Prishtinë, më 29 tetor 2024
Nr. ref.: RK 2573/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI29/24
Parashtrues
Gulten Kulak, Semsettin Krusa, Ali Mercan, Yasar Mercan dhe Adile Mercan
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit CPP.3/2021 të 30 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Gulten Kulak, Semsettin Krusa, Ali Mercan, nga Prizreni, dhe Yasar Mercan dhe Adile Mercan, me vendbanim në Ankara, Republika e Turqisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), që përfaqësohen nga Sahit Bajraktari, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Aktvendimin [CPP.3/2021] të 30 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.2337/15] e 27 majit 2020 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr.790/06] e 19 shkurtit 2015 të Gjykatës Themelore në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesit e kërkesës vendimin e kontestuar e kanë pranuar më 4 tetor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit e kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 shkurt 2024, parashtruesit e kërkesës e dorëzuan kërkesën e tyre përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 6 shkurt 2024.
Më 12 shkurt 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimeve [Nr.GJR.KI99/24] dhe [Nr.KSH.KI99/24] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 5 mars 2024, Gjykata njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi një autorizimin specifik shtesë për dy nga parashtruesit e kërkesës, përkatësisht për Adile Mercan dhe Yasar Mercan. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës së parashtruesve të kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 5 mars 2024, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtën kohë i kërkoi fletëkthesën që dëshmon se kur e kanë pranuar parashtruesit e kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 11 mars 2024, Gjykata pranoi autorizimet për përfaqësim nga përfaqësuesi ligjor për parashtruesit e kërkesës, Adile Mercan dhe Yasar Mercan.
Më 25 mars 2024, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se parashtruesit e kërkesës aktin e kontestuar e kishin pranuar më 4 tetor 2023.
Më 25 shtator 2024, Kolegji Shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata me gjashtë (6) vota për dhe tre (3) kundër e shpalli kërkesën e parashtruesve të kërkesës të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesit e kërkesës në vitin 2001 kishin paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Prizren, përmes së cilës kërkuan të njiheshin si pronarë legjitim të disa paluajtshmërive në Prizren, në emër të trashëgimisë.
Më 9 dhjetor 2004, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [C.nr.724/2001] miratoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe detyroi Komunën e Prizrenit të lejonte regjistrimin e pronave në emër të tyre. Gjykata Komunale arsyetoi se, nga provat e administruara vërtetohet fakti që pronat i takonin trashëgimlënësve të parashtruesve të kërkesës, të cilat kanë kaluar në emër të komunës pa bazë juridike.
Më 11 gusht 2005, Gjykata e Qarkut në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Qarkut) përmes Aktgjykimit [Ac.nr.85/2007] më 11 gusht 2005, refuzoi ankesën e Komunës së Prizrenit, në cilësinë e palës së paditur, dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Komunale. Në një datë të paspecifikuar, Komuna e Prizrenit dhe Prokurori Publik paraqitën revizion në Gjykatën Supreme kundër dy Aktgjykimeve të Gjykatës Komunale dhe Gjykatës së Qarkut.
Më 25 maj 2006, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.209/2005] prishi Aktgjykimet e Gjykatës Komunale dhe të Gjykatës së Qarkut, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar. Gjykata Supreme arsyetoi se, provat dëshmonin që paluajtshmëritë ishin në pronësi të trashëgimlënësve të parashtruesve të kërkesës, megjithatë trashëgimlënësit e tyre ia kishin shitur ato Komunës së Prizrenit, gjë që sipas Gjykatës Supreme vërtetohej nga kontrata e shitblerjes dhe fleta poseduese.
(i) Vendimet e gjykatave të rregullta për përsëritjen e procedurës
Më 19 tetor 2006, parashtruesit e kërkesës paraqitën propozim në Gjykatën Komunale për përsëritjen e procedurës gjyqësore. Ata pretendonin se e kishin gjetur një provë të re, për të cilën nuk kishin njohuri se ekzistonte gjatë procesit gjyqësor, përkatësisht listën poseduese që dëshmonte se pronat ishin në pronësi të trashëgimlënësve të tyre. Komuna e Prizrenit paraqiti kundërshtim ndaj propozimit për përsëritjen e procedurës, me arsyetimin se prova e re nuk ishte origjinale dhe nuk përputhej me paluajtshmëritë që ishin kontestuese në këtë rast.
Më 17 nëntor 2006, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [C.nr.790/06] aprovoi si të bazuar kërkesën për përsëritjen e procedurës, me arsyetimin se, prova e re e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës, po të ishte paraqitur gjatë procesit gjyqësor do të ndryshonte vendimin e Gjykatës Supreme në favor të tyre.
Më 2 prill 2007, Gjykata e Qarkut përmes Aktvendimit [Ac.nr.85/2007] vërtetoi vendimin e Gjykatës Komunale për përsëritjen e procedurës dhe refuzoi ankesën e Komunës së Prizrenit si të pabazuar. Gjykata e Qarkut theksoi se, prova e re e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës tregonte që pronat ishin të regjistruara në emër të trashëgimlënësve të parashtruesve të kërkesës sipas listës poseduese.
Në një datë të paspecifikuar, Komuna e Prizrenit parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës së Qarkut për përsëritjen e procedurës, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe vërtetimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 6 qershor 2011, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.250/2007] hodhi poshtë si të palejuar revizionin e Komunës së Prizrenit kundër Aktvendimeve të Gjykatës Komunale dhe asaj të Qarkut për lejimin e përsëritjes së procedurës. Gjykata Supreme arsyetoi se, sipas nenit 400 të Ligjit të aplikueshëm për Procedurën Kontestimore të RSFJ-së (në tekstin e mëtejmë: Ligji i aplikueshëm për Procedurën Kontestimore), që ishte në fuqi në kohën e paraqitjes së propozimit për përsëritjen e procedurës, revizioni mund të paraqitet kundër vendimit të shkallës së dytë me të cilin ka përfunduar procedura në formë të prerë, gjë që sipas kësaj gjykate nuk ishte rasti në rrethanat konkrete.
(ii) Vendimet e gjykatave të rregullta pas përsëritjes së procedurës
Më 19 shkurt 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.790/06] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Më 27 maj 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.2337/15] e ktheu çështjen në rigjykim. Gjykata e Apelit arsyetoi se, sipas nenit 428 të LPK-së, që ishte në fuqi në kohën e nxjerrjes së vendimit për përsëritjen e procedurës, ishte në kompetencën e Gjykatës Supreme që të nxirrte një vendim të tillë. Sipas Gjykatës së Apelit, në rastin konkret, Gjykata Komunale kishte vendosur për përsëritjen e procedurës jashtë kompetencës së saj të përcaktuar me ligj. Në vijim të këtij vlerësimi, Gjykata e Apelit e udhëzoi Gjykatën Themelore që në procedurën e rigjykimit, t’ia përcjellë Gjykatës Supreme propozimin për përsëritjen e procedurës për shqyrtim dhe vendimmarrje.
Më 8 prill 2021, Gjykata Themelore i përcolli shkresat e lëndës në Gjykatën Supreme për të vendosur në lidhje me propozimin për përsëritjen e procedurës, të iniciuar nga parashtruesit e kërkesës më 19 tetor 2006.
Më 30 shtator 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CPP 3/2021]: (i) refuzoi si të pabazuar propozimin për përsëritje të procedurës të përfunduar në mënyrë të plotfuqishme përmes Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev.nr.209/2005] të 25 majit 2006; dhe (ii) anuloi Aktvendimin e Gjykatës Komunale [P.nr.790/06] të 17 nëntorit 2006 dhe Aktvendimin [AC.nr.85/2007] e Gjykatës së Qarkut të 2 prillit 2007.
Gjykata Supreme, fillimisht bazuar në paragrafin 1 të nenit 428 të Ligjit në fuqi për Procedurën Kontestimore LPK-së i aplikueshëm në kohën e parashtrimit të propozimit për përsëritje të procedurës, konstatoi se vetëm ajo e kishte kompetencën për të vendosur në lidhje me propozimin për përsëritjen e procedurës.
Gjykata Supreme vlerësoi se prova e re e paraqitur nga parashtruesit e kërkesës si bazë për përsëritjen e procedurës, përkatësisht lista poseduese, “nuk paraqet provë të pronësisë” dhe nuk mund të mbizotërojë ndaj të gjitha provave të tjera të cilat ishin paraqitur para shkallës së parë.
Në vijim, Gjykata Supreme arsyetoi që sipas ekspertizës së gjeodezisë dhe Aktvendimit [O.nr.30/57] të Gjykatës Komunale të 12 qershorit 1957, prona nuk kanë qenë e evidentuar në emër të paraardhësve të parashtruesve të kërkesës, por prej vitit 1952 është evidentuar si pronë shoqërore të cilën e kishte disponuar komuna, e më pas e drejta e shfrytëzimit faktik kishte kaluar te NPK “Higjiena”. Gjykata Supreme konstatoi se parashtruesit e kërkesës nuk mund të fitojnë pronat e paluajtshme sipas trashëgimisë, sepse ato nuk kanë qenë të evidentuara në emër të gjyshit dhe as të babait të tyre, rrjedhimisht nuk mund të fitojnë pronësinë as parashtruesit e kërkesës mbi bazën e trashëgimisë.
Gjykata Supreme specifikoi se: “duke pasur parasysh se me këtë aktvendim është refuzuar si i pabazuar propozimi për përsëritje të procedurës të përfunduar në mënyrë të plotfuqishme me aktgjykimin e cekur të Gjykatës Supreme të Kosovës, ka qenë e nevojshme të anulohen po ashtu edhe dy aktvendimet siç është theksuar në pikën e dytë të dispozitivit të këtij vendimi. Me anulimin e tyre, ato pushojnë së ekzistuari në aspektin faktik dhe juridik. Marrë parasysh se si edhe aktgjykimi i shkallës së parë dhe i shkallës së dytë kanë qenë aprovuese ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Supreme ndryshues, me të cilin është refuzuar kërkesëpadia e paditësve [parashtruesve të kërkesës], kjo do të thotë se paditësit kanë pasur interes juridik që në procedurën e përsëritur të shfuqizohet vetëm aktgjykimi i Gjykatës Supreme, kështu që vetëm Gjykata Supreme ka mundur të vendosë për propozimin e paditësve me të cilin kanë kërkuar përsëritje të procedurës.”
Në fund, Gjykata Supreme bazuar në paragrafin 3 të nenit 428 të Ligjit në fuqi për Procedurën Kontestimore anuloi dy Aktvendimet e Gjykatës Komunale dhe të Gjykatës së Qarkut dhe konsideroi që ato pushojnë se ekzistuari në aspektin faktik dhe juridik.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike dhe parimit “res judicata”, si pjesë përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se Aktvendimi i kontestuar “shkelë rëndë parimin e sigurisë juridike, si një nga parimet bazë dhe thelbësore të të drejtës për gjykim të drejte dhe të paanshëm. Kjo pasi, e njëjta kërkesë (kërkesa për përsëritje të procedurës), ne vitin 2006 nga Gjykata Komunale është aprovuar si e bazuar ne vitin 2007 nga Gjykata e Qarkut është vërtetuar si e bazuar dhe ne vitin 2007 është shqyrtuar nga Gjykata Supreme me çka është bërë çështje e gjykuar (res judicata). Ndërsa, në vitin 2020 Gjykata e Apelit, pa ia kërkuar askush vlerësimin e përsëritjes së procedurës, ka "udhëzuar" që të rishikohet/rivlerësohet nëse një gjë e tillë nuk është e lejuar.”
Parashtruesit e kërkesës shtojnë se në procesin gjyqësor pas lejimit të përsëritjes së procedurës, Gjykata e Apelit i dha udhëzime Gjykatës Themelore që të mos vendos në lidhje me meritat e kërkesëpadisë, por të rivlerësonte vendimin e mëparshëm për rihapjen e procedurës, e cila tashmë ishte vendim “res judicata”. Në vijim të kësaj, parashtruesit e kërkesës theksojnë se në rastin e tyre është cenuar parimi i sigurisë juridike, për shkak se është rihapur një vendim i cili ishte vendosur nga të gjitha gjykatat e rregullta dhe si i tillë ishte përfundimtar.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se, Gjykata Supreme vendosi për anulimin e vendimit të Gjykatës Komunale dhe të Gjykatës së Qarkut për lejimin e përsëritjes së procedurës, përkundër që një gjë e tillë nuk ishte objekt shqyrtimi pranë saj. Po ashtu, sipas parashtruesve të kërkesës, Gjykata Supreme nuk e anuloi vendimin paraprak të saj për rihapjen e procedurës. Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme i anuloi disa vendime të formës së prerë “res judicata” ndërsa nuk e shqyrtoi fare vendimin tjetër të saj, për të njëjtën çështje. Në vijim të kësaj, parashtruesit e kërkesës specifikojnë se Gjykata Supreme, pas katërmbëdhjetë (14) vitesh prej kur ishte miratuar propozimi për rihapjen e procedurës nga gjykatat e rregullta, vendosi t’i anulojë ato vendime dhe të refuzojë propozimin për përsëritje të procedurës, si rrjedhojë duke shkelur parimin e sigurisë juridike.
Parashtruesit e kërkesës arsyetojnë se, vendimet e Gjykatës se Apelit dhe të Gjykatës Supreme i kanë privuar nga “përfitimi i vendimit”, i cili kishte marrë “formë të prerë”, në favor të tyre, për arsye se sipas tyre procedura për vendosjen në lidhje me rihapjen e procedurës ishte çështje e gjykuar, dhe se kjo përbën pengesë absolute për mos lejimin e gjykimit të ri për të njëjtën çështje. Në vijim, parashtruesit e kërkesës duke iu referuar nenit 194 të Ligjit tashmë në fuqi të Procedurës Kontestimore, i cili ishte në fuqi në kohën e shqyrtimit të ankesës para Gjykatës së Apelit, sipas tyre kjo e fundit ekzaminon aktgjykimin e shkallës së parë në atë pjesë në të cilën është goditur me ankesë dhe atë brenda kufijve të shkaqeve të treguara në ankesë. Rrjedhimisht, sipas parashtruesve të kërkesës, në rastin konkret: “Gjykata e Apelit edhe sipas dispozitave ligjore të aplikueshme është dashur te shqyrtoje ankesën e palëve paditëse ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Themelore për Refuzimin e Padisë, brenda arsyeve të përmendura në të.”
Parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre i referohen praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës që ndërlidhen me parimin e sigurisë juridike, përkatësisht “res judicata”, përkatësisht rasteve KI122/17; KI195/19; KI132/15; KI08/09; KI87/18.
Parashtruesit e kërkesës i referohen Buletinit të praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, të vitit 2016, vëllimi i tretë, duke nënvizua se i njëjti përcakton që: “një çështje mund të cilësohet si çështje e gjykuar (res judicata) vetëm nëse në mënyrë kumulative përmbushen kushtet si në vijim: (i) të ekzistojë identiteti – njëjtësia subjektive e palëve; (ii) të ekzistojë identiteti i kërkesës; (iii) të ekzistojë identiteti i gjendjes faktike; dhe (iv) kontesti të jetë përfunduar në procedurë kontestimore.” Sipas parashtruesve të kërkesës, në rastin konkret, ishin përmbushur të gjitha këto kushte, dhe rrjedhimisht, sipas tyre Gjykata Supreme nuk i është përmbajtur praktikës së saj detyruese në këtë çështje.
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që kërkesa e tyre të shpallet e pranueshme dhe të konstatojë se: (i) ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (ii) Aktvendimi [C. Nr. 790/06] i Gjykatës Komunale ne Prizren, i datës 17.11.2006; Aktvendimi [Ac. Nr. 85/2007] i Gjykatës së Qarkut në Prizren, i datës 02.04.2007, dhe Aktvendimi [Rev. Nr. 250/2007] i Gjykatës Supreme të Kosovës, i datës 06.06.2011 janë përfundimtare dhe të detyrueshme, dhe si të tilla res judicata; dhe (iii) Aktvendimi [CPP.3/2021] i 30 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme është i pavlefshëm.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.
[...]
Ligji mbi Procedurën Kontestimore
(Gazeta Zyrtare e RSFJ-sw, 14 janar 1977)
Neni 428
Në qoftë se shkaku për përsëritjen e procedurës ka të bëjë vetëm me procedurën para gjykatës më të lartë, kryetari i kolegjit të gjykatës të shkallës së parë, pasi të jetë mbajtur seanca për shqyrtimin e parë, pasi të jetë mbajtur seanca për shqyrtimin e propozimit për përsëritjen e procedurës, do t’ia dërgojë objektin kësaj gjykate më të lartë për marrjen e vendimit. Kur objekti të ketë arritur pranë gjykatës më të lartë, kryetari i kolegjit do të veprojë sipas dispozitave të nenit 361 të këtij ligji. Rreth propozimit për përsëritjen e procedurës gjykata më e lartë do të vendos pa shqyrtim. Kur gjykata më e lartë konstaton se është justifikuar propozimi për përsëritjen e procedurës dhe se nuk ka nevojë të mbahet seanca kryesore e re do ta prishë vendimin e vet si dhe vendimin e gjykatës më të lartë, po qe se ky ekziston dhe do të marrë vendim të ri mbi çështjen kryesore.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesit e kërkesës janë palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.7/2023] e Gjykatës Supreme, të 15 gushtit 2023, pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; kanë specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendojnë se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e përcaktuara në pikën (b) të paragrafit 3 të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
(3) “Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse plotësohet ndonjë nga kushtet e mëposhtme:
(...)
(b) Kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën;
(...)
Në rastin konkret, parashtruesit e kërkesës pretendojnë që Gjykata Komunale me Aktvendimin [C.nr.790/06] e 17 nëntorit 2006 dhe Gjykata e Qarkut me Aktvendimin [Ac.nr.85/2007] e 2 prillit 2007 e kishin miratuar propozimin e tyre për përsëritjen e procedurës gjyqësore dhe këto vendime ishin bërë “res judicata”. Sipas parashtruesve të kërkesës, Gjykata Supreme me Aktvendimin e [CPP 3/2021] e 30 shtatorit 2021 e refuzoi përsëritjen e procedurës dhe në mënyrë të padrejtë i anuloi këto dy aktvendime të cilat veçse ishin bërë të formës së prerë duke shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përkitazi me sigurinë juridike.
Nëse kërkesa e parashtruesve të kërkesës është në pajtueshmëri ratione materiae me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së
(i) parimet e përgjithshme
Gjykata në praktikën e saj gjyqësore, duke afirmuar parimet e zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së ka theksuar se në rastet kur gjykatat e rregullta e refuzojnë rihapjen e procedurës, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së nuk gjen zbatim (shih në këtë kuptim, ndër tjerash rastet e Gjykatës, KI100/23, parashtrues Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 shkurtit 2024; paragrafi 82; dhe KI80/15, KI81/15 dhe KI82/15, parashtrues Rrahim Hoxha, Aktvendim për Papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2016, paragrafi 33; shih dhe rastet e GJEDNJ-së Oberschlick kundër Austrisë, nr. 23727/94, Vendim, i 21 marsit 1994, Dowsett kundër Mbreterisë së Bashkuar, nr. 8559/08, Vendim, i 4 janarit 2011; dhe Sablon kundër Belgjikës, nr. 36445/97, Aktgjykim i 10 prillit 2001, paragrafi 86).
Gjykata rithekson se, në procedurën sipas kërkesës për përsëritje të procedurës, gjykatat e rregullta vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për përsëritje të procedurës plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj dhe jo për “të drejtat dhe detyrimet civile” të parashtruesit të kërkesës, prandaj neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNj-së nuk është i zbatueshëm në këto situata (shih, rastin e Gjykatës, KI63/21, parashtrues Hysen Metahysa, Aktvendim për papranueshmëri i 7 tetorit 2021, paragrafi 72-73; shih, rastin e GjEDNj-së, Bochan kundër Ukrainës, nr.22251/08, Aktgjykim i 5 shkurtit 2015, paragrafi 44-45).
(ii) zbatimi i këtyre parimeve në rastin konkret
Gjykata rikujton se, parashtruesit e kërkesës në vitin 2001 kishin paraqitur padi për vërtetim të pronësisë në emër të trashëgimisë në Gjykatën Komunale në Prizren. Gjykata Komunale me Aktgjykimin [C.nr.724/01] e 9 dhjetorit 2004 dhe Gjykata e Qarkut me vendimin [Ac.nr.85/2007] e 11 gushtit 2005 aprovuan kërkesëpadinë e tyre dhe detyruan Komunën e Prizrenit që paluajtshmëritë t’i regjistronin në emër të tyre. Megjithatë, si rezultat i paraqitjes së revizionit nga Komuna e Prizrenit dhe Prokurori Publik kundër dy Aktgjykimeve të lartcekura, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.209/2005] të 25 majit 2006 prishi aktgjykimet e dy gjykatave të shkallës më të ulët dhe refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës.
Parashtruesit e kërkesës në vitin 2006 kishin paraqitur në Gjykatën Komunale propozim për përsëritjen e procedurës gjyqësore, bazuar në nenin 421 të Ligjit për Procedurën Kontestimore i aplikueshëm në atë kohë, përmes të cilës dispozitë përcaktohej se procedura e përfunduar në formë të prerë mund të përsëritet në bazë të propozimit të palëve. Në propozimin e tyre për përsëritje të procedurës, parashtruesit e kërkesës kishin specifikuar se kishin gjetur një provë të re, përkatësisht listën poseduese, që dëshmonte se pronat ishin në pronësi të trashëgimlënësve të tyre. Në vijim të këtij propozimi, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [C.nr.790/06] të 17 nëntorit 2006 dhe Gjykata e Qarkut përmes Aktvendimit [Ac.nr.85/2007] të 2 prillit 2007 miratuan propozimin për përsëritjen e procedurës me arsyetimin se prova e re e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës, po të dihej më herët, do të ndryshonte vendimin e Gjykatës Supreme në favor të tyre. Pas lejimit të përsëritjes së procedurës pranë Gjykatës Themelore, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [C.nr.790/06] të 19 shkurtit 2015 kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës. Si rezultat i ankesës së parashtruar nga Komuna e Prizrenit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktvendimit [Ac.nr.2337/15] të 27 majit 2020 kishte prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të 19 shkurtit 2015 me arsyetimin se sipas nenit 428 të Ligjit të aplikueshëm të Procedurës Kontestimore, është Gjykata Supreme ajo që ka kompetencën lëndore për të vendosur në lidhje me propozimin për përsëritjen e procedurës. Gjykata e Apelit e kishte udhëzuar Gjykatën Themelore që t’i dorëzojë shkresat e lëndës në Gjykatën Supreme për vendosje.
Gjykata vëren se, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CPP 3/2021] të 30 shtatorit 2021 kishte refuzuar (i) si të pabazuar propozimin për përsëritjen e procedurës së përfunduar me Aktgjykimin [Rev.nr.209/2005] e 25 majit 2006 të Gjykatës Supreme dhe (ii) kishte anuluar Aktvendimin [P.nr.790/06] e 17 nëntorit 2006 të Gjykatës Komunale dhe Aktvendimin [AC.nr.85/2007] e 2 prillit 2007 të Gjykatës së Qarkut. Gjykata Supreme ndër të tjerash arsyetoi se (i) prova e re e paraqitur nga parashtruesit e kërkesës, përkatësisht lista poseduese, nuk paraqet provë të pronësisë dhe nuk mund të mbizotërojë ndaj provave të tjera të cilat ishin administruar pranë shkallës së parë; dhe (ii) sipas nenit 428 të Ligjit të aplikueshëm të Procedurës Kontestimore, vetëm Gjykata Supreme kishte kompetencë lëndore për të vendosur në lidhje me propozimin për përsëritjen e procedurës.
Gjykata vlerëson se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së nuk gjen zbatim në rastin konkret, për shkak se Gjykata Supreme me Aktvendimin [CPP 3/2021] e 30 shtatorit 2021 e refuzoi propozimin e parashtruesve të kërkesës për përsëritjen e procedurës gjyqësore e cila ishte zgjidhur në merita nga Aktgjykimi [Rev.nr.209/2005] i 25 majit 2006 i Gjykatës Supreme.
Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesve të kërkesës përkitazi me përsëritjen e procedurës gjyqësore nuk është në pajtueshmëri ratione materiae me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, dhe rrjedhimisht shpallet e papranueshme sipas rregullit 34 (3) (b) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (3) (b) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 25 shtator 2024, me shumicë votash:
VENDOS
TË DEKLAROJË, me gjashtë (6) vota për dhe tre (3) kundër, kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Gulten Kulak, Semsettin Krusa, Ali Mercan, Yasar Mercan dhe Adile Mercan
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Civile