Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ.UZVP.nr.67/2017, të 22 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 56/18

Parashtruesit: Ahmet Frangu

Shkarko:

KI56/18, Parashtrues: Ahmet Frangu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ.UZVP.nr.67/2017, të 22 dhjetorit 2017  

KI 56/18, Aktgjykim i miratuar më 22 korrik 2020, i publikuar më 10 gusht 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, e drejta për zgjidhje efektive, mbrojtja gjyqësore e të drejtave,  regjistri themeltar i të vdekurve, qasje formale e autoriteteve publike, seancë publike dëgjimore, statusi i viktimës, shkelje e të drejtës për jetë private dhe familjare, shkelje e të drejtës për zgjidhje efektive.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me të kërkesën e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e birit të tij të ndjerë I.F., në regjistrin themeltar të të vdekurve (në tekstin e mëtejmë: RTHV). I biri i ndjerë i parashtruesit të kërkesës kishte udhëtuar në Suedi me qëllim të shërimit nga një sëmundje e rëndë. Gjatë qëndrimit të tij në Suedi, i biri i parashtruesit të kërkesës kishte aplikuar për azil, por duke e përdorur një emër tjetër, përkatësisht emrin A.H. Autoritetet suedeze ia kishin lëshuar kartelën që vërtetonte se i biri i parashtruesit të kërkesës është azil kërkues, përkatësisht kartën LMA-kort në emrin me të cilin kishte aplikuar, përkatësisht A.H. I biri i parashtruesit të kërkesës, vdiq në një institucion shëndetësorë në Suedi. Raporti mjekësor lidhur me vdekjen e tij u lëshua në emër të A.H. Pas vdekjes së tij, Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi lëshoi parashtresën [nr.09/13] përmes të cilës (i) sqaroi se ka informuar autoritetet e Republikë së Kosovës për vdekjen e shtetasit I.F; (ii) konfirmoi se nuk ka asnjë pengesë për riatdhesimin e të ndjerit I.F. në Republikën e Kosovës; dhe (iii) kërkoi nga kompania përgjegjëse për shërbimet funerale në Linkoping për të mundësuar transportimin në Kosovë për të ndjerin I.F. I ndjeri u varros në Prishtinë më 16 qershor 2013.

Parashtruesi i kërkesës iu drejtua Komunës së Prishtinës, me kërkesë që i biri i tij i ndjerë I.F., të regjistrohet në RTHV bazuar në Ligjin nr. 04/L-003  për Gjendjen Civile (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Gjendjen Civile). Komuna e Prishtinës përmes Vendimit [Nr.01-203-194645] të 16 tetorit 2013 e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, me arsyetimin se dokumentet e lëshuara nga institucionet shëndetësore suedeze nuk përkojnë me ato të lëshuara në Republikën e Kosovës, sepse të parat përkojnë me personin A.H., ndërsa të dytat me personin I.F. Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Vendimin e lartcekur, pa sukses, në Agjencinë e Regjistrimit Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme. Agjencia e Regjistrimit Civil dhe gjykatat e rregullta të të tri instancave e vërtetuan: (i) Vendimin [Nr.01-203-194645] të 16 tetorit 2013 të Komunës së Prishtinës; dhe (ii) refuzuan kërkesën e parashtruesit të kërkesës për regjistrim të birit të ndjerë I.F. në RTHV me arsyetimin se dokumentet e lëshuara nga institucionet shëndetësore suedeze nuk përkojnë me ato të lëshuara në Republikën e Kosovës.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar se Vendimet e autoriteteve publike, janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ). Në rrethanat e rasti konkret, Gjykata vendosi të mbajë seancë dëgjimore në mënyrë që të sqarohen çështjet e faktit dhe të ligjit, dhe në të njëjtën, Komuna e Prishtinës, Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Ministria e Punëve të Jashtme sqaruan se mungesa e raportit të mjekësorë në emër të I.F, e ka pamundësuar regjistrimin e I.F.-së në RTHV, ndërsa parashtruesi i kërkesës sqaroi se autoritetet publike nuk kanë marrë parasysh faktet dhe veçoritë e rastit të tij dhe për më tepër, si rezultat i mosregjistrimit të lartcekur, kanë mbetur me status të pazgjidhur civil edhe bashkëshortja dhe i biri i mitur i të ndjerit.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se kërkesa është e pranueshme, pasi konstatoi se parashtruesit të kërkesës duhet t’i pranohet statusi i viktimës indirekte apo të tërthortë, konstatim ky të cilin e arriti pasi shtjelloi dhe aplikoi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).

Ndërsa, në shqyrtimin e meritave të rastit, Gjykata fillimisht sqaroi se rrethanat e rastit konkret e të cilat ndërlidhen me refuzimin e autoriteteve publike për të regjistruar të birin e vdekur të parashtruesit të kërkesës në RTHV, ngërthejnë çështje që ndërlidhen me të drejtën në jetë private të parashtruesit të kërkesës dhe të drejtën e tij për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe zgjidhje efektive, siç janë garantuar me nenet 36 [E Drejta e Privatësisë] e 54 të Kushtetutës dhe 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) e 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, respektivisht.

Përkitazi më çështjet që ndërlidhen me të drejtën në jetë private, Gjykata, duke aplikuar praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së për aq sa është relevante për rrethanat e rastit, ndër tjerash, sqaroi (i) detyrimet e shtetit për mbrojtjen e jetës private siç është e garantuar me Kushtetutë dhe KEDNJ; (ii) dallimin në mes detyrimeve negative dhe pozitive të shtetit përkitazi me mbrojtjen e kësaj të drejte; (iii) faktin se në rrethanat e rastit konkret, shteti jo detyrimisht ka “ndërhyrë” në të drejtat e parashtruesit të kërkesës, por ka dështuar të veprojë për të mbrojtur të njëjtat, duke rezultuar për pasojë në vlerësimin e rrethanave të këtij rasti nga këndvështrimi i detyrimeve pozitive të shtetit; (iv) se detyrimet pozitive të shtetit, ndër tjerash, kërkojnë që autoritetet publike të shqyrtojnë veçoritë e një rasti dhe të ndërmarrin masa për të siguruar mbrojtjen efektive të të drejtave për jetë private, ose përmes sigurimit të një kornize ligjore që mbron të drejtat e individëve ose përmes përcaktimit e zbatimit të masave të veçanta të përshtatshme për rrethanat e një rasti; dhe (v) se në raste të tilla, autoritetet publike, janë të detyruara të shqyrtojnë ekuilibrin apo balancën më mes interesave të individit, përfshirë natyrën e pretendimeve dhe nëse të njëjtat ndërlidhen me “aspekte thelbësore” të jetës private dhe detyrimeve të shtetit, përfshirë nëse të njëjtat ndërlidhen me detyrime “të ngushta dhe të sakta” apo “të gjëra dhe të papërcaktueshme” dhe barrën e mundshme që ato ia imponojnë shtetit.

Ndërsa përkitazi me çështjet që ndërlidhen me të drejtën për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe zgjidhje efektive, Gjykata, duke aplikuar praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së për aq sa është relevante për rrethanat e rastit, ndër tjerash, ka sqaruar (i) se këto të drejta nënkuptojnë ekzistencën e një mjeti juridik i cili shqyrton thelbin e përmbajtjes së kontestit, përkatësisht pretendimeve të një parashtruesi dhe mundëson korrigjimin e duhur; (ii) nocionin e pretendimit “të argumentueshëm” për qëllime të nenit 54 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së; dhe (iii) faktin se në kontekst të pretendimeve për mbrojtje të të drejtës private, mjeti juridik duhet të mundësojë shqyrtimin e thelbit të pretendimeve përkatëse dhe vlerësimin e ekuilibrit në mes interesave konkurruese. Në të dyja rastet, është i rëndësishëm qëllimi i Kushtetutës dhe i KEDNJ-së, që të garantojnë të drejta “praktike dhe efektive” dhe jo “teorike ose iluzore”.

Në aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret, përkitazi me nenin 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së, Gjykata ka theksuar se autoritetet publike, përfshirë gjykatat e rregullta, përtej konstatimit se përkitazi me vdekjen e të birit të parashtruesit të kërkesës mungon raporti mjekësor që e konfirmon vdekjen e tij, konstatim ky që ka rezultuar në refuzimin e regjistrimit të birit të parashtruesit të kërkesës në RTHV, me pasojën serioze të lënies së pazgjidhur përfundimisht të statusit civil të bashkëshortes dhe të birit të mitur të të ndjerit, nuk kanë marrë parasysh faktin se (i) nuk është kontestuese se i biri i parashtruesit të kërkesës kishte vdekur; dhe (ii) një fakt të tillë e kishin konfirmuar edhe vet autoritetet publike të Republikës së Kosovës, përkatësisht Ambasada e Kosovës në Suedi, ku kishte ndodhur vdekja. Për më tepër, autoritetet publike, duke refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e vdekjes së të birit të tij në RTHV, përkundër faktit që e njëjta vdekje nuk ishte kontestuese, (i) jo vetëm që kishin aplikuar në mënyrë skajshmërisht formale ligjin e aplikueshëm, duke mos konsideruar kështu, as mundësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me shtetin Suedez dhe as mundësitë e dhëna përmes dispozitave të procedurës jokontestimore, por (ii) në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ato të KEDNJ-së, nuk kishin shqyrtuar ekuilibrin apo balancën në mes interesave konkurruese, përkatësisht thelbit dhe veçorive të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe detyrimeve të shtetit për mbrojtjen e të drejtës në jetë private.

Gjykata ka sqaruar se shqyrtimi i një ekuilibri të tillë, do të rezultonte në konstatimin se pretendimet dhe kërkesa e parashtruesit të kërkesës është “e ngushtë dhe e qartë” dhe nuk rezulton në detyrime joproporcionale për shtetin. Për më tepër që, përmes një refuzimi të tillë në mungesë të një raporti mjekësor, duke mos marrë parasysh asnjë nga rrethanat dhe veçoritë që ngërthen rasti konkret, vendimet e autoriteteve publike, kishin rezultuar në të drejta kushtetuese vetëm “teorike dhe iluzore” për parashtruesin e kërkesës dhe jo të drejta kushtetuese “praktike dhe efektive”, siç kërkohet me Kushtetutë dhe KEDNJ. Për pasojë, Gjykata konstatoi se procedurat e ndjekura të sistemit administrativ e gjyqësor në kundërshtim me detyrimet pozitive të shtetit, nuk kanë rezultuar në realizimin e të drejtës së parashtruesit të kërkesës për respektimin e jetës së tij private, në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së.

Ndërsa, përkitazi me nenin 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, Gjykata theksoi se marrë parasysh konstatimin e mësipërm, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, janë qartësisht “të argumentueshme”, siç është përcaktuar edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së. Më tej, Gjykata theksoi se në kundërshtim me kërkesat e neneve të lartcekura dhe praktikën relevante gjyqësore, mjetet juridike, në rrethanat e rastit konkret, nuk kishin rezultuar as në shqyrtimin e thelbit të përmbajtjes së pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe as nuk kishin mundësuar korrigjimin e duhur. Gjykata ritheksoi se shqyrtimi i kufizuar dhe skajshmërisht formal i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, në izolim prej veçorive të rastit dhe pasojave përkatëse, kishte rezultuar dhe në mungesë të mbrojtjes praktike dhe efektive të të drejtave gjyqësore dhe të asaj për zgjidhje efektive të parashtruesit të kërkesës, në kundërshtim me nenin 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se Aktgjykimet e gjykatave të rregullta dhe Vendimet e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Komunës së Prishtinës, nuk janë në përputhshmëri me të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara përmes paragrafit 1 të nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së dhe nenit 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, dhe rrjedhimisht të njëjtat duhet të shpallen të pavlefshme. Gjykata gjithashtu përmes këtij Aktgjykimi e urdhëroi Agjencinë e Regjistrimit Civil, që deri më 30 tetor 2020, ta regjistrojë vdekjen e I.F., përkatësisht të birit të parashtruesit të kërkesës, në Regjistrin Themeltar të të Vdekurve.

 

 

 

Parashtruesit:

Ahmet Frangu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave, Neni 36 - E Drejta e Privatësisë

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative