Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 71/2021, të 28 korrikut 2021

Nr. të lëndës KI30/22

Parashtruesit: Ali Aliu

Shkarko:

KI30/22, Parashtrues: Ali Aliu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 71/2021, të 28 korrikut 2021

KI30/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 janarit 2023, publikuar më  12 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar përmes 7 (shtatë) vendimeve gjyqësore të nxjerra përgjatë procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta. Gjykata rikujton se kontesti ka filluar si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës nga punëdhënësi – Universiteti i Prishtinës, me arsyetimin se i kishte përfunduar kontrata e punës. Parashtruesi i kërkesës kundër vendimit për ndërprerje të marrëdhënies së punës kishte paraqitur  ankesë në KPMSHCK, e cila përmes vendimit [Nr. 1074/08] ia refuzoi parashtruesit të kërkesës ankesën si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulim të Vendimit [Nr. 1074/08] të KPMSHCK-së të 18 marsit 2008, dhe kompensimin në vlerë prej 18,985.00 euro për periudhën 1 tetor 2007 deri në kohën kur është pensionuar, me kamatë ligjore prej tetë përqind (8%). Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 anuloi Vendimin [Nr. 1074/08] e KPMSHCK-së, të 18 marsit 2008, dhe ktheu rastin në rivendosje me arsyetimin se vendimi i kontestuar [Nr. 1074/08] ishte nxjerr në kundërshtim me nenin 85, dhe paragrafin 4 të nenit 84 të Ligjit për Procedurën Administrative për shkak se nuk ishin reflektuar konstatimet faktike, provat, baza dhe arsyetimi ligjor mbi të cilin ishte nxjerr vendimi për refuzimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, KPMSHCK paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të Gjykatës Themelore të 7 dhjetorit 2016, duke pretenduar aplikim të gabuar të të drejtës materiale. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të 14 qershorit 2017, refuzoi ankesën e KPMSHCK-së dhe konfirmoi Aktgjykimin [A. nr. 793/15] e 7 dhjetorit 2016. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës përmes parashtresës së 31 gushtit 2017, duke iu referuar Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore të konfirmuar tashmë edhe nga Gjykata e Apelit, i propozoi KPMSHCK-së që “të veprojë konform Aktgjykimit të formës së prerë dhe në lidhje me vendimin meritor …”.

Në procedurën e rivendosjes, KPMSHCK nxori Vendimin [A/02/17/2017] e 11 tetorit 2017, përmes së cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës ngriti padi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulim të këtij vendimi. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/17] të 26 tetorit 2018 vendosi në favor të parashtruesit të kërkesës, duke aprovuar kërkesëpadinë e tij dhe duke i akorduar kompensimin e pagave. Pas ankimimit nga punëdhënësi, respektivisht nga Universiteti i Prishtinës, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 26/2019] të 21 shtatorit 2020 aprovoi ankesën e punëdhënësit dhe prishi Aktgjykimin [A. nr. 1758/2017] e Gjykatës Themelore të 26 tetorit 2018, duke kthyer rastin në rivendosje në shkallë të parë me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës kishte kontratë me afat të caktuar. Gjykata Themelore në rivendosje përmes Aktgjykimit [A. nr. 1758/2017] të 4 dhjetorit 2020 refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe rrjedhimisht me “skadimin e kontratës së paditësit, punëdhënësi nuk ka pasur ndonjë obligim ligjor për vazhdimin e saj”. Ky Aktgjykim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021, me arsyetimin se drejtë ishin aplikuar dispozitat ligjore dhe drejtë ishte vërtetuar gjendja faktike, meqë kontrata e parashtruesit të kërkesës ishte me afat të caktuar, përkatësisht parashtruesit i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe sipas nenit 35.1 (b) të Udhëzimit Administrativ 2003/2 nuk kishte përmbushur kriterin për thirrjen asistent, dhe për pasojë i kishte përfunduar marrëdhënia e punës. Pas paraqitjes së kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 71/2021] të 28 korrikut 2021 konfirmoi konstatimet e gjykatave të rregullta se parashtruesit të kërkesës i kishte përfunduar kontrata më 30 shtator 2007 dhe sipas saj “i njëjti nuk ka plotësuar kushtin për doktoraturë, punëdhënësi nuk ka pasur për obligim për zgjatje të kontratës, meqë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës zgjasin deri në skadimin e kontratës”. Këto konstatime të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës duke pretenduar se Aktgjykimi [ARJ-UZVP. nr. 71/2021] i 28 korrikut 2021, të Gjykatës Supreme si instancë e fundit në këtë çështje është nxjerrë në shkelje të garancive kushtetuese të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës për një “gjykim të drejtë” sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor për shkak të aplikimi/interpretimit të gabuar të ligjit nga ana e gjykatave të rregullta gjatë shqyrtimit të rastit të tij dhe (ii) cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore lidhur me vendimmarrjen në rastin e tij.

Në kuadër të pretendimit të parë, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se kontrata e punës, e cila sipas gjykatave të rregullta i kishte përfunduar më 30 shtator 2007, do duhej të vazhdohej në bazë të nenit 78 të Statutit të Universitetit të Prishtinës të 23 tetorit 2000. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat e rregullta me rastin e refuzimit të ankesës së tij gabimisht kanë aplikuar ligjin, përkatësisht dispozitat e nenit 35.1 të Udhëzimit Administrativ 2003/2. Sipas parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta nuk kanë arsyetuar/adresuar pretendimet e tij për të drejtën e vazhdimit të marrëdhënies së punës në bazë të nenit 87 al. 2 të Statutit të Universitetit të Prishtinës të vitit 2000. Në lidhje me shqyrtimin e rastit të tij nga gjykatat e rregullta, parashtruesi i kërkesës pretendon se (ii) vendimi i Gjykatës Supreme nuk ka ofruar arsyetim të mjaftueshëm lidhur me pretendimet e ngritura para saj, respektivisht ndaj pretendimit lidhur me të drejtën e tij për vazhdimin e kontratës së punës sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës të vitit 2000, si dhe mungesë arsyetimi së cilës bazë ligjore Gjykata Supreme iu ka referuar kur ka konstatuar se “parashtruesi i kërkesës nuk ka plotësuar kushtin për doktoraturë” për vazhdim të marrëdhënies së punës. Lidhur me këto, parashtruesi i kërkesës rrjedhimisht pohon se gjykatat e rregullta, respektivisht Gjykata Supreme ka aplikuar gabimisht të drejtën materiale si dhe ka dështuar të jap arsyetim të saktë dhe të mjaftueshëm për rastin që është objekt i kësaj kërkese, dhe njëkohësisht ka shprehur arbitraritet në vendimmarrje.

Në përgjigje të këtij pretendimi, Gjykata konsideron se të gjitha gjykatat e rregullta në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) parashtruesi i kërkesës kishte kontratë me afat të caktuar, respektivisht prej 1 tetorit 2006 deri më 30 shtator 2007; (ii) marrëdhënia e punës së parashtruesit të kërkesës rrjedhimisht kishte përfunduar më 30 shtator 2007; (iii) si dhe parashtruesi nuk mund t’ ju referohet dispozitave të Statutit të Universitetit të Prishtinës të 23 tetorit 2000 për ripërtëritje/vazhdim të kontratës së punës, meqë tashmë nuk është i aplikueshëm në rastin konkret.

Në kuadër të pretendimit të dytë, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në këtë pikë pretendon shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit lidhur me vendimmarrjen në rastin e tij, me arsyetimin se qëndrimet e gjykatave të rregullta të nxjerra në procedurën e rivendosjes, përkatësisht ai i Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [A. U. nr. 1578/2017] të 4 dhjetorit 2020 dhe Gjykatës së Apelit përmes [AA. UZH. nr. 85/2021] të 19 prillit 2021 janë në kundërshtim me qëndrimet fillestare të nxjerra të vet Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 793/15] të 7 dhjetorit 2016 dhe Gjykatës së Apelit përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të 14 qershorit 2017, në shqyrtimin e rastit të njëjtë të parashtruesit të kërkesës.

Në përgjigje të këtij pretendimi, Gjykata vëren se vendimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit janë nxjerrë në faza të ndryshme të procedurës së zhvilluar në gjykatat e rregullta. Gjykata vëren se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë shqyrtuar të dhënat e paraqitura në procedurën e rivendosjes dhe kanë gjetur se kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 30 shtator 2007, rrjedhimisht kontrata e parashtruesit ishte me afat të caktuar. Bazuar në këto fakte dhe në vlerësimin e ligjit të aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar vendimet e tyre, në faza të ndryshme të procedurës duke i bërë ato të zbatueshme në rastin konkret.

Në lidhje me pretendimin për shkelje të parimit res judicata, Gjykata thekson se Aktgjykimi [A. nr. 793/15] i Gjykatës Themelore, të 7 dhjetorit 2016, kishte vendosur proceduralisht në favor të parashtruesit të kërkesës, duke e kthyer rastin për vendosje në merita në KPMSHCK-së. Gjykata vëren se ky Aktgjykim ishte konfirmuar përmes Aktgjykimit [A. A. nr. 77/2017] të Gjykatës së Apelit, të 14 qershorit 2017. Gjykata vëren se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit përmes këtyre dy vendimeve nuk kanë vendosur në merita lidhur me ankesën e parashtruesit të kërkesës.

Gjykata konsideron që pretendimet e parashtruesit për shkeljen e të drejtës së tij  kushtetuese për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të (i) aplikimit qartazi të gabuar të ligjit dhe vendimet të paarsyetuara si dhe (ii) jokonsistencës së vendimeve gjyqësore janë të pabazuara në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me nenin 113, paragrafin 7 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ali Aliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile