Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E.Rev.nr.36/2021, të 30 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI24/22

Parashtruesit: Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë

Shkarko:

KI24/22, Parashtrues: Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E.Rev.nr.36/2021, të 30 shtatorit 2021 

KI24/22, Aktvendim për papranueshmëri i 27 tetorit 2021, publikuar më 23 nëntor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, normat juridiko-detyrimore, nuliteti i marrëveshjes, kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin me padinë që pala paditëse kishte paraqitur kundër parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore ashtu që të detyrohet parashtruesi i kërkesës që paditësit t’ia kthejë shumën e mjeteve financiare prej 89.275.53 euro të inkasuara në emër të kthimit të parakohshëm të kredisë. Gjykata Themelore e miratoi kërkesëpadinë e palës paditëse kundër parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të aprovohet e bazuar dhe të ndryshohet aktgjykimi ankimor ashtu që të refuzohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës apo çështja të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata e Apelit e refuzoi të pa themeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale  me propozim që të ndryshohen të dy aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët ashtu që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të refuzohet e pabazuar ose të aprovohet revizioni.  Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës i paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime të karakterit të përgjithshëm të shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar. Parashtruesi i kërkesës pohoi që gjykatat e rregullta të të tri instancave nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të logjikshëm kur kanë gjykuar rastin e tij. Parashtruesi i kërkesës, në mënyrë paksa më konkrete, pretendoi se  gjykatat e rregullta kanë tejkaluar kërkesëpadinë e paditësit ashtu që i njëjti kishte kërkuar anulimin e nenit 7 të marrëveshjes për kredi, kurse gjykatat e rregullta kishin detyruar parashtruesin e kërkesës që t’ia kthejë shumën prej 89,275.53 euro.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme por edhe Gjykata e Apelit: (i) kanë dhënë një arsyetim gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës paditëse; (ii) Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për shkaqet e nulitetit të nenit 7 të marrëveshjes për kredinë dhe kundërshtisë së kësaj të fundit me parimet e përcaktuara nga normat juridiko-detyrimore që ndalojnë pasurimin pa bazë ligjore në dëm të tjetrit.

Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile