Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, C.nr.4023/2020, të 18 shkurtit 2021 

Nr. të lëndës KI47/21

Parashtruesit: Arton Shala dhe të tjerët

Shkarko:

KI47/21, Parashtrues: Arton Shala dhe të tjerët, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, C.nr.4023/2020, të 18 shkurtit 2021 

KI47/21, Aktvendim për papranueshmëri i 27 tetorit 2021, publikuar më 23 nëntor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, masa e përkohshme, kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe N.P.T. “Beken Com” me seli në Prishtinë, përfaqësuar nga parashtruesi i kërkesës Arton Shala në cilësi të kredimarrësit, kishin lidhur kontratë me të cilën parashtruesve të kërkesës u ishte lejuar kredia në shumën prej 200,000.00 euro me afat të kthimit prej 12 muajve. Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., në cilësi të kredidhënësit, dhe parashtruesit e kërkesës në cilësi të kredimarrësit, sërish lidhën kontratë për kredi biznesi, me të cilën parashtruesve të kërkesës u ishte lejuar kredia në shumën prej 180,000.00 euro me afat të kthimit prej 48 muajve. Institucioni financiar jobankar “Lesna” sh.a., bazuar në kontratat e lidhura me parashtruesit e kërkesës kishte kërkuar leje për Urdhër Përmbarimor kundër paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës. Përmbaruesi Privat A.T., kishte lejuar përmbarimin ndaj paluajtshmërisë së parashtruesve të kërkesës kurse këta të fundit paraqitën prapësim në Gjykatën Themelore kundër vendimit të përmbaruesit privat. Gjykata Themelore kishte hedhur poshtë të paafatshëm prapësimin e parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës ndërsa e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Pas përfundimit të këtyre procedurave, përmbaruesi privat urdhëroi blerjen dhe regjistrimin e paluajtshmërisë së parashtruesve të në kërkesës në emër dhe posedim të Institucionit financiar jobankar “Lesna” sh.a. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit e cila refuzoi të pathemeltë ankesën ndërsa vlerësoi se urdhri përmbarimor është i drejtë dhe i ligjshëm. Parashtruesit e kërkesës paraqitën propozim për masë të përkohshme të sigurisë në Gjykatën Themelore ashtu që të ndalohet çfarëdo ndryshimi apo tjetërsimi të paluajtshmërive që janë objekt i procedurës përmbarimore, mirëpo, Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar propozimin e parashtruesve të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës në thelb pretenduan shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së një vendimi të arsyetuar dhe për shkak se vendimet e gjykatave të rregullta janë “qartazi të paarsyeshme” përkatësisht kanë interpretuar ligjin në mënyrë arbitrare. Parashtruesit e kërkesës po ashtu kërkuan caktimin e masës së përkohshme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata vlerësoi se Gjykata e Apelit ka dhënë përgjigje lidhur me aspektet procedurale dhe përmbajtjesore të ndërlidhura me rastin e parashtruesve të kërkesës duke dhënë bazën ligjore, interpretuar kontratën për themelim të hipotekës dhe duke shpjeguar veprimet e organit përmbarues. Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se Aktvendimi me arsyetim formal të Gjykatës Themelore në Prishtinë në vetvete nuk ka cenuar procesin e rregullt sepse, shikuar procedurat në tërës, nuk mund të thuhet se parashtruesit e kërkesës nuk kanë marrë një vendim të arsyetuar në pajtim me garancitë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së.  Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën për caktimin e masës së përkohshme.

Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe ne rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Arton Shala dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër