Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.598/2020, të 3 marsit 2022, në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], të 21 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI113/22

Parashtruesit: Behxhet Isufi

Shkarko:

KI113/22, Parashtrues: Behxhet Isufi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.598/2020, të 3 marsit 2022, në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], të 21 korrikut 2020

KI113/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 12 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë kundër  Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Gjakovës, për shkak të sekuestrimit të automjetit të markës Ford Siera, nga ana e Policisë së Stacionit Policor në Gjakovë, për shkak të aktivitetit kriminal. Parashtruesi përmes padisë kërkoi nga gjykata, që të paditurit në emër të fitimit të pa bazë dhe kompensimit të automjetit t’i paguajnë shumën prej 4,500 euro, apo sipas ekspertizës së ekspertit përkatës, duke ia llogaritur kamatën ligjore sikurse për mjetet e deponuara në bankë, të afatizuara mbi një vit pa destinim të caktuar në vendin e përmbushjes dhe atë nga data 5 shtator 2001 gjerë në pagesën definitive. Gjykata Themelore pjesërisht kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe kishte kërkuar që kërkesëpadia të aprovohet në tërësi.

Gjykata e Apelit kishte vendosur: (i) të ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë [C.nr.163/10], të 22 korrikut 2016; (ii) të refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, kundër te paditurave Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë me seli ne Prishtinë, me të cilën ka kërkuar: të detyrohen të paditurat që, në emër të kompensimit të dëmit, paditësit Behxhet Isufi, t’i paguajnë shumën prej 1.100 Euro, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në afat mbi një vit në bankat komerciale në Kosovë, pa destinim të caktuar, e cila rrjedh nga data 31.03.2010 e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 692.78 Euro, si e pathemeltë; (iii) të refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë, [C.nr.163/10], të datës 22.07.2016, në pjesën që ka të bëj me vendimin për pjesën refuzuese të kërkesëpadisë së paditësit kundër të paditurave, vërtetoi;  (iv) paragrafi 2 i dispozitivit të Aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, në pjesën që ka të bëjë me vendimin e refuzimit të kërkesëpadisë së paditësit, kundër të paditurës së tretë Komuna e Gjakovës, mbeti i pandryshuar. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Aktvendimin [Rev.nr.598/2020], e 3 marsit 2022, të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës dhe nenin 1 të protokollit nr.1 dhe 6 të KEDNj-së dhe nenin 17 të DUDNJ-së.

Gjykata vërejti se procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me kërkesën e tij për kompensim të dëmit material, kishte përfunduar me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], të 21 korrikut 2020, përmes së cilit ishte ndryshuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe ishte refuzuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës si pathemeltë.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme i cili kontestohet nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata vëren se në Aktvendimin [Rev.nr.598/2020], e 3 marsit 2022, Gjykata Supreme nuk është marrë me pretendimet kryesore ankimore të parashtruesit por ekskluzivisht me çështjen e natyrës procedurale në lidhje me llojin e mjetit juridik i cili është paraqitur nga parashtruesi në Gjykatën Supreme.

Lidhur me këtë, Gjykata vërejti se Gjykata Supreme kishte konstatuar se në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore të Ligjit të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), në nenin 211.2 është përcaktuar se kur është i lejuar revizioni në kontestet pasurore-juridike, në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla.

Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], i 21 korrikut 2020, me të cilin ishte ndryshuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe ishte refuzuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës si e pathemeltë dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm.

Andaj, Gjykata rikujtoi se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], ishte nxjerrë më 21 korrik 2020. Në bazë të shkresave të lëndës, përkatësisht në faqen e parë të Aktgjykimi është shënuar data e pranimit të Aktgjykimit, ku shihet që parashtruesi i kërkesës, Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 12 gusht 2020, dhe me këtë Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të Aktgjykimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij në postë, më 26 korrik 2022, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], të 21 korrikut 2020, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

Parashtruesit:

Behxhet Isufi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile