Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2343/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI155/23
Parashtrues
Zeqije Hoxha
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [CML. nr. 3/22] të Gjykatës Supreme të 30 janarit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Zeqije Hoxha, me vendbanim në Fier, Republika e Shqipërisë (në tekstin e mëtejmë: Parashtruesja e kërkesës), e cila përfaqësohet nga Ymer Koro, avokat nga Prizreni.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston Aktgjykimin [CML. nr. 3/22] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme] të 30 janarit 2023.
Parashtruesja e kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 21 mars 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të saj, të garantuara me nenet: 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]; 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta], në lidhje me nenet: 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 1 [Mbrojtja e pronës] të Protokollit numër 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [në tekstin e mëtejmë: KEDNJ].
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës, nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës, nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 korrik 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 gusht 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin Nr. GJR. KI155/23 caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI155/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 3 gusht 2023, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje të kërkesës së parashtrueses iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 3 gusht 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prizren [në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore] për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo fletkthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesja e kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 9 gusht 2023, Gjykata e pranoi fletkthesën e kërkuar nga Gjykata Themelore.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportuese dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 2 maj 2018, parashtruesja e kërkesës dorëzoi padi për vërtetim të pronësisë në Gjykatën Themelore kundër të paditurës SH.K. Parashtruesja e kërkesës argumentonte se prona me numër kadastral [p.k.nr. 4231, ZK Prizren], në sipërfaqe prej 74 metra katrorë ishte në pronësi të personit M.K. Pas vdekjes së këtij të fundit, mbi bazën e aktvendimit për trashëgiminë të 6 janarit 1989, prona u bart te bashkëshortja e tij SH.K. Tek në vitin 1994, Sh.K barti pronën te e paditura Sh.B në bazë të kontratës së mbajtjes së përhershme. Gjatë martesës M.K dhe SH.K nuk kishin fëmijë. Parashtruesja e kërkesës arsyetonte se sipas ligjit mbi trashëgiminë, në rast se trashëgimlënësi nuk ka lënë fëmijë, gjysma e pasurisë së tij do të bartet te bashkëshortja, ndërkaq gjysma tjetër bartet te vëllezërit dhe motrat. Vëllai i trashëgimlënësit M.K ishte babai i parashtrueses së kërkesës, dhe rrjedhimisht parashtruesja e kërkesës theksonte që pjesa e pasurisë që i takonte babait të saj tani duhet t’i bartej asaj.
Më 12 nëntor 2018, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C. nr. 651/18], e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:
“Me nenin 138 par. 1 të Ligjit për Trashëgiminë të Kosovës, ceket se “e drejta për të kërkuar pasurinë trashëgimore, si trashëgimtarë i trashëgimlënësit parashkruhet ndaj poseduesit me mirëbesim brenda një viti nga dita që trashëgimtari ka marrë dijeni për të drejtën e vet dhe për poseduesin e sendeve nga pasuria trashëgimore dhe në çdo rast jo më vonë se 10 vjet duke llogaritur për trashëgimtarin ligjor nga dita e vdekjes e trashëgimlënësit, kurse për trashëgimtarin me testament, nga shpallja e testamentit”. Kurse me par.2 të po këtij nenin parashihet se “ndaj poseduesit me keqbesim, kjo e drejtë parashkruhet brenda 20 vjetësh, nga koha e parashikuar në paragrafin 1, të këtij ligji”.
“Sh.K në bazë të aktvendimit mbi trashëgiminë [T.nr.5/89 të datës 6.01.1989 është pronare e ngastrës kadastralë të kontestuar dhe nga ajo kohë kanë kaluar 29 vite, dhe në bazë të kontratës së mbajtjes së përjetshme këtë paluajtshmëri kontestuese e ka bartur te e paditura SH.B në vitin 1994, që do të thotë se këtë çështje kontestimore ka kaluar edhe afati objektiv 10 vjeçar për poseduesin me mirëbesim, përkatësisht kanë kaluar 29 vite për poseduesin me keqbesim, për të kërkuar pasurinë trashëgimore si trashëgimtar të trashëgimlënësit, sepse konform dispozitave ligjore të lartcekura, koha e llogaritjes për të kërkuar pasurinë trashëgimore për paditësit, ka filluar të rrjedh nga momenti kur është shpallur aktvendimi mbi trashëgiminë në emër të SH.K. Po ashtu të njëjtit (paditësit) nuk e kanë kundërshtuar as faktin se paluatjshmëria kontestuese ka qenë në posedim të Sh.K dhe që nga viti 1989 e njëjta e ka trashëguar me aktvendim në bazë të trashëgimisë dhe e njëjta në bazë të kontratës së mbajtjes së përjetshme që nga viti 1994 ia ka bartur pjesën kontestuese Sh.K e që është poseduese me mirëbesim dhe e cila ka qenë fakti me rëndësi për vendosje në këtë çështje.”
Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe kërkoi që çështja të kthehej në rigjykim.
Më 18 nëntor 2021, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [Ac. nr. 207/19] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Mbi këtë gjendje faktike të vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë, gjykata ankimore e pranon në tërësi përfundimin e asaj gjykate për zbatimin e rregullt dhe të drejtë të dispozitave materialo-juridike nga ka rrjedhur pathemelësia e kërkesëpadisë. Në këtë rast Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka zbatuar dispozitën e nenit 138 par. 1 të Ligjit mbi Trashëgiminë e Kosovës Ligji nr. 2004/26 [...] Zbatimi i kësaj dispozite në përputhje me konstatimin e gjendjes faktike nga gjykata e shkallës së parë, argumenton plotësisht qëndrimin e gjykatës së shkallës së parë se kërkesëpadia e paditësit është e pathemeltë”.
Në një datë të paspecifikuar, Prokurori i Shtetit paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore dhe propozoi që çështja të kthehej në rigjykim. Prokurori i shtetit arsyetoi se aktgjykimet e gjykatave ishin në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së.
Më 30 janar 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [CML. nr. 3/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Në rastin konkret Gjykata Supreme vlerëson se gjykatat e instancave më të ulëta në pajtim me të drejtën materiale kanë vlerësuar se e drejta e paditësve për të kërkuar të drejtën e pronës në paluajtshmërinë kontestuese është parashkruar, kjo për faktin se e drejta e tyre ka rrjedhur nga data 06.01.1989, ndërsa që nga ajo kohë deri me datën e paraqitjes së padisë në gjykata kanë kaluar të gjitha afatet subjektive dhe objektive. Nuk mund të konsiderohet se është cenuar e drejta e paditësve në pronë përderisa në atë kohë me Ligjin për Trashëgiminë e KSAK-së por edhe më vonë me Ligjim për Trashëgiminë e Kosovës është përcaktuar qartë se e drejta për të kërkuar pasurinë trashëgimore, si trashëgimtarë i trashëgimlënësit parashkruhet ndaj poseduesit me mirëbesim brenda një viti nga dita që trashëgimtari ka marrë dijeni për të drejtën e vet dhe për poseduesin e sendeve nga pasuria trashëgimore dhe në çdo rast jo më vonë se 10 vjet duke llogaritur për trashëgimtarin ligjor nga dita e vdekjes e trashëgimlënësit, ndërsa ndaj poseduesit me keqbesim kjo e drejtë parashkruhet brenda 20 vjetësh”.
“Kjo gjykatë vlerëson se që nga koha kur trashëgimtarët në këtë rast paditësit kanë qenë në dijeni për të drejtat e tyre në këtë masë trashëgimore apo nga data e vdekjes së trashëgimlënësit-në këtë rast është marrë vendimi i trashëgimisë datë 06.01.1989, kanë kaluar të gjitha afatet ligjore që të kërkohet e drejta në pasurinë trashëgimore, qoftë 10 vite për poseduesin më mirëbesim dhe 20 vite për poseduesin për keqbesim”.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës thekson se gjykatat e rregullta e refuzuan kërkesëpadinë e saj, me arsyetimin se kërkesa ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe rrjedhimisht ishte parashkruar.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se vendimi i gjykatave të rregullta është në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së. Sipas saj, e drejta e pronës është e drejtë absolute dhe nuk mund të parashkruhet asnjëherë. Ajo gjithashtu arsyeton se Ligji mbi Trashëgiminë i Kosovës, të cilit iu referuan gjykatat e rregullta për afatin e parashkrimit, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në dhe nuk mund të zbatohet.
Parashtruesja e kërkesës thekson se paraardhësit e saj ishin detyruar të shpërngulen gjatë Luftës së Dytë Botërore nga pushteti i atëhershëm jugosllav dhe se nuk kishin pasur mundësi të kthehen në Kosovë dhe të kërkojnë të drejtën e tyre të pronësisë.
Parashtruesja e kërkesës thekson se Sh.K ka qenë në dijeni se bashkëshorti i saj M.K ka pasur dy vëllezër që jetonin jashtë Kosovës, dhe nuk e kishte mohuar faktin që të tjerë trashëgimtarë eventual mund të kishin të drejtë të trashëgonin pronën në fjalë.
Parashtruesja e kërkesës përsërit pretendimet si në kërkesëpadinë e saj, se sipas Ligjit mbi trashëgiminë, nëse vdes bashkëshorti i cili pas vetes nuk kishte lënë fëmijë, atëherë gjysma e pasurisë së tij i bartet bashkëshortes, ndërkaq gjysma tjetër i bartet vëllezërve apo motrave të tij. Ajo pretendon që në momentin kur e kishte dorëzuar kërkesëpadinë, në vitin 2018, e kishte kuptuar për ekzistencën e trashëgimisë së përmendur.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[…]
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Protokoll shtesë i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore
Neni 1
Mbrojtja e pronës
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
[...]
Ligji Nr. 2004 / 26 LIGJI PËR TRASHËGIMINË I KOSOVËS
Parashkrimi i së drejtës për të kërkuar pasurinë trashëgimore
Neni 138
138.1. E drejta për të kërkuar pasurinë trashëgimore si trashëgimtar i trashëgimlënësit parashkruhet ndaj poseduesit me mirëbesim brenda një viti nga dita që trashëgimtari ka marrë dijeni për të drejtën e vet dhe për poseduesin e sendeve nga pasuria trashëgimore dhe në çdo rast jo më vonë se 10 vjetë duke llogaritur për trashëgimtarin ligjor nga dita e vdekjes e trashëgimlënësit, kurse për trashëgimtarin me testament nga shpallja e testamentit. 138.2.Ndaj poseduesit me keqbesim kjo e drejtë parashkruhet brenda 20 vjetësh nga koha parashikuar në paragrafin 1.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ajo konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [CML. nr. 3/22] e Gjykatës Supreme të 30 janarit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNJ-së (shih rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata përsërit se parashtruesja e kërkesës pretendon që vendimet e gjykatave të rregullta ishin në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së. Gjykata në vazhdim do t’i trajtojë pretendimet e saj bazuar në parimet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës dhe më pas do t’i aplikojë parimet relevante në rrethanat e rastit konkret.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Gjykata përsërit se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit të bëra nga gjykatat e rregullta. Është në autoritetin e gjykatave të rregullta të zbatojnë dhe interpretojnë të drejtën materiale. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm në rastet kur vendimet e gjykatave të rregullta janë marrë në mënyrë “arbitrare” apo janë “qartazi të paarsyeshme”, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës (rastet e Gjykatës KI70/11, parashtrues Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri i 12 dhjetorit 2011, paragrafët 29-30; KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 23 tetorit 2017, paragrafi 37).
Gjykata rikujton se është detyrë primare e gjykatave të rregullta të interpretojnë rregullat procedurale, të tilla si afatet për paraqitjen e ankesave apo parashtresave tjera. Dispozitat ligjore që rregullojnë kriteret formale dhe afatet kohore në paraqitjen e ankesave apo të një rishikimi gjyqësor synojnë të sigurojnë administrim të duhur të drejtësisë dhe të përmbushin parimin e sigurisë juridike. Nga palët e përfshira në një proces gjyqësor pritet që t’i respektojnë këto rregullta (rasti i GJEDNJ-së, Canete De Goni kundër Spanjës, nr. 55782/00, aktgjykim i 15 tetorit 2002, paragrafi 36; Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, nr. 38366/97, aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafi 36).
Gjykata thekson se respektimi i rregullave formale të procedurës civile, nëpërmjet së cilës palët sigurojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshje civile, është i rëndësishëm sepse kufizon diskrecionin, siguron barazinë e armëve, parandalon arbitraritetin, siguron zgjidhjen efektive të kontestit dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor (rasti i GJEDNJ-së Zubac kundër Kroacisë, nr. 40160/12, aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 96).
Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës dorëzoi padi nëpërmjet së cilës kërkonte që t’i njihej e drejta e trashëgimisë mbi një pjesë të pronës së paluajtshme në sipërfaqe prej 74 metra katrorë. Prona ishte në pronësi të xhaxhait të saj M.K, ndërkaq pas vdekjes së tij kaloi në pronësi të plotë të bashkëshortes së tij. Pas pesë viteve, kjo e fundit e barti pronën te personi Sh.B nëpërmjet një kontrate për mbajtje të përhershme. Parashtruesja e kërkesës arsyetoi para gjykatave të rregullta që xhaxhai i saj nuk kishte fëmijë, dhe rrjedhimisht sipas Ligjit për trashëgiminë gjysma e pasurisë së tij i takonte bashkëshortes, ndërsa gjysma tjetër vëllezërve dhe motrave të tij. Parashtruesja e kërkesës ishte vajza e njërit prej vëllezërve të M.K, dhe pretendonte që pjesa e pronës së xhaxhait që i takonte babait të saj duhet t’i bartet asaj.
Gjykatat e rregullta e refuzuan kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës dhe arsyetuan se e drejta e saj për të kërkuar pasurinë trashëgimore ishte parashkruar për shkak të kalimit të afatit 10 vjeçar nga dita e vdekjes së trashëgimtarit. Gjykata Themelore iu referua Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, nenit 138, që përcakton se e drejta për të kërkuar pasurinë trashëgimore, si trashëgimtar i trashëgimlënësit, parashkruhet ndaj poseduesit me mirëbesim jo më vonë se 10 vite nga dita e vdekjes së trashëgimtarit, ndërsa 20 vite ndaj poseduesit me keqbesim. Gjykata Themelore theksoi se edhe Ligji për Trashëgiminë i Kosovës, që ishte në fuqi në kohën e vdekjes së trashëgimtarit, kishte përmbajtje të njëjtë në lidhje me afatin e parashkrimit. Gjykata Themelore arsyetoi se bartja e trashëgimisë së pronës u bë në vitin 1989, ndërsa kërkesëpadia u parashtrua në vitin 2018, pas 29 vitesh. Rrjedhimisht, kishte kaluar afati prej 10 viteve ndaj poseduesit me mirëbesim dhe 20 viteve ndaj poseduesit me keqbesim.
Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, duke vendosur në lidhje me ankesën respektivisht kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, pranuan në tërësi arsyetimin e Gjykatës Themelore dhe konstatuan se kërkesa trashëgimore e parashtrueses së kërkesës u parashtrua jashtë afatit të paraparë me Ligjin për Trashëgiminë.
Gjykata thekson se gjykatat e rregullta nuk i kontestuan faktet e prezantuara nga parashtruesja e kërkesës dhe nuk u morën me meritat e kërkesëpadisë, por vetëm refuzuan atë bazuar në kriteret formale të përcaktuara nga ligji. Në anën tjetër, parashtruesja e kërkesës nuk e konteston faktin që kërkesëpadia e saj është paraqitur pas afatit kohor dhe as nuk konteston interpretimin e ligjit të bërë nga gjykatat e rregullta. Megjithatë, ajo thekson se tek në vitin 2018 kur parashtroi padinë në Gjykatë kishte kuptuar për ekzistencën e trashëgimisë.
Gjykata vlerëson se është detyrë e gjykatave të rregullta të interpretojnë dispozitat ligjore në procedurë civile, siç janë afatet kohore për paraqitjen e kërkesave dhe llojeve të tjera të parashtresave. Për më tepër, siç është theksuar të parimet e përgjithshme, rregullat formale synojnë administrimin e duhur të drejtësisë, zgjidhjen e kontesteve brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe zbatimin e parimit të sigurisë juridike. Palët duhet të jenë të vetëdijshme që dështimi për t’i zbatuar këto rregulla ka pasoja juridike për ta.
Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta nuk zbatuan në mënyrë arbitrare ligjin e as në mënyrë “qartazi të paarsyeshme”, dhe rrjedhimisht nuk ia mohuan parashtrueses së kërkesës të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës janë pretendime të “shkallës së katërt”, dhe duhet refuzuar si qartazi të pabazuara.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së
Gjykata ripërsërit se bazuar në praktikën e GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, e drejta e pronës nuk garanton të drejtën për të fituar pronën. Çështjet pronësore, përfshirë edhe mënyrën e fitimit të pronësisë rregullohen me ligj (rasti i Gjykatës KI92/16, parashtrues Jusuf Berisha, aktvendim për papranueshmëri i 7 dhjetorit 2016, paragrafi 42-43; KI50/16, parashtrues Veli Berisha dhe të tjerët, aktvendim për papranueshmëri i 14 korrikut 2016, paragrafi 34).
Gjykata rithekson se KEDNJ-ja dhe Kushtetuta garantojnë gëzimin paqësor të pronës ekzistuese të personave dhe nuk garantojnë të drejtën për të fituar pronën, për shembull, me anë të trashëgimisë apo shprehjes së një vullneti me efekte juridike pasurore (rasti i GJEDNJ-së Marckx kundër Belgjikës, nr. 6833/74, aktgjykim i 13 qershorit 1979, paragrafi 50).
Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës nuk e posedon pronën në fjalë, pra nuk është pronë ekzistuese e saj dhe as nuk ankohet për ndërhyrje në të drejtën e saj për gëzimin paqësor të pronës. Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore dhe kërkoi njohjen e pasurisë trashëgimore. Ajo pretendonte se babai i saj kishte të drejtë pronësore mbi bazën e trashëgimisë ndaj pronës së paluajtshme, ndërkaq kjo e drejtë pas vdekjes së tij duhet t’i bartet asaj.
Së pari, Gjykata thekson se të gjithë individët kanë të drejtë të përdorin të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të adresuar pretendimet e tyre pronësore, përfshirë të drejtat pronësore që rrjedhin nga e drejta e trashëgimisë. Është detyrë e gjykatave të rregullta të trajtojnë këto pretendime dhe të zgjidhin kontestet sipas dispozitave ligjore. Së dyti, Gjykata thekson se të drejtat pronësore, përfshirë mënyrën e fitimit e pronësisë, të drejtat trashëgimore dhe të tjerat rregullohen me ligje të veçanta. Ligjet përmbajnë rregulla formale, si afatet kohore brenda së cilave palët duhet t’i ngritin kërkesat dhe pretendimet e tyre. Dështimi për t’i respektuar rregullat formale prodhon pasoja juridike, prandaj palët duhet të jenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë dhe t’i zbatojnë ato rregulla.
Gjykata rithekson se gjykatat e rregullta nuk u morën me meritat e kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës, por vetëm e refuzuan atë për shkak se ishte paraqitur jashtë afatit ligjorë dhe rrjedhimisht ishte parashkruar. Gjykatat e rregullta e interpretuan dhe zbatuan Ligjin për Trashëgiminë që përcaktonte afatet kohore brenda së cilës duhet të paraqiten kërkesat nga pasuria trashëgimore. Parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadinë pas kalimit të të gjitha afateve kohore dhe një gjë të tillë nuk e konteston as ajo.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës janë pretendime të “pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe duhet refuzuar si qartazi të pabazuara.
Përfundime
Si përmbledhje, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, Gjykata konkludon se: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së parë (i) që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; prandaj, si të tilla, në baza kushtetuese këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara; (II) pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, prandaj, si të tilla, në baza kushtetuese këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Zeqije Hoxha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile