Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev.nr.169/23] të 29 majit 2023

Nr. të lëndës KI197/23

Parashtruesit: Osman Bunjaku

Shkarko:

KI197/23, Parashtrues: Osman Bunjaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev.nr.169/23] të 29 majit 2023

KI197/23, Aktvendim për papranueshmëri i 22 janarit 2024, publikuar më 23 shkurt 2024

Fjalët kyçe: shkelje disiplinore; largim nga puna; interpretim i gabuar i ligjit

Parashtruesi i kërkesës punonte në Policinë e Kosovës. Atij iu ndërpre marrëdhënia e punës për shkak se komisioni disiplinor në kuadër të punëdhënësit e shpalli përgjegjës për veprime të cilat i lanë hije të keqe institucionit të Policisë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore me pretendimin se vendimi për largimin nga puna ishte i jashtëligjshëm. Gjykata Themelore e miratoi kërkesëpadinë dhe vendosi që largimi i parashtruesit të kërkesës nga puna ishte i jashtëligjshëm, akordoi kompensimin financiar dhe detyroi kthimin në punë. Gjykata e Apelit e prishi vendimin e Gjykatës Themelore dhe vendosi që vendimi për largimin e parashtruesit të kërkesës nga puna ishte i ligjshëm. Edhe Gjykata Supreme mbajti qëndrim të njëjtë dhe vlerësoi që punëdhënësi i kishte respektuar të gjitha procedurat ligjore në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimi i Gjykatës Supreme është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]  të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt]  të KEDNJ-së, për shkak të aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore dhe mos arsyetimit të vendimit.

Në lidhje me pretendimet për aplikimin e gabuar të dispozitave ligjore, Gjykata sqaroi se nuk është gjykatë e shkallës së katërt dhe detyrë e saj nuk është të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit. Gjykatat e rregullta e kanë autoritetin të zbatojnë dhe interpretojnë të drejtën materiale. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur vendimet e gjykatave të rregullta janë arbitrare apo qartazi të paarsyeshme. Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës e kishte mundësinë që gjatë procedurës disiplinore dhe gjyqësore t’i paraqiste të gjitha argumentet dhe pretendimet e tij dhe nuk kishte ndonjë mangësi procedurale që do të mund ta cenonte gjykimin e drejtë dhe të paanshëm. Në lidhje me mos arsyetimin e vendimit, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta arsyetuan mjaftueshëm vendimet e tyre, adresuan çështjet kryesore dhe përcaktuan bazën ligjore.

Parashtruesit:

Osman Bunjaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile