Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 2/2020, të 19 shkurtit 2020

Nr. të lëndës KI 64/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI64/20 Parashtrues: Asllan Meka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 2/2020, të 19 shkurtit 2020

KI64/20 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 22 korrik 2020, i publikuar më 3 gusht 2020

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, procedure civile, kërkese e papranueshme, kerkese qartazi e pa bazuar

Kërkesa është dorëzuar nga Asllan Meka nga Gjakova.

Sipas shkresave të lëndës, më 26 shkurt 2008, parashtruesi i kërkesës, së bashku me tre persona të tjerë, E.M, S.M dhe SH.K.M, si huamarrës, lidhi kontratën mbi huan me paditësin A.K., si huadhënës, sipas së cilës pranuan huan në shumë prej 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) euro, me afat të kthimit prej 1 (një) viti. Në një datë të paspecifikuar, pasi që huamarrësit nuk ia kishin kthyer borxhin, huadhënësi A.K paraqiti padi pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër parashtruesit të kërkesës dhe huamarrësve të tjerë, E.M, S.M dhe SH.K.M, për kthimin e borxhit prej 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) euro.

Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 301/14] miratoi në tërësi kërkesën e paditësit A.K, dhe detyroi solidarisht parashtruesin e kërkesës dhe të paditurit tjerë E.M, S.M dhe Sh.K.M, që në emër të kthimit të borxhit në bazë të kontratës mbi huan, t’ia paguajnë paditësit shumën prej 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) euro, me kamatë përkatëse ligjore, e cila fillon të rrjedhë nga data 24.03.2010 e tutje, e deri në pagimin definitiv, në lartësi të cilën e paguajnë bankat komerciale në Kosovë për mjetet e deponuara në bankë. Po ashtu Gjykata e Apelit e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndërsa Gjykata Supreme refuzoi revizionin e paraqitur nga ana e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 1 [E drejta e Pronës] të Protokollit I, dhe me nenet 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] dhe 13 [E drejta për ankim efektiv] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata vëren që të gjitha gjykatat e rregullta kishin adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kishin konstatuar se shuma prej 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) euro ishte marrë hua nga ana e parashtruesit të kërkesës dhe personave E.M, S.M dhe SH.K.M nga paditësi A.K, gjë që vërtetohet përmes kontratës së lidhur mes tyre dhe dëftesës së dorëzimit të të hollave, dhe se kjo shumë duhet ti kthehet huadhënësit.

Në këtë aspekt, Gjykata më tej konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedurat në Gjykatën Supreme apo në gjykatat e tjera të rregullta kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë. (Shih, rasti KI63/16, parashtrues i kërkesës Astrit Pira, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 gushtit 2016, paragrafi 44 dhe shih, gjithashtu rastin KI150/15; KI161/15; KI162/15; KI14/16; KI19/16; KI60/16 dhe KI64/16, parashtrues të kërkesës Arben Gjukaj, Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku dhe Sami Lushtaku, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 nëntorit 2016, paragrafi 62).

Si përfundim, në pajtim rregullin 39 (2) të Rregullores së punës kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.

Parashtruesit:

Asllan Meka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile