Prishtinë, më 24 dhjetor 2024
Nr. ref.:RK2598/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI 126/23
Parashtrues
Sh.P.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.57/2023, të 6 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Safet Hoxha, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Sh.P, me vendbanim në Deçan (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që identiteti i tij të mos zbulohet, me arsyetimin: “Për shkak të relacioneve të krijuara ngase i akuzuari N.P, tani në liri është i afërt i parashtruesit të kërkesës për shkak të komplikimit të raporteve të mëtutjeshme kërkoj që identiteti i parashtruesit të kërkesës të mos zbulohet ngase zbulimi i kësaj do ti keqësonte akoma më shumë raportet familjare.”
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.57/2023], të 6 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës, më 10 maj 2023.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me pretendimin se i njëjti është marr në shkelje të neneve 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 9 qershor 2023, Gjykata e pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, të dorëzuar në postë, më 7 maj 2023.
Më 15 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR.KI.126/23, caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues, dhe me Vendimin KSH.KI126/23, emëroi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka - Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 22 qershor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 15 shtator 2024, gjyqtari Enver Peci, bazuar në nënparagrafin 3, paragrafi 1, të nenit 18 (Përjashtimi i gjyqtarit) të Ligjit dhe nënrregullin 1 të rregullit 38 (Procedura për përjashtim) të Rregullores së punës, kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin KI126/23.
Më 10 shtator 2024, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin KK.553/24, miratoi kërkesën e gjyqtarit Enver Peci, për përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin K126/23.
Më 11 shtator 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KI126/23 caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, gjyqtar raportues për rastin KI126/23.
Më 26 nëntor 2024, vendimmarrja për rastin u shty për plotësime shtesë.
Më 10 dhjetor 2024, gjyqtari Safet Hoxha u zgjodh Zëvendëskryetar i Gjykatës, dhe nga kjo datë filloi mandati i tij si Zëvendëskryetar i Gjykatës.
Më 19 dhjetor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Parashtruesi i kërkesës është vëllai i të ndjerës D.P, e cila më 9 nëntor 2015, ishte privuar nga jeta me armë zjarri. Bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se më 9 nëntor 2015, e ndjera D.P, kishte dal nga shtëpia e saj rreth orës 13:40, duke u nisur për në vendin e punës, në dyqanin “Liridoni” në Pejë. Të njëjtën ditë ishte konfirmuar zhdukja e saj, për t’u gjetur më pas, nga disa kalimtarë të rastit, më 17 dhjetor 2015, pa shenja jete në vendin e quajtur “Kroni i Lajthisë”. Sipas organeve të hetuesisë, për vrasjen e të ndjerës D.P, dyshohej se ishte N.P, i cili për këtë arsye, më 22 dhjetor 2015, u dërgua në paraburgim.
Më 8 qershor 2017, Prokuroria Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria), ngrit aktakuzë [PP/I.nr.372/2015] ndaj të akuzuarit N.P, për shkak të dyshimit për kryerjen veprës penale “vrasja e rëndë”, nga nënparagrafët 1.4 dhe 1.12, të paragrafit 1 të neni 179 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK), dhe veprës penale “mbajtje në pronësi dhe kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga paragrafi 1 i neni 374 të KPRK-së.
Më 6 mars 2018, Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda nxori Aktgjykimin [PKR.nr.59/2017], me të cilin: (i) të akuzuarin N.P, e liroi nga akuza për veprën penale “vrasja e rëndë” dhe (ii) e shpalli fajtor për veprën penale, “mbajtja në pronësi dhe kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” , duke i shqiptuar dënim unik me burgim, në kohëzgjatje prej dy (2) vite, e katër (4) muaj. Gjykata Themelore, për rastin në fjalë kishte administruar: (i) dëshmitë e dëshmitarëve; (ii) raportin e autopsisë të kryer nga eksperti i mjekësisë ligjore; (iii) raportin e analizave laboratorike të FBI-së; (iv) ekzaminimin balistik të siguruar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë; (v) raportet mbi analizën e listingut; (vi) hartografinë e siguruar nga PTK-Vala; (vii) të gjitha raportet e hetuesisë mbi rastin; (viii) analizën e kamerave të sigurisë; (ix) ekspertizën laboratorike, të bërë në Laboratorin e Kriminalistikës të TNP-së, në Ankara të Turqisë.
Më konkretisht, Gjykata Themelore, kishte arsyetuar: “Nga gjendja e fakteve të vërtetuara në këtë mënyrë, gjykata ka ardhur në përfundim se nuk është provuar që i akuzuari N.P, ta ketë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par.1 dhe 1.12, të KPK-së, sikurse që akuzohet, andaj në kuptim të nenit 364 par.1 pika 1.3 të KPPK-së e ka liruar nga akuza.” [...]. Përveç se i akuzuari në të gjitha fazat e procedurës por edhe në shqyrtim kryesor e ka pranuar fajësinë për veprat penale, mbajtja në pronësi, kontroll posedim apo shfrytëzim të pa autorizuar të armës nga neni 374 par.1 të KPK-së. “
Kundër këtij Aktgjykimi familjaret e të ndjerës, parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës dhe të ligjit penal.
Më 10 shtator 2018, Gjykata e Apelit, duke vendosur sipas ankesës, me Aktvendimin [PAKR.nr.271/18], e anulon aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështjen kthen në rigjykim pranë së njëjtës.
Më 23 prill 2019, Gjykata Themelore, në riprocedurë, nxori Aktgjykimin PKR.nr.83/18, me të cilin N.P-në, e shpalli fajtor për veprën penale “vrasja e rëndë” nga nënparagrafët 1.4 dhe 1.12, paragrafi 1, i nenit 179 të KPRK, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi dhe kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1, i nenit 374 të KPRK-së, duke i shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm, dhe duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga 22 dhjetori 2015, gjer më 6 mars 2018, si dhe nga 25 marsi 2019 e tutje.
Kundër Aktgjykimit të 23 prillit 2019, të Gjykatës Themelore, brenda afatit ligjor N.P, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal.
Më 20 qershor 2019, Gjykata e Apelit, duke vendosur për ankesën e N.P, nxori Aktgjykimin PAKR.nr.272/19, më të cilin: (i) e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij dhe (ii) vërtetoi Aktgjykimin [PKR.nr.83/18], e 23 prillit 2019, të Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e Aktgjykimit, Gjykata e Apelit arsyetoi: “Gjykata e Apelit me vëmendja ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtësit të akuzuarit, si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se aktgjykimi i atakuar me ankesë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale por as shkelje të tjera të cilat kjo gjykatë sipas detyrës zyrtare është e obliguar t’i shqyrtojë. Kjo për faktin se gjykata ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, ka arsyetuar secilën provë veç e veç, duke i ndërlidhur me njëra tjetrën dhe duke vërtetuar një gjendje faktike të drejtë dhe të ligjshme. Kjo gjendje faktike është vërtetuar në bazë të provave materiale dhe jo materiale dhe atë janë dëgjuar të dëmtuarit [...].”
Kundër Aktgjykimit të 20 qershorit 2019, të Gjykatës së Apelit, brenda afatit ligjor N.P, parashtroi kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë, me pretendimin për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal, me propozimin që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Më 14 tetor 2019, Gjykata Supreme, nxori Aktvendimin PA-II-nr.4/2019, me të cilin: (i) anuloi Aktgjykimin e 23 prillit 2019, të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimin e 20 qershorit 2019, të Gjykatës së Apelit, duke e kthyer çështjen në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Më 10 janar 2020, Gjykata e Apelit nxori Aktvendimin PN.nr.1419/2019, nëpërmjet të cilit çështjen penale për vendosje e delegoi në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Më 12 korrik 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, nxori Aktgjykimin PKR.nr.9/20, nëpërmjet të cilit: (i) të pandehurin N.P, e shpalli fajtor për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, nga nënparagrafët 1.4 dhe 1.12, paragrafi 1, i nenit 179 të KPRK-së, duke e dënuar me burgim të përjetshëm; dhe (ii) për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga paragrafi 1, i nenit 374 të KPRK-së, duke e dënuar me burgim prej një (1) viti e pesë (5) muaj.
Kundër Aktgjykimit të 12 korrikut 2021, N.P, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal.
Më 29 tetor 2021, Gjykata e Apelit nxori Aktvendimin PAKR.nr.366/21, nëpërmjet të cilit vendosi ta kthejë çështjen penale për rigjykim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për vërtetim të plotë të gjendjes faktike.
Më 28 korrik 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në procedurë të rigjykimit, nxori Aktgjykim [nr:2019:078275], me të cilin (i) të pandehurin N.P, e shpalli fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë” nga nënparagrafët 1.4 dhe 1.12, të paragrafit 1, të neni 179 të KPRK-së, dhe fajtor (ii) për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, nga paragrafi 1, i nenit 374 të KPRK-së, duke i shqiptuar dënim unik me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e Aktgjykimit të 28 korrikut 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, theksoi se N.P.: “Është fajtor sepse me datë 09.11.2015, në intervalin kohor prej orës 14:44, deri 15:19 min, në Bjeshkët e Strellcit, K. Deçan, pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” me dashje, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta e ka privuar nga jeta viktimën tani të ndjerën D.P, nga fshati Strellc i Ulët, në atë mënyrë që deri sa e ndjera ditën kritike ishte duke shkuar në punë në këmbë nëpër rrugën e fshatit, në drejtim të fshatit Strellc i Epërm, dhe kur afrohet në afërsi të shtëpisë së N.J, kalon i akuzuari N.P, me veturën e tij të tipit Xhip Sheroke me ngjyrë të kaltër-mbyllët, i cili ndalet, e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe me të arritur tek vendi i quajtur “Kroni i Lajthisë” e privon nga jeta në atë mënyrë që nga arma e tipit të panjohur ka shtënë, duke e qëlluar dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse kufoma e të ndjerës është gjetur më datë 17.12.2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.” [...]. Mbi bazën e këtyre rrethanave, trupi gjykues, të akuzuarit i shqiptoi dënim burgimi të përjetshëm, bazuar në nenin 44, paragrafi 1 i KPRK-së, me bindje se dënimi i shqiptuar është në harmoni dhe në përputhje me peshën e veprës penale, përgjegjësinë penale të të akuzuarit, intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura- në rastin konkret jeta e njërit, se dënimi i tillë do t’i shërbej preventivës speciale, duke ndikuar në të akuzuarin që t’a pengoj në kryerjen e veprave penale dhe njëherit do t’i shërbej edhe preventivës gjenerale duke ndikuar te personat e tjerë që të përmbahen nga kryerja e veprave penale. Prindërit e të ndjerës, dhe parashtruesi i kërkesës u udhëzuan në kontest civil për të realizuar kërkesën pasurore juridike.
Kundër, Aktgjykimit të 28 korrikut 2022, mbrojtësi i të pandehurit N.P, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të (i) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, (ii) shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe (iii) të ligjit penal.
Më 21 tetor 2022, Gjykata e Apelit, nxori Aktvendimin [PAKR.nr.477/2022], me të cilin: (i) aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të N.P, dhe sipas detyrës zyrtare (ii) ndryshoi Aktgjykimin e 28 korrikut 2022, të Gjykatës Themelore në Ferizaj, duke e ricilësuar dënimin për veprën penale të vrasjes së rëndë nga nënparagrafët 1.4 dhe 1.12, paragrafi 1, i nenit 173 të KPRK-së, si vepër penale të vrasjes së rëndë, nga nënparagrafin 1.12, paragrafi 1, i nenit 173 të KPRK-së, duke ia shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej tridhjetë e pesë (35) vitesh, dhe duke vërtetuar dënimin për veprën penalë “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Kundër Aktgjykimit të 21 tetorit 2022, i pandehuri N.P, parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal.
Më 14 shkurt 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e Kosovës, nëpërmjet shkresës KMLP.II.nr.39/2023, propozoi që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pa bazuar.
Më 6 prill 2023, Gjykata Supreme, nxori Aktgjykimin Pml.nr.57/2023, me të cilin: (i) e liron nga akuza të dënuarin N.P, përkitazi me veprën penale “vrasja e rëndë” nga nënparagrafi 1.12, paragrafi 1 i nenit 173 të KPRK-së, ndërsa e shpalli fajtor për (ii) veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” duke e dënuar me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti, e tre (3) muaj. Në përmbyllje të Aktgjykimit, theksohet se “...aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të ligjit penal dhe të cilat shkelje nuk janë mënjanuar nga ana e gjykatës së shkallës së dytë e cila vendosi sipas mjetit të rregullt juridik, dhe për ketë arsye u vendos qe konform nenit 438 par. 1 nenpar.1. të KPP-së, aktgjykimet kundërshtuara të ndryshohen si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [Pml.nr.57/2023], i 6 prillit 2023, i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës për rastin e motrës së tij të ndjerë pretendon se në procesin e hetuesisë janë vërtetuar dhe konfirmuar një seri e provave të cilat e kanë ngarkuar të akuzuarin N.P, për kryerje të veprës penale “vrasje e rëndë” nga nënparagrafët 1.4 dhe 1.12, paragrafi 1, i nenit 179 të KPRK-së, duke theksuar se ka pasur mospërputhje totale të mënyrës së administrimit të provave, ku për të njëjtat prova është shqiptuar disa herë aktgjykim i ndryshëm. Përkitazi me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se në proceset gjyqësore, konkretisht në Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, nuk janë përfshirë të gjitha provat cilësore, që sipas tij do të ndriçonin rastin e vrasjes së motrës së tij të ndjerë, duke pretenduar se aspekti i fshehjes së revoles nga i akuzuari N.P, mund të jetë pikërisht arma që e ka privuar të ndjerën D.P, nga jeta. Në këtë rast i njëjti i referohet Aktgjykimit [PAKR.nr.277/2019], të 20 qershorit 2019, të Gjykatës Themelore në Pejë, ku theksohet: “Arma me të cilën është privuar viktima nuk është gjetur, nuk është provuar tipi i armës përveç asaj është vërtetuar që arma ka qenë e kalibrit 7.65 x 17 mm”. ... dhe se “armët që janë gjetur dhe konfiskuar te i akuzuari nuk është vërtetuar që kanë të bëjnë me këtë vrasje por për revolen nuk është shkuar më tutje për tu provuar se ku është nëse është humbur kur është lajmëruar etj.”
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 3 dhe 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se ky parim është shkelur nga Prokuroria e çështjes, për faktin se kjo e fundit nuk ka shpjeguar në detaje, se arma me të cilën i akuzuari N.P, është parë duke gjuajtur në një aheng familjarë i është humbur çdo gjurmë. Si pasojë, parashtruesi i kërkesës, më tej shton: “Në aktgjykimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Pejë është përmendur lloji i armës me të cilën është vrarë D.P, në aktgjykimet tjera pasuese është cekur se është vrarë me armë të tipit të panjohur, këto janë kontradita të cilat dërgojnë të dyshimi se rasti i vrasjes së D.P, [...] nuk është hulumtuar dhe akuza nuk ka dhënë arsye të forta të saja për këtë vrasje”.
Parashtruesi i kërkesës për më tepër pretendon se Prokurori i Shtetit nuk ka paraqitur përgjigje ndaj kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, duke theksuar: “këtë dosje pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme e mbulon dhe nuk shkon më tutje”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. 2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta,
konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1. “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...].”
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
KODI NR. 04/L-082 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 80
Dënimi për bashkim të veprave penale
1. “Nëse kryesi me një apo me më shumë veprime kryen disa vepra penale për të cilat gjykohet në të njëjtën kohë, gjykata së pari shpall dënime për secilën nga këto vepra, e pastaj për të gjitha këto vepra e shqipton dënimin unik. 2. Gjykata shqipton dënimin unik sipas këtyre rregullave: 2.1. nëse për ndonjërën prej veprave penale gjykata ka shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm, atëherë e shqipton vetëm këtë dënim; 2.2. nëse për secilën prej veprave penale gjykata ka shqiptuar dënimin me burgim, dënimi unik duhet të jetë më i madh se çdo dënim i veçantë, por dënimi unik nuk mund ta arrijë shumën e të gjitha dënimeve të përcaktuara dhe as të tejkalojë periudhën prej njëzet e pesë (25) vjetësh;
2.3. nëse gjykata e ka shqiptuar dënimin me burgim deri në tri (3) vjet për secilën nga veprat penale, dënimi unik me burgim nuk mund të jetë më i lartë se tetë (8) vjet;
2.4. nëse gjykata ka shqiptuar dënime me gjobë për secilën nga veprat penale, dënimi unik me gjobë është shuma e dënimeve të shqiptuara por nuk mund të tejkalojë shumën prej njëzet e pesë mijë (25.000) Euro, përkatësisht pesëqind mijë (500.000) Euro kur një apo shumë vepra penale janë kryer me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore;
2.5. nëse gjykata për disa vepra penale ka shqiptuar dënime me burgim, ndërsa për vepra të tjera ka shqiptuar dënimin me gjobë, gjykata shqipton dënim unik me burgim dhe me gjobë, në pajtim me nën-paragrafët 2.1. deri 2.4. të këtij paragrafi.
[...].”
Neni 179
Vrasja e rëndë
1. “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili:
[...]
1.4. privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake;
[...]
1.12. privon nga jeta personin tjetër dhe më parë ka qenë i dënuar për vrasje, përveç veprave të cilat janë të parapara në nenin 180 dhe 182 të këtij Kodi.”
Neni 374
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
1. “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. 2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. 3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në shkelje të këtij neni konfiskohet”
KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURES PENALE (2012)
Neni 3
Prezumimi i pafajësisë së të pandehurit dhe in dubio pro reo
1. Çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
2. Mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose për zbatimin e ndonjë dispozite të ligjit penal interpretohen në favor të të pandehurit dhe të drejtave të tij sipas këtij Kodi dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Neni 365
Aktgjykimi fajësues
1. Gjykata, në aktgjykimin me të cilin të akuzuarin e shpall fajtor shënon:
1.1. veprën penale për të cilën shpallet fajtor, së bashku me faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale, si dhe faktet dhe rrethanat nga të cilat varet zbatimi i dispozitës përkatëse të Kodit Penal;
1.2. emërtimin ligjor të veprës penale dhe dispozitat e ligjit penal të zbatuara gjatë marrjes së aktgjykimit;
1.3. dënimin e shqiptuar të akuzuarit, duke përfshirë edhe dënimin alternativ nga Kodi Penal ose lirimin nga dënimi;
1.4. urdhrin për shqiptimin e masës për trajtim të detyrueshëm rehabilitues të kryerësve të varur nga droga dhe alkooli, ose për konfiskimin e dobisë pasurore që i nënshtrohet konfiskimit;
1.5. vendimin për llogaritjen e paraburgimit ose dënimit të mëparshëm në lartësinë e dënimit; dhe
1.6. vendimin për shpenzimet e procedurës penale, për kërkesën pasurore juridike, si dhe përcaktimin se a duhet shpallur aktgjykimin e formës së prerë në shtyp, në radio apo në televizion.
2. Kur i akuzuari dënohet me gjobë, në aktgjykim shënohet afati kur duhet paguar gjoba dhe mënyra e zëvendësimit të gjobës kur gjoba forcërisht nuk mund të arkëtohet
KAPITULLI XXV
KËRKESAT PASURORE JURIDIKE
Neni 458
Kërkesat pasurore juridike
1. Kërkesa pasurore juridike si rrjedhojë e kryerjes së veprës penale vendoset me propozimin e personave të autorizuar në procedurën penale në qoftë se kjo nuk e zvarrit procedurën në mënyrë të konsiderueshme.
2. Kërkesa pasurore juridike mund të përfshijë kompensimin e dëmit, kthimin e sendit ose anulimin e një veprimi të caktuar juridik.
Neni 459
Personat e autorizuar për paraqitjen e propozimit për realizimin e kërkesës pasurore juridike
1. Propozimin për realizimin e kërkesës pasurore juridike në procedurë penale mund ta paraqesë personi i cili është i autorizuar për ta ushtruar këtë kërkesë në kontest civil.
2. Në qoftë se me vepër penale është dëmtuar pasuria në pronësi publike, shtetërore ose shoqërore, organi ose personi kompetent i cili është i autorizuar me ligj të kujdeset për mbrojtjen e kësaj pasurie, mund të merr pjesë në procedurë penale në pajtim me autorizimet që ka në bazë të ligjit të tillë.
Neni 460
Paraqitja e propozimit për realizimin e kërkesës pasurore juridike
1. Propozimi për realizimin e kërkesës pasurore juridike në procedurë penale i paraqitet organit kompetent të cilit i është parashtruar kallëzimi penal ose gjykatës para së cilës zbatohet procedura.
2. Propozimi mund të paraqitet jo më vonë se deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor në gjykatën themelore.
3. Personi i autorizuar për paraqitjen e propozimit detyrohet ta parashtrojë në mënyrë të qartë kërkesën e vet dhe të paraqesë prova.
4. Kur personi i autorizuar nuk e ka paraqitur propozimin për realizimin e kërkesës pasurore juridike në procedurë penale para ngritjes së aktakuzës, ai duhet njoftuar se propozimin mund ta paraqesë deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Kur me vepër penale është shkaktuar dëm në pasurinë në pronësi publike, shtetërore ose shoqërore dhe nuk është paraqitur propozim, gjykata për këtë e njofton organin ose personin kompetent sipas nenit 459, paragrafi 2. i këtij Kodi.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, paragrafit 1 të nenit 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit, dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë), nënrregullit (1) (a) të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
[…]
Rregulli 34
Kriteret e pranueshmërisë
(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
(a) Kërkesa parashtrohet nga një palë e autorizuar;
[…]
Siç është sqaruar më lart, bazuar në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 1 të nenit 47 të Ligjit, si dhe rregullin 34 (1) (a) të Rregullores së punës, individët janë të autorizuar të ngrenë pretendime para Gjykatës për shkeljen e të drejtave dhe lirive “të tyre” nga autoritet publike. Kushtëzimi që individët t’i drejtohen Gjykatës vetëm përkitazi me shkeljen e të drejtave dhe lirive të tyre individuale, nënkupton që të njëjtit para Gjykatës duhet të kenë statusin e viktimës.
Gjykata rikujton që parashtrues i kërkesës në rastin konkret është vëllai i të ndjerës D.P, e cila është privuar nga jeta me armë zjarri. Procedura penale ishte zhvilluar ndaj N.P, kundër të cilit Prokuroria kishte ngritur aktakuzë, ndër të tjera, me dyshimin për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Në vijim ë kësaj, Gjykata Themelore kishte shpallur N.P, fajtor për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armëve, të parashikuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës në fuqi. Në procedurë të rivendosjes, konstatimet e Gjykatës Themelore ishin vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Gjykata po ashtu vë në dukje, se parashtruesi i kërkesës dhe prindërit e tij në procedurën penale në cilësinë e palëve të dëmtuara, janë udhëzuar në kontest civil. Megjithatë si rezultat i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar në Gjykatën Supreme, kjo e fundit N.P, e kishte liruar nga akuza e kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë, dhe për të njëjtin kishte vërtetuar kryerjen e veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armëve, përderisa përfaqësuesin e të ndjerës, për realizimin e kërkesës pasurore juridike e kishte udhëzuar në kontest civil.
Në kontekstin e rrethanave të kërkesës, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, nëpërmjet të cilit i pandehuri N.P, ishte liruar nga akuza e vrasjes së rëndë të të ndjerës D.P, përkatësisht vrasjes së motrës së tij.
Në këtë kuadër, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar për të ngritur pretendime për shkelje kushtetuese, në pajtim me kërkesat e paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetues, kërkesat e paragrafit 1 të nenit 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit, dhe kërkesat e rregullit 34 (1) (a) të Rregullores së punës.
Në kontekst të kësaj, Gjykata, ua ka njohur cilësinë e “palës së autorizuar” para Gjykatës familjarëve (të dëmtuarve), të cilët kanë parashtruar kërkesa në emër të personave të vdekur, për aq sa është argumentuar për “statusin e viktimës indirekte ose të tërthortë”. Të tilla janë dy (2) raste të Gjykatës që ndërlidhen me pretendime për shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojte të së drejtës për jetë, të garantuar përmes nenit 25 [E Drejta për Jetë] të Kushtetutës dhe nenit 2 (E Drejta për jetën) të KEDNJ-së, përkatësisht (i) prindërve lidhur me kërkesën e parashtruar në emër të bijës së tyre të ndjerë D.K, (shih, rastin e Gjykatës KI41/12, me parashtrues Gëzim dhe Makfire Kastrati, Aktgjykim i 26 shkurtit 2013, paragrafët 41-45); dhe (ii) të bijës lidhur me kërkesën e parashtruar në emër të nënës së saj, përkatësisht të ndjerës S.M, (shih, rastin e Gjykatës KI129/21, me parashtruese Velerda Sopi, Aktgjykim i 7 marsit 2023, paragrafët 102-109). Për më tepër, në kontekst të pretendimeve për shkelje të së drejtës për jetë private dhe familjare, të garantuar përmes nenit 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës dhe nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së, Gjykata i ka njohur cilësinë e palës së autorizuar prindit në kërkesën e parashtruar në emër të të birit të tij të ndjerë (shih, rastin e Gjykatës KI56/18, me parashtrues Ahmet Frangu, Aktgjykim i 22 korrikut 2020, paragrafët 56-67).
Në këtë vazhdë, Gjykata, përmes praktikës së saj gjyqësore dhe duke u bazuar në atë të GJEDNJ-së, ka sqaruar rast pas rasti që statusi i viktimës indirekte ose të tërthortë është po ashtu i ndërlidhur me natyrën e të drejtave që kontestohen para Gjykatës, përkatësisht nëse të drejtat përkatëse mund të cilësohen si të drejta të “transferueshme” apo jo. Sipas sqarimeve të dhëna përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, të drejtat që ndërlidhen me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, në parim por me përjashtime, cilësohen si të drejta të “pa transferueshme” (shih, rastin e GJEDNJ-së, Biç dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 55955/00, Aktgjykim, i 2 shkurtit 2006, paragrafi 22 dhe shih, rastet e Gjykatës KI149/18, KI150/18, KI151/18, KI152/18, KI153/18, me parashtrues Xhavit Aliu dhe 5 te tjerë, Aktvendim për Papranueshmëri, i 19 korrikut 2019, paragrafët 68-73).
Në këtë kontekst, Gjykata nuk i ka njohur statusin e viktimës indirekte ose të tërthorë (i) të birit të të ndjerit përkatës, kur para Gjykatës janë kontestuar vendimet e gjykatave të rregullta me pretendime për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, përgjatë të cilave palë në procedurë ishte babai i ndjerë i parashtruesit të kërkesës (shih, rastet e Gjykatës KI149/18, KI150/18, KI151/18, KI152/18, KI153/18, cituar më lart, paragrafi 74); dhe (ii) motrës së të ndjerës përkatëse, kur para Gjykatës janë kontestuar vendimet e gjykatave të rregullta me pretendime për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, përgjatë të cilave palë në procedurë ishte motra e ndjerë e parashtrueses përkatëse (shih, rastin e Gjykatës KI11/20, me parashtruese Fllanza Pozhegu, Aktvendim për Papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, paragrafi 56). Njëjtë, Gjykata ka vepruar edhe në rrethanat e rastit KI67/18, kur para Gjykatës është kontestuar një dekret i Presidentit të Republikës se Kosovës, sipas të cilit ishte bërë falja e dënimit të personit i cili kishte vrarë babanë e parashtrueses së kërkesës, duke sqaruar se akti i kontestuar nuk kishte afektuar të drejtat dhe liritë themelore të saj dhe rrjedhimisht, duke mos i njohur statusin e viktimës indirekte ose të tërthortë (shih, rastin e Gjykatës KI67/18, me parashtruese Arbenita Arifi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 14 majit 2019, paragrafët 40-49).
Në kontekstin e rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në cilësinë e vëllait të të ndjerës D.P, në rrethanat e të cilit është zhvilluar procedura hetimore dhe ajo e shqyrtimit kryesor në procedurë penale, e cila ka rezultuar me lirimin nga akuza të N.P, për veprën penale të vrasjes së rëndë, pretendon shkelje të të drejtave të tij: për barazi para ligjit, të garantuar me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës; për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, e që ndërlidhen me aspektin penal të kësaj të drejte; mbrojtjen gjyqësore të të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së.
Në kuptim të pretendimeve të ngritura për shkelje të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së thekson se kjo e drejtë garanton të drejtat procedurale të palëve në procedurë civile dhe të drejtat e të pandehurit në procedurë penale. Në parim, palët e tjera në procedurë nuk janë palë e autorizuar për të ngritur pretendime në kuptim të nenit 6 të KEDNJ-së (shih, rastin e GJEDNJ-së, Mihova kundër Italisë, nr. 25000/07, Vendimi i 30 marsit 2010). Në kuptim të statusit të viktimës indirekte, GJEDNJ ka specifikuar se ky status mund t’i akordohet parashtruesve para saj, për kërkesat që ndërlidhen me pretendime për shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, në rastet kur personi ka vdekur gjatë zhvillimit të procedurës penale, kur ai/ajo ishte në cilësinë e palës së akuzuar ose kur vdekja ka ndodhur në rrethanat kur përfshihej përgjegjësia e shtetit (shih, rastin e GJEDNJ-së, Magnitskiy dhe të Tjerët kundër Rusisë, nr. 32631/09 dhe 53799/12, Aktgjykimi i 27 gushtit 2019, paragrafët 278-279). Gjykata në vijim, po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës dhe prindërit e tij, në procedurën penale kishin statusin e palës së dëmtuar, dhe si rrjedhojë, përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme ata ishin udhëzuar në kontest civil.
Në vijim të shtjellimit, si më sipër, dhe në kuptim të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata konsideron, se i njëjti në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 1 të nenit 47 të Ligjit, dhe rregullit 34 (1) (a) të Rregullores së punës nuk është palë e autorizuar për të ngritur pretendime për shkeljen e të drejtës së “tij” për gjykim të drejtë dhe të paanshëm përkitazi me procedurën gjyqësore penale kundër të pandehurit N.P, të zhvilluar në Gjykatën Supreme. Në këtë, kuptim, Gjykata vë në dukje se parashtruesi i kërkesës po ashtu ka ngritur pretendime për shkelje të së drejtës së barazisë para ligjit dhe mbrojtjes gjyqësore të të drejtave, duke mos specifikuar dhe dhënë asnjë shpjegim, se si i njëjti është viktimë e shkeljes së këtyre të drejtave, të garantuara me Kushtetutë.
Në vazhdim, Gjykata vë në dukje se çështja e vrasjes se anëtarëve të familjes mund të ngritë çështje të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe nenit 2 (E drejta për jetën) të KEDNJ-së. Megjithëse parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar shkeljen e kësaj të drejte, përkatësisht të aspektit procedural të saj. Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij ka specifikuar që në procedurën hetimore të zhvilluar ndaj të pandehurit N.P, janë vërtetuar provat të cilat kanë rezultuar në ngritjen e aktakuzës nga ana e Prokurorisë.
Sipas, parashtruesit të kërkesës nga Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme rezulton që kjo gjykatë nuk i ka përfshirë të gjitha provat cilësore, që sipas tij do të ndriçonin rastin e vrasjes së motrës së tij të ndjerë. Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton arsyetimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilës, ishte specifikuar se: “Gjykata Supreme e Kosovës vuri në pah zgjatjen e këtij procesi gjyqësor për rreth tetë vite dhe e cila zgjatje pa dyshim se duhet t’i atribuohet edhe prokurorisë së shtetit e cila zhvilloi fazën e hetimeve në këtë çështje penale dhe del se nuk janë zhvilluar hetime të plota dhe gjithëpërfshirëse. Ku më së miri pasqyrohet me faktin se disa herë kjo çështje penale është kthyer në rigjykim me shkas që të merren prova të reja dhe kjo ka rezultuar me marrjen e provave të reja nga ana e gjykatave të shkallëve të para dhe të cilat prova janë marrë me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje penale. për me tepër, bazuar në shkresat e lëndës vërehet fakti se prokuroria e shtetit nuk ka ezauruar të gjitha pistat e mundshme të hetimit për vrasjen e tani të ndjerës, por shumë të dhëna të rëndësishme nga faza hetimore nuk u nisën fare apo ato që u nisën nuk u vazhduan dhe veçanërisht dyshimet e para që janë pjesë e shkresave të lëndës dhe të dhënat që paraqitën familjarët e të ndjerës përmes deponimeve të tyre [...]” .
Në vijim të këtij elaborimi, Gjykata vë në dukje se neni 2 (E drejta për jetën) i KEDNJ-së përmban obligime procedurale për të zhvilluar një hetim efektiv (shih, rastin e GJEDNJ-së Armani da Silva kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 5878/08, Aktgjykim i 30 marsit 2016, paragrafi 229).
Si rrjedhojë, GJEDNJ ka konstatuar se obligimi procedural për hetim efektiv buron nga kërkesa që e drejta për jetën të mbrohet me ligj dhe se një hetim i tillë është thelbësor për të siguruar që të drejtat e garantuara nga neni 2 i KEDNJ-së të mos jenë iluzore, por efektive. Në këtë kontekst, GJEDNJ ka vendosur disa kritere kryesore për një hetim efektiv, të cilat përfshijnë: (i) pavarësinë; (ii) hetimin adekuat; (iii) shpejtësinë dhe efikasitetin; dhe (iv) transparencën dhe përfshirjen e të afërmit të viktimës (shih, ndër tjerash, rastet e GJEDNJ-së. Së pari, në lidhje me kriterin e pavarësisë, është theksuar se hetimi duhet të jetë i pavarur, si në aspektin institucional ashtu edhe në atë praktik (shih, rastin e GJEDNJ-së Armani da Silva kundër Mbretërisë Bashkuar, nr. 5878/08, Aktgjykim i 30 marsit 2016, paragrafi 222). Së dyti, në lidhje me hetimin adekuat, është theksuar se hetimi duhet të jetë në gjendje që të drejtojë në përcaktimin e rrethanave të vdekjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës. Në disa raste, GJEDNJ ka gjetur se janë zhvilluar hetime jo adekuate, duke përfshirë rastet si të anashkalimit të intervistimit të dëshmitarëve kyç, ose dështimi për të marrë në konsideratë dëshmi të rëndësishme (shih, rastin e GJEDNJ-së Ramsahai dhe të tjerët kundër Holandës, nr. 52391/99, Aktgjykim i 15 majit 2007, paragrafi 347); të dështimit për të marrë masa të rëndësishme për mbledhjen dhe ruajtjen e provave që mund të ndihmonin në sqarimin e rrethanave të rastit (shih, rastin e GJEDNJ-së Anguelova kundër Bullgarisë, nr. 38361/97, Aktgjykim i 13 qershorit 2002, paragrafi 144) dhe fokusimit të hetimit vetëm në një linjë të vetme pa shqyrtuar akuza të tjera (shih, rastin e GJEDNJ-së Mazepa dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 15086/07, Aktgjykim i 17 korrikut 2018, paragrafët 77-79). Së treti, në lidhje me shpejtësinë dhe efikasitetin e hetimeve, GJEDNJ ka specifikuar se hetimi duhet të zhvillohet pa vonesa të panevojshme dhe me efikasitet të duhur për të siguruar që të gjitha rrethanat e rastit të ndriçohen në kohë (shih, rastin e GJEDNJ-së Anguelova kundër Bullgarisë, cituar më lart, paragrafi 139). Në fund, në lidhje me transparencën dhe përfshirjen e të afërmit të viktimës, GJEDNJ ka specifikuar se përfshirja e familjarëve të viktimës është gjithashtu një aspekt thelbësor për të siguruar transparencën (shih, rastet e GJEDNJ-së, Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar nr. 24746/94, Aktgjykim i 4 majit 2001) dhe Anguelova kundër Bullgarisë, i cituar më lart, paragrafi 140).
Gjykata vëren se në raport me N.P, autoritetet shtetërore kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë zhvillimin e hetimeve, që kishin rezultuar në ngritjen e aktakuzës ndaj tij dhe zhvillimin e procedurës penale, e cila kishte përfunduar me nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte konstatuar që ndaj të njëjtit nuk ishte vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se kishte kryer veprën penale të vrasjes së të ndjerës D.P.
Megjithatë, Gjykata rikujton dhe rithekson se parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij ngrit pretendime specifike që ndërlidhen me procedurën e zhvilluara para Gjykatës Supreme, dhe nuk specifikon ose ngritë pretendime që ndërlidhen me hetimin efektiv, si një nga komponentët e aspektit procedural të nenit 25 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 2 të KEDNJ-së. Si rrjedhojë, edhe pse në rrethana të tilla, parashtruesi i kërkesës mund të cilësohej si viktimë e tërthortë në lidhje me këtë të drejtë, Gjykata nuk mund të shqyrtojë apo vlerësojë nëse procedura hetimore e zhvilluar në tërësinë e saj, për shkak se respektimi i kritereve të përcaktuara përmes GJEDNJ-së, të cilat duhet të vlerësohen në kuptim të aspektit procedural të nenit 25 në lidhje me nenin 2 të KEDNJ-së nuk janë ngritur para instancave tjera, para se parashtruesi i kërkesës të parashtronte kërkesën në Gjykatë, por të njëjtat nuk janë specifikuar as në kërkesën e tij të parashtruar në Gjykatë.
Thënë këtë, Gjykata vë në dukje se parashtruesi i kërkesës bazuar në mjetet juridike në dispozicion, mund të kërkojë zhvillimin e procedurës hetimore adekuate të cilat mund të rezultojnë në ndriçimin e rrethanave të vrasjes së të ndjerës, dhe po ashtu të kërkojë vlerësimin e përgjegjësisë së organeve përkatëse, përgjegjëse për zhvillimin e procedurës hetimore dhe penale, si pjesë përbërëse të aspektit procedural të nenit 25 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 2 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme, për shkak se i njëjti nuk është palë e autorizuar, ashtu siç specifikohet në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, dhe paragrafin 1 të nenit 47 të Ligjit, si dhe rregullin 34 (1) (a) të Rregullores së punës.
Kërkesa për moszbulim të identitetit të palëve
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që identiteti i tij të moszbulohet për shkak të relacioneve familjare që ekzistojnë ndërmjet tij dhe të liruarit nga akuza N.P, me arsyetimin vijues: “...për shkak të komplikimit të raporteve të mëtutjeshme kërkoj që identiteti i parashtruesit të kërkesës të mos zbulohet ngase zbulimi i kësaj do ti keqësonte akoma më shumë raportet familjare.”.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet dispozitave të rregullit 24 (Moszbulim të identitetit të palëve) të Rregullore së punës, që përcaktojnë: “(1) Kurdo përgjatë procedurës së shqyrtimit të një kërkese individuale, sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe deri në publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar. (2) Gjykata vendosë lidhur me kërkesën e palës për moszbulim të identitetit me miratimin e shumicës së gjyqtareve. (3) Gjykata, me miratimin e shumicës se gjyqtareve, mund të vendose ex officio për moszbulimin e identitetit të një pale. (4) Ne rast të moszbulimit të identitetit, pala identifikohet vetëm me iniciale, shkurtesa ose një (1) shkronje të vetme.”
Gjykata, shqyrtoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe për arsye të ndjeshmërisë së rasatit, në pajtim me dispozitat e rregullit 24 (Moszbulimi i identitetit të palëve) të Rregullores së punës, njëzëri vendosi që identiteti i palëve në relacion të moszbulohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 47 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullat 24, 34 (1) (a), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 19 dhjetor 2024, njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TA APROVOJË kërkesën për mbrojtje të identitetit;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenin 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Sh.P.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Penale