Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 518/22, të 8 qershorit 2022

Nr. të lëndës KI154/22

Parashtruesit: Bekim Sahiti

Shkarko:

KI154/22, Parashtrues Bekim Sahiti;  Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 518/22, të 8 qershorit 2022

KI154/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar më 24 qershor 2024.  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë kontrata e punës nga ana e Aeroportit “Limak Kosova” për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës. Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar prapë Aeroportit “Limak Kosova” me kërkesë që të rishqyrtohet vendimi për ndërprerjen e punës, për të cilën nuk kishte marrë përgjigje, dhe i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me padi kundër Aeroportit “Limak Kosova”, ku kishte kërkuar anulimin e vendimit të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me kërkesë që të kthehet në vendin e njëjtë të punës si dhe t’i kompensohet dëmi i shkaktuar për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit pranoj ankesën e parashtruesit te kërkesës dhe prishi Aktgjykimin [C. nr. 171/2012] e Gjykatës Themelore dhe ktheu lëndëen në rigjykim në shkallë të parë. Në procedurën e rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 404/17] të 20 korrikut 2017, ka anuluar vendimin e Aeroportit “Limak Kosova” për ndërprerjen e marrëdhënies duke e detyruar këtë të fundit që të kthejë parashtruesin e kërkesës në punë dhe të ia kompensojë demin material dhe shpenzimet e procedurës kontestimore. Gjithashtu, Gjykata Themelore e vlerësoj se vendimi i Aeroportit “Limak Kosova” për ndërprerjen e marrëdhënies së punës kishte shkaktuar shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit të Punës në disfavor të parashtruesit të kërkesës. Pas ankimimit nga Aeroporti “Limka Kosova”, Gjykata e Apelit, duke u bazuar në provat e administruara, ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore dhe e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke vlerësuar se ai kishte dështuar në detyrat e punës. Ky vendimi ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e cila e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, si dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNj-së.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se vendimet e nxjerra në disafvor të tij nga gjykatat e rregullta janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së meqë këto të fundit dështuan të vlerësonin vendimin [HR-2012-238/08.05.2012-PP] e 7 majit 2021 të Aeroportit “Limak Kosova” për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si të kundërligjshëm me dispozitat përkatëse të Ligjit të Punës, kontratën e tij dhe aktet normative të brendshme të Aeroportit “Limak Kosova”, nën dritën e mosrespektimit të afatit të lajmërimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Prandaj, siç mund të vërehet nga arsyetimi i reflektuar në tekstin e Aktvendimit, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme i kanë adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë shpjeguar se (i) parashtruesi i kërkesës fillimisht ka kaluar në një procedurë disiplinore në të cilën ishte konstatuar se parashtruesi kishte kryer shkelje të rëndë e detyrave të punës; (ii) mospërmbushja e detyrimeve të punës kishte përbërë rrethanë për ndërprerje të kontratës së punës pa njoftim paraprak prej 30 ditësh; (iii) procedura për ndërprerje të kontratës së punës ishte në pajtim me nenin 5.3 të Kontratës së Punës, e cila përcaktonte që punëdhënësi ka të drejtë të ndërprerjë kontratën pa paralajmërim nëse punonjësi shfaq sjellje të keqe ose nuk plotëson detyrimet e punës si dhe në neni 70.4 i Ligjit të Punës i cili lejon ndërprerjen e kontratës pa paralajmërim nëse Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme e përcaktojnë këtë.

Gjykata gjithashtu vëren se në kërkesën e dorëzuar parashtruesi i kërkesës ka identifikuar 4 (katër) vendime specifike të Gjykatës Supreme që të mbështes pretendimin e tij për divergjencë në interpretimin e ligjit përkitazi me dispozitat e Ligjit të Punës në rrethanat e rastit të tij.

Në kontekstin e këtyre vendimeve të Gjykatës Supreme, të cilat përfshijnë Aktgjykimet [Rev.nr.220/2018] të datës 4 korrik 2018, [Rev.10/2018] të datës 16 tetor 2018, [Rev.nr.16/2019] të datës 7 korrik 2019, dhe [Rev.nr.353/2020] të datës 2  nëntor 2020, dallohet qartë se këto vendime fokusohen kryesisht në kërkesat për revizion kundër vendimeve të gjykatave të instancave më të ulëta. Këto aktgjykime kryesisht i referohen kërkesave për revizion kundër vendimeve të gjykatave të shkallës më të ulët, të paraqitura nga individët në lidhje me kërkesën kryesore të paraqitur në padinë e tyre, veçanërisht në rastin e anulimit të njoftimit të punëdhënësit për mos vazhdimin e kontratës së punës. Gjykata Supreme, në rastet kur ka aprovuar revizionin, e ka bërë bazuar në konstatimin se punëdhënësi nuk ka arritur të dëshmojë ligjshmërinë e njoftimit për mos vazhdimin e marrëdhënies së punës dhe nuk ka ndjekur procedurat e brendshme për të justifikuar ndërprerjen e marrëdhënies së punës, si dhe punëdhënësi kishte dështuar në argumentimin e pretendimeve të tij lidhur me mos përmbushjen e detyrave të punës nga punonjësit

Gjykata vlerëson se nuk mund të spekulojë lidhur me kushtetutshmërinë e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta ndaj parashtruesve të tjerë, sidomos, kur merret parasysh se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë dhënë shpjegime të detajuara dhe të arsyetuara për zbatuashmërinë e ligjit në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës. Për të vlerësuar korrektësinë e vendimarrjes ndaj parashtruesit të kërkesës karshi parashtruesve të tjerë në procedura dhe raste të tjera, Gjykatës i nevojiten “shkaqe me peshë(weighty reasons), çka mungojnë në rrethanat e rastit konkret (shih rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, cituar më lart, paragrafi 44).

Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar e papranueshme si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Bekim Sahiti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Administrative