 2012, date kur edhe ka hyre në fuqi, ndërsa demi është shkaktuar në aksidentin e komunikacionit me datën 09.09.2011, që nënkuptohet se dispozitat e këtij ligji nuk mund të aplikohen, por aplikohen dispozitat e Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve publikuar në GZ të RSFJ-së nr.29/78, dt.26.05.1978, 39/85 dhe 57/89, si ligji i aplikueshëm në këtë rast. Në esencë dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-077, për marrëdhëniet e detyrimeve, të aplikuara në këtë çështje, kanë përmbajtje të njëjte me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve publikuar në GZ të RSFJ-së nr. 29/78, dt.26.05,1978, 39/85 dhe 57/89, andaj edhe nuk kane ndikuar në ligjshmërinë e vendimit të shkalles se dytë dhe të parë, me përjashtim të dispozitave sa i përket kamatëvonesës, ku në këtë pjese aktgjykimi edhe është ndryshuar.”
Përveç kësaj, Gjykata Supreme thekson “Gjykata Supreme ka vlerësuar se revizioni i të paditurës, është i bazuar pjesërisht sa i përket llogaritjes se kamatës, ashtu që janë ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës se shkallës së dytë dhe të parë, në pjesën përkitazi me kamatën e gjykuar, ashtu që është vendosur te detyrohet e paditura, që shumën e aprovuar sipas aktgjykimit të shkallës së parë, t'i paguaj me kamatë të cilën e paguajnë bankat vendore si për deponimet ne kursim, ne afat mbi një vit e pa destinim të përcaktuar, duke e llogaritur nga data 05.02.2014, e deri në pagesën definitive, nen kërcenim të përmbarimit të detyrueshëm, dhe atë duke u bazuar në dispozitat e nenit 186 dhe 277 te LMD-së Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve publikuar ne GZ te RSFJ-se nr. 29/78, dt.26.05.1978, 39/85 dhe 57/89, si dhe mendimit juridik të Gjykatës Supreme nr. 265/2020, te datës 02.12.2020, në pjesën e parë, pika I, është përcaktuar që për detyrimet të cilat kanë lindur para datës 20.12.2012 aplikohen dispozitat e këtij ligji, ndërsa vet fakti se aksidenti ka ndodhur me datë 09.09.2011, përjashton mundësin e aplikimit të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (Ligji Nr. 04/L-077).”
Nga sa më sipër, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme me Aktgjykimin e kontestuar, ka dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme duke shtjelluar në detaje bazën ligjore mbi të cilën e ka mbështetur ndryshimin e kamatëvonesës, duke arsyetuar në mënyrë logjike se përse në rrethana të këtilla parashtruesit të kërkesës nuk mund t’i akordohet lartësia e kamatëvonesës e përcaktuar nga gjykatat e rregullta të cilat ishin bazuar në nenin 305 dhe 382 të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012 dhe arsyetoi se përse në rrethanat e parashtruesit të kërkesës aplikohen dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të RSFJ-së, të vitit 1978.
Në këtë drejtim, Gjykata Supreme, duke ju referuar rrethanave të rastit konkret dhe pikës se parë (I) të Mendimit Juridik të 1 dhjetorit 2020, Gjykatës Supreme, arsyetoi se Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve të RSFJ-së, të vitit 1978 është i aplikueshëm në rrethanat e rastit meqë aksidenti i sigurueses së parashtruesit të kërkesës kishte ndodhur para 20 dhjetorit 2012, respektivisht me 9 shtator 2011, datë kjo e cila, sipas Gjykatës Supreme, përjashton mundësinë e aplikimit të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012.
Gjykata verën se parashtruesi i kërkesës saj përket bazës ligjore për përcaktim të normës se kamatës, specifikisht thekson se Gjykata Supreme do te duhej që të bazohej në pikën nëntë (IX) të Mendimit Juridik të 1 dhjetorit 2020, dhe rrjedhimisht të vendoste kamatëvonesën në lartësinë e normës vjetore sikur për mjetet e depozituara në bankat afariste për një vit e pa destinim të caktuar për pagesat e bëra ndaj të siguruarës, para 20 dhjetorit 2012, ndërsa për pagesat e bëra pas 20 dhjetorit 2012, të vendoste kamatëvonesën prej 8% (tetë për qind).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës edhe më tutje mund të mos jetë i kënaqur me arsyetimin dhe bazën ligjore të zbatuar nga Gjykata Supreme. Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjit, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih rastet e Gjykatës KI128/18, parashtrues: Limak Kosovo International Airport J.S.C., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues: Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues: Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih rastin e GJEDNJ-së: García Ruiz kundër Spanjës, aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura atje; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI128/18, të cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, të cituar më lart, paragrafi 58).
Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës Supreme, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 2 dhjetorit 2020. Në këtë drejtim, Gjykata rikujton arsyetimin e Gjykatës Supreme përkitazi me aplikueshmerinë e ligjit, e cila duke iu referuar pikës (I) të Mendimit Juridik, kishte sqaruar se “fakti se aksidenti ka ndodhur me datën 09.09.2011, përjashton mundësin e aplikimit të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (Ligji Nr. 04/L-077).”
Në ketë drejtim, Gjykata do të i referohet pjesës relevante të Mendimit Juridik të 1 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, i cili thekson si në vijim:
“I. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para datës 20.12.2012, për kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr.29178, 39/85, 57/89).”
[...]
“IV. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para datës 20.12.2012, shkalla lartësia e kamatëvonesës caktohet si për mjetet e depozituara në bankë, mbi një vit, pa destinim të caktuar.
“VI. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur pas datës 19.12.2012, shkalla lartësia e kamatëvonesës vjetore për të gjitha kërkesat do të caktohet në lartësi prej 8%, përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj te veçantë.”
Në këtë aspekt, Gjykata dëshiron të vë në pah faktin se Gjykata Supreme, si instancë më e lartë e gjyqësorit të rregullt, ka përmbushur detyrimin e saj ligjor dhe kushtetues, duke unifikuar praktikën gjyqësore përmes nxjerrjes së një akti parimor (mendimit juridik), të cilin detyrohen ta zbatojnë të gjitha nivelet e instancave gjyqësore, përfshirë vetë Gjykatën Supreme. Ky akt juridik eviton probabilitetin e shkeljes së të drejtës në gjykim të drejtë përkatësisht të parimit të sigurisë juridike.
Gjykata, nga të gjitha shtjellimet e sipërtheksuara, në rrethanat e rastit konkret, konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë Gjykatës Supreme. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Përveç kësaj, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar, përmban arsyetim logjik dhe sqaron me saktësi dhe reference të qartë ligjore se përse në rastin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me kamatën janë aplikuar dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të RSFJ-së, të vitit 1978 dhe përse rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës përjashtojnë aplikimin e Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012 (shih rastet e GJEDNJ-së Ruiz Toria kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 30; Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 28).
Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqet pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare në mënyë efektive; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës; dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kontestuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42; si dhe rasti KI128/18, i cituar më lart, paragrafi 58).
Si përmbledhje, lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor, Gjykata konkludon se Gjykata Supreme: (i) ka dhënë bazën juridike dhe ka shpjeguar me qartësi se përse në rastin e parashtruesit të kërkesës nuk zbatohet kamatëvonesa prej 8%; (ii) Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe përfundimeve të nxjerra; (iii) si rrjedhojë logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe përfundimeve ka rezultuar se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, E. Rev. 60/2021, e plotëson kushtin e një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor. (shih rastet e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, aktgjykim i 24 gushtit 2005, paragrafi 67; Donadze kundër Gjeorgisë, nr. 74644/01, aktgjykim i 7 qershorit 2006, paragrafi 35);
Prandaj, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur me prova pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 8 dhjetor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
“Suva Rechtsabteillung”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile