KI137/23, Parashtrues: Naim Berisha , Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 451/2022, të 23 nëntorit 2022, të Gjykatës Supreme
KI137/23, Aktgjykim i 18 janarit 2024, publikuar më 20 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, e drejta për gjykim të drejtë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me rastin KI137/23, parashtruar nga Naim Berisha, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 451/2022] të 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr. 3544/15] e 15 nëntorit 2019 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin [C. nr. 2906/12] e 28 prillit 2015 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dorëzuar në Gjykatë nga parashtruesi i kërkesës, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, me pesë (5) vota për dhe tri (3) kundër konstatoi se (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pune, përkatësisht marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës, si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe të themeluar në vitin 2009 përmes kontratës me kohë të caktuar të nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Sipas shkresave të lëndës, më 9 nëntor 2012, bazuar në Rregulloren e Qeverisë nr.5/2011 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe të punonjësve profesionistë të trashëgimisë kulturore, të 23 qershorit 2011, dhe pasi që kërkesat e tij ishin refuzuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes padisë së paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, parashtruesi i kërkesës kërkoi (i) ndryshimin e llojit të kontratës, gjegjësisht kalimin nga kontrata me afat të caktuar në kontratë të rregullt të punës, dhe (ii) kompensimin e dëmit material, të shkaktuar si pasojë e diskriminimit në pagë, në krahasim me kolegët e tij aktorë, përkatësisht aktorit Sh.K, i cili sipas parashtruesit, ishte klasifikuar me koeficient më të lartë të pagës. Gjykata Themelore refuzoi padinë e parashtruesit me arsyetimin se (i) nuk ishte plotësuar kriteri ligjor për ndryshimin e llojit të kontratës; dhe se (ii) nuk kishte diskriminim në vendin e punës në raport me kolegët tjerë aktorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi atë, duke vërtetuar gjetjet e Gjykatës Themelore. Në ndërkohë, më 12 maj 2015, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kalimin nga kontrata me afat të caktuar në kontratë të rregullt të punës dhe kjo çështje nuk ishte më kontestuese për parashtruesin e kërkesës. Për pasojë, ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se Gjykata e Apelit ka dështuar të vlerësoj diskriminimin në pagë të paditësit në raport me aktorin Sh.K. Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke konfirmuar gjetjet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.
Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkeljen e të drejtave kushtetuese të tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse sipas tij, Gjykata Supreme në arsyetimin e saj ka trajtuar çështjen e kalimit nga kontrata me afat të caktuar në atë me afat të pacaktuar, e cila çështje është zgjidhur në vitin 2015 dhe si e tillë nuk është më kontestuese, por nuk ka trajtuar çështjen e diskriminim në pagë të parashtruesit të kërkesës në raport me kolegët tjerë aktorë, përkatësisht aktorin SH.K, nga 1 korriku 2011 deri 30 prill 2015.
Duke trajtuar pretendimin e parashtruesit për vendim të arsyetuar, Gjykata (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për vendim të arsyetuar, dhe (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Ashtu siç sqarohet në Aktgjykim, Gjykata theksoi se thelbi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës kërkonte përgjigje specifike nga ana e Gjykatës Supreme në adresimin e çështjes nëse i njëjti ishte diskriminuar në pagë për periudhën 1 korrik 2011 – 30 prill 2015, në raport me kolegët e tij aktorë. Në këtë kontest, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme është dashur të trajtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës me saktësi, ashtu siç i njëjti në mënyrë specifike e kishte ngritur në kërkesën e tij për revizion. Rrjedhimisht, sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se në rastin konkret ka pasur shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, si komponentë e së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata nëpërmjet Aktgjykimit të saj obligoi Gjykatën Supreme që në rivendosjen e kësaj çështje, të vlerësojë nëse në rastin e parashtruesit të kërkesës, ka ekzistuar diskriminimi në pagë ose jo, pa paragjykim në vlerësimin e Gjykatës Supreme përkitazi me këtë çështje.
Naim Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile