KI35/23, parashtrues, Pajtim Shabani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1047/2022] të Gjykatës së Apelit të Kosovës të 13 tetorit 2022
KI35/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 7 qershorit 2023, publikuar më 29 qershor 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë e hudhjes së aktakuzës, shterimi i mjeteve efektive juridike, parimi i subsidiaritetit, kërkesë e parakohshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me konkret ndërlidhen me procedurën e hudhjes së aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes të cilës parashtruesi i kërkesës dhe i pandehuri [R.M.] u akuzuan se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Rrëmbimi”, të përcaktuar me nënparagrafin 3, paragrafi 2 i nenit 191, në lidhje me nenin 31 [Bashkëkryerja] të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Kosovës. Në procedurën e hudhjes së aktakuzës të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore, i njëjti pretendoi se procedura që i ka paraprirë ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është zhvilluar në kundërshtim dhe me shkelje të dispozitave të procedurës penale. Në këtë kuptim parashtruesi i kërkesës specifikoi se: (i) ai dhe mbrojtësi i tij nuk ishin ftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të merrnin pjesë në procedurën e zhvillimit hetimor ashtu siç përcaktohet me paragrafin 6 të nenit 132 të KPPK-së dhe se (ii) provat dhe dëshmitë e marra gjatë procedurës hetimore pa praninë e tij ishin të papranueshme. Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda përmes Aktvendimit [PKR.nr.43/21] të 30 gushtit 2022 kërkesën e parashtruesit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës e refuzoi si të pabazuar, duke konstatuar se nga provat që i janë bashkangjitur aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës në bashkëkryerje me të pandehurin [R.M] kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen pa paragjykuar përfundimin e procedurës penale. Si rezultat i ankesës së tij të parashtruar në Gjykatën e Apelit të Kosovës, kjo e fundit përmes Aktvendimit [PN.nr.1047/2022] të 13 tetorit 2022 ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore.
Pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar [PN.nr.1047/2022] të 13 tetorit 2022 të Gjykatës së Apelit, të nxjerrë në procedurë të hudhjes së aktakuzës dhe përderisa procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës është ende në zhvillim e sipër, i njëjti ka parashtruar kërkesë në Gjykatë, përmes të cilës pretendon se: (i) gjatë procedurës hetimore të zhvilluar nga Prokuroria Themelore, ku të ftuar për të dhënë dëshmi kanë qenë disa dëshmitarë dhe i akuzuari tjetër ai dhe mbrojtësi i tij nuk ishin të ftuar dhe për pasojë nuk kishin qenë prezent gjatë zhvillimit të procedurës hetimore dhe marrjes së deklaratave nga dëshmitarët; dhe për pasojë (ii) atij nuk i është dhënë mundësia ti kundërshtojë dëshmitë e këtyre dëshmitarëve gjatë procedurës hetimore. Thënë këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 ( E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut.
Gjykata marrë për bazë faktin që procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës, përkatësisht shqyrtimi gjyqësor në procedurë penale ndaj tij është në zhvillim e sipër dhe bazuar në parimin e mirë të vendosur që procedura penale duhet të vlerësohet në tërësinë e saj, parashtruesi i kërkesës, pretendimet e tij që ndërlidhen me zhvillimin e procedurës hetimore e që i kanë paraprirë ngritjes së aktakuzës ndaj tij: (i) mund ti ngritë në procedurë të shqyrtimit gjyqësor; (ii) duke iu referuar garancive të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) parimeve dhe standardeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, gjykatat janë të detyruara të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Prandaj në kuptim të respektimit të parimit të subsidiaritetit, Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në këtë fazë të procedurës është e parakohshme, dhe rrjedhimisht konstatoi se kërkesa e tij bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit si dhe në rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës duhet të refuzohet si e papranueshme.
Pajtim Shabani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale