Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit për pezullim të marrëdhënies së punës, të 19 tetorit 2016

Nr. të lëndës KI 07/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI07/19, Parashtrues: Shemsi Hajrizi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit për pezullim të marrëdhënies së punës, të 19 tetorit 2016

KI07/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2019, publikuar më 24 shtator 2019.

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, parimi i subsidiaritetit, mosshterje e mjeteve juridike

Më 19 tetor 2016, Ministria e Drejtësisë kishte nxjerrë Vendimin me nr. 1239, dhe e kishte pezulluar nga puna parashtruesin e kërkesës, ndër të tjera duke arsyetuar se  parashtruesi pezullohet nga puna dhe detyrat e tij me pagesë prej 50% të pagesës bazë, duke filluar nga 18 tetori 2016 dhe zgjatë deri në përfundimin e procedurës penale. Kundër këtij Vendimi parashtruesi i kërkesës ka pasur të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të këtij Vendimi.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesë nuk kishte specifikuar se cilat të drejta dhe liri të garantuara me Kushtetutë i janë shkelur me vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Ai në thelb  pretendon se edhe pse në pikën 2 të Vendimit të kontestuar parashihet se parashtruesi do të marrë pagë prej 50%, deri në përfundimin e procedurës penale, kjo, sipas parashtruesit të kërkesës ka ndodhur deri në  muajin shtator të 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendon se të ardhurat personale i janë ndalur pa të drejtë nga 1 tetori 2018.

Gjykata kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës, pas marrjes së Vendimit për pezullimin e marrëdhënies së tij të punës më 10 tetor 2016, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim juridik, përkatësisht nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike të parapara me ligj, me të cilat ka mundur të tentojë të kontestojë ligjshmërinë e vendimit për pezullimin e marrëdhënies së punës. Në këtë mënyrë Gjykata konkludoi se, parashtruesi i kërkesës, në rastin konkret, ka hequr dorë nga e drejta e tij për ta shfrytëzuar mjetin juridik i cili, në pajtim me ligjin e zbatueshëm, ishte në dispozicion të tij, prandaj, konkludohet se ai nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj.

Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, dhe se kërkesa është e papranueshme në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Shemsi Hajrizi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative