Prishtinë më 5 shkurt 2024
Nr. ref.:RK 2322/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI194/23
Parashtrues
Habib Gela
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit Ac. nr. 1229/2020 të Gjykatës së Apelit të 6 prillit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SE KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Habib Gela, nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet para Gjykatës nga avokati, Nysret Mjeku.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 1229/2020] të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) të 6 prillit 2023.
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 2 gusht 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 19 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 26 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [GJR 194/23], caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 4 tetor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 12 tetor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore të Prishtinës për regjistrim të rastit si dhe kërkoi nga e njëjta që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar.
Më 13 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftoi Gjykatën se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 2 gusht 2023.
Më 22 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se që nga 1 korriku 1969, parashtruesi i kërkesës ka qenë i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi).
Më 5 shkurt 2016, punëdhënësi përmes Vendimit [nr. 811] njoftoi parashtruesin se më 20 dhjetor 2016, arrin moshën e pensionimit.
Më 14 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër punëdhënësit, për kompensimin e pagave jubilare, në shumë prej 2.254.00 euro, duke u thirrur në nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Më 11 shkurt 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktgjykimit [C. nr. 932/18] (i) aprovoi në tërësi padinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) detyroi punëdhënësin që t’ia kompensoj parashtruesit shumën prej 2.254.00 euro në emër të tri pagave jubilare, me kamatë 8%, e cila do të llogaritet nga data e ushtrimit të padisë; si dhe (iii) detyroi punëdhënësin t’ia mbulojë shpenzimet e procedurës kontestimore. Gjykata Themelore në Aktgjykimin e saj konstatoi se bazuar në nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, e cila në rastin konkret është e aplikueshme, punëdhënësi është i obliguar t’ia paguaj parashtruesit kompensimin në emër të tri pagave jubilare.
Në një datë të paspecifikuar, punëdhënësi parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 6 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1229/2020] (i) aprovoi ankesën e punëdhënësit; (ii) refuzoi në tërësi padinë e parashtrueist të kërkesës; dhe (iii) vendosi që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta. Në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit theksohet se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka zbatuar dispozitat e nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, sepse në rastin konkret në momentin kur parashtruesi i kërkesës ka arritur vitet jubilare të punës, respektivisht 10, 20 dhe 30 vite përvojë pune ashtu edhe siç parashihet me nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, kjo e fundit nuk ka qenë në fuqi. Gjykata e Apelit në Aktgjykimin e saj shton si në vijim: “Përfundimisht kur të bëhet llogaritja në total edhe me ndërprerjen e përvojës së punës atëherë rezulton se viti i 10 jubilar të jetë në vitin 1979, ndërsa viti i 20 jubilar është në vitin 1989, ndërsa viti 30 jubilar është arritur në vitin 1999, dhe në këtë vit Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, nuk ka qenë në fuqi. Prandaj, duke qenë se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, ka qenë e vlefshme për periudhën 01.01.2015, e deri më 31.12.2017, nuk ka pasur vend për aprovimin e kërkesëpadisë, siç ka vepruar gjykata e shkallës së parë”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon para Gjykatës se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke u thirrur në dy raste të Gjykatës së Apelit, në të cilat sipas parashtruesit kjo e fundit ka vendosur ndryshe, respektivisht ka refuzuar ankesat e punëdhënësve.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ka dorëzuar dy aktgjykime, respektivisht Aktgjykimin [AC. nr. 4441/19] të 25 nëntorit 2019 të Gjykatës së Apelit si dhe Aktgjykimin [CA. nr. 2500/2019] të 30 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit, për të cilat ka theksuar se “Gjykata e Apelit në raste të ngjashme ka vendosur pozitivisht në dobi të palës, si psh [R.A., H.M dhe J.B] andaj mbi këto prova që e njëjta Gjykatë (e Apelit) ka vendosur pozitivisht në rastin konkret negativisht”.
Andaj, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të anulojë vendimin e kontestuar duke lënë në fuqi Aktgjykimin [C. nr. 932/18] e 11 shkurtit 2019 të Gjykatës Themelore, përmes së cilit ishte miratuar kërkesëpadia e parashtruesit për kompensim.
Dispozita përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1.Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
MARRËVESHJEN E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE TË KOSOVËS
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf
[...]
Neni 82
1.Kjo Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive e Kosovës (MPKK) e nënshkruar nga Partnerët në Këshillin Ekonomiko – Social të Kosovës, hyn në fuqi nga data 01.01.2015
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në cilësinë e palës së autorizuar, dhe konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 1229/2020] të Gjykatës së Apelit, të 6 prillit 2023. Gjykata në vijim, vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme për shkak se “vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 Euro” ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Në këtë kuptim, marrë për bazë faktin që objekt i shqyrtimit të kërkesës është Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, i 6 prillit 2023, Gjykata do të vlerësojë nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës. Në lidhje me këtë të fundit, bazuar në faktin se parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesën e tij në Gjykatë më 19 shtator 2023, ndërsa sipas fletëkthesës së dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, vërehet se parashtruesi vendimin e kontestuar e ka pranuar më 2 gusht 2023, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatë brenda afatit të përcaktuar me ligj dhe Rregullore të punës, pasi që i ka shteruar mjetet juridike, si dhe ka saktësuar dispozitat kushtetuese për të cilat pretendon se janë cenuar në rastin e tij.
Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullit (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Esenca e rastit ka të bëj me refuzimin e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës nga gjykatat e rregullta, që ndërlidhet me kërkesën e tij për kompensimin e pagave jubilare nga punëdhënësi. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër punëdhënësit, ku kishte kërkuar kompensimin e tri pagave jubilare me rastin e daljes së tij në pension. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke u thirrur në dispozitat relevante të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe e kishte obliguar punëdhënësin që t’ia kompensoj parashtruesit shumën e caktuar. Më pas, punëdhënësi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të shkallës së parë dhe kjo e fundit aprovoi ankesën e punëdhënësit, duke refuzuar në plotni kërkesëpadinë e parashtruesit, me arsyetimin se në rastin konkret, në momentin që parashtruesi kishte arritur vitet jubilare të punës, Marrëveshja e Përgjithshme nuk ishte në fuqi.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se është trajtuar ndryshe në raport me disa palë të tjera, duke bashkëngjitur edhe vendimet e gjykatave të rregullta.
Gjykata në vijim do t’i shtjellojë (i) parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore; (ii) aplikimi i të njëjtave në rastin konkret.
Parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore
Lidhur me këtë, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2019, ku Gjykata, ndër të tjera, konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së).
Në dritën e zhvillimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me mungesën e konsistencës të vendosura përmes praktikës gjyqësore, Gjykata fillimisht i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar vazhdimisht se një nga komponentët thelbësor të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih, rastin e GJEDNJ-së Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], kërkesa nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 38155/02, Aktgjykim i 2 nëntorit 2010, paragrafi 38, dhe rastin Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, kërkesa nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56).
Sipas GJEDNJ-së: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor”. (shih, rastin Paduraru kundër Rumanisë, kërkesa nr. 63252/00, paragrafi 98; Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, kërkesat nr. 44698/06, paragrafi 56, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009; dhe rasti Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 38). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore. (shih, rastin Unédic kundër Francës, kërkesa nr. 20153/04, paragrafi 74, 18 dhjetor 2008, shih rastin e cituar më lart Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e cituar më lart të Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 65, si dhe rastin KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33).
Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), kërkesa nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastin e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51 dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës të cituara më lart, KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, paragrafi 39, KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, paragrafi 67, të cituar më lart, KI35/18 parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, të cituar më lart, paragrafi 70, KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020).
Gjykata vëren se GJEDNJ gjatë zhvillimit të konceptit të “dallimeve të thella dhe afatgjata” gjithashtu mori parasysh nëse mospërputhja është e izoluar apo afekton një numër të madh njerëzish (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 135).
Gjykata, në këtë drejtim, gjithashtu thekson se GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafët 42 - 43).
Kjo e fundit ndërlidhet me kriterin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me ekzistencën e një mekanizmi të aftë për të zgjidhur mospërputhjet në praktikën gjyqësore dhe nëse ky mekanizëm është përdorur dhe me çfarë efekti. Në këtë drejtim, GJEDNJ fillimisht ka konstatuar se mungesa e një mekanizmi të tillë përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, Tudor Tudor kundër Rumanisë, kërkesa nr. 21911/03 , Aktgjykim i 4 marsit 2009, paragrafët 30-32; dhe Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 2 shkurtit 2010, paragrafët 37-38; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 54).
Zbatimi i këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të aplikojë parimet e elaboruara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih, rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore, si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, duhet t’ia paraqes Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, rastin e cituar më lart KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 76).
Në këtë drejtim, GJEDNJ pranon se mundësia e divergjencave në praktikën gjyqësore është karakteristikë e natyrshme në çdo sistem gjyqësor të bazuar në një sistem gjykatash nacionale që kanë autoritet mbi juridiksionin e tyre territorial. Ajo gjithashtu pranon se dallime të tilla mund të lindin, si në rastin konkret, brenda të njëjtit juridiksion. Kjo në vetvete nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën e garantuar me KEDNJ (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së Santos Pinto kundër Portugalisë, kërkesa nr. 39005/04 Aktgjykim i 20 majit 2008 par. 41).
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës i cili thekson se rasti i tij nuk është trajtuar në mënyrë të njëjtë në raport me rastet e tjera të cilat, edhe përkundër rrethanave të ngjashme faktike dhe juridike, duke shtuar se “Gjykata e Apelit në raste të ngjashme ka vendosur pozitivisht në dobi të palëve, si psh [R.A., H.M dhe J.B], andaj mbi këto prova që e njëjta Gjykatë (e Apelit) ka vendosur pozitivisht në rastin konkret negativisht”.
Gjykata vëren se në të dyja rastet që parashtruesi i kërkesës i ka sjellë në Gjykatë, në mbështetje të pretendimit të tij për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i divergjencës të praktikës gjyqësore, duke pretenduar se ngërthejnë të njëjtat rrethana si rasti i tij, në të dyja rastet palë ndërgjyqëse janë gjithashtu punëtorë tek i njëjti punëdhënës. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ka sjellë dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit për raste të ndryshme, me pretendimin se të njëjtit ngërthejnë të njëjtën gjendje faktike.
Gjykata, duke iu rikthyer pretendimit të parashtruesit të kërkesës se gjykatat e rregullta, respektivisht Gjykata e Apelit, në dy raste të ngjashme ka vendosur ndryshe, Gjykata rikujton se në rastet KI87/18 dhe KI35/18 cituar më lart, ka konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të shkeljes së parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës së praktikës gjyqësore, në rastin KI87/18 në vlerësimin e 3 (tre) rasteve të Gjykatës Supreme, të nxjerra në një periudhë kohore 3 (tre) vjeçare, dhe në rastin KI35/18 në vlerësimin e 9 (nëntë) rasteve të Gjykatës Supreme të nxjerra në një periudhë kohore 5 (pesë) vjeçare dhe pasi kishte konstatuar se (i) kishte “dallime të thella dhe afatgjata”; (ii) mekanizmi i Gjykatës Supreme për harmonizimin e praktikës gjyqësore ekzistonte; porse (iii) mekanizmi i lartpërmendur nuk ishte përdorur (shih, rastet e Gjykatës KI87/18, cituar më lart, paragrafi 79 dhe paragrafët 81 deri 85, dhe rastin KI35/18, cituar më lart, paragrafi 70 dhe paragrafët 110-111).
Përderisa, Gjykata në rastet e saj KI29/17, KI42/17, KI35/18 dhe KI107/19 të cituara më lart kishte vlerësuar, se nuk mund të konstatohen “dallime të thella dhe afatgjata”, në krahasimin e vetëm 2 (dy) rasteve edhe nëse të njëjtat mund të jenë kundërthënëse. Në këtë rast, në një rrethanë të tillë, ku parashtruesit i referohen vetëm një vendimi, i cili përmban konstatim dhe përfundim ndryshe nga vendimi i nxjerrë në rastin e parashtruesve, Gjykata nuk kishte konstatuar se ishte cenuar parimi i sigurisë juridike (shih rastet e Gjykatës: K29/17, i cituar më lart, paragrafi 53, KI42/17, i cituar më lart, paragrafi 44, KI35/18, i cituar më lart, paragrafët 104 dhe 114, dhe KI107/19, i cituar më lart, paragrafi 75).
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në Gjykatë ka dorëzuar Aktgjykimin [AC. nr. 4441/19] të 25 nëntorit 2019 të Gjykatës së Apelit si dhe Aktgjykimin [CA. nr. 2500/2019] të 30 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit, duke mos dorëzuar parashtresat tjera lidhur me këto dy raste, për të cilat ka pretenduar lidhshmërinë faktike dhe juridike me atë të rastit të tij.
Megjithatë, duke iu referuar rasteve të referuara nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata vëren se në të dyja rastet gjykata e shkallës së parë kishte miratuar kërkesat e të punësuarve për kompensimin e pagave jubilare. Pas ankesës së punëdhënësit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes aktgjykimeve të saj të nxjerra njëri në vitin 2019 dhe tjetri i vitit 2020, refuzoi ankesat e punëdhënësit me arsyetimin se në momentin që të punësuarit kanë parashtruar padi për kompensimin e pagave jubilare, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ka qenë në fuqi.
Ndërsa në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore aprovoi padinë e parashtruesit me arsyetimin se sipas dispozitave të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, e cila sipas Gjykatës Themelore kishte qenë e aplikueshme, obligoi punëdhënësin t’a kompensoj parashtruesin me tri paga jubilare. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së punëdhënësit, e miratoi të njëjtën duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka zbatuar dispozitat e nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, sepse në rastin konkret në momentin kur parashtruesi i kërkesës ka arritur vitet jubilare të punës, respektivisht 10, 20 dhe 30 vite përvojë pune ashtu edhe siç parashihet me nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, kjo e fundit nuk ka qenë në fuqi.
Gjykata, gjithashtu rikujton se për çështjet e pagave jubilare, Gjykata Supreme më 27 shkurt 2023, kishte nxjerrë edhe Mendimin Juridik për Shpërblimin Jubilar, ku theksohet ndër të tjera si në vijim:
Marrëveshja/Kontratat e aplikueshme
“II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur me datë 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet në periudhën kohore nga data 01.1.2015 - 31.12.2017”.
Kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar:
“VI. I punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit”.
Nga si më sipër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023, siç është elaboruar edhe më lart.
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i arsyetuar dhe se interpretimi i kësaj të fundit, sa i përket fakteve të paraqitura për vlerësim nga parashtruesi i kërkesës, nuk mund të thuhet se ishte arbitrar, i paarsyeshëm apo të ketë mundur të ndikojë në gjykim të drejtë, por ishte thjesht çështje e interpretimit dhe zbatimit të ligjit (shih në mënyrë analoge, rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 57).
Duke rikujtuar detyrimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës që parashtruesit e kërkesës duhet t’i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vëren se përveç dorëzimit të dy vendimeve të Gjykatës së Apelit, ku parashtruesi pretendon rrethanat faktike dhe juridike të ngjashme si ato në rastin e parashtruesit, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që Gjykatës t’i paraqesë argumente shtesë apo raste tjera që janë vendosur ndryshe nga Gjykata e Apelit, dhe rrjedhimisht ta mbështesë pretendimin e tij për cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Andaj, në dritën e praktikës së vet gjyqësore, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit (shih, në mënyrë analoge rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 53).
Prandaj, Gjykata konsideron se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë juridike, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta (shih, rastin KI29/17, të cituar më lart, paragrafi 58).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (d) dhe (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Habib Gela
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative