Bekim Sejdiu

Gjyqtar

Bekim Sejdiu (1974) është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Para emërimit gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese (prill 2015), gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.  Në këtë cilësi, ai ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014) Para se të caktohej Ambasador, gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Gjyqtari Sejdiu ka përfunduar studimet juridike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1999). Ai ka përfunduar dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit (2005), dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001). Gjyqtari Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.

Në të gjitha angazhimet e tij publike, gjyqtari Sejdiu ka qenë ngushtë i lidhur me përpjekjet për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, duke qenë kësisoj pjesë e grupit themelues dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED (2002-2008). Në vitet 2000-2002, ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.

Gjatë veprimtarisë së tij publike, gjyqtari Sejdiu është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh, si: Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut (SHBA), Çelësin e qytetit Worcester (Massachusetts, SHBA) dhe Medaljen nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë.

Duke qenë pjesë aktive në mësimdhënie universitare, gjyqtari Sejdiu ka ndjekur vizita studimore në universitete të ndryshme të Evropës dhe të SHBA-së.  Ka botuar një numër punimesh akademike në revista të ndryshme shkencore, ndërkombëtare dhe vendore.

Gjyqtari Sejdiu është i martuar me Alberie Sejdiu (Rraci), mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me të cilën ka tre fëmijë: Melisën, Samirën dhe Jonin.