Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit  të Gjykatës së Apelit AC. nr. 2084/21 të 25 korrikut 2022

Nr. të lëndës KI17/23

Parashtruesit: Ismail Musliu

Shkarko:

KI17/23, parashtrues: Ismail Musliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit  të Gjykatës së Apelit AC. nr. 2084/21 të 25 korrikut 2022

KI17/23, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2023, publikuar më 3 tetor 2023

Fjalët kyç: pretendime të shkallës së katërt, pretendime të pambështetura ose të paarsyetuara, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare nga punëdhënësi. Parashtruesi i kërkesës i paraqiti kërkesë [33] KEK-ut që t’i paguajë shumën në lartësinë e tri pagave në emër të shpërblimit jubilar. KEK me Vendimin [Nr. 334] e refuzoi kërkesën e parashtruesit me arsyetimin se kërkesa e tij nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara. Pas parashtrimit të ankesës në gjykatat e rregullta, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 223/19] (i) e aprovoi pjesërisht padinë e parashtruesit të kërkesës dhe e detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë tri paga mujore në shumën e përgjithshme prej 2.034,00 eurosh me kamatë ligjore prej 8 % në vit. Këtë vendim në favor të parashtruesit e kontestoi KEK-u në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin [AC. nr. 2084/21] e miratoi ankesën e KEK-ut si të bazuar dhe e ndryshoi aktgjykimin [C. nr.  223/19] të Gjykatës Themelore, duke refuzuar kërkesën me arsyetimin se parashtruesi e ka bazuar kërkesën për shpërblim jubilar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe se kushtin për shpërblimin jubilar prej 30 vitesh përvojë pune e kishte përmbushur para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës thekson se aktgjykimi i kontestuar cenon të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 3, 24, 31, 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës dhe me nenet 6 dhe 13 të KEDNJ-së.

Në dritën e sa më lart, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë:  (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse me rastin e refuzimit të kërkesës së tij si të paafatshme, është interpretuar dhe zbatuar gabimisht neni 87  i Ligjit të Punës, si dhe nuk janë zbatuar drejt nenet 52 dhe 53  të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; (ii) me pretendimin për mohimin e mjeteve juridike, dhe (iii) me pretendimin për shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese.

Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, janë qartazi të pabazuara, sepse të njëjtat cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së parë (i) të “shkallës së katërt” dhe kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.

Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa në tërësinë e saj duhet të shpallet si qartazi e pabazuar dhe, rrjedhimisht, e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ismail Musliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile