Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, ARJ.nr.45/2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës të 13 qershorit 2022

Nr. të lëndës KI 164/22

Parashtruesit: Partia Demokratike e Kosovës

Shkarko:

KI164/22, Parashtrues Partia Demokratike e Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, ARJ.nr.45/2022, të 13 qershorit 2022, të  Gjykatës Supreme të Kosovës

KI164/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 22 janarit 2024, i publikuar më 1 mars 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, aplikueshmëria e nenit 31 të Kushtetutës në procedurë paraprake, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e partisë politike bazuar në nenin 10 të Ligjit për Konfliktin Administrativ kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore për shfuqizimin e Vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (në tekstin e mëtejmë: ZRRE), të 8 shkurtit 2022 me arsyetimin se në këtë vendim nuk përfshihen konsumatorët e energjisë në katër (4) komunat në veri të Republikës së Kosovës, dhe i njëjti  ka rezultuar në trajtim të pabarabartë në raport me konsumatorët e energjisë në komunat tjera të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njëherit kishte parashtruar edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi. Në kërkesën e tij për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të ZREE-së, parashtruesi i kërkesës kishte specifikuar se: “Ekzekutimi i vendimit të kontestuar, qytetarëve të Republikës së Kosovës, si palë me interes juridik në këtë procedurë […], në emër dhe për llogari të të cilëve ka vepruar [parashtruesi i kërkesës] si person juridik, do t’ju shkaktonte dëme të shumëfishta dhe të  pariparueshme si në aspektin financiar, ashtu edhe në pasojat e tjera juridike që rrjedhin prej tij.” Rrjedhimisht, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, kërkesën e tij për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZREE-së e ka parashtruar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përkatësisht konsumatorëve të energjisë elektrike si palë me interes në kuptim të këtij vendimi. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A.nr.656/22] të 8 prillit 2022 kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të ZREE, i cili vendim ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit [AA. Nr. 364/22] të Gjykatës së Apelit të 13 qershorit 2022. Në vijim, si rezultat i kërkesës së ZREE-së për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktvendimit të sipër cekur të Gjykatës së Apelit, të parashtruar në Gjykatën Supreme, kjo e fundit, përmes Aktgjykimit [ARJnr.45/2022] të 13 qershorit 2022 kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e ZREE-së duke e refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për  shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të ZREE-së.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i nxjerrë në procedurën e shtyrjes së ekzekutimit të Vendimit të ZREE-së, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31  [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës , në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i (i) zbatimit të gabuar të ligjit dhe (ii) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Gjykata, pas aplikimi të parimeve që ndërlidhen me aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut në procedurë paraprake, vazhdoi me shqyrtimin dhe vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Gjykata në adresimin e pretendimit të tij për (i) interpretim dhe zbatim qartazi të gabuar dhe arbitrar të nenit 22 të Ligjit për Konfliktin Administrativ, konsideroi se parashtruesi i kërkesës përmes kërkesës së tij, nuk mbështeti mjaftueshëm se si këto interpretime të nenit 22 të Ligjit për Konfliktin Administrativ, të bëra nga Gjykata Supreme, kanë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme. Kjo për arsye se Gjykata konsideroi se konstatimet dhe konkluzionet e Gjykatës Supreme në këtë procedurë paraprake dhe të cilat në mënyrë specifike i referohen kërkesës së parashtruesit për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit ZREE-së mbështeten në radhë të parë në vlerësimin e saj për plotësim të kritereve të përcaktuara në nenin 22 të Ligjit për Konfliktin Administrativ. Përderisa në adresimin e pretendimit të tij për (ii) mungesë të arsyetimit të Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, Gjykata duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, përfshirë edhe arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj , vlerëson se ky i fundit nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Si rezultat i këtyre konstatimeve, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për (i) interpretim dhe zbatim qartazi të gabuar dhe arbitrar të ligjit dhe (ii) për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme janë pretendime qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës, dhe rrjedhimisht konkludoi se  kërkesa e tij duhet të shpallet e papranueshme.

 

Parashtruesit:

Partia Demokratike e Kosovës

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative