Prishtinë, më 28 qershor 2024
Nr. ref.: RK 2454/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI147/23
Parashtrues
Miomir Matejeviq
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 22/2023] të 30 janarit 2023 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Miomir Matejeviq, me vendbanim në Nish, Republika e Serbisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës)
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 22/2023] e 30 janarit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Parashtruesi i kërkesës nuk i ka specifikuar të drejtat kushtetuese të cilat pretendon se i janë shkelur nga vendimi i kontestuar.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 qershor 2023, kërkesa u dorëzua në postë, ndërsa më 5 korrik 2023 kërkesa mbërriti në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 13 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR. KI147/23 caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI147/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 18 korrik 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi dokumente shtesë, përkatësisht formularin e plotësuar të kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje të kërkesës së parashtruesit ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 18 korrik 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Gjilan-dega në Kamenicë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi informata shtesë, përkatësisht fletëkthesën që dëshmon se kur e kishte pranuar parashtruesi i kërkesës aktgjykimin [Pml. nr. 22/2023] e Gjykatës Supreme, të 30 janarit 2023.
Më 21 korrik 2023, Gjykata pranoi fletkthesën e kërkuar nga Gjykata Themelore, e cila dëshmonte se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e kishte pranuar më 12 prill 2023.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 28 maj 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 30 shtator 2020, Prokuroria Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) dorëzoi në Gjykatën Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, me dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” sipas nenit 311, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK). Prokuroria Themelore arsyetoi si në vijim: “Me datë 19.08.2020, rreth orës 11.40, në fshatin Novosellë, k. Kamenicës, patrulla kufitare e policisë, për kontrollë ka ndalur automjetin kombi e markës “Mercedes Vito”, ngjyra e bardhë, me tabela NI-259/JU, që e drejtonte i pandehuri dhe gjatë kontrollimit, në bagazhin e kombit, i pandehuri kishte të ngarkuar një paisje të rendgenit “Seldix” 550, me dy pajisje përcjellëse të përdorura, për të cilat nuk ka poseduar kurrfarë dokumenti përcjellës, e i cili mall në territorin e Republikës së Kosovës është sjellur nga Nishi, përmes fshatit Breznicë, komuna e Bujanovcit, Republika e Serbisë, në këtë mënyrë i pandehuri me veprimet e tij, për t’iu shmangur kontrollit doganor, sipas vlerësimit të doganës është 415 euro e 62 cent”.
Më 6 janar 2021, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktvendimit [P. nr. 160/20] hodhi poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore ndaj parashtruesit të kërkesës, për shkak se vepra për të cilën akuzohej nuk përbënte vepër penale. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim: “Në rrethana të tilla, kur i njëjti veprim, me një ligj trajtohet si kundërvajtje, ndërsa me ligjin tjetër –Kodin penal trajtohet si vepër penale, duke zbatuar standardet nga instrumentet ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kodit penal të Kosovës, se ndaj kryesit duhet aplikuar ligji më i favorshëm, gjykata konsideron se nuk mund të zbatohet dispozita e nenit 311, par. 2 të KPRK-së, por duhet aplikuar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e kodit nr.03/L-109 Doganor dhe të Akcizave në Kosovë, i cili ligj këto veprime i cilëson si kundërvajtje e jo si vepër penale”.
Më 25 janar 2021, Prokuroria Themelore parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së ligjit penal.
Më 18 tetor 2021, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [PN. nr. 178/2021] aprovoi ankesën e Prokurorisë Themelore dhe vendosi që çështja të rikthehet për rigjykim në shkallë të parë.
Më 10 qershor 2022, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [P. nr. 6/2022], në rigjykim, shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe e dënoi me gjobë, në shumën prej 300 (treqind) euro dhe vendosi për sekuestrimin e përkohshëm të mallit. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim: “Gjykata ka vlerësuar edhe mbrojtjen e të akuzuarit, i cili nuk kontestoi faktin se ka hyrë në Republikën e Kosovës përmes fsh. Breznicë, R. e Serbisë, me automjetin kombi “Mercedes Vito”, ku ka pasur pjesë rezervë të rëntgenit të vjetra më shumë se 30 vite, mirëpo ka mohuar se ka kryer veprën penale të kontrabandimit të paraparë në nenin 311, paragrafi 2 të KPRK-së, duke u thirr se në rastin konkret kemi të bëjmë me kundërvajtje doganore e jo me vepër penale”.
Më 15 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesën në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljes së ligjit penal. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se veprimet e tij nuk përbënin vepër penale të kontrabandës së mallrave sipas KPRK-së, por kundërvajtje doganore sipas Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e kodit për doganën dhe akcizë në Kosovë.
Më 21 tetor 2022, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [PA1 nr. 1299/22] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Kolegji i Gjykatës së Apelit ka konkluduar se gjendja faktike është drejt vërtetuar dhe se gjykata e shkallës së parë drejt e ka aplikuar Ligjin penal...Në rastin konkret është aplikuar Ligjin Penal i Republikës së Kosovës nr. 06/L-074 nga data 13.12.2018 i cili ka hyrë në fuqi me dt 13.03.2019 e me nenin 311 i cili për herë të parë e kryen veprën penale Kontrabandë me mall me par. 2 po të njëjtit nen se personi i cili për herë të parë e kryen veprën penale nga par. 1 të këtij neni, kur shuma e obligimeve doganore nuk e kalon shumën nga 500 euro, do të dënohet me gjobë apo me dënim me burg në kohëzgjatje deri 3 vjet, nga e cila arsye janë plotësuar të gjitha elementet e veprës penale Kontrabandë me mall nga neni 311 par. 2 të KPRK-së”.
Më 23 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljes së dispozitave të KPRK-së. Parashtruesi i kërkesës pretendonte që veprimet e tij nuk përbënin vepër penale por kundërvajtje doganore. Sipas tij, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave përcakton se në rastet kur shuma e detyrimeve doganore të mallrave të importuara apo eksportuara ilegalisht nuk e kalon shumën prej 5.000 (pesë mijë) euro, në vend të dënimit penal duhet aplikuar gjoba administrative, ndërkaq KPRK-ja e përcakton si vepër penale. Në një situatë të tillë kur dy norma juridike të njëjtin veprim e cilësojnë ndryshe, pretendon ai, duhet zbatuar ligji më i favorshëm për palën.
Më 30 janar 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [Pml. nr. 22/2023] refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vërtetoi aktgjykimin e gjykatave më të ulëta. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Duke shqyrtuar pretendimin e paraqitur në kërkesën e mbrojtësit të të dënuarit, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se pretendimi në fjalë është i pabazuar, meqë dy gjykatat e instancave më të ulëta gjyqësore në rastin konkret kanë aplikuar ligjin penal që është në fuqi, përkatësisht Kodin nr.06/L-074 dhe i cili me dispozitën e nenit 311, par.2 të KPRK-së ka inkriminuar rastet kur shuma e detyrimeve doganore nuk tejkalon shumën prej 500 (pesëqind) euro. Ashtu që fakti se me Ligjin për plotësim ndryshimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave-Kodi nr. 044/L-099 është përcaktuar se kur shuma e detyrimeve doganore të mallrave të importuara apo të eksportuara ilegalisht nuk e kalon shumën prej pesëmijë (5.000) euro në vend të dënimit penal do të aplikohet gjoba administrative nuk nënkupton se me automatizëm vlen edhe për Kodet Penale pasuese. Pra, kjo dispozitë ka pasur fuqi juridike ekskluzivisht për rastet kur është aplikuar Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës, meqë dispozita e nenit 273 nuk kishte përcaktuar fare vlerën e mallrave të kontrabanduara, mirëpo e cila dispozitë tani më është shfuqizuar përmes dy kodeve tjera penale (Kodi nr.04/L-082 dhe Kodi nr.06/L-074), andaj në rastin konkret në asnjë rrethanë nuk mund të ndërlidhet dispozita e Kodit Doganor me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Kodi nr.06/L-074 i cili është aktualisht në fuqi”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Shkelja e pretenduar sipas kësaj dispozite konsiston në atë se në rastin konkret në veprimet e mia fare nuk kemi të bëjmë formësimin e elementeve të veprës penale për të cilën jam akuzuar dhe shpallur fajtor, nisur nga fakti se vepra penale që ka qenë objekt i trajtimit me aktgjykimet e kundërshtuara, në korpusin e saj nuk cilësohet me një prezantim të argumenteve të mirëfillta përmes të cilave mund të argumentohej se unë kam qenë i involvuar në pretendimet e kryerjes së veprës penale të kontrabandimit të mallrave nga neni 311 par. 2 të KPRK-së. Por në asnjë mënyrë nuk e mohoj faktin se unë i kam ndërmarrë veprimet konkrete të kundërvajtjes doganore, të përcaktuara me nenin 8 të Ligjit 04/L-099 për ndryshimin dhe plotësimin e kodit nr.03/L-109 Doganor dhe të Akcizave në Kosovë...”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Prandaj me të drejtë konsideroj se në rastin konkret, duhet aplikuar ligji i cili është më i favorshëm për palën dhe duke respektuar parimin “Lex specialis derrogat lex generalis”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KODI I PËRKOHSHËM PENAL I KOSOVËS
Neni 273
KONTRABANDIMI I MALLRAVE
(1) Kushdo që pa autorizim ose pa leje bën tregti apo në ndonjë mënyrë tjetër bart mallrat brenda a jashtë territorit të Kosovës dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.
(2) Mallrat e kontrabanduara konfiskohen.
Kodi Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës
Neni 311
Kontrabandimi i mallrave
1. Kushdo që duke kaluar vijën kufitare bartë mallra dhe shmang kontrollin doganor, ose kushdo që duke shmangur kontrollin doganor, kryen bartjen e mallrave dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet.
2. Personi i cili kryen veprën nga paragrafi 1 i këtij neni për herë të parë, kur shuma e detyrimeve doganore nuk tejkalon shumën prej pesëqind (500) Euro, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
[...]
KODI NR. 04/L-082 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 317
Kontrabandimi i mallrave
1. Kushdo që duke kaluar vijën kufitare bartë mallra dhe shmang kontrollin doganor, ose kushdo që duke shmangur kontrollin doganor, kryen bartjen e mallrave dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
[...]
LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT NR. 03/L-109 DOGANOR DHE TË AKCIZAVE NË KOSOVË
Neni 8
Neni 272 i ligjit bazik fshihet dhe riformulohet si në vijim: “Në rastet e parashikuara me nenin 273 të Kodit Penal të Kosovës, kur shuma e detyrimeve doganore të mallrave të importuara apo të eksportuara ilegalisht nuk e kalon shumën prej pesëmijë (5.000) Euro në vend të dënimit penal do të aplikohet gjoba administrative. Gjoba administrative do të konsiston në gjobë në të holla prej dyfishin e shumës së detyrimeve deri dhjetëfishin e detyrimeve, gjobë e cila do t’i jepet personit përgjegjës ( kryesit ) nga zyra përkatëse doganore”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me nenin 48 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit, që specifikon se:
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], paragrafi 1 pika (d) e Rregullores së punës, që specifikon se:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.”
Gjykata rithekson se, neni 48 (Saktësimi i kërkesës) i Ligjit përmban gjithsej dy kërkesa. E para konsiston në (i) obligimin e parashtruesve të kërkesës dhe detyrimin e tyre që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë se u janë cenuar nga autoriteti publik – vendimin e të cilit e kontestojnë; dhe, e dyta konsiston në (ii) obligimin e parashtruesve të kërkesës dhe detyrimin e tyre që të specifikojnë aktin konkret të autoritetit publik që dëshirojnë ta kontestojnë para Gjykatës Kushtetuese. Që të dy këto kritere të nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese e veçanërisht kriteri i parë i këtij neni reflektohet edhe në nënparagrafin (d) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e Pranueshmërisë) të Rregullores së punës ku kërkohet që një kërkesë e parashtruar në Gjykatë duhet të qartësojë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI91/17, me parashtrues Enver Islami, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 nëntorit 2018, paragrafi 31; KI206/19, me parashtrues Mladen Nikolić, Aktvendim për Papranueshmëri, i 26 shkurtit 2020; paragrafët 33-36; KI97/20, me parashtrues Nehat Salihu, Aktvendim për Papranueshmëri, i 26 marsit 2021; KI73/21, me parashtrues Minire Krasniqi-Zhitia, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2021, paragrafi 39; dhe KI134/23, me parashtruese Feride Berisha, Aktvendim për Papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafët 32-33).
Në rastin konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor nga gjykatat e rregullta për veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, sipas nenit 311 të KPRK-së dhe iu shqiptua dënimi me gjobë prej 300 (treqind) eurosh. Gjykatat e rregullta arsyetuan se, parashtruesi i kërkesës me automjetin e tij kishte hyrë nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve dytësore, duke bartur pajisje pa dokument përcjellës për të shmangur kontrollin doganor.
Parashtruesi i kërkesës nuk e mohoi kryerjen e veprës, mirëpo pretendonte se veprimet e tij përbënin kundërvajtje doganore dhe jo vepër penale. Ai arsyetonte se në rastin konkret duhej zbatuar ligji më i favorshëm për palën, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë - që e përcaktonte veprimin e tij si kundërvajtje, dhe jo KPRK-ja - që e klasifikonte si vepër penale.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës e ka specifikuar aktin e autoritetit publik që e konteston – Aktgjykimin [Pml. nr. 22/2023] e 30 janarit 2023, të Gjykatës Supreme. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar dhe saktësuar të drejtat dhe lirit të cilat pretendon se i janë shkelur nga vendimi i autoritetit publik. Ai nuk ka përmendur asnjë dispozitë të Kushtetutës apo të KEDNJ-së dhe nuk ka argumentuar as formalisht dhe në substancë, se në çfarë mënyrë janë shkelur të drejtat kushtetuese të tij (shih rastin e Gjykatës, KI171/23, parashtrues Latif Zariqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, para. 48).
Gjykata konstaton se, bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës shpallet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, më 28 maj 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Miomir Matejeviq
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale