Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ae. nr.146/17, të 26 shkurtit 2019, Aktgjykim i miratuar më 13 maj 2020 dhe i publikuar më 18 qershor  2020

Nr. të lëndës KI 123/19

Parashtruesit: Parashtrues "Suva Rechtsabteilung”

Shkarko:

KI123/19, Parashtrues “Suva Rechtsabteilung”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ae. nr.146/17, të 26 shkurtit 2019, Aktgjykim i miratuar më 13 maj 2020 dhe i publikuar më 18 qershor  2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, person juridik, shkelje e të drejtave kushtetuese, neni 31 – e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, parimi i sigurisë juridike, divergjenca në praktikën gjyqësore të gjykatave të rregullta

Si pasojë e aksidentit të shkaktuar nga i siguruari i Byrosë Kosovare të Sigurimeve në vitin 2012, i siguruari i parashtruesit të kërkesës M.B. kishte pësuar lëndime. Në vitin 2013, i siguruari i parashtruesit të kërkesës kishte marrë trajtim mjekësor dhe kompensim për shkak të paaftësisë në punë për një periudhë të pacaktuar në Konfederatën e Zvicrës, të cilat ishin paguar nga parashtruesi i kërkesës. Më 13 janar 2015, parashtruesi i kërkesës duke u bazuar në të drejtën e tij për subrogim, në Gjykatën Themelore në Prishtinë paraqiti padi për kompensim në shumë prej 8,918.61 euro. Më 25 janar 2015, BKS dhe i siguruari i parashtruesit të kërkesës kishin arritur marrëveshje jashtëgjyqësore [e vërtetuar në Gjykatën Themelore në Pejë, C. Nr. 185/13, më 25 janar 2015], ku ky i fundit u kompensua nga BKS në shumën prej 1,000 eurove. Më 14 prill 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [II.EK. nr. 8/15] refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.  Gjykata Themelore konstatoi se pas lidhjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore, i siguruari i parashtruesit të kërkesës e ka konsumuar të drejtën e tij, për të kërkuar kompensimin e dëmit. Më 26 shkurt 2019, Gjykata e Apelit, [Aktgjykimi Ae. Nr. 146/17] refuzoi si të pa themeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se  Aktgjykimi [ Ae. nr.146/17] i 26 shkurtit 2019 tw Gjykatës sw Apelit  të Kosovës është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, dhe në cenim të parimit të sigurisë juridike, sepse sipas tij, Gjykata Supreme në nxjerrjen e këtij Aktgjykimi kishte vepruar edhe në kundërshtim më praktikën e saj gjyqësore në të paktën gjashtë (6) raste të cilat ai i kishte dorëzuar në Gjykatë në mbështetje të argumenteve të tij.

Në shqyrtimin e meritave të rastit, Gjykata elaboroi (i) praktikën gjyqësore lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor dhe (ii) parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, si dhe kriteret përkatëse bazuar në të cilat, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerëson nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjenca në praktikën gjyqësore përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, përkatësisht tri kriteret themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, përfshirë nëse: (a) divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (b) ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla dhe (c) ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti.

  1. Gjykata, duke i aplikuar parimet dhe kriteret e lartpërmendura, sa i përket pretendimit të parë të parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, konstatoi se në nxjerrjen e Aktgjykimit [Ae. nr.146/17] të 26 shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit, Gjykata e Apelit ka dështuar të arsyetojë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe rrjedhimisht është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.

 

  1. Sa i përket pretendimit të dytë të parashtruesit të kërkesës përkitazi me parimin e sigurisë juridike si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, Gjykata pasi shtjelloi parimet dhe kriteret themelore të vendosur nga Gjykata dhe GJEDNJ në këtë aspekt, dhe zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, konstatoi se as numri i aktgjykimeve të pretenduara si kundërthënëse, as periudha kohore brenda së cilës janë nxjerrë këto aktgjykime, nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse.
Parashtruesit:

Parashtrues "Suva Rechtsabteilung”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile