Prishtinë, më 13 qershor 2024
Nr. ref.:RK 2448/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI290/23
Parashtrues
Qazim Saliuka
Vlerësim i kushtetutshmërisë së veprimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar, dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Qazim Saliuka me vendbanim në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e veprimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së veprimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me të cilat pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazia para ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike], nenin 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 28 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën personalisht në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 29 janar 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës.
Më 16 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [nr. GJR. KI290/23] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe me Vendimin [nr. KSH. KI290/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha (anëtar) dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtare).
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se kërkesa në fjalë ndërlidhet me çështjen e vërtetimit të të drejtave pronësore mbi ngastrën nr. 5059. Më konkretisht, për shkak të mosmarrëveshjeve me vëllain e tij, parashtruesi i kërkesës ka filluar dhe zhvilluar disa procedura të ndryshme gjyqësore, disa prej të cilave ishin të natyrës civile dhe disa të tjera të natyrës penale.
Gjykata, nga shkresat e lëndës, vëren se parashtruesi i kërkesës, më 22 gusht 2023, i është drejtuar Prokurorit të Shtetit me një shkresë, në të cilën ka theksuar se ai është subjekt i veprës penale të falsifikimit dhe se me këtë janë rrezikuar të drejtat e tij pronësore.
Më 25 gusht 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftoi parashtruesin e kërkesës se parashtresa ishte dërguar në kompetencë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ku kishin kërkuar nga ai që të verifikojë këto pretendime.
Më 8 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës në cilësinë e të dëmtuarit dhe të dëshmitarit. Me këtë rast, ai theksoi se anëtarët e familjes së tij, posaçërisht vëllai i tij, J.S., duke përdorur dokumente të falsifikuara, ka arritur që paluajtshmërinë me vlerë kapitale ta bartë në pronësi personale ku tani të njëjtën e ka dhënë për ndërtimin e bllokut banesor shumëkatësh me afarizëm.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës, më 20 nëntor 2023, ka paraqitur përsëri kallëzim penal kundër vëllait të tij për shkak të veprave penale nga neni 390 paragrafët 1 dhe 2, neni 391 paragrafi 1 pika 1.1 në lidhje me nenin 389 paragrafi 1, si dhe nenet 332 paragrafi 1 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Më 22 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përsëri parashtresë drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me cenimin drastik të të drejtave themelore nga Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe organet tjera ligjore.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata konstaton se, parashtruesi i kërkesës, pas plotësimit të dokumentacionit, bashkëngjiti edhe kallëzimin e ri penal që kishte dorëzuar më 12 janar 2024 në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se veprimet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë janë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike], nenin 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës më tej pretendon se edhe pse ka pasur parashtrime dhe kallëzime penale të mëparshme, Prokuroria Themelore në Gjakovë nuk ka ndërmarrë veprime sipas detyrave të saj, siç parashikon Kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi. Kjo ka lënë palët e përfshira në një konflikt serioz, me pasoja të paparashikuara, duke i lënë ato të zgjidhin çështjen në mënyrë private.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se ai u ka ofruar organeve kompetente, Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Kryeprokurorit të Shtetit, prova të padiskutueshme materiale që konfirmojnë faktin se vëllai i tij, J.S., në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të familjes, përkrahin dhe përdorin fëmijët e tij për t’i manipuluar “me pasuri të përvetësuar” pa miratimin e tij. Duke përdorur dokumente të falsifikuara, kanë bashkëpunuar me punonjësit e Drejtorisë Kadastrale në Gjakovë dhe përmes gjykatave kanë manipuluar dhe falsifikuar dokumentet me qëllim privimin nga e drejta pronësore. Këto veprime të tradhtisë dhe vjedhjes së pasurisë i’a kanë pamundësuar të jetojë, punojë dhe të kthehet në vendin e tij me fëmijët dhe bashkëshorten e tij.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të neneve 23, 24, 31, 32, 37, 46, 53 dhe 54 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se dy palët kundërshtare në rast (vëllai dhe ndërtuesi, më te cilin vëllai i parashtruesit të kërkesës kishte bërë marrëveshje për ndërtimin e banesave në atë paluajtshmëri), kanë një ndikim të konsiderueshëm në proceset shtetërore, respektivisht në Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nuk ka marrë përgjigje nga to, dhe se ai nuk pranon arsyetimet e organeve kompetente se kanë shumë lëndë, duke kërkuar të ndalohet para se të fillojë ndonjë konflikt i radhës, sepse ai është dëmtuar rëndë në çdo aspekt.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të gjejë shkelje të neneve 23, 24, 31, 32, 37, 46, 53 dhe 54 të Kushtetutës në veprimet ose mosveprimet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Dispozitat relevante kushtetuese
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 23
[Dinjiteti i Njeriut]
“Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.”
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 37
[E Drejta e Martesës dhe Familjes]
“Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.
Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.
Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“E drejta e pronës është e garantuar.
Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.”
[...]
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 48 (Saktësimi i kërkesës), thuhet se “parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Sa i përket këtyre kushteve, Gjykata së pari thekson se neni 48 i Ligjit pasqyrohet dhe konkretizohet më tutje në rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, dhe si të tilla - këto dy rregulla - duhet të lexohen bashkërisht (shih, rastin e Gjykatës: KI95/19, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, parashtrues: Ruzhdi Bejta, paragrafi 30).
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se neni 48 i Ligjit përmban gjithsej dy kërkesa. E para konsiston në (i) obligimin e parashtruesve të kërkesës që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë se u janë cenuar nga autoriteti publik - vendimin e të cilit e kontestojnë; dhe, e dyta konsiston në (ii) obligimin e parashtruesve të kërkesës që të specifikojnë aktin konkret të autoritetit publik që dëshirojnë ta kontestojnë para Gjykatës Kushtetuese. Që të dy këto kritere të nenit 48 të Ligjit e veçanërisht kriteri i parë i këtij neni reflektohen edhe në rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës ku kërkohet që një kërkesë e parashtruar në Gjykatë duhet të qartësojë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih, rastin e Gjykatës: KI95/19, cituar më lart, paragrafi 31, dhe rastin: KI157/21, parashtrues: Nexhat Veseli, Aktvendim për papranueshmëri i 10 nëntorit 2021, paragrafi 33).
Edhe në nivel të GJEDNJ-së, në rastet kur parashtruesit e kërkesës vetëm përmendin nenet e KEDNJ-së, por nuk qartësojnë dhe nuk saktësojnë pretendimet e tyre, kërkesat e tilla shpallen të papranueshme për mungesë të arsyetimit mbi pretendimet për shkelje të KEDNJ-së dhe si të tilla ato janë qartazi të pabazuara. Kërkesa për të paraqitur përmbledhjen e fakteve dhe të shkeljeve të pretenduara të KEDNJ-së me argumentim përkatës kërkohet me rregullin 47 [Përmbajtja e kërkesës individuale] të Rregullores së punës së GJEDNJ-së i cili buron nga neni 35 [Kushtet e pranueshmërisë] i KEDNJ-së. Mosrespektimi i kërkesave të parapara në këto dispozita rregulluese bën që kërkesat të mos merren në shqyrtim në merita nga GJEDNJ (shih në këtë aspekt, rastet e GJEDNJ-së në të cilat parashtruesit nuk kanë arsyetuar fare pretendimet e tyre për shkelje të KEDNJ-së, Nicola Borderi kundër Rumanisë, nr. 15446/15, Vendim i 11 tetorit 2018 dhe Michel Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008).
Për sa i përket këtij rasti, në lidhje me kushtet e përmendura të pranueshmërisë të përcaktuara në Ligj dhe të specifikuara më tej në Rregullore të punës, Gjykata thekson se përkundër faktit se parashtruesi i kërkesës theksoi qartë se ai konteston veprimet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe faktit se ka përmendur dispozitat që pretendon se janë shkelur, përkatësisht nenet 23, 24, 31, 32, 37, 46, 53 dhe 54 të Kushtetutës, ai nuk e ka përmbushur obligimin e tij “për të paraqitur në mënyrë adekuate pretendimet se si dhe në çfarë mënyre janë shkelur të drejtat apo dispozitat e Kushtetutës” nga autoritetet publike, përkatësisht nga Prokuroria Themelore në Gjakovë në këtë rast. Parashtruesi i kërkesës nuk është lëshuar në dhënien e arsyetimeve të pretendimeve të tij. Ai vetëm përmend nenet e lartcekura të Kushtetutës, duke mos shpjeguar se si dhe në çfarë mënyre janë shkelur këto të drejta të parashikuara me këto nene nga Prokuroria Themelore.
Në lidhje me këto fakte, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk i ka theksuar qartë pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe, rrjedhimisht, nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara me nenin 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës (shih, rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI95/19, cituar më lart, paragrafi 33; KI157/21, cituar më lart, paragrafi 32).
Megjithatë, edhe në rrethana të tilla, Gjykata nuk mund të mos vërejë dhe të mos theksojë në vendim, se vetë faktet e rastit nuk korrespondojnë me pretendimet e parashtruesit të kërkesës se nuk ka pasur veprime të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, sepse nga veprimet procedurale të rastit është më se evidente se Prokuroria Themelore në Gjakovë ka reaguar sipas udhëzimit të Prokurorisë së Shtetit në sferën e juridiksionit të saj, duke urdhëruar Policinë që të ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të përcaktimit të bazueshmërisë së pretendimeve të parashtruesit të kërkesës.
Prandaj, në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, më 29 prill 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes ne Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Qazim Saliuka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar