KI203/22, Parashtrues: Edon Murseli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.344/2022] të Gjykatës Supreme të 26 shtatorit 2022
KI203/22, Aktvendim për papranueshmëri i 29 janarit 2024, publikuar më 12 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me dënimin që i ishte shqiptuar nga Gjykata Themelore parashtruesit të kërkesës dhe të akuzuarit A.M., për sulmin me mjete të mprehta dhe të forta kundër jetës dhe trupit të palëve të treta. Gjykata Themelore kishte dënuar parashtruesin e kërkesës dhe të akuzuarin tjetër A.M., me dy (2) vite e tetë (8) muaj dënim unik me burgim për shkak të veprës penale vrasje në tentativë në bashkëkryerje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve materiale të ligjit penal. Në ri-procedurë, Gjykata Themelore e dënoi parashtruesin e kërkesës me dënim unik me burgim me kohëzgjatje prej një (1) viti e dhjetë (10) muaj për shkak të kryerjes së veprës penale lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje. Parashtruesi i kërkesës sërish paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe që parashtruesi i kërkesës të lirohet nga akuza apo të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuara ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, me propozim që Gjykata Supreme të aprovoj të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, aktgjykimet e kundërshtuara të gjykatave të instancës më të ulët t’i anulon dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme i aprovoi në tërësi konstatimet e gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore se në veprimet e të dënuarit (parashtruesit të kërkesës) janë manifestuar elementet e figurës së veprës penale.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se për shkak të vlerësimit të gabuar të provave, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta të të gjitha niveleve, të njëjtit i janë shkelur: (i) e drejta për barazi para ligjit; (ii) e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe (iii) mbrojtja gjyqësore e të drejtave.
Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme ka trajtuar të gjitha pretendimet që ishin qendrore për rastin e parashtruesit të kërkesës sepse: (i) ka shpjeguar nocionin subjektiv të bashkëkryerjes së veprës penale mbështetur në dispozitën përkatëse të ligjit penal; (ii) ka shpjeguar se bashkëkryerja e veprës penale nuk përkufizohet vetëm në marrëveshjen paraprake të kryesve të veprës penale porse vepra penale në bashkëkryerje mund të kryhet edhe me veprime të atëçastshme të kryesve të saj; (iii) ka shpjeguar mjetet që kanë përdorur parashtruesi i kërkesës dhe i akuzuari tjetër A.M., në bashkëkryerje të veprës penale dhe lëndimet që i kanë pësuar viktimat e tyre bazuar edhe në ekspertizën mjeko-ligjore.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Edon Murseli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale