Prishtinë, më 7 tetor 2024
Nr. Ref.: RK 2548/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI81/23
Parashtrues
Pjetër Boçi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. Nr. 465/22,
të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Pjetër Boçi, me vendbanim në Komunën e Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml. Nr. 465/22], të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktvendimin [N. nr. 913/2022] të 2 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimin [PK. Nr. 88/2022], të 1 korrikut 2022 të Gjykatës Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e pranoi më 20 dhjetor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë është Aktgjykimi i kontestuar, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ-së).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 prill 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI. 81/23] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues, ndërsa përmes Vendimit [Nr. KSH. KI. 81/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 5 maj 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 4 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe vendosi që shqyrtimin e kërkesës ta shtyjë për një seancë të radhës pas plotësimeve shtesë.
Më 5 shtator 2024, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës, të cilës i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktvendimin e kontestuar.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar.
Më 24 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajsh për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga paragrafi 1 i nenit 343 i Kodit Nr. 04/L-082 Penal (në tekstin e mëtejmë: KPRK) përmes Aktgjykimit [P. Nr. 206/2015] të 7 dhjetorit 2016, i cili ka marrë formë të prerë nga 15 shtatori 2017, ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga paragrafi 1 i nenit 345 i KPRK-së, si dhe, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga paragrafi 3 i nenit 332 i KPRK-së ishte refuzuar akuza.
Parashtruesi i kërkesës në lidhje me këtë çështje penale parashtron për herë të katërt kërkesë në Gjykatë. Më parë, i njëjti kishte parashtruar kërkesat KI76/18, KI21/19 dhe KI86/22. Pas dorëzimit të kërkesës së tanishme, parashtruesi i kërkesës dorëzoi edhe një kërkesë në Gjykatë të regjistruar me numrin KI143/23. Nëpërmjet kërkesës së parë KI76/18, parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktgjykimin [PML. nr. 279/2017] e 26 marsit 2018 të Gjykatës Supreme dhe Aktvendimin [PN. nr. 462/2018] e 28 majit 2018 të Gjykatës së Apelit. Këtë kërkesë Gjykata, e kishte deklaruar të papranueshme me Aktvendimin e 22 nëntorit 2018, pasi kishte analizuar pretendimet përkitazi me (i) ngritjen e aktakuzës pa bazë ligjore, (ii) aplikimin e dispozitave penale në lidhje me definimin e termit “person zyrtar” dhe (iii) me rishikimin e procedurës penale. Nëpërmjet kërkesës së dytë KI21/19, parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar interpretimin e legjislacionit relevant në lidhje me definimin e “pozitës zyrtare” në lidhje me të cilën Gjykata vendosi më 27 maj 2019, me Aktvendim për papranueshmëri, pasi konstatoi se i njëjti nuk ishte palë e autorizuar, për të ngritur një kërkesë të tillë në Gjykatë. Ndërsa, nëpërmjet kërkesës së tretë KI86/22, parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktgjykimin [Pml. nr. 151/2022] të 14 prillit 2022 të Gjykatës Supreme në ndërlidhje me Aktvendimin [PN. nr. 1206/2021] e 8 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PK. nr. 132/21] e 8 tetorit 2021 të Gjykatës Themelore. Këtë kërkesë Gjykata, e kishte deklaruar të papranueshme me Aktvendimin e 23 majit 2023, pasi kishte analizuar pretendimet përkitazi me (i) shkeljen e nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, për të cilën vendosi që janë “të pambështetura dhe paarsyetuara”, rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara; (ii) parregullsinë e procesit gjyqësor në ndërlidhje me kërkesën II-dytë për rishikimin e procedurës penale, për të cilën vendosi se është e pasafatshme në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe 34 (1) (c) të Rregullores së punës; dhe (iii) parregullsinë e procesit gjyqësor, në ndërlidhje me kërkesën III-tretë për rishikimin e procedurës penale, për të cilën vendosi se nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Duke qenë se kërkesat për rishikimin e rastit penal, ndaj Aktgjykimit të formës së prerë [P. nr. 206/2015] të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore në Prizren, janë objekt trajtimi edhe në kërkesën e tanishme KI81/23, Gjykata në mënyrë të përmbledhur do t’i reflektojë faktet e rastit KI76/18 dhe KI86/22, nëpërmjet të cilit ishte trajtuar kërkesa e I (parë), e II (e dytë) dhe e III (tretë) e parashtruesit të kërkesës për rishikimin e procedurës penale, të përfunduar me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore.
I. Përmbledhje e shkurtër e fakteve të rasteve KI76/18 dhe KI86/22 përkitazi me kërkesat për rishikim të procedurës penale
Kërkesa e I-parë për rishikimin e procedurës penale, e trajtuar me Kërkesën KI76/18
Më 31 dhjetor 2017, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për rishikimin e procedurës penale, në Gjykatën Themelore, ndaj aktgjykimit përfundimtar të kësaj të fundit [P. nr. 206/2015] të 7 dhjetorit 2016, për shkak të paraqitjes së provave të reja. Më 10 maj 2018, Gjykata Themelore, me Aktvendimin [PK. nr. 157/2017], kishte hedhur poshtë kërkesën për rishikimin e procedurës penale, me konstatimin se nuk kishte prova të reja për aprovimin e një kërkese të tillë. Ky aktvendim nga parashtruesi i kërkesës u apelua në Gjykatën e Apelit, e cila më 28 maj 2018, nxori Aktvendimin [PN. nr. 462/2018] me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktvendimin [PK. nr. 157/2017] e 10 majit 2018 të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për rishikimin e procedurës penale, siç me të drejtë kishte konstatuar shkalla e parë.
Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin u refuzua kërkesa e I-parë për rishikimin e procedurës penale, u kontestua nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, e cila me Aktvendimin e 22 nëntorit 2018, konstatoi se kërkesa në këtë pjese nuk ishte ratione materiae, në pajtim me Kushtetutën.
Kërkesa e II-dytë për rishikimin e procedurës penale
Më 10 mars 2021, parashtruesi i kërkesës për herë të dytë, parashtroi kërkesë për rishikimin e procedurës penale, të përfunduar me Aktgjykimin [P. nr. 206/15] të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, me pretendimin se pas vuajtjes së dënimit ka gjetur se lidhur me rastin e tij penal, ekzistojnë prova të reja të cilat nuk ishin të njohura gjatë procedurës së rregullt penale, duke theksuar se është dënuar për një vepër penale e cila nuk ka ekzistuar në legjislacionin penal.
Më 19 prill 2021, Gjykata Themelore, me Aktvendimin [PK. nr. 36/2021], hodhi poshtë si të pasafatshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishikimin e procedurës penale, të cilin aktvendim Gjykata e Apelit sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës e ktheu në rivendosje përmes Aktvendimit [PN. nr. 511/21] të 4 qershorit 2021.
Më 25 qershor 2021, Gjykata Themelore, në riprocedurë nxori Aktvendimin [PK. nr. 36/2021], me të cilin hodhi poshtë kërkesën për rishikimin e procedurës penale të parashtruesit të kërkesës, të përfunduar me Aktgjykimin [P. nr. 206/2015] e 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për aprovimin e një kërkese të tillë. Ky aktvendim i Gjykatës Themelore u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila përmes Aktvendimit [PN. nr. 653/2021] të 30 korrikut 2021 refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, si dhe Gjykata Supreme, e cila përmes Aktvendimit [Pml. nr. 370/2021] të 4 nëntorit 2021 e refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit.
Kërkesa e III-tretë për rishikimin e procedurës penale
Parashtruesi i kërkesës, ende pa përfunduar procedura në shkallë të tretë, përkitazi me kërkesën e dytë të rishikimit të procedurës penale, parashtroi një kërkesë të tretë për rishikimin e procedurës penale, e cila kishte përfunduar me Aktgjykimin e formës së prerë [P. nr. 206/2015] të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, sërish me pretendimin se kishte prova të reja për vendosjen ndryshe të rastit.
Më 8 tetor 2021, Gjykata Themelore, me Aktvendimin [PK. nr. 132/21], hodhi poshtë si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishikimin e procedurës penale të përfunduar me Aktgjykimin përfundimtar të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se nuk kemi të bëjmë me prova të reja në bazë të të cilave do të lejohej rishikimi i procedurës penale. Ky aktvendim i Gjykatës Themelore u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila përmes Aktvendimit [PN. nr. 1206/2021], të 8 dhjetorit 2021 refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, si dhe Gjykata Supreme, e cila përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 151/2022] të 14 prillit 2022 e refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit.
Aktvendimet e Gjykatës Supreme, me të cilën u refuzuan kërkesa e II-të dhe e III-të për rishikimin e procedurës penale, u kontestuan nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, e cila me Aktvendimin e 23 majit 2023, konstatoi se kërkesa e II-të për risikikimin e procedurës penale është pasafatshme në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe 34 (1) (c) të Rregullores së punës; ndërsa kërkesa e III-të për rishikimin e procedurës penale nuk ishte ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
II. Përmbledhje e fakteve të kërkesës së tanishme KI81/23
Kërkesa e IV-katërt për rishikimin e procedurës penale
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se më 23 maj 2022 parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për rishikimin e procedurës penale, në Gjykatën Themelore, ndaj aktgjykimit përfundimtar të kësaj të fundit [P. nr. 206/2015] të 7 dhjetorit 2016, për shkak të paraqitjes së provave të reja, respektivisht Mendimit juridik [nr. 530/2016] të 29 shtatorit 2016, të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Mendimi juridik i Gjykatës Supreme).
Më 1 korrik 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PK. Nr. 88/2022] hodhi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishikimin e procedurës penale të përfunduar me aktgjykimin përfundimtar të kësaj të fundit [P. nr. 206/2015] të 7 dhjetorit 2016, me arsyetimin se nuk ka kushte ligjore për aprovimin e kërkesës.
Gjykata Themelore në lidhje me aplikimin e Mendimit juridik të Gjykatës Supreme, arsyetoi si në vijim: “[...] lidhur me pretendimin se mendimi juridik te datës 29.06.2016 i Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk është zbatuar nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe aktakuza është ngritur afërsisht tre vjet pasi që është pushuar një pikë e aktakuzës së mëparshme i cili mendim juridik po ashtu nuk është zbatuar nga Gjykata Themelore, sipas vlerësimit të Kolegjit shqyrtues i dënuari thjesht është i pakënaqur me rezultatin e procedurës nga Prokuroria Themelore dhe nga Gjykata, andaj pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm dhe bazuar për rishikim te procedurës, pasi që të njëjtat nuk mund të jenë objekt shqyrtimi për rishikim të procedurës, të njëjta janë konsumuar gjatë fazës së gjykimit dhe kanë qenë objekt i shqyrtimit nga Gjykata e Apelit e Kosovës, dhe Gjykata Supreme e Kosovës, në këtë drejtim gjykata rikujton se kushtet për rishikim te procedurës janë të caktuara në mënyrë taksative, andaj të njëjtat nuk mund të zgjerohen sikurse në kërkesën e parashtruar nga i dënuari.”
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se më 1 korrik 2022 parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [PK. Nr. 88/2022] të 1 korrikut 2022, të Gjykatës Themelore për shkak të (i) shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe aplikimin e gabuar të KPRK-së; (ii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare duke falsifikuar dokumentet zyrtare me ndryshimin e të dhënave të tyre për të krijuar elementet e veprës penale, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë ose anulojë në tërësi Aktvendimin e ankimuar.
Më 2 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [N. Nr. 913/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit se Prokuroria dhe Gjykata Themelore nuk e kanë aplikuar Mendimin juridik të Gjykatës Supreme, e njëjta theksoi si në vijim: “[...] kolegji i kësaj gjykate sikurse gjykata e shkallës së parëm gjen se në të njëjtat pretendime nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit të kësaj kërkesë dhe se të njëjtat janë konsumuar gjatë fazës së gjykimit dhe kanë qenë objekt i shqyrtimit dhe janë vërtetuar edhe në procedurat e mëparshme nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, në këtë drejtim.”
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër Aktvendimit [N. Nr. 913/2022] të 2 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit.
Më 6 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. Nr. 465/2022] refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë me arsyetimin si në vijim: “Pretendimet e të dënuarit se gjykata e shkallës së parë ka dështuar në marrjen e aktvendimit, për faktin se në kolegjin e gjykatës nuk ka marr pjesë gjyqtarja [V.B], janë të pabazuara. Nga shkresat e lendës dhe aktvendimi i kundërshtuar rezulton se në kolegjin shqyrtues gjatë marrjes së aktvendimit ka marë pjesë gjyqtarja [V.B], prandaj sipas vlerësimit të kësaj gjykate ky pretendim i të dënuarit nuk qëndron.
[...]
Ndërsa, lidhur me pretendimin e të dënuarit se Prokuroria dhe Gjykata nuk e kanë aplikuar "mendimin juridik" të Gjykatës Supreme" të datës 29.06 2016, kjo gjykatë sikurse edhe gjykatat e instancës më të ulët, gjen se, të njëjtat pretendime nuk janë objekt shqyrtimi i kësaj kërkese dhe se të njëjtat janë konsumuar gjatë fazës së gjykimit dhe kanë qenë objekt i shqyrtimit dhe janë vërtetuar në procedurat e mëparshme nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, në këtë drejtim.”
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se më 6 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë kundër Kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, Sh.E., për shkak të vendosjes së saj në rastin e procedurës për trajtimin e kërkesës për rishikimin e procedurës penale, të përfunduar me aktgjykim të formës së prerë.
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se më 14 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë kundër gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, S.Ç., për shkak të vendosjes së këtij të fundit në lëndën [P. nr. 206/2015] dhe [PPN/1. nr. 19/2022], të Gjykatës Themelore në Prizren, sa ishte duke punuar në këtë gjykatë.
Më 9 mars 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [ADGJA. Nr. 01/2023], refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin si në vijim: “[...] në rrethanat aktuale të çështjes nuk ka bazë për të hapur një hetim disiplinor lidhur me vendosjen e çështjes së parashtruesit të ankesës, meqë me prova të shqyrtuara nuk është vërtetuar se gjyqtari S.Ç me veprimet apo sjelljet e tij, në këtë rast të ketë bërë shkelje eventuale të Kodit të Etikës për Sjellje të Gjyqtarëve. Ndërkaq, për punën profesionale të gjyqtarit apo kolegjit, kompetent për vlerësim profesional është Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve , i cili vepron në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, i cili ka tagër të bëjë vlerësimin e performancës për të gjithë gjyqtarët e Republikës së Kosovës.”
Më 14 mars 2023, ushtruesja e detyrës së Kryetarit të Gjykatës Supreme përmes Aktvendimit [GJS-2023-005] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, Sh.S., me arsyetimin si në vijim: “Si autoritet kompetent, pas shqyrtimit të ankesës dhe provave të bashkangjitura vlerësoj se ankesa ne rastin konkret është dukshëm joserioze. Ngase, kryesisht ka të bëjë me procesin e vendimmarrjes se gjyqtarëve te Gjykatës Themelore në Prizren, së pari, ndaj procedurës penale që është zhvilluar ndaj tij që ka rezultuar me aktgjykim me te cilin është shpallur fajtor dhe që ka marrë formë të prerë, pastaj me vendimin që është marrë përkitazi me kërkesën për përsëritje te procedurës penale.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës, ndër të tjera, thekson si në vijim: “E nderuara Gjykatë Kushtetuese në arsyetimet e gjykatave të rregullta të Rep. së Kosovës po lulëzon përditë e me shumë krimi i organizuar ku asnjë provë ligjore nuk ekziston që e vërteton fajësinë time. Ndërsa, të gjitha provat që unë kam ofruar argumentojnë në mënyrë të bindshme pafajësinë, shiko provat:
– Prova e lëshuar nga Komisioni i ligjeve të Rep. së Kosovës, sipas gjyqtarëve të Kosovës nuk përbëjnë provë!
– Dokumenti i lëshuar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës sipas gjyqtarëve te Kosovës, nuk përbëjnë provë!
– Lista e distribuimit të Ministrisë së Infrastrukturës nuk bën provë, sipas gjykatave të rregullta të Kosovës.
– Mendimi Juridik i Gjykatës Supreme i datës 29.09.2016 për afatet e ngritjes së aktakuzës sipas gjykatave të rregullta nuk bën provë!
– Fallsifikimi i dokumentave zyrtare, për me kryerjen e veprës penale duke nxjerrë Aktgjykime të kundërligjshme nuk përbën provë! [...]”
Përkitazi me pretendimin për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës shprehet se: “Kjo në fillim ka ardhur nga paaftësia e trupit gjykues, pastaj duke pasur një privilegj si nënkryetar i Gjykatës së Prizrenit dhe anëtar i KGJK-së ka arritur të manipulojë edhe më shkallët tjera të gjyqësorit kjo shikohet me Aktgjykimin e formës së prerë i cili ka arritur të manipulojë me arsyetimin e tij, sikur unë kam qenë i autorizuar nga Ministria përkatëse, Por, ku janë autorizimet e nderuara gjykatë?”
Përkitazi me pretendimin për shkeljen e nenit 3 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Unë nuk jam trajtuar si shtetasit e tjerë të Rep. së Kosovës. Shiko Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme e cila vet e ka nxjerrë këtë vendim juridik dhe nuk e zbaton për mua.”
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
“1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
KODI I PËRKOHSHËM PENAL I KOSOVËS
(Publikuar më 6 korrik 2003)
Neni 343
(Marrja e ryshfetit)
“1. Personi zyrtar i cili kërkon ose merr dhuratë a përfitim tjetër për vete ose personin tjetër ose që pranon premtimin për dhuratë ose për ndonjë përfitim tjetër për të kryer në kuadër të autorizimeve të tij një veprim zyrtar apo një veprim tjetër të cilin ai nuk duhet ta kryejë ose të mos e kryej një veprim zyrtar apo veprim tjetër të cilin ai duhet ose ka mundur ta kryejë dënohet me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.
2. Personi zyrtar i cili kërkon ose pranon dhuratë ose përfitim tjetër për vete ose për personin tjetër apo që pranon premtimin për dhuratë ose në ndonjë përfitim tjetër për të kryer në kuadër të autorizimeve të tij një veprim zyrtar apo veprim tjetër të cilin ai është dashur ta kryejë ose të mos e kryejë një veprim zyrtar apo një veprim tjetër të cilin ai nuk duhet ta kryejë, dënohet me burgim prej tre muajve deri në tri vjet.
3. Personi zyrtar i cili pas kryerjes ose moskryerjes së një veprimi nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni kërkon apo pranon dhurata ose ndonjë përfitim për vete apo për personin tjetër në lidhje me kryerjen apo moskryerjen e tillë dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
4. Dhurata apo përfitimi tjetër që është marrë konfiskohen.”
Neni 345
(Ushtrimi i ndikimit)
“1. Kushdo që kërkon, merr ose pranon një ofertë ose premtim të një përparësie të padrejtë për vete ose për personin tjetër në lidhje me ushtrimin e një ndikimi të paduhur nga ana e kryerësit mbi vendimmarrjen e një personi zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ushtrimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
2. Kushdo që premton, ofron ose i jep në mënyrë direkte apo indirekte çfarëdo përparësie të padrejtë personit tjetër i cili ushtron ose konfirmon se ai është në gjendje të ushtrojë një ndikim të paduhur mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ushtrimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.”
KODI Nr. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 309
(Pranimi i ryshfetit në sektorin privat)
“1. Kushdo që drejton ose punon në cilësinë e një subjekti të sektorit privat ose që punon si person i vetëpunësuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kërkon ose merr ndonjë dhuratë të pamerituar ose keqpërdor pozitën ose premtimin nga dikush ose pranon një ofertë ose premtim për një dhuratë apo shpërblim të tillë, për vete ose për një person tjetër, me qëllim që të veprojë ose të mos veprojë në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, financiare ose tregtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
2. Dhurata apo shpërblimi konfiskohet.”
KODI NR-04/L-123 I PROCEDURËS PENALE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 418
(Mjetet e jashtëzakonshme juridike)
“1. Pala mund të kërkojë rishikimin e procedurës penale brenda dy vjetësh nga aktgjykimi i formës së prerë ose aktvendimi i formës së prerë për pushimin e procedurës penale. Pala i paraqet kërkesën gjykatës themelore e cila ka nxjerr aktgjykimin e formës së prerë, e cila ia përcjell të gjitha kërkesat e vlefshme Gjykatës Supreme.
2. Pala mund të kërkojë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në çdo kohë gjatë periudhës së mbajtjes së dënimit, por jo kur kanë mbetur edhe gjashtë (6) muaj deri në përfundim të dënimit me burgim. Pala i paraqet kërkesën Gjykatës Themelore e cila ka nxjerr aktgjykimin e formës së prerë, e cila ia përcjell të gjitha kërkesat e vlefshme Gjykatës Supreme.
3. Pala mund të paraqesë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë brenda tre (3) muajsh nga aktgjykimi i formës së prerë ose aktvendimi i formës së prerë kundër të cilit kërkohet mbrojtja e ligjshmërisë. Pala paraqet kërkesën në Gjykatën Themelore e cila ka nxjerr aktgjykimin e formës së prerë, e cila ia përcjell të gjitha kërkesat e vlefshme të Gjykatës Supreme.”
Neni 423
(Rishikimi i procedurës penale të përfunduar me aktgjykim të formës së prerë)
“1. Procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet vetëm nëse:
1.1. provohet se aktgjykimi është mbështetur në dokument të falsifikuar ose në deklarim të rremë të dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit;
1.2. provohet se aktgjykimi është pasojë e veprës penale të kryer nga gjyqtari ose personi që ka ndërmarrë veprimet hetimore;
1.3. zbulohen fakte të reja ose paraqiten prova të reja, të cilat vetë ose së bashku me provat e mëparshme ka të ngjarë të arsyetojë pafajësinë e personit të dënuar ose dënimin e tij sipas një dispozite më të butë penale;
1.4. personi për të njëjtën vepër është gjykuar disa herë ose kur disa persona janë dënuar për vepër të njëjtë të cilën ka mund ta kryejë vetëm një person ose disa prej tyre; ose
1.5. në rastin e dënimit për vepër penale në vazhdim ose vepra tjera penale të cilat sipas ligjit përfshijnë disa veprime të njëjta ose të ndryshme, zbulohen fakte të reja ose paraqiten prova të reja që tregojnë se i dënuari nuk ka kryer veprimin që është përfshirë në veprën penale për të cilën ai është dënuar dhe ekzistimi i fakteve të tilla do të ishte me ndikim vendimtar në caktimin e dënimit.
2. Procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet vetëm në favor të të pandehurit, përveç nëse vërtetohet që rrethanat nga paragrafi 1. nën-paragrafët 1.1. dhe 1.2. të këtij neni janë pasojë e veprës penale të kryer nga i pandehuri ose personi që vepron në emër të tij kundër një dëshmitari, eksperti, përkthyesi, prokurori të shtetit ose gjyqtari apo të 172 afërmve të tyre, me ç’rast procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet kundër të pandehurit. Rishikimi i procedurës penale kundër të pandehurit lejohet vetëm brenda pesë (5) vjetëve nga koha e shpalljes së aktgjykimit të formës së prerë.
3. Në rastet nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. dhe 1.2. ose paragrafi 2. i këtij neni, me aktgjykim të formës së prerë duhet vërtetuar se personat e tillë a janë shpallur fajtor për veprat penale përkatëse. Kur procedura kundër këtyre personave nuk mund të zbatohet për shkak se kanë vdekur ose ekzistojnë rrethana që përjashtojnë ndjekjen penale, faktet nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. dhe 1.2. ose paragrafi 2. i këtij neni mund të vërtetohen edhe me prova të tjera.”
Neni 426
(Baza dhe procedura për hedhjen e kërkesës për rishikim të procedurës penale)
“1. Gjykata me aktvendim hudh kërkesën kur në bazë të saj dhe shkresave të procedurës së mëparshme vërteton se:
1.1. kërkesën e ka parashtruar personi i paautorizuar;
1.2. nuk ka bazë ligjore për rishikim të procedurës;
1.3. faktet dhe provat në të cilat mbështetet kërkesa janë paraqitur në kërkesën e mëparshme për rishikim të procedurës e cila është refuzuar me aktvendim të formës së prerë;
1.4. faktet dhe provat nuk ofrojnë arsye për lejim të rishikimit të procedurës; ose
1.5. parashtruesi i kërkesës për rishikim të procedurës nuk ka vepruar sipas nenit 425, paragrafit 2. të këtij Kodi.
[...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuar; (ii) i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. Nr. 465/22], e 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [N. nr. 913/2022] të 2 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [PK. Nr. 88/2022], të 1 korrikut 2022 të Gjykatës Themelore; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata duhet të vlerësojë plotësimin e kritereve të përcaktuara përmes pikës b) të paragrafit (3) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, sipas të cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht rikujton përmbajtjen e këtij rregulli si në vijim:
(3) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse plotësohet ndonjë nga kushtet e mëposhtme:
[...]
(b) Kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën;
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë përkitazi me refuzimin e kërkesës së parashtruesit për rishikim të procedurës penale. Në vitin 2016, me Aktgjykim të Gjykatës Themelore, i cili mori formë të prerë në vitin 2017, parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajve për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga paragrafi 1 i nenit 343 i KPPK-së, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga paragrafi 1 i nenit 345 i KPRK-së, dhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga paragrafi 3 i nenit 332 i KPRK-së i është refuzuar akuza. Deri në paraqitje e kësaj kërkese para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës parashtroi gjithsej 4 (katër) kërkesa për rishikimin e procedurës penale, përfshirë kërkesën e cila është objekt trajtimi në këtë rast, dhe të cilat kërkesa gjykatat e rregullta ia refuzuan.
Sa i përket thelbit të ankesës së parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm sepse sipas tij, Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj për refuzimin e kërkesës së tij për mbrojtjen e ligjshmërisë në lidhje me refuzimin e kërkesës për rishikim të procedurës penale, ndër të tjera, nuk ka marrë parasysh Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme, si provë të re për aprovimin e kërkesës për rishikimin e procedurës penale. Për më tepër, Gjykata rithekson se i njëjti pretendon se: “Kjo në fillim ka ardhur nga paaftësia e trupit gjykues, pastaj duke pasur një privilegj si nënkryetar i Gjykatës së Prizrenit dhe anëtar i KGJK-së ka arritur të manipulojë edhe më shkallët tjera të gjyqësorit kjo shikohet me Aktgjykimin e formës së prerë i cili ka arritur të manipulojë me arsyetimin e tij, sikur unë kam qenë i autorizuar nga Ministria përkatëse, Por, ku janë autorizimet e nderuara gjykatë?”
Gjykata vë në pah se gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për rishikim të procedurës penale vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për rishikim të procedurës penale plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “ndonjë aktakuzë” të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së (shih në mënyrë analoge rastin e Gjykatës: KI63/21, me parashtrues Hysen Metahysa, Aktvendim për Papranueshmëri i 11 nëntorit 2021, paragrafi 72; dhe rastet e GJEDNJ-së: Bochan kundër Ukrainës, (nr. 2), nr. 22251/08, Aktgjykim i 5 shkurtit 2015, paragrafi 44 dhe Moreira Ferreira kundër Portugalisë (nr. 2), nr. 19867/12, Aktgjykim i 11 korrikut 2017, paragrafët 60-61)
Përveç kësaj, Gjykata rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-se, e cila përcakton se neni 6 i KEDNJ-se nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen e ndonjë rasti, sepse nëse një person dënimi i të cilit është bërë i plotfuqishëm dhe i cili bën kërkesë për rishikimin e rastit të tij dhe ai ose ajo gjatë kësaj procedure nuk është "i akuzuar për ndonjë vepër penale" në kuptim te nenit 6 të Konventës (shih rastin e GJEDNJ-së, Fischer kundër Austrisë, nr. 27569/02, Vendim mbi pranueshmërinë e rastit, i 6 majit 2003).
Më tej, Gjykata vëren se lidhur me kërkesën për rishikim të procedurës penale, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, gjykatat e rregullta kishin vendosur refuzimin e saj.
Gjykata, pikërisht duke pasur parasysh këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës në kontekstin e garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, konstaton se procedura gjyqësore e përmendur në të cilën parashtruesi i kërkesës i bazon pretendimet e tij ankimore kishte të bënte vetëm me vlerësimin e përmbushjes së kërkesave procedurale të cilat duhet t’i përmbushë një kërkesë për rishikim të procedurës penale, në mënyrë që të jetë e pranueshme, dhe kështu rasti do të rihapej për shqyrtim dhe vlerësim në procedurën e përsëritur.
Prandaj, Gjykata duke pasur parasysh përmbajtjen e procedurës gjyqësore në të cilat parashtruesi i ka mbështetur pretendimet e tij ankimore për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën e vet gjyqësore, sipas së cilës neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së nuk zbatohen në kërkesat për rishikimin ose përsëritjen e procedurës (shih, në mënyrë analoge, rastet e Gjykatës: KI07/17, Pashk Mirashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 qershorit 2017, paragrafi 64; KI80/15, KI81/15 dhe KI82/15, Rrahim Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 dhjetorit 2016, paragrafi 31; KI86/22, parashtrues Pjetër Boçi, Aktvendim për papranueshmëri i 25 majit 2022, paragrafi 77; KI167/22, parashtrues Fatos Kakeli, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 marsit 2023, paragrafi 63, KI34/23, parashtrues Veton Syla, Aktvendim për Papranueshmëri i 29 gushtit 2023, paragrafi 52; shih, gjithashtu rastet e GJEDNJ-së, inter alia, Oberschlick kundër Austrisë, nr. 23727/94, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 marsit 1994, Dowsett kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8559/08, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 janarit 2011).
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me procedurën gjyqësore të zhvilluar nga gjykatat sipas kërkesës së tij për rishikimin e procedurës shpallet e papranueshme, për shkak se është e papajtueshme ratione materiae me Kushtetutën, siç përcaktohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe pikën b) të paragrafit (3) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Në fund, Gjykata po ashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d) e paragrafit (1) dhe paragrafi (2) i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kishte ngritur edhe pretendimin për shkeljen e nenit 3 të Kushtetutës, duke theksuar se: “Unë nuk jam trajtuar shtetasit e tjerë të Rep. së Kosovës. Shiko Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme e cila vet e ka nxjerrë këtë vendim juridik dhe nuk e zbaton për mua.” Gjykata në këtë drejtim vëren se pretendimi i parashtruesit të kërkesës në esencë ngrit të drejtën e garantuar me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës. Megjithatë, në lidhje me këtë pretendim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur asnjë dëshmi e cila do të mund të provonte se përgjatë procesit gjyqësor ka pasur me të vërtetë diskriminim, përkatësisht se i njëjti është trajtuar ndryshe me ndonjë palë tjetër në një situatë të njëjtë ose të ngjashme e cila mund të ketë përfituar nga ndarja e drejtësisë në kushte të njëjta, dhe kjo nuk rezulton as nga shkresat e lëndës. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 3, respektivisht, nenit 24 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe pikën d) të paragrafit (1) dhe paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me pikën d) të paragrafit (1) dhe paragrafit (2), pikës b) të paragrafit (3) të rregullit 34, si dhe pikën b) të paragrafit (1) të rregullit 48 të Rregullores së punës, më 24 shtator 2024:
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Pjetër Boçi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale