Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.S.nr 57/2022, të 6 dhjetorit 2022

Nr. të lëndës KI110/23 dhe KI111/23

Parashtruesit: Nora Grajçevci-Mehmeti dhe Besnik Berisha

Shkarko:

KI110/23 dhe KI111/23, Parashtrues Nora Grajçevci-Mehmeti dhe Besnik Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.S.nr 57/2022, të 6 dhjetorit 2022

KI110/23 dhe KI111/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 janarit 2024, i publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta në mbrojtje, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktvendimin [PKR.nr.193/18] të 7 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit parashtruesit e kërkesës, në cilësinë e avokatit mbrojtës dhe avokates zëvendësuese, respektivisht, ishin obliguar që të  paguajnë shpenzimet procedurale si rezultat i shtyrjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor në kuadër të procedurës penale. Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari, i cili në procedurë penale përfaqësohej nga parashtruesi i kërkesës në rastin KI111/23, kishte refuzuar mbrojtjen nga ana e parashtrueses së kërkesës në rastin KI110/23, si avokate zëvendësuese. Marrë për bazë atë avokati i të akuzuarit në procedurë penale [parashtruesi i kërkesës në rastin KI111/23] për shkak të pamundësisë së tij për të qenë prezent në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 18 tetorit 2022, kishte autorizuar avokaten zëvendësuese [parashtruesja e kërkesës në rastin KI110/23] që të përfaqësojë klientin e tij në këtë seancë. Si rezultat i kërkesës së të akuzuarit që ai të përfaqësohej vetëm nga avokati i tij i zgjedhur, parashtruesi i kërkesës në rastin KI111/23, Gjykata Themelore kishte vendosur shtyrjen e kësaj seance.

Kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, të dy parashtruesit e kërkesës veç e veç parashtruan ankesa në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit përmes Aktvendimit [PN.S.nr.57/2022] të 6 dhjetorit 2022 refuzoi si të pabazuara ankesat e parashtruesve të kërkesës, duke vërtetuar konstatimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Parashtruesit e kërkesës në kërkesat e tyre të dorëzuara në Gjykatë, pretendojnë shkelje të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe të drejtës së tyre për mjete juridike. Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës pretendojnë edhe shkelje të  neneve 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 111 [Avokatura] të Kushtetutës.

Gjykata, pretendimin e parashtruesve të kërkesës për mungesë të arsyetimit gjyqësor e trajtoi në kuptim të së drejtës së tyre të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut, dhe në lidhje me këtë kontestoi se vendimet e gjykatave të rregullonte nuk ishin të përfshira me mungesë të arsyetimit gjyqësor. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky pretendim ishte qartazi i pabazuara në bazë kushtetuese për shkak të mungesës evidente apo të dukshme të shkeljes, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Në vijim, në lidhje me pretendimin e parashtruesve të kërkesës për cenim të ushtrimit të profesionit të avokatit, sipas tyre të garantuar me nenet 49 dhe 111 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se  duke qenë se seanca e 18 tetorit 2022 ishte shtyrë si rezultat i kërkesës specifike të akuzuarit, që ai në seancë të përfaqësohej nga avokati i tij i zgjedhur, përkatësisht nga parashtruesi i kërkesës në rastin KI111/23,  të drejtat e të pandehurve në procedurë penale për t’u përfaqësuar nga përfaqësues apo mbrojtës sipas zgjedhjes së tyre janë të garantuara me nenin 30 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Thënë këtë, Gjykata vlerësoi se përmes aktvendimeve të kontestuara parashtruesve të kërkesës në asnjë mënyrë nuk iu është ndaluar apo kufizuar e drejta e ushtrimit të profesionit të përfaqësimit të klientit para gjykatës.

Përfundimisht,  Gjykata konstatoi se kërkesat e parashtruesve të kërkesës duhet të shpallen të papranueshme, për shkak se pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave të tyre të specifikuara në kërkesat e tyre dhe të garantuara me Kushtetutë  janë pretendime qartazi të pabazuara na baza kushtetuese, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nora Grajçevci-Mehmeti dhe Besnik Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale