KI123/19, Parashtrues “Suva Rechtsabteilung”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ae. nr.146/17, të 26 shkurtit 2019, Aktgjykim i miratuar më 13 maj 2020 dhe i publikuar më 18 qershor 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, person juridik, shkelje e të drejtave kushtetuese, neni 31 – e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, parimi i sigurisë juridike, divergjenca në praktikën gjyqësore të gjykatave të rregullta
Si pasojë e aksidentit të shkaktuar nga i siguruari i Byrosë Kosovare të Sigurimeve në vitin 2012, i siguruari i parashtruesit të kërkesës M.B. kishte pësuar lëndime. Në vitin 2013, i siguruari i parashtruesit të kërkesës kishte marrë trajtim mjekësor dhe kompensim për shkak të paaftësisë në punë për një periudhë të pacaktuar në Konfederatën e Zvicrës, të cilat ishin paguar nga parashtruesi i kërkesës. Më 13 janar 2015, parashtruesi i kërkesës duke u bazuar në të drejtën e tij për subrogim, në Gjykatën Themelore në Prishtinë paraqiti padi për kompensim në shumë prej 8,918.61 euro. Më 25 janar 2015, BKS dhe i siguruari i parashtruesit të kërkesës kishin arritur marrëveshje jashtëgjyqësore [e vërtetuar në Gjykatën Themelore në Pejë, C. Nr. 185/13, më 25 janar 2015], ku ky i fundit u kompensua nga BKS në shumën prej 1,000 eurove. Më 14 prill 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [II.EK. nr. 8/15] refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore konstatoi se pas lidhjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore, i siguruari i parashtruesit të kërkesës e ka konsumuar të drejtën e tij, për të kërkuar kompensimin e dëmit. Më 26 shkurt 2019, Gjykata e Apelit, [Aktgjykimi Ae. Nr. 146/17] refuzoi si të pa themeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi [ Ae. nr.146/17] i 26 shkurtit 2019 tw Gjykatës sw Apelit të Kosovës është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, dhe në cenim të parimit të sigurisë juridike, sepse sipas tij, Gjykata Supreme në nxjerrjen e këtij Aktgjykimi kishte vepruar edhe në kundërshtim më praktikën e saj gjyqësore në të paktën gjashtë (6) raste të cilat ai i kishte dorëzuar në Gjykatë në mbështetje të argumenteve të tij.
Në shqyrtimin e meritave të rastit, Gjykata elaboroi (i) praktikën gjyqësore lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor dhe (ii) parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, si dhe kriteret përkatëse bazuar në të cilat, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerëson nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjenca në praktikën gjyqësore përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, përkatësisht tri kriteret themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, përfshirë nëse: (a) divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (b) ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla dhe (c) ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti.
Parashtrues "Suva Rechtsabteilung”
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile