Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 312/2022], të 15 gushtit 2022, të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI205/22

Parashtruesit: Sefedin Smakolli

Shkarko:

KI205/22, Parashtrues: Sefedin Smakolli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 312/2022], të 15 gushtit 2022, të Gjykatës Supreme

KI205/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 31 maj 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, pretendime të shkallës së katërt, pretendime të pambështetura dhe të paarsyetuara, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare nga punëdhënësi. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën [9941] në KEK që t’ ia paguaj tri paga në emër të shpërblimit jubilar. KEK përmes vendimit [nr. 11269] refuzoi kërkesën e parashtruesit me arsyetimin se kërkesa e tij nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara. Pas ankimimit në gjykatat e rregullta, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 4832/19] aprovoi pjesërisht padinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës t’ ia paguaj tri paga mujore, në shumë të përgjithshme prej 2.217.00 euro me kamatë ligjore prej 8 % në vit. Ky vendim në favor të parashtruesit të kërkesës ishte kontestuar nga KEK në Gjykatën e Apelit, e cila përmes Aktgjykimit [AC. nr. 10402/2021] aprovoi si të themeltë ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 4832/19] e Gjykatës Themelore të 22 janarit 2021, duke refuzuar kërkesën e parashtruesit me arsyetimin se parashtruesi – kërkesën e tij për shpërblimin jubilar e ka mbështetur në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe se kushtin për shpërblim jubilar për 30 (tridhjetë) vite të përvojës së punës e ka arritur para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës. Ky vendim ishte konfirmuar nga Gjykata Supreme me arsyetimin se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ishte e aplikueshme nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017, andaj kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare ishte paraqitur jashtë afatit.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar shkel të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 3, 24, 31, 32, 54, dhe 102 të Kushtetutës dhe nenet 6 dhe 13 të KEDNj-së.

Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë: (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse nuk është interpretuar drejtë dhe është zbatuar gabimisht neni 87 i Ligjit të punës me rastin e refuzimit të kërkesës së tij, si të parashkruar, dhe moszbatim të duhur të nenit 52 dhe 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; (ii) pretendimin për mohimin e mjeteve juridike, si dhe (iii) pretendimet për shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese.

Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës dhe të KEDNj-së, janë qartazi të pabazuara, sepse të njëjtat cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së parë (i) të “shkallës së katërt” dhe kategorisë së tretë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.

Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa, në tërësinë e saj, duhet të deklarohet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sefedin Smakolli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile