Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [REV. nr. 59/2021] të Gjykatës Supreme, të 6 majit 2022

Nr. të lëndës KI178/22

Parashtruesit: Ibrahim Tërnava

Shkarko:

KI178/22, Parashtrues: Ibrahim Tërnava, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [REV. nr. 59/2021] të Gjykatës Supreme, të 6 majit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim i paarsyetuar gjyqësor në lidhje me  moskonsistencë të praktikës, siguria juridike 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI178/22, me parashtrues Ibrahim Tërnava, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [REV.nr.59/2021] të 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

Gjykata, njëzëri, vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) ta shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev. nr. 59/2021] e 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme, dhe ta kthejë të njëjtin për rishqyrtim.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhet me padinë e parashtruesit të kërkesës për anulimin e vendimit të të paditurës, përkatësisht Hekurudhave të Kosovës, përmes të cilit të njëjtit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, e cila parashihte shkuarjen në pritje të pensionit, për punëtorët e Hekurudhës të cilët kishin arritur moshën 60 vjeçare ose kishin akumuluar së paku 35 vjet të punësimit gjatë vitit 2001, bazuar në Instruksionet Administrative të Departamentit të Transportit dhe Infrastrukturës nr. 2001/3 të 27 shkurtit 2001. Përmes padisë së lartcekur, parashtruesi i kërkesës, kishte kërkuar (i) kthimin e tij në vendin e punës; dhe (ii) kompensimin e pagave për periudhën 28 shkurt 2001 deri më 1 tetor 2007. Pasi rasti i tij ishte rikthyer në rishqyrtim nga gjykatat e rregullta disa herë,  përgjatë tre (3) procedurave gjyqësore, të cilat ktheheshin në rigjykim, parashtruesit në parim i aprovohej kërkesëpadia që nga vendimi i parë i Gjykatës Komunale i 12 shkurtit 2003, e deri në procedurën e tretë gjyqësore e cila ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme përmes vendimit të 12 prillit 2012. Në vijim, më 5 janar 2016, Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte (i) anuluar Vendimin e lartcekur të të paditurës; (ii) detyruar të paditurën që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e punës; si dhe (iii) t’ia kompensojë në emër të të ardhurave personale shumën prej 16.646,37 euro për kontributin pensional, si dhe shpenzimet tjera procedurale. Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit, ndërsa Gjykata Supreme ndryshoi Aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

Këtë vendimmarrje të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës e kontestoi para Gjykatës duke pretenduar shkelje t të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, përfshirë në kontekst të mungesës së konsistencën së praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta. Parashtruesi i kërkesës vë theksin tek mungesa e arsyetimit nga Gjykata Supreme, ndër tjerash, në kontekst të (i) aplikueshmërisë së Instruksionit Administrativ të Departamentit të Transportit dhe Infrastrukturës nr. 2001/3; dhe (ii) mungesës së konsistencës së praktikës gjyqësore, si rezultat i vendosjes ndryshe në katër (4) raste me rrethana të njëjta faktike dhe juridike nga ana e Gjykatës Supreme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç garantohen me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kontekst të (i) vendimit të arsyetuar gjyqësor, përfshirë ndërlidhur me mungesën e konsistencës së praktikës gjyqësore; dhe më pas i (ii) zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, përfshirë ato që ndërlidhen me rëndësinë e konsistencës së praktikës gjyqësore konstatoi që për dallim nga të gjitha Aktgjykimet tjera dhe të cilat parashtruesi i kërkesës i kishte dorëzuar në Gjykatë dhe të cilat korrespondojnë plotësisht me gjendjen faktike dhe juridike të Aktgjykimit të nxjerrë në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme kishte aplikuar Instruksionin Administrativ nr. 2001/3 në vlerësimin e ligjshmërisë së ndërprerjes së marrëdhënies së punës së punëtorëve, përkatësisht parashtruesit të kërkesës. Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se ajo ka parasysh mundësinë që gjykatat e rregullta, gjatë ndërtimit të praktikës gjyqësore, mund të marrin vendime të ndryshme, gjë që pasqyron zhvillimin e praktikës gjyqësore. Megjithatë, theksoi që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shmangiet nga konsistenca e praktikës gjyqësore duhet të kenë justifikime dhe arsyetime objektive dhe të arsyeshme, të cilat, në rastin konkret në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme mungojnë dhe për pasojë, i njëjti duhet të kthehet në rishqyrtim nga Gjykata Supreme.

Parashtruesit:

Ibrahim Tërnava

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile