Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.248/22] të Gjykatës Supreme, të 24 janarit 2023

Nr. të lëndës KI65/23

Parashtruesit: Marjan Kolaj

Shkarko:

KI65/23: Parashtrues Marjan Kolaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.248/22] të Gjykatës Supreme, të 24 janarit 2023

KI65/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyçe: shkaktimi i zjarrit; përgjegjësia; kompensimi financiar;

Në vitin 2003 parashtruesit të kërkesës iu kishte djegur shtëpia nga zjarri. Ky i fundit dorëzoi padi për kompensim të dëmit në Gjykatën Komunale në Gjakovë, kundër Korporatës Energjetike të Kosovës, me pretendimin se zjarri ishte shkaktuar për shkak të mbitensionit dhe mosmirëmbajtjes së rrjetit elektrik nga KEK-u. Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe caktoi një kompensim financiar në vlerë prej 48.831.00 (dyzet e tetëmijë e tetëqind e tridhjetë e një) euro, me arsyetimin se dëmi i shkaktuar nga zjarri ishte përgjegjësi e KEK-ut. Edhe Gjykata e Apelit vendosi që dëmi që iu shkaktua parashtruesit të kërkesës erdhi si rezultat i luhatjeve të tensionit elektrik, e jo për shkak të instalimit elektrik brenda shtëpisë. Mirëpo, Gjykata Supreme, duke vendosur mbi revizionin e paraqitur nga KEK-u, i prishi aktgjykimet e instancave më të ulëta dhe vendosi që KEK-u nuk ishte përgjegjëse për shkaktimin e zjarrit prandaj nuk mund t’i vendosej obligimi për kompensimin e dëmit.

Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimi i Gjykatës Supreme ishte në kundërshtim me nenin 24 dhe 54 të Kushtetutës, sepse morri parasysh vetëm pretendimet e palës kundërshtare duke anashkaluar arsyetimet e dhëna nga parashtruesi i kërkesës.

Gjykata ritheksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit të bëra nga gjykatat e rregullta. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur vendimet e gjykatave të rregullta janë marrë në mënyrë arbitrare. Në lidhje me barazinë e armëve, Gjykata theksoi se palët duhet të kenë mundësi të barabarta të paraqesin argumentet dhe pretendimet e tyre. Në rastin konkret, Gjykata theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me analizimin e provave dhe përcaktimin e përgjegjësisë për shkaktimin e zjarrit. Parashtruesi i kërkesës kishte mundësinë që gjatë procesit gjyqësor të adresonte të gjitha çështjet dhe procesi nuk kishte ndonjë të metë procedurale që do të mund të cenonte të drejtat e parashtruesit të kërkesës. Gjykata theksoi se fakti që Gjykata Supreme vendosi në favor të KEK-ut, nuk nënkupton që shkeli parimin e “barazisë së armëve”, sepse të dyja palët kishin mundësi të parashtronin argumentet, provat dhe kundërshtimet e veta.

Parashtruesit:

Marjan Kolaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile