Aktgjykim

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës Ac. nr. 530/2016 të 10 dhjetorit 2019

Nr. të lëndës KI 49/20

Parashtruesit: Shehide Muhadri

Shkarko:

KI49/20, Parashtruese: Shehide Muhadri, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 530/2016], të 10 dhjetorit 2019

KI49/20, Aktgjykim i 20 janarit 2022., i publikuar më 23 mars 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për një vendim të arsyetuar gjyqësor

Rrethanat e rastin konkret ndërlidhen me të drejtën e pronësisë mbi një numër të parcelave të tokës, të cilat Komuna e Lipjanit i kishte blerë nga pronarët privat në vitet e 60-ta, me fondet e siguruara nga Fondi Ndërkombëtar për Refugjatë, Organizata e Kombeve të Bashkuara, me qëllim të vendosjes dhe integrimit të refugjatëve që kishin ardhur nga Shqipëria në Kosovë në vitet e 60-ta. Përkundër faktit se parcelat iu dhanë për shfrytëzim refugjatëve, në mesin e të cilëve ishte edhe parashtruesja e kërkesës, ato mbetën të regjistruara si pronë e Komunës së Lipjanit.

Parashtruesja e kërkesës dhe një grup i personave tjerë kishin parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Lipjan, kundër Komunës së Lipjanit, përmes së cilës kërkuan vërtetimin e pronësisë mbi parcelat kontestuese, duke pretenduar se ata kanë qenë në posedim të ligjshëm të parcelave që nga viti 1969. Gjykata Komunale në Lipjan aprovoi padinë dhe nxori Aktgjykimin përmes të cilit paditësve, përfshirë edhe parashtruesen e kërkesës, ua njohu të drejtën e pronësisë. Megjithatë, Gjykata e Apelit, pas ankesës së Komunës së Lipjanit e kishte anuluar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e kthyer çështjen në rivendosje. Në procedurën e përsëritur, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës dhe paditësve të tjerë, pasi vlerësoi që sipas legjislacionit në fuqi, e drejta e pronësisë në pronë shoqërore në asnjë rrethanë nuk mund të fitohet mbi bazën e parashkrimit. Paditësit, duke përfshirë edhe parashtruesen e kërkesës, parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se Gjykata Themelore ka devijuar nga praktika e saj gjyqësore, pasi që në rrethana të ngjashme me paditës të tjerë, Gjykata Themelore kishte njohur të drejtën në pronë si pasojë e parashkrimit. Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar pretendimet ankimore të parashtrueses së kërkesës, duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore. Duke kontestuar vendimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesja e kërkesës, përmes kërkesës KI145/18, kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar mes tjerash, shkelje të neneve 24 [Barazia para ligjit] dhe 31 [E drejta për një gjykim të drejtë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke analizuar dhe shqyrtuar pretendimet e parashtrueses në kërkesën KI 145/18, në kontekst të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, Gjykata, përmes Aktgjykimit KI145/18 të 19 korrikut 2018, kishte arritur në përfundimin se, Gjykata e Apelit nuk i ishte përgjigjur pretendimit të parashtrueses së kërkesës për përkitazi me diskriminimin por edhe shmangien nga praktika gjyqësore e Gjykatës Themelore në rrethana të ngjashme juridike dhe faktike. Rrjedhimisht, Gjykata kishte konstatuar se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit ishte nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kishte kthyer çështjen në rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Në procedurën e përsëritur, Gjykata e Apelit sërish refuzoi padinë e parashtrueses së kërkesës. Gjykata e Apelit, përmes vendimit të ri, ndër të tjera, kishte theksuar se (i) është e saktë që rasti i parashtrueses së kërkesës dhe rastet tjera të cilat e njëjta i referohet kanë “të bëj me rrethana të njëjta faktike dhe juridike”; dhe (ii) nuk mund të konsiderohet se këto vendime paraqesin burim të së drejtës përkatësisht vendosja ndryshe nga këto vendime nuk do të thotë se ka devijim nga praktika gjyqësore; por (iii) përkundër faktit që kishte vlerësuar se rrethanat faktike dhe juridike ishin të njëjta, nuk kishte arsyetuar, përkundër pretendimeve specifike të parashtrueses së kërkesës, vendimmarrjen ndryshe në rrethanat e rastit e saj; dhe (iv) as nuk kishte adresuar konstatimin kryesorë të Aktgjykimit paraprak të Gjykatës, përkatësisht Aktgjykimit KI145/18, se pretendimi i parashtrueses së kërkesës për trajtim të pabarabartë para gjykatave, ishte thelbësor dhe ngrente çështje nga neni 24 i Kushtetutës, përkatësisht çështjen e pabarazisë së palëve para ligjit. Duke kontestuar konstatimet e Gjykatës së Apelit, parashtruesja e kërkesës sërish iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të neneve 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak se Gjykata e Apelit në procedurën e përsëritur nuk kishte adresuar konstatimet e Gjykatës Kushtetuese në Aktgjykimin KI145/18.

Gjatë vlerësimit të pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me arsyetimin e vendimeve gjyqësore, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi që, në procedurën e përsëritur Gjykata e Apelit nuk kishte adresuar konstatimet e Gjykatës përmes Aktgjykimit 145/18 dhe nuk kishte arsyetuar sërish vendimmarrjen ndryshe në rrethana të ngjashme faktike dhe juridike, përkatësisht nuk kishte dhënë arsyetim (i) nëse ka pasur trajtim dhe vendimmarrje tjetër të Gjykatës Themelore në rrethanat e ngjashme faktike dhe juridike; dhe (ii) nëse përgjigja është pozitive, a ekzistojnë justifikime të arsyeshme për një devijim të tillë të praktikës gjyqësore.

Gjykata, bazuar në praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore dhe për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash theksoi se, mosdhënia e përgjigjeve të qarta dhe të plota përkitazi me pretendimet thelbësore dhe përcaktuese të ngritura nga parashtruesja e kërkesës, nuk është në përputhje me garancitë që ndërlidhen me të drejtën për një vendim të arsyetuar, si pjesë përbërëse e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me Kushtetutë dhe Konventë Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesit:

Shehide Muhadri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile